Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po e lë Jehovain të jetë pjesa jote?

A po e lë Jehovain të jetë pjesa jote?

A po e lë Jehovain të jetë pjesa jote?

«Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.»​—MAT. 6:33.

1, 2. (a) Cilët përfaqëson «Izraeli i Perëndisë» që përmendet te Galatasve 6:16? (b) Cilët përfaqësojnë «dymbëdhjetë fiset e Izraelit» te Mateu 19:28?

ÇFARË të vjen ndër mend kur lexon në Bibël emrin Izrael? A mendon për Jakobin, të birin e Isakut, emri i të cilit u ndryshua në Izrael? Apo mendon për pasardhësit e tij, kombin e lashtë të Izraelit? Po për Izraelin frymor? Kur emri Izrael përmendet në kuptimin e figurshëm, zakonisht përdoret për «Izraelin e Perëndisë», për ata 144.000 persona që janë mirosur me frymën e shenjtë për t’u bërë mbretër dhe priftërinj në qiell. (Gal. 6:16; Zbul. 7:4; 21:12) Por, të shqyrtojmë një rast kur 12 fiset e Izraelit përmenden në një kuptim të veçantë në Mateun 19:28.

2 Jezui tha: «Në përtëritjen e krijimit, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm, ju që më keni ndjekur, do të uleni edhe vetë në dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit.» Në këtë varg, «dymbëdhjetë fiset e Izraelit» janë ata që do të gjykohen nga dishepujt e mirosur të Jezuit dhe që presin të marrin jetën e përjetshme në Parajsën në tokë. Ata do të nxjerrin dobi nga shërbimet priftërore të 144.000 të mirosurve.

3, 4. Çfarë shembulli të shkëlqyer kanë lënë të mirosurit besnikë?

3 Ashtu si priftërinjtë dhe levitët në lashtësi, të mirosurit sot e konsiderojnë privilegj shërbimin. (Num. 18:20) Të mirosurit nuk presin që t’u jepet ndonjë vend a territor në tokë. Përkundrazi, mezi presin të bëhen mbretër dhe priftërinj në qiell bashkë me Jezu Krishtin. Ata do të vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait në atë caktim, si tregojnë fjalët e Zbulesës 4:10, 11 në lidhje me të mirosurit në pozitën e tyre qiellore.​—Ezek. 44:28.

4 Ndërsa janë ende në tokë, të mirosurit bëjnë një jetë që dëshmon se Jehovai është pjesa e tyre. Privilegji për t’i shërbyer Perëndisë ka rëndësi parësore për ta. Kanë besim te flijimi shpërblyes i Krishtit dhe e ndjekin atë vazhdimisht, e në këtë mënyrë ‘sigurohen për thirrjen dhe zgjedhjen e tyre’. (2 Pjet. 1:10) Rrethanat dhe aftësitë e gjithsecilit prej tyre ndryshojnë. Megjithatë, nuk i përdorin kufizimet si justifikim për të bërë vetëm pak në shërbim të Perëndisë. Përkundrazi, i japin përparësi shërbimit të Perëndisë, duke bërë gjithçka munden. Kështu, lënë një shembull të shkëlqyer për ata që shpresojnë të jetojnë në një tokë parajsore.

5. Si mund ta kenë të gjithë të krishterët Jehovain si pjesën e tyre dhe pse kjo mund të jetë sfiduese?

5 Qoftë nëse kemi shpresën qiellore apo atë tokësore, duhet ‘të mohojmë veten, të marrim shtyllën tonë të torturës dhe të ndjekim vazhdimisht Krishtin’. (Mat. 16:24) Miliona veta që shpresojnë të jetojnë në Parajsë në tokë, po adhurojnë Perëndinë dhe po e ndjekin Krishtin në këtë mënyrë. Ata nuk kënaqen duke bërë vetëm pak, kur e ndiejnë se mund të bëjnë më tepër. Shumë prej tyre janë nxitur të thjeshtojnë jetën e të shërbejnë si pionierë. Të tjerë i rregullojnë punët që të shërbejnë si pionierë të paktën disa muaj çdo vit. Të tjerë akoma, ndonëse nuk kanë mundësi të shërbejnë si pionierë, përpiqen fort në shërbim. Këta janë si Maria e përkushtuar, e cila derdhi vaj të parfumuar mbi kokën e Jezuit. Ai tha: «Ajo bëri një veprim të shkëlqyer për mua. . . . Ajo bëri atë që mundi.» (Mar. 14:6-8) Të bëjmë gjithë sa mundemi, mund të mos jetë e lehtë pasi jetojmë në një botë që sundohet nga Satanai. Megjithatë, përpiqemi fuqimisht dhe kemi besim te Jehovai. Të shqyrtojmë se si e bëjmë këtë në katër fusha specifike.

Të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë

6. (a) Si e tregojnë njerëzit në përgjithësi se pjesa e tyre është vetëm në këtë jetë? (b) Përse është më mirë të kemi pikëpamjen e Davidit?

6 Jezui i mësoi ithtarët e tij të kërkonin në radhë të parë Mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë. Njerëzit në përgjithësi priren të vënë në vend të parë interesat personale, si ‘njerëz të kësaj bote, që e marrin pjesën e vet në këtë jetë’. (Lexo Psalmin 17:1, 13-15) Pa respekt për Krijuesin e tyre, shumë veta jepen pas një jete të rehatshme, krijimit të familjes dhe lënies së trashëgimtarëve. Pjesa e tyre është vetëm në këtë jetë. Nga ana tjetër, Davidi ishte i interesuar të bënte «një emër të mirë» në sytë e Jehovait, ashtu sikurse më vonë i biri i porositi të gjithë të bënin. (Ekl. 7:1, shën. Bibla me referime, angl.) Ashtu si Asafi, edhe Davidi e kuptoi se të kishte Jehovain si mik, ishte shumë më e rëndësishme se të vinte në vend të parë në jetë interesat personale. Ai kënaqej teksa ecte me Perëndinë. Në ditët tona, shumë të krishterë kanë vënë aktivitetet frymore para punës në botë.

7. Ç’bekim pati një vëlla ngaqë vendosi në radhë të parë Mbretërinë?

7 Të marrim, për shembull, Zhan-Klodin, në Republikën e Afrikës Qendrore. Ai shërben si plak, është i martuar dhe ka tre fëmijë. Në atë vend është e vështirë të gjesh punë dhe shumica e njerëzve do të bënin pothuajse gjithçka për të mbajtur vendin e punës. Një ditë, menaxheri i prodhimit i tha Zhan-Klodit të fillonte të punonte mbrëmjeve, duke nisur nga ora 18.30, shtatë ditë në javë. Zhan-Klodi i shpjegoi se, përveçse të kujdesej materialisht për familjen, i duhej të kujdesej edhe për mirëqenien e tyre frymore. I tha, gjithashtu, se kishte përgjegjësi të ndihmonte kongregacionin. Cila ishte përgjigjja e menaxherit? «Nëse je aq me fat sa të kesh një punë, duhet t’i harrosh gjithë të tjerat, përfshirë gruan, fëmijët dhe problemet e tua. Duhet t’ia kushtosh jetën punës dhe vetëm punës. Zgjidh: fenë ose punën.» Çfarë do të kishe bërë ti? Zhan-Klodi e dinte se po të humbte punën, Perëndia do të kujdesej për të. Ende do të kishte shumë për të bërë në shërbim të Perëndisë dhe Ai do ta ndihmonte të kujdesej për nevojat materiale të familjes. Kështu, ndoqi mbledhjen që kishin në mesjavë. Kur mbaroi, u bë gati të shkonte në punë, i pasigurt nëse ende kishte një punë. Pikërisht atëherë, mori një telefonatë. Menaxherin e kishin pushuar nga puna, kurse vëllai ynë është ende në punë.

8, 9. Në ç’kuptim mund të imitojmë priftërinjtë dhe levitët e të kemi Jehovain pjesën tonë?

8 Disa që janë gjendur në rrethana ku dukej sikur rrezikonin të humbnin punën, mund të kenë pyetur veten: «Si do ta përmbush përgjegjësinë që të kujdesem për familjen?» (1 Tim. 5:8) Je gjendur apo jo përballë një sfide të tillë, nga përvoja jote ka shumë të ngjarë të jesh i sigurt se nuk ke për t’u zhgënjyer kurrë nëse Perëndia është pjesa jote dhe nëse e çmon së tepërmi privilegjin për t’i shërbyer atij. Kur u tha dishepujve të vazhdonin të kërkonin në radhë të parë mbretërinë, Jezui i siguroi se ‘të gjitha këto gjëra të tjera​—si, ç’do të hanin, ç’do të pinin ose ç’do të vishnin—​do t’u shtoheshin’.​—Mat. 6:33.

9 Mendo për fisin e levitëve, të cilët nuk morën trashëgimi. Meqë adhurimi i pastër ishte shqetësimi i tyre parësor, duhej të mbështeteshin te Jehovai për mjetet e jetesës. Ai tha për këtë fis: «Unë jam pjesa jote.» (Num. 18:20) Ndonëse ne nuk shërbejmë në një tempull të mirëfilltë si priftërinjtë dhe levitët, mund të imitojmë frymën e tyre e të kemi besim se Jehovai do të kujdeset për ne. Ndërsa futemi më thellë në ditët e fundit, mund të presim që jeta të bëhet më e vështirë për ne që refuzojmë të pranojmë «damkën» e bishës. Prandaj, do të jetë gjithnjë e më e rëndësishme të kemi besim se Perëndia do të kujdeset për ne.​—Zbul. 13:17.

Të kërkojmë në radhë të parë drejtësinë e Perëndisë

10, 11. Si kanë treguar disa besim te Jehovai në lidhje me punën? Jep një shembull.

10 Jezui i nxiti dishepujt edhe ‘të vazhdonin të kërkonin në radhë të parë drejtësinë e Perëndisë’. (Mat. 6:33) Kjo do të thotë të vësh normat e Jehovait për të drejtën dhe për të gabuarën përpara normave njerëzore. (Lexo Isainë 55:8, 9.) Në të shkuarën, disa ishin përfshirë në kultivimin e duhanit ose shitjen e produkteve të tij, në stërvitjen ushtarake të të tjerëve ose në prodhimin dhe shitjen e armëve të luftës. Pasi mësuan të vërtetën, shumica prej tyre zgjodhën të ndryshonin punën dhe u kualifikuan për t’u pagëzuar.​—Isa. 2:4; 2 Kor. 7:1; Gal. 5:14.

11 Andrea është një shembull. Kur ai dhe e shoqja mësuan për Jehovain, vendosën t’i shërbenin. Andrea ishte krenar për punën që bënte, por e la. Përse? Sepse punonte për një organizatë joasnjanëse dhe ishte i vendosur të vinte në radhë të parë drejtësinë e Perëndisë. Kur Andrea e la punën, kishte dy fëmijë, nuk kishte asnjë burim të ardhurash, por vetëm ca para që do të mjaftonin vetëm për pak muaj. Nga pikëpamja njerëzore mund të dukej se ai s’kishte asnjë ‘trashëgimi’. Me besim te Perëndia, nisi të kërkonte një punë. Kur mendojnë për atë kohë, ai dhe familja e tij mund të konfirmojnë se dora e Jehovait nuk është e shkurtër. (Isa. 59:1) Duke mbajtur një jetë të thjeshtë, Andrea dhe e shoqja kanë pasur madje privilegjin të shërbejnë në kohë të plotë. Ai thotë: «Ka pasur raste kur paratë, strehimi, shëndeti dhe vetë fakti që po plakemi na kanë sjellë ankth. Por Jehovai na ka qëndruar gjithnjë pranë. . . . Mund ta themi pa pikë dyshimi se t’i shërbesh Jehovait është pa diskutim, gjëja më fisnike dhe më shpërblyese që mund të bëjë njeriu.» *​—Ekl. 12:13.

12. Cila cilësi nevojitet për të vënë në radhë të parë normat e Perëndisë? Cito shembuj nga vendi.

12 Jezui u tha dishepujve: «Po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: ‘Lëviz nga këtu atje’, dhe ai do të lëvizë, e asgjë nuk do të jetë e pamundur për ju.» (Mat. 17:20) A do të ishe në gjendje të vije normat e Perëndisë në radhë të parë, nëse kjo do të shkaktonte vështirësi? Nëse nuk je i sigurt për këtë, fol me pjesëtarë të tjerë të kongregacionit. Pa dyshim, do të përtërihesh frymësisht tek dëgjon përvojat e tyre.

Të vlerësojmë kujdesin frymor të Jehovait

13. Ç’mund të presim në lidhje me kujdesin frymor, kur përpiqemi fuqimisht në shërbim të Jehovait?

13 Nëse e çmon privilegjin për t’i shërbyer Jehovait, të jesh i sigurt se ai do të kujdeset për nevojat e tua fizike dhe frymore, ashtu siç u kujdes për mjetet e jetesës së levitëve. Mendo për Davidin. Edhe pse ishte në shpellë, ishte i sigurt se Perëndia do të kujdesej për të. Edhe ne mund të kemi besim të Jehovai, edhe kur na duket sikur s’ka ndonjë rrugëdalje. Mos harro se kur ‘vajti në shenjtëroren e madhërishme të Perëndisë’, Asafi e kuptoi se çfarë e shqetësonte. (Psal. 73:17) Në mënyrë të ngjashme, kemi nevojë t’i drejtohemi Burimit të ushqimit tonë frymor. Kështu, tregojmë vlerësim për privilegjin që t’i shërbejmë Perëndisë, sido qofshin rrethanat tona. Në këtë mënyrë, po lejojmë që Jehovai të jetë pjesa jonë.

14, 15. Si duhet të reagojmë kur hidhet më shumë dritë mbi disa shkrime dhe përse?

14 Si reagon kur Jehovai, Burimi i ndriçimit frymor, hedh dritë mbi «gjërat e thella të Perëndisë» që gjenden në Bibël? (1 Kor. 2:10-13) Një shembull i shkëlqyer është reagimi i apostullit Pjetër kur Jezui u tha atyre që po e dëgjonin: «Po të mos hani mishin e Birit të njeriut e po të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete.» Shumë dishepuj i morën këto fjalë në kuptimin e mirëfilltë, prandaj thanë: «Ky i folur është tronditës! Kush mund ta dëgjojë?» Ata «iu kthyen gjërave që kishin lënë prapa». Mirëpo, Pjetri tha: «Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përhershme.»​—Gjoni 6:53, 60, 66, 68.

15 Pjetri nuk e kuptoi plotësisht atë që tha Jezui për ngrënien e trupit të Tij dhe pirjen e gjakut të Tij. Megjithatë, apostulli pati besim se Perëndia do ta ndriçonte frymësisht. Kur drita frymore për ndonjë çështje bëhet më e plotë, a përpiqesh të kuptosh cilat janë arsyet biblike të këtyre rregullimeve? (Prov. 4:18) Bereasit e shekullit të parë e pranuan fjalën «me etje të madhe, dhe çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet». (Vep. 17:11) Duke i imituar, do të rritësh vlerësimin për privilegjin që t’i shërbesh Jehovait dhe që e ke atë pjesën tënde.

Martesa vetëm në Zotërinë

16. Si mund të jetë Perëndia pjesa jonë në lidhje me urdhrin që gjejmë te 1 Korintasve 7:39?

16 Një fushë tjetër ku të krishterët duhet të mbajnë në mendje qëllimet e Perëndisë, është zbatimi i drejtimit biblik për t’u martuar «vetëm në Zotërinë». (1 Kor. 7:39) Shumë kanë zgjedhur të qëndrojnë beqarë në vend që të shpërfillin këtë këshillë hyjnore. Perëndia kujdeset me dashamirësi për këta individë. Çfarë bëri Davidi kur u ndie i vetmuar dhe, në dukje, pa asnjë ndihmë? Ai tha: «U zbraza tek [Perëndia] për shqetësimin tim, atij ia rrëfeva vuajtjen time, kur fryma ime u mpak brenda meje.» (Psal. 142:1-3) Ndjenja të ngjashme mund të ketë pasur edhe profeti Jeremia, i cili i shërbeu me besnikëri Perëndisë për dekada si beqar. Shembullin e tij mund ta studiosh në kapitullin 8 të librit Perëndia na flet nëpërmjet Jeremisë.

17. Si e përballon një motër beqare vetminë që ndien herë pas here?

17 Një motër në Shtetet e Bashkuara thotë: «Nuk kam vendosur të rri beqare tërë jetën. Jam gati të martohem kur të njoh personin e duhur. Mamaja ime, që nuk është Dëshmitare, u përpoq të më bindte që të martohesha me kë të më dilte përpara. E pyeta nëse donte ta mbante ajo përgjegjësinë sikur martesa ime të dështonte. Me kohë, ajo vërejti që kisha një punë të qëndrueshme, kujdesesha për veten dhe isha e lumtur. Nuk më bënte më presion.» Disa herë, kjo motër ndihet e vetmuar. Ajo thotë: «Në ato momente, përpiqem ta lë veten në dorë të Jehovait. Ai s’më braktis kurrë.» Çfarë e ka ndihmuar të ketë besim te Jehovai? «Lutjet më ndihmojnë të ndiej se Perëndia është real dhe se nuk jam kurrë vetëm. Më i Larti i universit më dëgjon, prandaj si mund të mos ndihem e nderuar dhe e gëzuar?» E sigurt se «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh», ajo thotë: «Bëj çmos t’i ndihmoj të tjerët, pa pritur asgjë në këmbim. Ndiej gëzim në zemër kur mendoj: ‘Ç’mund të bëj për ta ndihmuar këtë person?’» (Vep. 20:35) Po, ajo e ka Jehovain pjesën e saj dhe kënaqet me privilegjin që t’i shërbejë atij.

18. Në ç’kuptim ti mund të jesh pjesa e Jehovait?

18 Pavarësisht në ç’rrethana mund të gjendesh, mund ta lejosh Jehovain të jetë pjesa jote. Duke e bërë këtë, do të jesh pjesë e popullit të tij të lumtur. (2 Kor. 6:16, 17) Kjo do të bëjë që edhe ti të jesh pjesa e Jehovait, siç ishin të tjerë në të kaluarën. (Lexo Ligjin e përtërirë 32:9, 10.) Ashtu sikurse Izraeli u bë pjesa e Jehovait mes kombeve, ai mund të të shënojë edhe ty si të vetin dhe me dashuri të kujdeset për ty.​—Psal. 17:8.

[Shënimi]

Si do të përgjigjeshe?

Si mund ta lejosh Jehovain të bëhet pjesa jote:

• duke kërkuar në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij?

• duke treguar vlerësim për ushqimin frymor?

• duke zbatuar urdhrin e Perëndisë për t’u martuar vetëm në Zotërinë?

[Pyetjet]

[Diçitura në faqen 13]

Jehovai bëhet pjesa jonë kur shqetësimi ynë parësor bëhet shërbimi i tij

[Figura në faqen 15]

Shembulli i Jeremisë është inkurajues