Pyetje nga lexuesit
Para se të njihnim të vërtetën, unë dhe gruaja përdorëm fekondimin in vitro, ngaqë donim të kishim një fëmijë. Nuk u përdorën të gjitha vezët e fekonduara (embrionet); disa i vunë në ngrirje. Duhet t’i mbajmë apo mund t’i eliminojmë?
Kjo nuk është veçse një nga çështjet e shumta mjaft të rëndësishme morale dhe etike që hasin çiftet që zgjedhin fekondimin in vitro (IVF). Çdo çift është përgjegjës para Jehovait për vendimin që do të marrë. Megjithatë, një përshkrim i përgjithshëm i kësaj teknologjie riprodhuese të asistuar mund të jetë ndihmë.
Më 1978, një grua në Angli ishte e para që lindi atë që shumë e quajtën bebe epruvete. Gruaja nuk mund të ngjizej, sepse tubat e Falopit ishin bllokuar dhe nuk i lejonin spermatozoidët të arrinin te veza (vezët). Nëpërmjet një procedure kirurgjike, mjekët morën prej saj një vezë të pjekur, e vunë në një enë qelqi dhe e fekonduan me spermën e të shoqit. Embrionin e krijuar e lanë të zhvillohej në lëndë ushqyese e më pas e vendosën në mitrën e saj, ku zuri vend. Me kalimin e kohës, lindi një vajzë. Kjo procedurë dhe variantet e saj u quajtën fekondimi in vitro (në qelq) ose IVF.
Ndonëse hollësitë mund të ndryshojnë nga vendi në vend, në përgjithësi IVF-ja përfshin sa vijon: për disa javë gruas i jepet një ilaç i fortë që i stimulon vezoret të prodhojnë shumë vezë. Burrit mund t’i kërkohet të japë spermë të freskët me anë të masturbimit. Vezët dhe sperma e pastruar bashkohen në laborator. Mund të fekondohen shumë vezë të cilat nisin të ndahen e bëhen embrione. Pas rreth një dite, këto embrione të sapoformuara shqyrtohen me kujdes për të dalluar cilat janë me defekte dhe cilat duken të shëndetshme e që ka më shumë të ngjarë të zënë vend e të zhvillohen. Rreth ditës së tretë, në mitrën e gruas zakonisht nuk vihet një, por dy ose tri nga embrionet më të mira, që të rritet mundësia e shtatzënisë. Nëse një a më shumë prej tyre zënë vend, ajo mbetet shtatzënë dhe pritet që pas ca kohësh të lindë.
Por, ç’të themi për embrionet e mbetura, përfshirë ato që dukeshin më pak të shëndetshme ose madje me defekte? Nëse nuk do t’u tregohej kujdes, shpejt do të vdisnin. Që të mos ndodhë kjo, embrionet e tepërta mund të vihen në ngrirje në azot të lëngët. Pse? Nëse IVF-ja e parë dështon, disa prej këtyre embrioneve rezervë mund të përdoren në një cikël tjetër IVF-je me kosto më të ulët. Sidoqoftë, kjo ngre disa çështje etike. Ashtu si në rastin e çiftit që bëri pyetjen e mësipërme, shumë janë në dilemë për embrionet e ngrira. Ndoshta nuk duan më fëmijë. Ose për shkak të moshës a të gjendjes financiare mund të mos duan të bëjnë një përpjekje tjetër. Mbase u frikësohen rreziqeve që vijnë nga një shtatzëni e shumëfishtë. * Ose vdekja a rimartesa e njërit a e të dy bashkëshortëve mund t’i ndërlikojë gjërat. Po, shqetësimet rriten dhe si pasojë, disa çifte vazhdojnë të paguajnë për vite që të ruhen embrionet.
Më 2008, një kryeembriolog tha në gazetën The New York Times se shumë pacientë e kishin tejet të vështirë të vendosnin se çfarë të bënin me embrionet e tepërta. Artikulli thoshte: «Në klinikat e mbarë vendit ka të paktën 400.000 embrione të ngrira dhe çdo ditë shtohen të tjera. . . . Embrionet mund të jetojnë për një dekadë ose më tepër nëse ngrihen siç duhet, por jo të gjitha mbijetojnë kur shkrihen.» (Kursivi është yni.) Ky fakt i fundit u jep arsye disa të krishterëve të ndalen e të mendojnë. Pse?
Çiftet e krishtere që përballen me çështjet e ngritura nga IVF-ja, mund të mendojnë për ndërlikimet e një situate tjetër mjekësore. Për shembull, një të krishteri mund t’i duhet të vendosë se ç’të bëjë për një të afërm që s’ka shpresë dhe mbahet gjallë me mjete artificiale, si respiratori që e ndihmon të marrë frymë. Të krishterët e vërtetë janë kundër neglizhencës mjekësore. Në përputhje me Daljen 20:13 dhe Psalmin 36:9, ata e vlerësojnë shumë jetën. Në revistën Zgjohuni! 8 maj 1974 (angl.) thuhej: «Nga respekti për pikëpamjen e Perëndisë për shenjtërinë e jetës, për shkak të ndërgjegjes së tyre dhe për t’iu bindur ligjeve të vendit, ata që dëshirojnë ta përputhin jetën me parimet biblike nuk do të zgjidhnin kurrë eutanazinë pozitive», e cila është një veprim i vullnetshëm për t’i dhënë fund jetës së një pacienti. Mirëpo, në disa situata, e vetmja gjë që mbetet për të mbajtur në jetë një njeri është një makineri. Familjarët duhet të vendosin nëse të vazhdojnë ta mbajnë në jetë apo jo me atë mjet artificial.
Sigurisht, kjo situatë nuk është njësoj me atë që has një çift që ka përdorur IVF-në dhe tani ka embrione në ngrirje. Por, një mundësi që mund t’u ofrohet atyre është heqja e embrioneve nga azoti i ngrirë dhe shkrirja e tyre. Pa ambientin artificial të ngrirësit, shpejt embrionet do të përkeqësoheshin deri në pikën që të mos mbijetonin dot. Çiftit i duhet të vendosë nëse do ta lejojë këtë.—Gal. 6:7.
Një çift mund të vendosë të përballojë koston e ruajtjes së embrioneve rezervë në ngrirje ose t’i përdorë ato në të ardhmen teksa përpiqen të kenë fëmijë. Megjithatë, një çift tjetër mund të vendosë të mos i ruajë embrionet e ngrira, duke i konsideruar të mbajtura në jetë vetëm me mjete artificiale. Të krishterët që duhet të marrin një vendim të tillë, kanë përgjegjësinë para Perëndisë që të përdorin ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës. Ata duhet të dëshirojnë të kenë ndërgjegje të patrazuar, ndërkohë që nuk shpërfillin ndërgjegjen e të tjerëve.—1 Tim. 1:19.
Të krishterët që duhet të marrin një vendim të tillë, kanë përgjegjësinë para Perëndisë që të përdorin ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës
Një ekspert në endokrinologjinë riprodhuese vuri re se shumica e çifteve «ishin të pështjelluara e njëkohësisht shumë të shqetësuara ngaqë kishin përgjegjësinë të vendosnin ç’të bënin me embrionet [e ngrira]». Ai nxori përfundimin: «Për mjaft çifte, duket se s’ka asnjë vendim të mirë.»
Është e qartë se të krishterët e vërtetë që mendojnë të përdorin IVF-në, duhet të peshojnë të gjitha ndërlikimet e kësaj teknologjie. Bibla këshillon: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon tutje dhe vuan pasojat.»—Prov. 22:3.
Një çift i pamartuar që po studion Biblën dëshiron të pagëzohet, por nuk mund ta ligjërojnë bashkimin e tyre ngaqë burri nuk është banor i ligjshëm. Qeveria nuk e lejon një të huaj të paligjshëm të martohet. A mund të firmosin ata një Deklaratë Besnikërie e më pas të pagëzohen?
Kjo mund të duket një zgjidhje, por nuk është mënyra biblike për të zgjidhur problemin. Për ta kuptuar përse, le të shqyrtojmë së pari qëllimin e Deklaratës së Besnikërisë, pse ekziston dhe si e ku mund të zbatohet.
Ky dokument është një deklaratë e shkruar, e firmosur në prani të dëshmitarëve nga një çift që nuk i lejojnë të martohen për arsyen e përmendur më poshtë. Në dokument ata zotohen se do t’i qëndrojnë besnikë njëri-tjetrit dhe do ta ligjërojnë bashkimin e tyre nëse kjo do të bëhet e mundur. Kongregacioni do t’i konsiderojë si të kenë deklaruar publikisht dhe me shkrim para Perëndisë dhe njerëzve se do t’i qëndrojnë besnikë njëri-tjetrit, prandaj bashkimi i tyre mund të shihet sikur të ishte ligjëruar nga autoritetet civile.
Pse dhe kur përdoret Deklarata e Besnikërisë? Jehovai themeloi martesën dhe e vlerëson shumë atë. Biri i tij tha: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mat. 19:5, 6; Zan. 2:22-24) Jezui shtoi: «Kushdo që divorcohet nga gruaja, përveç rastit kur ajo kryen kurvëri, [imoralitet seksual] dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.» (Mat. 19:9) Pra, ‘kurvëria’, ose me fjalë të tjera imoraliteti seksual, është e vetmja bazë për divorcin që, nga ana biblike, mund t’i japë fund një martese. Për shembull, nëse një burrë kryen marrëdhënie seksuale jashtëmartesore, gruaja e tij e pafajshme mund të vendosë të divorcohet ose jo. Nëse divorcohet, është e lirë të martohet me një tjetër.
Megjithatë, në disa vende, sidomos në të kaluarën, feja mbizotëruese nuk e pranonte këtë qëndrim të qartë biblik. Përkundrazi, mësonte se divorci nuk mund të jepet për asnjë arsye. Kështu në disa vende ku feja ka pasur ndikim të madh, ligji nuk e lejon fare divorcin, madje as mbi bazën e vlefshme që pohoi Jezui. Në vende të tjera, lejohet divorci, por procedura e tij është shumë e gjatë, e ndërlikuar dhe e vështirë. Mund të duhen vite të tëra për t’u divorcuar. Është sikur feja dhe qeveria ‘të pengojnë’ atë që Perëndia e pranon.—Vep. 11:17.
Për shembull, një çift jeton në një vend ku divorci është i pamundur ose tejet i vështirë për t’u arritur, pasi ndoshta duhen vite që të bëhet i vlefshëm. Nëse ata kanë bërë tërë përpjekjet e arsyeshme për t’i dhënë fund një martese ekzistuese dhe në sytë e Perëndisë janë të lirë të martohen, mund të firmosin një Deklaratë Besnikërie. Kjo është një masë e mëshirshme e kongregacionit të krishterë që mund të përdoret në vende të tilla. Gjithsesi, nuk duhet përdorur në shumicën e vendeve ku divorci mund të bëhet, edhe nëse procesi i tij është disi i kushtueshëm ose i ndërlikuar.
Ngaqë nuk e kanë kuptuar Deklaratën e Besnikërisë, disa që jetojnë në vende ku divorci mund të bëhet, kanë kërkuar të firmosin një dokument të tillë që të shmangin ngatërresat ose vështirësitë.
Në rastin në fjalë, burri dhe gruaja që jetojnë bashkë në mënyrë imorale, dëshirojnë të martohen. Secili është i lirë nga ana biblike të martohet; asnjëri nuk është i lidhur me një bashkëshort të mëparshëm. Mirëpo, burri nuk është banor i ligjshëm në vend dhe qeveria nuk e autorizon martesën e një të huaji të paligjshëm. (Në shumë vende autoritetet e lejojnë martesën edhe nëse njëra palë ose të dyja nuk kanë një status të ligjshëm në vend.) Në rastin që po shqyrtojmë, në atë vend lejohet divorci. Si rrjedhim, firmosja e Deklaratës së Besnikërisë nuk vlen atje. Vini re që në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me një çift ku njëri ose të dy po kërkojnë të divorcohen nga një martesë e mëparshme dhe s’u lejohet kjo gjë. Ata janë të dy të lirë të martohen. Por, si mund ta bëjnë këtë meqë burri nuk është banor i ligjshëm? Ndoshta duhet të shkojnë në një vend tjetër ku situata e tij nuk përbën një pengesë. Ose madje mund të martohen në vendin ku banojnë nëse burri ndërmerr hapat për të ligjëruar statusin e tij aty.
Po, çifti mund ta përshtatë jetën me standardet e Perëndisë dhe me ligjet e cezarit. (Mar. 12:17; Rom. 13:1) Shpresojmë që ta bëjnë këtë. Më pas, mund të kualifikohen për t’u pagëzuar.—Hebr. 13:4.
^ par. 6 Po sikur fetusi në zhvillim të duket anormal ose sikur të zënë vend disa embrione? Ndërprerja e qëllimshme e shtatzënisë do të ishte abort. Me IVF-në, shtatzënitë e shumëfishta (binjakë, trinjakë ose më shumë) janë disi të zakonshme dhe sjellin rreziqe gjithnjë e më të shumta, si lindje të parakohshme dhe hemorragji. Një grua që ka shumë fetuse mund ta shtyjnë të marrë në shqyrtim «reduktimin e përzgjedhur», pra të vriten një ose më tepër fetuse. Ky do të ishte abort i vullnetshëm, i cili është baras me vrasjen.—Dal. 21:22, 23; Psal. 139:16.