Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Familje të krishtere: «Rrini gati»

Familje të krishtere: «Rrini gati»

Familje të krishtere: «Rrini gati»

«Rrini gati, sepse ka të ngjarë që Biri i njeriut të vijë në një orë që nuk e mendoni.»​—LUKA 12:40.

1, 2. Përse duhet ta marrim seriozisht nxitjen e Jezuit ‘për të ndenjur gati’?

Ç’DO të ndodhë me ty dhe familjen tënde, «kur biri i njeriut të mbërrijë në lavdinë e tij» dhe të ndajë «njerëzit njërin nga tjetri»? (Mat. 25:31, 32) Meqë kjo do të ndodhë në një orë që nuk e mendojmë, sa e rëndësishme është ta marrim seriozisht nxitjen e Jezuit ‘për të ndenjur gati’!​—Luka 12:40.

2 Në artikullin e mëparshëm u trajtua se në ç’mënyrë secili pjesëtar i familjes mund ta ndihmojë gjithë familjen të rrijë zgjuar frymësisht duke e marrë seriozisht përgjegjësinë e vet. Tani, le të shqyrtojmë disa mënyra të tjera se si mund të japim ndihmesën tonë për mirëqenien frymore të familjes.

Mbajeni syrin ‘të thjeshtë’

3, 4. (a) Nga çfarë duhet të ruhen familjet e krishtere? (b) Ç’do të thotë të mbajmë syrin ‘të thjeshtë’?

3 Që të jenë gati për ardhjen e Krishtit, familjet duhet të kenë kujdes të mos shmangen nga aktivitete që lidhen me adhurimin e vërtetë. Duhet të ruhen nga shpërqendrimet. Përderisa materializmi është një grackë ku kanë ngecur shumë familje, vini re këshillën e Jezuit për ta mbajtur syrin ‘të thjeshtë’. (Lexo Mateun 6:22, 23.) Ashtu si llamba mund të na ndriçojë udhën e të na lejojë të ecim pa u rrëzuar, gjërat që futim në mendje nëpërmjet ‘syve [figurativë] të zemrës’ mund të na ndriçojnë e të na ndihmojnë të mos biem në mëkat.​—Efes. 1:18.

4 Që të shohë qartë, syri duhet të funksionojë si duhet dhe të jetë në gjendje të përqendrohet në atë që po sheh. Njësoj është edhe me sytë e zemrës. Të kemi një sy figurativ të thjeshtë, do të thotë të përqendrohemi vetëm te një qëllim. Në vend që të bëjmë një jetë të përqendruar te gjërat materiale dhe të merakosemi së tepërmi vetëm për nevojat fizike të familjes, ne i mbajmë sytë të përqendruar te gjërat frymore. (Mat. 6:33) Kjo nënkupton se jemi të kënaqur me gjërat e nevojshme materiale që kemi dhe vëmë në vend të parë në jetë shërbimin ndaj Perëndisë.​—Hebr. 13:5.

5. Si tregoi një vajzë adoleshente se e kishte ‘syrin’ te shërbimi ndaj Perëndisë?

5 Ç’rezultate të mira mund të vijnë kur fëmijët stërviten të mbajnë një sy të thjeshtë! Të shohim shembullin e një vajze adoleshente nga Etiopia. Ajo doli aq mirë me mësime, saqë kur mbaroi arsimimin bazë, i ofruan një bursë për të vazhduar më tej. Megjithatë, e kishte syrin të përqendruar te shërbimi ndaj Jehovait, prandaj nuk e pranoi bursën. Menjëherë pas kësaj, i ofruan një punë me 3000 euro në muaj​—një shumë e lartë në krahasim me pagën mesatare në vendin e saj. Mirëpo, vajza e kishte ‘syrin’ te shërbimi si pioniere. Nuk pati nevojë të këshillohej me prindërit nëse duhej ta refuzonte punën. Si reaguan prindërit kur morën vesh ç’kishte bërë vajza e tyre? U gëzuan dhe i thanë se ndiheshin krenarë për të!

6, 7. Ndaj cilit rrezik duhet ‘të rrimë syhapur’?

6 Brenda fjalëve të Jezuit te Mateu 6:22, 23 ka një paralajmërim për lakminë. Jezui nuk e krahasoi fjalën «i thjeshtë» me antonimin e saj «i përbërë», por me termin «i lig». Fjala greke e përkthyer «i lig» do të thotë edhe «ziliqar» ose «lakmitar». Ç’mendon Jehovai për zilinë ose lakminë? Bibla thotë: «Kurvëria, ndyrësia e çdo lloji ose lakmia [zilia] as të mos përmenden ndër ju.»​—Efes. 5:3.

7 Ndonëse lakminë është e lehtë ta vëresh te të tjerët, nuk është aq e lehtë ta vëresh te vetja. Prandaj, është e mençur t’i vëmë veshin kësaj këshille të Jezuit: «Rrini syhapur dhe ruhuni nga çdo lloj lakmie.» (Luka 12:15) Kjo kërkon të bëjmë një vetëshqyrtim për të kuptuar se ku e kemi zemrën. Familjet e krishtere duhet të mendojnë seriozisht për kohën dhe paratë që harxhojnë për zbavitjet, pushimin dhe fitimin e gjërave materiale.

8. Si mund ‘të rrimë syhapur’ kur bëhet fjalë për blerjet?

8 Para se të blini diçka, nuk duhet të mendoni vetëm a jua mban xhepi. Mbani parasysh faktorë të tillë, si: «A do të kem kohë ta përdor rregullisht e të kujdesem për ta mirëmbajtur? Sa kohë do të më duhet që të mësoj ta përdor si duhet?» Të rinj, mos u besoni të gjitha reklamave të botës për mallrat e konsumit, që të mos bëni kërkesa të paarsyeshme për veshje ose produkte të tjera firmato e të shtrenjta. Ushtroni vetëpërmbajtje. Gjithashtu, mendoni për ndikimin që do të ketë te familja juaj blerja e këtyre gjërave. A do të jetë ende gati për ardhjen e Birit të njeriut? Kini besim në këtë premtim të Jehovait: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.»​—Hebr. 13:5.

Ndiqni synime frymore

9. Për çfarë mund ta ndihmojë një familje ndjekja e synimeve frymore?

9 Një mënyrë tjetër se si pjesëtarët e familjes mund të forcojnë besimin e tyre dhe t’i kontribuojnë mirëqenies frymore të gjithë familjes, është duke vendosur synime frymore e duke i ndjekur ato. Kjo mund t’i ndihmojë familjet të shikojnë se si po ecin drejt synimit të tyre për t’i pëlqyer Jehovait dhe u jep mundësi të vendosin se cilat aktivitete duhet të jenë më të rëndësishme për to.​—Lexo Filipianëve 1:10.

10, 11. Çfarë synimesh frymore po ndiqni si familje dhe ç’synime do të donit të vinit në të ardhmen?

10 Edhe vendosja e synimeve të vogla e realiste që arrihen kollaj nga çdo pjesëtar i familjes, mund të sjellë dobi të mëdha. Të marrim, për shembull, synimin për të shqyrtuar çdo ditë shkrimin e ditës. Komentet e pjesëtarëve të familjes mund ta ndihmojnë kryefamiljarin të kuptojë se në ç’nivel është gjendja frymore e secilit. Synimi për të lexuar rregullisht Biblën si familje, u jep një mundësi të shkëlqyer fëmijëve të përmirësojnë aftësinë e të lexuarit, si dhe kuptueshmërinë e tyre për mesazhin e Biblës. (Psal. 1:1, 2) Dhe, a nuk duhet të synojmë të përmirësojmë cilësinë e lutjeve tona? Po ashtu, një synim i shkëlqyer që mund të ndjekim, është të zhvillojmë në masë më të madhe frytin e frymës. (Gal. 5:22, 23) Përveç kësaj, a mund të gjejmë mënyra të tjera për t’u treguar empati njerëzve që takojmë në shërbim? Kur përpiqeni ta bëni këtë si familje, mund t’i ndihmoni fëmijët të kenë dhembshuri. Kështu, ka më shumë të ngjarë të rritin dëshirën për të shërbyer si pionierë të rregullt ose misionarë.

11 Përse të mos shqyrtoni disa synime që mund të ndiqni familjarisht? A mund të synoni si familje të kaloni më shumë kohë në shërbim? A mund të punoni për të kapërcyer druajtjen nga dëshmia në telefon, në rrugë ose në territorin tregtar? A mund të shërbeni aty ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë? A mund të mësojë ndonjë pjesëtar i familjes një gjuhë të re për t’u predikuar lajmin e mirë njerëzve nga kombe të tjera?

12. Ç’mund të bëjnë kryefamiljarët që t’i ndihmojnë familjet të rriten frymësisht?

12 Ju kryefamiljarë, identifikoni fusha ku familja juaj mund të rritet frymësisht. Pastaj, vendosni synime specifike për ta arritur këtë qëllim. Synimet që vini si familje duhet të jenë realiste dhe brenda mundësive, rrethanave e aftësive tuaja. (Prov. 13:12) Sigurisht, duhet kohë dhe përpjekje për të arritur një synim që ia vlen. Prandaj, blini nga koha që harxhoni duke parë televizor dhe përdoreni për aktivitete frymore. (Efes. 5:15, 16) Punoni fuqimisht për të arritur synimet që keni vendosur për familjen. (Gal. 6:9) Përparimi i një familjeje që ndjek synime frymore, «do të duket qartë për të gjithë».​—1 Tim. 4:15.

Mbrëmja e Adhurimit Familjar

13. Çfarë ndryshimi u bë në programin javor të mbledhjeve të kongregacionit dhe për cilat pyetje duhet të meditojmë?

13 Një ndihmë e shkëlqyer që familjet ‘të rrinë gati’ për ardhjen e Birit të njeriut, është ndryshimi domethënës i programit javor të mbledhjeve që nga 1 janari 2009. Nevoja për t’u mbledhur bashkë në një ditë të veçantë për Studimin e Librit të Kongregacionit, siç quhej atëherë, u eliminua duke e ndërthurur atë mbledhje me Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe Mbledhjen e Shërbimit. Ky rregullim u bë që t’u jepte mundësi familjeve të krishtere të forconin gjendjen e tyre frymore, duke programuar një mbrëmje specifike çdo javë për adhurimin familjar. Tani që ka kaluar ca kohë nga ai ndryshim, mund të pyesim veten: «A po e përdor kohën që m’u dha për mbrëmjen e Adhurimit Familjar ose për studimin personal? A e kam arritur me sukses objektivin e këtij rregullimi?»

14. (a) Cili është qëllimi kryesor i mbrëmjes së Adhurimit Familjar ose i studimit personal? (b) Pse është e domosdoshme të caktojmë një mbrëmje për të studiuar?

14 Qëllimi kryesor i mbrëmjes së Adhurimit Familjar ose i studimit personal, është që t’i afrohemi më shumë Perëndisë. (Jak. 4:8) Kur kalojmë kohë duke studiuar rregullisht Biblën dhe duke shtuar njohurinë për Krijuesin, marrëdhënia jonë me të forcohet. Sa më shumë afrohemi me Jehovain, aq më shumë motivohemi ta duam atë ‘me gjithë zemrën tonë, me gjithë shpirtin tonë, me gjithë mendjen tonë dhe me gjithë forcën tonë’. (Mar. 12:30) Natyrisht, kemi dëshirë t’i bindemi Perëndisë e të bëhemi imitues të tij. (Efes. 5:1) Prandaj, adhurimi familjar i rregullt është një faktor kyç që i ndihmon të gjithë pjesëtarët e familjes sonë ‘të rrinë gati’ frymësisht, ndërsa presim ‘shtrëngimin e madh’ që është parathënë. (Mat. 24:21) Është i domosdoshëm për të mbijetuar.

15. Si mund të ndikojë mbrëmja e Adhurimit Familjar në ndjenjat e pjesëtarëve të familjes për njëri-tjetrin?

15 Adhurimi Familjar ka edhe një objektiv tjetër: të ndihmojë pjesëtarët e familjes të afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Koha që kalojnë së bashku çdo javë duke diskutuar për argumente frymore, ndikon dukshëm në ndjenjat e pjesëtarëve të familjes për njëri-tjetrin. Sa shumë lidhen bashkëshortët tek dëgjojnë shprehjet e gëzimit të njëri-tjetrit kur zbulojnë bashkë ndonjë xhevahir frymor! (Lexo Eklisiastiun 4:12.) Prindërit dhe fëmijët që adhurojnë së bashku ka shumë të ngjarë të lidhen me dashuri, e cila është «një lidhje e përsosur bashkimi».​—Kolos. 3:14.

16. Trego se si po nxjerrin dobi tri motra nga mbrëmja që kanë caktuar për studimin e Biblës.

16 Të shqyrtojmë si kanë nxjerrë dobi tri motra të krishtere nga mbrëmja që kanë caktuar për studimin e Biblës. Ndonëse s’kanë lidhje gjaku, këto tri vejusha të moshuara jetojnë në të njëjtin qytet dhe kanë qenë shoqe të ngushta për shumë vjet. Duke dashur të rrinin më shumë bashkë dhe, njëkohësisht, të përqendroheshin më tepër te gjërat frymore, sesa thjesht të rrinin për shoqëri, ato vendosën të caktonin një mbrëmje për të studiuar së bashku Biblën. Nisën ta bënin këtë duke studiuar librin ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë. Njëra prej tyre thotë: «Kënaqemi aq shumë, saqë studimi zgjat zakonisht mbi një orë. Përpiqemi të përfytyrojmë situatat në të cilat ndodheshin vëllezërit tanë në shekullin e parë dhe diskutojmë se ç’do të kishim bërë ne në rrethana të ngjashme. Pastaj, përpiqemi t’i zbatojmë në shërbim pikat që mësojmë nga diskutimi. Kjo na e ka bërë veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve më të gëzueshme e frytdhënëse se më parë.» Përveçse i ka ndërtuar frymësisht, kjo gjë i ka bashkuar edhe më shumë këto tri shoqe të ngushta. Ato thonë: «E kemi shumë për zemër këtë mundësi.»

17. Cilët faktorë mund ta bëjnë të suksesshme mbrëmjen e Adhurimit Familjar?

17 Po ju? Si po nxirrni dobi nga mbrëmja që keni caktuar për adhurimin familjar ose studimin personal? Nëse e bëni me hope, nuk do të arrini objektivat që dëshironi. Çdo pjesëtar i familjes duhet të jetë gati për studimin në kohën e caktuar. Nuk duhet të lejoni t’ju pengojnë çështje të parëndësishme. Për më tepër, materialin e studimit duhet ta zgjidhni sa më praktik për familjen. Ç’mund të bëni që studimi të jetë i kënaqshëm? Përdorni metoda mësimdhënieje të efektshme dhe mbani një atmosferë të respektueshme e të qetë.​—Jak. 3:18. *

«Rrini zgjuar» dhe «rrini gati»

18, 19. Si duhet të ndikojë te ti dhe te familja jote fakti që ardhja e Birit të njeriut është afër?

18 Kushtet e përkeqësuara të botës që karakterizojnë ditët tona, nuk lënë asnjë dyshim se që nga viti 1914 bota e ligë e Satanait ka hyrë në ditët e saj të fundit. Retë e stuhishme të Harmagedonit nuk mund të jenë shumë larg. Së shpejti, do të vijë koha kur Biri i njeriut të vijë për të ekzekutuar gjykimin e Jehovait kundër njerëzve të paperëndishëm. (Psal. 37:10; Prov. 2:21, 22) A nuk duhet të ndikojë ky fakt te ti dhe te familja jote?!

19 A po i vini veshin këshillës së Jezuit që të mbani një sy ‘të thjeshtë’? Ndonëse njerëzit e kësaj bote rendin pas pasurisë, famës ose pushtetit, a po ndjek familja juaj synime frymore? A po ju sjell rezultate mbrëmja e Adhurimit Familjar ose studimi personal? A po i arrini objektivat që kishit? Siç u trajtua në artikullin e mëparshëm, a po i plotësoni përgjegjësitë biblike si burra, gra a fëmijë, duke e ndihmuar kështu gjithë familjen ‘të rrijë zgjuar’? (1 Sel. 5:6) Nëse po, ‘do të rrini gati’ për ardhjen e Birit të njeriut.

[Shënimi]

^ par. 17 Disa ide se çfarë të studioni dhe si ta bëni mbrëmjen e Adhurimit Familjar praktike e të kënaqshme, mund t’i gjeni te Kulla e Rojës e 15 tetorit 2009, faqet 29-31.

Çfarë mësuat?

• Shpjegoni si mund ‘të rrinë gati’ familjet e krishtere . . .

duke pasur një sy ‘të thjeshtë’.

duke vënë dhe ndjekur synime frymore.

duke bërë Adhurimin Familjar.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 13]

Një sy «i thjeshtë» do të na nxitë t’u rezistojmë shpërqendrimeve të botës