«Ja, unë jam me ju gjithë ditët»
«Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.»
1. (a) Bëj një përmbledhje të ilustrimit të grurit dhe të egjrave. (b) Si e shpjegoi Jezui domethënien?
NJË nga ilustrimet e Jezuit për Mbretërinë përshkruan një bujk që mbjell farë gruri dhe një armik që mbjell egjra mes farës së mirë. Egjrat i zënë frymën grurit, por bujku i urdhëron skllevërit: «Lërini të rriten bashkë deri kur të bëhen për t’u korrur.» Gjatë kohës së korrjes egjrat asgjësohen, kurse gruri mblidhet. Vetë Jezui e shpjegoi ilustrimin. (Lexo Mateun 13:24-30, 37-43.) Çfarë tregon kjo shëmbëlltyrë? (Shih tabelën «Gruri dhe egjrat».)
2. (a) Çfarë ilustron ngjarja në arën e bujkut? (b) Cilën pjesë të shëmbëlltyrës do të shqyrtojmë?
2 Ngjarja në arën e bujkut ilustron si dhe kur do ta mbledhë Jezui nga gjiri i njerëzimit tërë klasën e grurit, pra, të krishterët e mirosur që do të sundojnë bashkë me të në Mbretërinë e tij. Mbjellja filloi me festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Mbledhja plotësohet kur të mirosurit që janë ende gjallë në tokë në fund të këtij sistemi, marrin vulosjen përfundimtare dhe pastaj merren në qiell. (Mat. 24:31; Zbul. 7:1-4) Tamam si një pikë vrojtimi në një mal, nga ku mund të shohësh si në pëllëmbë të dorës gjithë zonën përreth, edhe kjo shëmbëlltyrë na jep një panoramë të ngjarjeve që do të zhvilloheshin gjatë një periudhe prej afro 2.000 vjetësh. Cilat zhvillime që lidhen me Mbretërinë dallojmë nga kjo pikë vrojtimi? Shëmbëlltyra përshkruan një kohë për mbjelljen, rritjen e korrjen. Në këtë artikull do të përqendrohemi kryesisht te koha e korrjes. *
NËN KUJDESIN E VËMENDSHËM TË JEZUIT
3. (a) Cila situatë u zhvillua pas shekullit të parë? (b) Sipas Mateut 13:28, cila pyetje u ngrit dhe nga kush? (Shih edhe shënimin.)
3 ‘Egjrat u shfaqën’ në agim të shekullit të dytë të e.s., kur të krishterët e shtirur u dukën në arën e botës. (Mat. 13:26) Në shekullin e katërt të krishterët si egjrat e tejkalonin ndjeshëm numrin e të krishterëve të mirosur. Të kujtojmë se në shëmbëlltyrë, skllevërit i kërkuan leje zotërisë t’i shkulnin egjrat. * (Mat. 13:28) Si u përgjigj zotëria?
4. (a) Çfarë tregohet nga përgjigjja e Zotërisë, Jezuit? (b) Kur ranë në sy të krishterët si gruri?
4 Jezui tha për grurin dhe egjrat: «Lërini të rriten bashkë deri kur të bëhen për t’u korrur.» Ky urdhër tregon se nga shekulli i parë e deri sot në tokë ka pasur gjithmonë disa të krishterë të mirosur si gruri. Këtë përfundim e mbështetin fjalët që Jezui u tha dishepujve më vonë: «Unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mat. 28:20) Kështu, të krishterët e mirosur do të ishin nën kujdesin e Jezuit gjatë gjithë kohës, deri në ditët e fundit. Sidoqoftë, meqë atyre u zihej fryma nga të krishterët si egjrat, nuk e dimë saktësisht cilët i përkitnin klasës së grurit në atë periudhë të gjatë. Megjithatë, klasa e grurit ra në sy disa dekada para se të fillonte koha e korrjes. Si ndodhi kjo?
NJË LAJMËTAR ‘HAP NJË UDHË’
5. Si u përmbush profecia e Malakisë në shekullin e parë?
5 Shekuj para se Jezui të jepte ilustrimin me grurin dhe egjrat, Jehovai frymëzoi profetin Malakia të parathoshte ngjarjet që pasqyrohen në ilustrimin e Jezuit. (Lexo Malakinë 3:1-4.) ‘Lajmëtari që hapi udhën’ ishte Gjon Pagëzori. (Mat. 11:10, 11) Në vitin 29 të e.s., kur ai u shfaq, për kombin e Izraelit po afrohej një kohë gjykimi. Jezui ishte lajmëtari i dytë, «lajmëtari i besëlidhjes». Ai e pastroi dy herë tempullin në Jerusalem, një herë në fillim të shërbimit dhe pastaj thuajse në fund të tij. (Mat. 21:12, 13; Gjoni 2:14-17) Kështu, vepra e pastrimit e Jezuit përfshinte një periudhë kohore.
6. (a) Cila do të jetë përmbushja më e madhe e profecisë së Malakisë? (b) Gjatë cilës periudhë kohore e hetoi Jezui tempullin frymor? (Shih edhe shënimin.)
6 Cila do të jetë përmbushja më e madhe e profecisë së Malakisë? Gjatë dekadave para vitit 1914, Ç. T. Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë kryen një vepër njësoj si Gjon Pagëzori. Kjo vepër jetësore përfshinte nxjerrjen në pah të të vërtetave biblike, të humbura prej kohësh. Studentët e Biblës mësonin domethënien e vërtetë për flijimin shpërblyes të Krishtit, demaskonin gënjeshtrën e ferrit të zjarrtë dhe shpallnin mbërritjen e fundit të Kohëve të Johebrenjve. Prapëseprapë, kishte mjaft grupe fetare që pohonin se ishin dishepuj të Krishtit. Prandaj, mbetej ende pa përgjigje kjo pyetje tejet e rëndësishme: cili grup ishte klasa e grurit? Për të sqaruar këtë, Jezui nisi të hetonte tempullin frymor më 1914. Ky hetim dhe vepër pastrimi përfshinte një periudhë kohore, nga 1914-a deri në fillim të 1919-s. *
VITE HETIMI DHE PASTRIMI
7. Çfarë gjeti Jezui kur filloi hetimin më 1914?
7 Çfarë gjeti Jezui kur filloi hetimin? Gjeti një grup të vogël të zellshëm të Studentëve të Biblës, që për më se 30 vjet kishin përdorur energjitë dhe pasuritë për të kryer një fushatë predikimi intensive. * Imagjino sa shumë gëzim provoi Jezui dhe engjëjt kur e gjetën këtë grusht me kallinj gruri të shëndetshëm, që nuk e kishin mbytur egjrat e Satanait! Megjithatë, ishte e nevojshme që «bijtë e Levit», pra të mirosurit, ‘të pastroheshin’. (Mal. 3:2, 3; 1 Pjet. 4:17) Pse?
8. Cilat ngjarje ndodhën pas vitit 1914?
8 Në fund të vitit 1914, disa Studentë të Biblës i lëshoi zemra ngaqë nuk kishin vajtur në qiell. Gjatë viteve 1915 e 1916, kundërshtimi nga jashtë organizatës e ngadalësoi veprën e predikimit. Më keq akoma, pas vdekjes së vëlla Rasëllit, në tetor 1916, kundërshtimi filloi edhe brenda organizatës. Katër nga shtatë drejtuesit e Watch Tower Bible and Tract Society u rebeluan kundër vendimit, sipas të cilit vëllai Radhërford do të merrte drejtimin e organizatës. U përpoqën të mbillnin përçarje mes vëllezërve, mirëpo në gusht 1917 u larguan nga Betheli—vërtet një pastrim! Përveç kësaj, disa Studentë të Biblës iu dorëzuan frikës së njeriut. Gjithsesi, si grup ata reaguan mirë ndaj veprës së pastrimit të Jezuit dhe bënë ndryshimet e nevojshme. Prandaj, Jezui i gjykoi si grurë, pra të krishterë të vërtetë. Mirëpo, i hodhi poshtë të gjithë ata që shtireshin si të krishterë, duke përfshirë tërë ata që ishin brenda kishave të krishterimit të rremë. (Mal. 3:5; 2 Tim. 2:19) Çfarë ndodhi pas kësaj? Për të kuptuar këtë, le të shqyrtojmë edhe një herë shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrave.
ÇFARË NDODH PASI FILLON KOHA E KORRJES?
9, 10. (a) Çfarë do të shqyrtojmë tani për kohën e korrjes? (b) Çfarë ndodh së pari gjatë kohës së korrjes?
9 Jezui tha: «Të korrat janë përfundimi i një sistemi.» (Mat. 13:39) Kjo kohë korrjeje filloi më 1914. Do të shqyrtojmë pesë ngjarje që paratha Jezui për këtë kohë.
10 E para, mbledhja e egjrave. Jezui tha: «Në kohën e korrjes do t’u them korrësve: mblidhni më parë egjrën dhe lidheni në duaj.» Pas vitit 1914, engjëjt filluan ‘të mblidhnin’ të krishterët si egjrat, duke i ndarë nga «bijtë e [mirosur të] mbretërisë».—Mat. 13:30, 38, 41.
11. Deri më sot, çfarë i ka dalluar të krishterët e vërtetë nga të krishterët e shtirur?
11 Ndërsa puna për mbledhjen ecte para, po bëhej gjithnjë e më i qartë dallimi mes të dy grupeve. (Zbul. 18:1, 4) Më 1919, s’kishte dyshim se Babilonia e Madhe kishte rënë, në kuptimin që nuk i kishte më nën kontroll të krishterët e vërtetë. Nga se dalloheshin të krishterët e vërtetë nga ata që shtireshin? Nga vepra e predikimit. Ata që merrnin drejtimin mes Studentëve të Biblës filluan të theksonin sa rëndësi kishte që secili të përfshihej në veprën e predikimit për Mbretërinë. Për shembull, broshura e botuar më 1919, Kujt i është besuar vepra?, i nxiste të gjithë të krishterët e mirosur të predikonin shtëpi më shtëpi. Në të thuhej: «Vepra duket kolosale, por është e Zotërisë, dhe do të kryhet me forcën e tij. Keni privilegjin të merrni pjesë në të.» Si reaguan? Kulla e Rojës e vitit 1922 raportonte se nga ai moment e tutje Studentët e Biblës filluan të rritnin aktivitetin në predikim. S’kaloi shumë dhe predikimi shtëpi më shtëpi u bë shenjë dalluese për këta të krishterë besnikë, siç është edhe sot.
12. Që nga cili vit është mbledhur klasa e grurit?
12 E dyta, mbledhja e grurit. Jezui i urdhëroi engjëjt e tij: «Shkoni të mblidhni grurin e futeni në depon time.» (Mat. 13:30) Që nga viti 1919, të mirosurit janë mbledhur në kongregacionin e krishterë të përtërirë. Mbledhja përfundimtare e të mirosurve që janë ende gjallë në tokë në fund të sistemit, do të ndodhë kur të marrin shpërblimin qiellor.—Dan. 7:18, 22, 27.
13. Çfarë tregon Zbulesa 18:7 për qëndrimin aktual të prostitutës ose Babilonisë së Madhe, duke përfshirë krishterimin e rremë?
13 E treta, e qara dhe kërcëllitja e dhëmbëve. Çfarë ndodh pasi engjëjt i lidhin në duaj egjrat? Për gjendjen e klasës së egjrave Jezui thotë: «Atje do të qajnë dhe do të kërcëllijnë dhëmbët.» (Mat. 13:42) A po ndodh tani kjo? Jo. Sot krishterimi i rremë, si pjesë e prostitutës, thotë ende për veten: «Ulem posi mbretëreshë. Nuk jam vejushë e nuk do të vajtoj kurrë.» (Zbul. 18:7) Në fakt, krishterimi i rremë ndihet shumë i sigurt në pozitën e tij, madje guxon ‘të ulet si mbretëreshë’ mbi klasën politike. Tani për tani, ata që përfaqësohen nga egjrat nuk qajnë, por mburren. Mirëpo, shpejt kjo do të ndryshojë.
14. (a) Kur dhe pse «do të kërcëllijnë dhëmbët» ata që shtiren si të krishterë? (b) Si përkon kuptueshmëria e përditësuar për Mateun 13:42 me mendimin e shprehur te Psalmi 112:10? (Shih shënimin.)
14 Gjatë shtrëngimit të madh, pasi të shkatërrohet e gjithë feja e rreme e organizuar, përkrahësit e saj të dikurshëm do të vrapojnë për t’u fshehur, por nuk do të gjejnë asnjë vend të sigurt. (Luka 23:30; Zbul. 6:15-17) Pastaj, kur ta kuptojnë se nuk mund t’i shpëtojnë shkatërrimit, do të qajnë nga dëshpërimi dhe «do të kërcëllijnë dhëmbët» nga zemërimi. Siç paratha Jezui në profecinë për shtrëngimin e madh, në këtë moment të zi «do të godasin gjoksin e do të vajtojnë». *
15. Çfarë do t’u ndodhë egjrave dhe kur?
15 E katërta, hidhen në furrë. Çfarë do t’u ndodhë duajve të egjrës? Engjëjt «do t’i hedhin në furrën e zjarrtë». (Mat. 13:42) Kjo do të thotë shkatërrim i plotë. Prandaj, përkrahësit e dikurshëm të organizatave të rreme fetare do të shkatërrohen gjatë pjesës përfundimtare të shtrëngimit të madh, në Harmagedon.—Mal. 4:1.
16, 17. (a) Cila është ngjarja e fundit që përmend Jezui në ilustrimin e tij? (b) Pse arrijmë në përfundimin se përmbushja e kësaj ngjarjeje pritet të ndodhë në të ardhmen?
16 E pesta, shkëlqejnë si dielli. Jezui e përfundon profecinë me fjalët: «Në atë kohë, të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre.» (Mat. 13:43) Kur dhe ku do të ndodhë kjo? Plotësimi i këtyre fjalëve i përket së ardhmes. Jezui paratha një ngjarje që do të ndodhë në të ardhmen në qiell, dhe jo një aktivitet që po zhvillohet sot në tokë. * Të shqyrtojmë dy arsye përse arrijmë në këtë përfundim.
17 Së pari, të shqyrtojmë pyetjen që fillon me «kur». Jezui tha: «Në atë kohë, të drejtët do të shkëlqejnë.» Me sa duket, shprehja «në atë kohë» bën fjalë për ngjarjen e sapopërmendur nga Jezui, pra, për ‘egjrat që hidhen në furrën e zjarrtë’. Kjo do të ndodhë në pjesën e fundit të shtrëngimit të madh. Kështu, ‘shkëlqimi si dielli’ i të mirosurve duhet të ndodhë në të njëjtën kohë, në të ardhmen. Së dyti, të shqyrtojmë pyetjen që fillon me «ku». Jezui tha se të drejtët ‘do të shkëlqejnë në mbretëri’. Çfarë do të thotë kjo? Të gjithë të mirosurit besnikë që ende janë në tokë tashmë do të kenë marrë vulosjen përfundimtare pasi të ketë kaluar faza e parë e shtrëngimit të madh. Pastaj, siç tregon profecia e Jezuit për shtrëngimin e madh, ata do të mblidhen në qiell. (Mat. 24:31) Atje do të shkëlqejnë «në mbretërinë e Atit të tyre» dhe, fill pas luftës së Harmagedonit, do të marrin pjesë në ‘martesën e Qengjit’ si nuse e gëzuar e Jezuit.—Zbul. 19:6-9.
SI NXJERRIM DOBI
18, 19. Në cilat mënyra nxjerr dobi secili prej nesh kur kupton shëmbëlltyrën e Jezuit për grurin dhe egjrat?
18 Si nxjerr dobi secili prej nesh nga kjo panoramë e ngjarjeve në këtë shëmbëlltyrë? Le të shqyrtojmë tri mënyra. Së pari, kjo na thellon edhe më tej kuptueshmërinë. Shëmbëlltyra tregon një arsye të rëndësishme pse Jehovai e lejon ligësinë. Ai «i toleroi . . . enët e zemërimit» që të përgatiste «enët e mëshirës»—klasën e grurit. * (Rom. 9:22-24) Së dyti, siguria jonë forcohet. Ndërsa fundi afrohet, armiqtë tanë do ta intensifikojnë luftën kundër nesh, ‘por nuk do të na mposhtin’. (Lexo Jereminë 1:19.) Ashtu si e ka mbrojtur klasën e grurit gjatë gjithë viteve, po ashtu, me anë të Jezuit dhe të engjëjve, Ati ynë qiellor, Jehovai, do të jetë me ne «gjithë ditët» që na presin.
19 Së treti, me anë të shëmbëlltyrës mund të identifikojmë klasën e grurit. Pse kjo ka rëndësi jetësore? Identifikimi i të krishterëve si gruri është i domosdoshëm për të gjetur përgjigjen e një pyetjeje që ngriti Jezui në profecinë e tij me shtrirje të gjerë për ditët e fundit. Ai pyeti: «Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur?» (Mat. 24:45) Dy artikujt vijues do t’i japin përgjigje të kënaqshme kësaj pyetjeje.
^ par. 2 Paragrafi 2: Për të rikujtuar kuptimin e pjesëve të tjera të shëmbëlltyrës, ju inkurajojmë të lexoni artikullin «Të drejtët do të shkëlqejnë si dielli» në Kullën e Rojës të 15 marsit 2010.
^ par. 3 Paragrafi 3: Ngaqë apostujt e Jezuit kishin vdekur dhe të mirosurit që ishin ende në tokë përfaqësoheshin nga gruri e jo nga skllavi, këta skllevër fare mirë përfaqësojnë engjëjt. Më pas, në ilustrim ata që korrin egjrat identifikohen si engjëj.
^ par. 6 Paragrafi 6: Ky është një përditësim në kuptueshmërinë tonë. Në të kaluarën mendonim se hetimi i Jezuit ndodhi më 1918.
^ par. 7 Paragrafi 7: Nga viti 1910 deri në vitin 1914, Studentët e Biblës shpërndanë gati 4.000.000 libra dhe mbi 200.000.000 fletushka e broshura.
^ par. 14 Paragrafi 14: Ky është një përditësim në kuptueshmërinë tonë për Mateun 13:42. Në të kaluarën, botimet tona thoshin se të krishterët e shtirur ‘kanë qarë dhe kanë kërcëllitur dhëmbët’ prej dekadash, duke rënkuar se «bijtë e mbretërisë» i kishin demaskuar hapur si «bijtë e të ligut». (Mat. 13:38) Megjithatë, duhet vërejtur se ideja e kërcëllitjes së dhëmbëve lidhet me shkatërrimin.
^ par. 16 Paragrafi 16: Danieli 12:3 thotë se «ata që kanë gjykim të thellë, [të krishterët e mirosur] do të ndriçojnë si hapësira qiellore». Ndërsa janë ende në tokë, e bëjnë këtë duke marrë pjesë në veprën e predikimit. Megjithatë, Mateu 13:43 tregon për kohën kur do të shkëlqejnë si dielli në Mbretërinë qiellore. Në të kaluarën mendonim se të dyja shkrimet bënin fjalë për të njëjtin aktivitet
^ par. 18 Paragrafi 18: Shih librin T’i afrohemi Jehovait, faqet 288-289.