Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mëso nga durimi i Jehovait dhe i Jezuit

Mëso nga durimi i Jehovait dhe i Jezuit

«Konsiderojeni durimin e Zotërisë tonë si shpëtim.»​—2 PJET. 3:15.

1. Ç’pyetje bëjnë disa shërbëtorë besnikë?

NJË motër besnike që kishte përballuar shumë sfida gjatë disa dekadave, pyeti me përulësi: «A do ta shoh fundin para se të vdes?» Disa që i kanë shërbyer prej kohësh Jehovait, bëjnë të njëjtën pyetje. Dëshirojmë me zjarr ditën kur Perëndia të bëjë çdo gjë të re, duke hequr problemet që hasim tani. (Zbul. 21:5) Ndonëse kemi mjaft arsye që të besojmë se fundi i sistemit të Satanait është shumë afër, mund të jetë e vështirë ta presim me durim atë ditë.

2. Cilat pyetje për durimin hyjnor do të shqyrtojmë?

2 Megjithatë, Bibla tregon se duhet të kemi durim. Ashtu si shërbëtorët e Perëndisë në të kaluarën, edhe ne do të marrim atë që ka premtuar Perëndia nëse kemi besim të fortë dhe presim me durim kohën kur ai t’i përmbushë këto premtime. (Lexo Hebrenjve 6:11, 12.) Vetë Jehovai ka qenë i durueshëm. Ai mund t’i kishte dhënë fund ligësisë në çdo moment, por po pret kohën e duhur. (Rom. 9:20-24) Pse është kaq i durueshëm? Si ka qenë Jezui një shembull durimi hyjnor? Çfarë bekimesh do të marrim nëse kultivojmë durimin hyjnor? Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të na ndihmojnë të kemi durim dhe besim të fortë, edhe nëse mund të na duket sikur Jehovai po vonon.

PSE JEHOVAI TREGON DURIM?

3, 4. (a) Pse ka treguar durim Jehovai në lidhje me përmbushjen e qëllimit të tij për tokën? (b) Si reagoi Jehovai ndaj rebelimit në Eden?

3 Jehovai ka arsye të forta pse tregon durim. Vërtet ai ka gjithmonë autoritetin më të lartë në univers, megjithatë, rebelimi në Eden bëri të ngriheshin pyetje me rëndësi universale. Jehovai ka qenë i durueshëm,  ngaqë e dinte se do të duhej kohë për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve në mënyrë të përsosur. Meqë i njeh me hollësi veprimet dhe qëndrimet e individëve në qiell e në tokë, me siguri ai po bën atë që është më e mira për ne.​—Hebr. 4:13.

4 Qëllimi i Jehovait ishte që pasardhësit e Adamit dhe Evës të mbushnin tokën. Kur Satanai joshi Evën, dhe më pas Adami nuk iu bind Perëndisë, Ai nuk hoqi dorë nga qëllimi i tij. Nuk e zuri paniku, nuk mori vendime të nxituara ose nuk reagoi në mënyrë të tepruar duke hequr dorë nga familja njerëzore. Përkundrazi, mendoi një mënyrë se si ta përmbushte atë që kishte si qëllim për njerëzit dhe për planetin Tokë. (Isa. 55:11) Që të përmbushë qëllimin dhe të shfajësojë sovranitetin e tij, Jehovai ka ushtruar vetëkontroll e durim të madh, madje duke pritur mijëra vjet për disa aspekte të qëllimit të tij që të realizohen në mënyrën më të mirë.

5. Ç’bekime kemi falë durimit të Jehovait?

5 Një arsye tjetër pse Jehovai ka pritur me durim, është që në këtë mënyrë të kenë jetën e përhershme sa më shumë njerëz. Tani po bën përgatitjet që të shpëtojë «një shumicë të madhe». (Zbul. 7:9, 14; 14:6) Përmes veprës sonë të predikimit, Jehovai po i fton të gjithë njerëzit të mësojnë për Mbretërinë dhe standardet e tij të drejta. Mesazhi i Mbretërisë është lajmi më i bukur që mund të dëgjojë njerëzimi​—po, është «lajm i mirë». (Mat. 24:14) Çdo njeri që Jehovai tërheq, bëhet pjesë e një kongregacioni mbarëbotëror me miq të sinqertë, të cilët duan atë që është e drejtë. (Gjoni 6:44-47) Perëndia ynë i dashur i ndihmon njerëz të tillë që të kenë miratimin e tij. Gjithashtu, ka zgjedhur disa njerëz që të bëhen pjesëtarë të qeverisë së tij qiellore. Kur të marrin pozitën e tyre qiellore, këta shërbëtorë të përkushtuar do t’i ndihmojnë njerëzit e bindur të arrijnë përsosmërinë dhe jetën e pafund. Megjithëse po pret me durim, Jehovai po punon ndërkohë për përmbushjen e premtimeve të tij në dobinë tonë.

6. (a) Në ç’kuptim tregoi durim Jehovai në ditët e Noesë? (b) Si po tregon Jehovai durim në ditët tona?

6 Jehovai është i durueshëm, pavarësisht nga provokimet ekstreme, siç mund ta shohim nga mënyra si veproi ndaj ligësisë para Përmbytjes. Në atë kohë, toka ishte mbushur me imoralitet e dhunë, dhe Jehovai «u hidhërua në zemër» për shkak të gjendjes së degjeneruar të njerëzve. (Zan. 6:2-8) Ai nuk do ta toleronte atë situatë përgjithmonë, ndaj vendosi të sillte një përmbytje mbi njerëzimin e pabindur. Ndërkohë që «priste me durim në ditët e Noesë», Jehovai bëri përgatitje që të shpëtonte Noenë dhe familjen e tij. (1 Pjet. 3:20) Në kohën e përshtatshme, Jehovai e njoftoi Noenë për vendimin dhe i dha si caktim të ndërtonte një arkë. (Zan. 6:14-22) Për më tepër, Noeja ishte ‘një predikues i drejtësisë’ dhe u fliste njerëzve për shkatërrimin që po u kanosej. (2 Pjet. 2:5) Jezui tha se ditët tona janë të ngjashme me ato të Noesë. Jehovai e ka vendosur kur do ta sjellë fundin e këtij sistemi të lig. Asnjë njeri nuk e di ‘ditën dhe orën’ kur do të vijë fundi. (Mat. 24:36) Në këtë kohë, Perëndia na ka caktuar një vepër: të lajmërojmë njerëzit e t’u themi si të shpëtojnë.

7. A është i ngadalshëm Jehovai në lidhje me përmbushjen e premtimeve të tij? Shpjego.

7 Qartë, durimi i Jehovait nuk nënkupton se ai thjesht po pret të kalojë koha. Jo, s’duhet të mendojmë kurrë se Jehovai nuk kushton vëmendje ose është apatik! Por, realisht mund të jetë një sfidë ta mbajmë këtë në mendje ndërsa mosha shkon ose vuajmë në këtë sistem të  lig. Mund të na lëshojë zemra ose të na duket sikur Perëndia është i ngadalshëm në lidhje me përmbushjen e premtimeve të tij. (Hebr. 10:36) Mos harro kurrë se ai ka arsye të forta pse po tregohet i duruar dhe se po e përdor këtë kohë për dobinë e shërbëtorëve të tij besnikë. (2 Pjet. 2:3; 3:9) Gjithashtu, shqyrto si shfaqi Jezui durim hyjnor.

SI LA JEZUI NJË SHEMBULL TË SHKËLQYER DURIMI?

8. Në cilat rrethana tregoi durim Jezui?

8 Jezui po bën vullnetin e Jehovait dhe e ka bërë këtë me zell prej epokash të panumërta. Kur Satanai u rebelua, Jehovai vendosi që Biri i tij i vetëmlindur të vinte në tokë si Mesia. Mendo se ç’do të thoshte kjo për Jezuin​—të priste me durim mijëra vjet derisa të vinte koha. (Lexo Galatasve 4:4.) Ai nuk priste në mënyrë pasive gjatë gjithë asaj kohe; përkundrazi, ishte i zënë me punën që i kishte caktuar Ati. Kur erdhi në tokë, ai e dinte se do t’i duhej të vdiste nga duart e Satanait, siç ishte profetizuar. (Zan. 3:15; Mat. 16:21) Me durim iu nënshtrua vullnetit të Perëndisë, edhe pse kjo nënkuptonte të vuante nga dhembjet e tmerrshme. Ai ishte një shembull i përsosur besnikërie. Nuk përqendrohej te vetja e te pozita e tij, dhe ne mund të nxjerrim dobi nga kjo.​—Hebr. 5:8, 9.

9, 10. (a) Çfarë ka bërë Jezui ndërsa ka pritur me durim që Jehovai të veprojë? (b) Si duhet t’i shohësh kohët që ka caktuar Jehovai?

9 Pas ringjalljes, Jezui mori autoritet në qiell dhe në tokë. (Mat. 28:18) Ai e përdor këtë autoritet që të përmbushë qëllimin e Jehovait në kohën që ka caktuar Perëndia. Me durim, Jezui priti në të djathtën e Perëndisë deri në vitin 1914 kur armiqtë e tij u vunë si stol për këmbët e tij. (Psal. 110:1, 2; Hebr. 10:12, 13) Së shpejti, ai do të hidhet në veprim që t’i japë fund sistemit të Satanait. Ndërkohë, Jezui bashkëpunon me durim me njerëzit dhe i drejton ata për tek ‘ujërat e jetës’.​—Zbul. 7:17.

10 A vëren te shembulli i Jezuit mënyrën si duhet t’i shohësh kohët që ka caktuar Jehovai? Pa dyshim, Jezui donte me gjithë zemër të bënte çfarëdo që t’i kërkonte Ati; megjithatë ishte i gatshëm të priste kohën e caktuar nga Ai. Teksa presim fundin e sistemit të lig të Satanait, të gjithë kemi nevojë për durim hyjnor, duke pritur Perëndinë dhe duke mos u dorëzuar për shkak të shkurajimit. Ç’mund të bëjmë për të zhvilluar durim të tillë hyjnor?

SI TË ZHVILLOJ DURIM HYJNOR?

11. (a) Si lidhet besimi me durimin? (b) Pse kemi arsye të vlefshme për të pasur besim të fortë?

11 Para se Jezui të vinte në tokë, profetët dhe shërbëtorë të tjerë besnikë treguan me shembullin e tyre se edhe njerëzit e papërsosur mund të qëndrojnë me durim. Kishte një lidhje të drejtpërdrejtë midis besimit dhe durimit të tyre. (Lexo Jakovin 5:10, 11.) Nëse ata nuk do ta kishin besuar vërtet atë që u kishte thënë Jehovai, pra nëse nuk do të kishin pasur besim, a do të kishin pritur me durim përmbushjen e premtimeve të tij? Herë pas here, ata duruan sfida besimi të frikshme ose të vështira, të sigurt se në fund Perëndia do ta bënte atë që kishte premtuar. (Hebr. 11:13, 35-40) Ne kemi edhe më tepër arsye për të pasur një besim të patundur, sepse tani Jezui shërben si «Përsosësi i besimit tonë». (Hebr. 12:2) Ai përmbushi shumë profeci dhe na ndihmoi të kuptojmë më mirë qëllimet e Perëndisë.

12. Ç’mund të bëjmë që të forcojmë besimin?

12 Cilët hapa praktikë mund të bëjmë që të forcojmë besimin e të zhvillojmë  durimin? Është thelbësore të zbatojmë këshillat e Perëndisë. Për shembull, mendo për arsyet pse duhet të vësh në vend të parë në jetë Mbretërinë. A mund të përpiqesh më shumë të zbatosh këshillën që gjendet te Mateu 6:33? Kjo mund të nënkuptojë që të kalosh më tepër kohë në shërbim ose të ndreqësh disa aspekte të mënyrës së jetesës. Mos harro se si i ka bekuar Jehovai përpjekjet e tua deri tani. Ai mund të të ketë ndihmuar të kesh një studim të ri biblik ose ‘paqen e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim’. (Lexo Filipianëve 4:7.) Ndërsa përqendrohesh kështu te dobitë që ke marrë duke zbatuar udhëzimet e Jehovait, do të kuptosh se ia vlen të jesh i durueshëm.​—Psal. 34:8.

13. Cili ilustrim na ndihmon të kuptojmë se si besimi na bën më të duruar?

13 Një ilustrim mund të na ndihmojë të kuptojmë se si besimi na bën më të duruar. Një bujk mbjell, kultivon dhe korr. Sa herë ka të korra të mbara, ndihet më i sigurt për të mbjellë farë stinën tjetër. Sigurisht, i duhet të presë me durim për kohën e korrjes, por kjo nuk e ndalon të mbjellë, madje të mbjellë më shumë tokë se stinën e mëparshme. Ai ka besim se do të korrë. Po njësoj, kur mësojmë udhëzimet e Jehovait, i zbatojmë dhe korrim dobi, besimi dhe siguria jonë tek ai rriten. Atëherë është më e lehtë të kemi durim dhe të presim për bekimet që e dimë se do të vijnë.—Lexo Jakovin 5:7, 8.

Durimi hyjnor do të të ndihmojë të përqendrohesh tek interesat e Mbretërisë e të korrësh bekime

14, 15. Cilin këndvështrim duhet të kemi për vuajtjet njerëzore?

14 Një mënyrë tjetër për të zhvilluar durimin është duke shqyrtuar si duhet ta shohim botën dhe rrethanat tona personale. Përpiqu t’i shohësh gjërat siç i sheh Jehovai. Për shembull, mendo se si i sheh ai vuajtjet njerëzore. Për një kohë të gjatë ai ka ndier dhembje tek shihte  vuajtjet njerëzore; por nuk ka lejuar që hidhërimi ta ndalojë të bëjë të mira. Ai dërgoi Birin e vetëmlindur «për të zhbërë veprat e Djallit» e çdo dëm që u ka sjellë Satanai njerëzve. (1 Gjon. 3:8) Në të vërtetë, do të shihet se vuajtjet kanë qenë të përkohshme, ndërsa zgjidhja e Perëndisë është e përhershme. Po ashtu, në vend që të lejojmë të na mbytë ligësia e sundimit të Satanait sot ose të bëhemi të padurueshëm për ardhjen e fundit, le të kemi besim te gjërat që nuk shihen, të cilat do të zgjasin përgjithmonë. Jehovai ka vendosur një kufi specifik për t’i dhënë fund ligësisë dhe do të veprojë tamam në kohë.​—Isa. 46:13; Nau. 1:9.

15 Gjatë këtyre ditëve të fundit e të vështira të këtij sistemi, mund të hasim sprova të veçanta për besimin. Në vend që të reagojmë me zemërim nëse bëhemi viktima të dhunës ose kur njerëzit tanë të dashur vuajnë, duhet të jemi të vendosur të besojmë plotësisht te Jehovai. Ne jemi të papërsosur, prandaj kjo nuk është e lehtë. Megjithatë, sill ndër mend atë që bëri Jezui, siç është dokumentuar te Mateu 26:39.​Lexoje.

16. Çfarë nuk duhet të bëjmë gjatë kohës që mbetet?

16 Diçka që mund të na pengojë të shfaqim durim hyjnor është qëndrimi «të presim e të shohim». Ç’do të thotë kjo? Po ja, ndokush që nuk ka besim se fundi është afër, mund të fillojë të mendojë, si të thuash, për një plan rezervë, në rast se gjërat nuk dalin ashtu siç kishte thënë Jehovai. Me fjalë të tjera, mund të mendojë: «Do të pres e të shoh nëse Jehovai do ta mbajë vërtet fjalën.» Pastaj ai mund të përpiqet të bëjë një emër për veten në këtë botë, të kërkojë siguri financiare në vend që të vërë në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë ose të besojë se arsimimi i lartë do t’i sigurojë një jetë të rehatshme tani. Por, në të vërtetë, a nuk do të tregonte kjo mungesë besimi? Kujto që Pavli na nxiti të jemi imitues të atyre besnikëve që «nëpërmjet besimit dhe durimit», morën premtimet nga Jehovai. (Hebr. 6:12) Perëndia nuk do të lejojë që ky sistem i lig të ekzistojë më tepër se sa është absolutisht e nevojshme sipas qëllimit të tij. (Hab. 2:3) Ndërkohë, nuk duhet t’i shërbejmë Jehovait sa për të thënë. Përkundrazi, duhet të qëndrojmë zgjuar e të predikojmë me zell lajmin e mirë, i cili është burim kënaqësie të pashoqe edhe tani.​—Luka 21:36.

ÇFARË BEKIMESH SJELL DURIMI?

17, 18. (a) Ç’mundësi kemi tani ndërsa presim me durim? (b) Çfarë bekimesh do të marrim duke treguar durim tani?

17 Qoftë nëse i shërbejmë Perëndisë prej disa muajsh, qoftë prej disa dekadash, duam t’i shërbejmë atij përgjithmonë. Durimi na ndihmon të qëndrojmë derisa të fitojmë shpëtimin, pavarësisht se sa kohë i mbetet këtij sistemi. Tani Jehovai po na jep mundësinë të tregojmë se kemi besim të plotë te vendimet e tij dhe se do t’i qëndrojmë besnikë edhe sikur të na duhet të vuajmë për hir të emrit të tij. (1 Pjet. 4:13, 14) Gjithashtu, Perëndia po na jep atë stërvitje që na ndihmon të kemi durimin e nevojshëm për të shpëtuar.​—1 Pjet. 5:10.

18 Jezui ka çdo autoritet në qiell e në tokë dhe asgjë nuk mund ta pengojë që të të mbrojë nëse qëndron besnik. (Gjoni 10:28, 29) Nuk ka pse t’i frikësohesh së ardhmes, madje as vdekjes. Ata që qëndrojnë me durim deri në fund, do të shpëtojnë. Prandaj, s’duhet ta lejojmë botën të na joshë dhe të na bëjë të mos besojmë më te Jehovai. Përkundrazi, duhet të jemi të vendosur të forcojmë besimin dhe ta përdorim me mençuri këtë kohë kur Jehovai po tregon durim.​—Mat. 24:13; lexo 2 Pjetrit 3:17, 18.