Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 JETËSHKRIM

Mbështetja te Jehovai ka qenë shpërblyese

Mbështetja te Jehovai ka qenë shpërblyese

Nganjëherë jeta ka të papritura, pasiguri e halle. Por, Jehovai i bekon ata që mbështeten tek ai, jo te kuptueshmëria e tyre. Unë dhe gruaja e kemi provuar këtë gjatë tërë jetës sonë shpërblyese. Ja një pjesë e historisë sonë.

BABAI dhe mamaja u takuan më 1919, në kongresin e Studentëve Ndërkombëtarë të Biblës në Sidër-Point, Ohajo, SHBA. U martuan po atë vit. Kam lindur më 1922, kurse vëllai im, Pavli, lindi pas dy vjetësh. Gruaja ime, Grejsi, lindi në vitin 1930. Prindërit e saj, Roi dhe Rutha Houell, ishin rritur si Studentë të Biblës, madje edhe gjyshërit ishin Studentë të Biblës dhe miq të vëlla Çarls Tejz Rasëllit.

E takova Grejsin më 1947, dhe u martuam më 16 gusht 1949. Para se të martoheshim, folëm hapur për të ardhmen. Vendosëm të shërbenim në kohë të plotë e të mos kishim fëmijë që t’i kushtoheshim plotësisht këtij shërbimi. Më 1 tetor 1950 filluam shërbimin si pionierë së bashku, ndërsa më 1952 na ftuan në veprën qarkore.

VEPRA UDHËTUESE DHE SHKOLLA E GALAADIT

Të dy ndiheshim të papërgatitur dhe kishim nevojë për shumë ndihmë që të përmbushnim caktimin e ri. Ndërsa unë mësoja nga vëllezërit me përvojë, kërkova ndihmë edhe për Grejsin. Iu afrova Marvin Holinit, një miku të vjetër të familjes që kishte përvojë si mbikëqyrës udhëtues, dhe i thashë: «Grejsi është e re dhe pa përvojë. A mund të më sugjerosh dikë që ta stërvitë për njëfarë kohe?» Ai u përgjigj: «Po. Edna Uinkeli është një pioniere me përvojë që mund ta ndihmojë goxha.» Më vonë Grejsi tha për Ednën: «Falë saj ndihesha rehat në predikimin derë më derë. Ajo dinte si t’i kapërcente lehtë kundërshtimet dhe më mësoi të dëgjoja të zotin e shtëpisë që të dalloja ç’duhej t’i thosha. Pikërisht për të kisha nevojë!»

Nga e majta: Natan Nori, Malkolm Aleni, Fred Raski, Lajel Rëshi, Endrju Vagneri

Grejsi dhe unë shërbyem në dy qarqe në shtetin e Ajouas, përfshirë një pjesë të Minesotës dhe të Dakotës së Jugut. Pastaj u transferuam në Qarkun 1 të Nju-Jorkut, i cili përfshinte Bruklinin dhe Kuinzin. Kurrë nuk do ta harrojmë sa të papërvojë jemi ndier në atë caktim. Qarku përfshinte kongregacionin e Bruklin Hajtsit, i cili mblidhej në Sallën e Mbretërisë në Bethel  dhe kishte shumë pjesëtarë me përvojë nga familja Bethel. Pasi bëra fjalimin e parë të shërbimit në atë kongregacion, vëlla Natan Nori m’u afrua dhe më tha pak a shumë kështu: «Malkolm, na dhe disa këshilla ku duhet të punojmë dhe ishin me vend. Mos harro, nëse nuk na ndihmon duke na dhënë këshilla të dashura, nuk do të jesh i dobishëm për organizatën. Vazhdo me punën e mirë që po bën.» Pas mbledhjes, ia tregova këtë Grejsit. Më vonë shkuam në dhomën tonë në Bethel, dhe të rraskapitur nga ankthi, shpërthyem në lot.

«Nëse nuk na ndihmon duke na dhënë këshilla të dashura, nuk do të jesh i dobishëm për organizatën. Vazhdo me punën e mirë që po bën»

Disa muaj më vonë morëm ftesën për të ndjekur klasën e 24-t të Shkollës së Galaadit, e cila do të diplomohej në shkurt 1955. Ishim njoftuar para se të fillonim shkollën se nuk do të stërviteshim medoemos për veprën misionare, por që të bëheshim më të efektshëm në veprën udhëtuese. Kjo shkollë ishte e mrekullueshme, por ama ndiheshim shumë të vegjël.

Ferni dhe Xhorxh Kauçi me Grejsin dhe me mua në Galaad, më 1954

Pas mbarimit të kursit u caktuam në veprën krahinore. Krahina përfshinte shtetin e Indianës, të Miçiganit dhe të Ohajos. Pastaj, për habinë tonë, në dhjetor 1955 morëm një letër nga vëlla Nori që thoshte: «Fol troç dhe ji i sinqertë me mua. Më thuaj: nëse je i gatshëm të vish në Bethel dhe të rrish këtu . . . ose të pranosh një caktim jashtë vendit pasi ke ndenjur për njëfarë kohe në Bethel. Nëse parapëlqen veprën krahinore dhe qarkore, do të doja ta dija.» I thamë se do të kënaqeshim me çfarëdolloj caktimi. Pothuajse menjëherë na kërkuan të paraqiteshim në Bethel.

VITE EMOCIONUESE NË BETHEL

Gjatë viteve emocionuese të shërbimit në Bethel mbaja edhe fjalime në kongregacione, asamble e kongrese në gjithë Shtetet e Bashkuara. Pata privilegjin të stërvitja e të ndihmoja shumë të rinj, të cilët më vonë morën përgjegjësi më të mëdha në organizatën e Jehovait. Së fundmi, kam punuar si sekretar i vëlla Norit në zyrën që mbikëqyrte veprën mbarëbotërore të predikimit.

Duke punuar në Repartin e Shërbimit, më 1956

Vitet që kalova në Repartin e Shërbimit ishin veçanërisht të kënaqshme. Aty punoja me T. J. (Bad) Salivanin. Për shumë vjet kishte qenë mbikëqyrës i repartit. Por, mësova goxha edhe nga të tjerë. Një prej tyre ishte Fred Raski, që ishte caktuar të më stërviste. Kujtoj me nostalgji ta kem pyetur: «Fred, pse i korrigjon kaq shumë disa nga letrat e mia?» Ai buzëqeshi,  dhe më tha këto fjalë që më vunë në mendime: «Malkolm, kur flet tek për tek me dikë, mund të shtosh fjalë për të shpjeguar ndonjë gjë të paqartë. Mirëpo, kur shkruan diçka, sidomos nga kjo zyrë, duhet të jetë sa më e kuptueshme dhe e saktë të jetë e mundur.» Pastaj tha me dashamirësi: «Merr zemër! Po ecën mirë dhe me kohë do t’ia marrësh dorën.»

Gjatë viteve në Bethel Grejsi mori caktime nga më të ndryshmet, përfshirë punën në pastrim, pra, mirëmbante dhomat e bethelitëve. Asaj i pëlqente ky caktim. Nganjëherë takojmë ndonjë nga vëllezërit që ishin të rinj gjatë asaj kohe në Bethel, që i thotë Grejsit me buzëqeshje: «Më ke mësuar për bukuri si të rregulloj krevatin, dhe mamasë iu bë shumë qejfi atëherë.» Gjithashtu, asaj i pëlqente puna në Repartin e Revistave, të Korrespondencës dhe të Shumëfishimit të Kasetave. Këto caktime të ndryshme e kanë ndihmuar të kuptojë se kudo ku shërbejmë dhe çfarëdo gjëje që bëjmë në organizatën e Jehovait është privilegj dhe bekim. Sot e kësaj dite ajo mendon njësoj.

PËRSHTATJET QË KEMI BËRË

Në mes të viteve 70, kuptuam se prindërit që po plakeshin, kishin nevojë për më tepër hyzmet. Kështu, u desh të merrnim një vendim të vështirë. Nuk donim të linim Bethelin dhe as vëllezërit atje të cilët i kishim shumë për zemër. Prapëseprapë, ndjeva përgjegjësinë për t’u kujdesur për prindërit tanë. Kështu, u larguam nga Betheli me shpresë se mund të ktheheshim kur të ndryshonin rrethanat.

Për të përballuar shpenzimet, fillova të shisja siguracione. Kujtoj gjithmonë çfarë më tha një menaxher gjatë kursit: «Suksesi i këtij biznesi varet nga vizitat gjatë mbrëmjeve. Pikërisht në këtë kohë mund t’i gjesh njerëzit. Është absolutisht e domosdoshme të jesh në punë çdo mbrëmje duke bërë vizita.» Iu përgjigja: «Sigurisht po flet nga përvoja dhe të respektoj për këtë. Por, kam edhe përgjegjësi me natyrë fetare që kurrë s’i kam lënë pas dore dhe s’kam ndër mend të filloj tani. Edhe mund të bëj ca vizita në mbrëmje, ama, të martave dhe të enjteve në mbrëmje duhet të ndjek mbledhje shumë të rëndësishme.» Jehovai më ka bekuar vërtet ngaqë nuk lashë pas dore mbledhjet për shkak të punës.

Në gusht 1987, kur mamaja vdiq në një azil, ishim pranë saj. Kryeinfermierja iu afrua Grejsit dhe i tha: «Zonja Alen, shkoni në shtëpi dhe çlodhuni. Të gjithë e dinë se i keni ndenjur te koka vjehrrës tërë kohën. Bravo ju qoftë! Ndihuni mirë me veten.»

Në dhjetor 1987 plotësuam kërkesën që të shërbenim sërish në Bethel, vendi që e kishim  për zemër. Mirëpo, vetëm pak ditë më vonë, Grejsi u diagnostikua me kancer në zorrën e trashë. Pasi u operua dhe e mori veten, mjekët thanë se s’kishte më kancer. Ndërkohë kishim marrë një letër nga Betheli ku na sugjerohej të vazhdonim shërbimin në kongregacionin ku ishim. Me gjithë zemër donim të bënim më të mirën në veprën e Mbretërisë.

Me kohë, pata një ofertë pune në Teksas. Menduam se klima më e ngrohtë atje do të na bënte mirë dhe kështu doli. Kemi jetuar këtu në Teksas rreth 25 vjet, të rrethuar nga vëllezër e motra të dashur që na u bënë shumë të shtrenjtë.

MËSIMET QË KEMI NXJERRË

Grejsi ka luftuar me kancerin në zorrën e trashë e në tiroide dhe kohët e fundit me kancerin e gjirit. Por, nuk është ankuar asnjëherë për rrjedhën e jetës dhe gjithmonë ka qenë e nënshtruar dhe bashkëpunuese me mua. Shpesh e pyesin: «Cili është sekreti i suksesit si çift dhe i lumturisë që rrezatoni?» Ajo përmend katër arsye: «Jemi shokët më të mirë të njëri-tjetrit. E kemi zakon të komunikojmë çdo ditë. Kemi shumë qejf të rrimë bashkë. Dhe asnjëherë nuk e mbyllim ditën të zemëruar me njëri-tjetrin.» Sigurisht, nganjëherë acarohemi, por falim dhe harrojmë, dhe kjo bën punë vërtet.

«Gjithmonë mbështetu te Jehovai dhe prano atë që lejon ai»

Nga gjithçka që kemi hasur, kemi nxjerrë disa mësime të vlefshme:

  1.  Gjithmonë mbështetu te Jehovai dhe prano atë që lejon ai. Kurrë mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde.Prov. 3:5, 6; Jer. 17:7.

  2.  Mbështetu te Fjala e Jehovait për drejtim në çdo gjë. Bindja ndaj Jehovait dhe ligjeve të tij është jetësore. S’ka rrugë të mesme—ose je i bindur, ose jo.Rom. 6:16; Hebr. 4:12.

  3.  Gjëja më e rëndësishme në jetë është të bësh një emër të mirë para Jehovait. Vër interesat e tij në vend të parë dhe jo rendjen pas pasurisë.Prov. 28:20; Ekl. 7:1; Mat. 6:33, 34.

  4.  Lutu të bëhesh sa më i frytshëm dhe aktiv në shërbim të Jehovait. Përqendrohu në atë që mund të bësh, jo në atë që s’mundesh.Mat. 22:37; 2 Tim. 4:2.

  5.  Mos harro se nuk ka organizatë tjetër që gëzon bekimin dhe miratimin e Jehovait.Gjoni 6:68.

Si unë, edhe Grejsi i kemi shërbyer Jehovait për më se 75 vjet, dhe nga këto gati 65 vjet si çift. Ka qenë vërtet një mrekulli t’i shërbenim Jehovait së bashku për tërë këto dekada. Lutemi dhe urojmë që, ashtu si ne, të gjithë vëllezërit e motrat të provojnë sa shpërblyese është jeta kur mbështetesh te Jehovai.