«Jini vigjilentë në lidhje me lutjet»
«Jini me mendje të shëndoshë dhe jini vigjilentë në lidhje me lutjet.»
1, 2. (a) Pse është e domosdoshme të jemi «vigjilentë në lidhje me lutjet»? (b) Cilat pyetje zhbiruese është mirë t’i bëjmë vetes?
«MOMENTI më i vështirë për të ndenjur zgjuar gjatë natës është pikërisht para agimit të një dite të re»,
2 Ngaqë jetojmë në këtë kohë të veçantë të historisë, është mirë të pyesim veten: «Sa vigjilent jam kur bëhet fjalë për lutjet? A bëj çdo lloj lutjeje dhe a lutem vazhdimisht? A e kam shprehi të lutem për të tjerët apo zakonisht përqendrohem vetëm te nevojat dhe dëshirat e mia? Sa rëndësi kanë lutjet për shpëtimin tim?»
BËNI ÇDO LLOJ LUTJEJE
3. Cilat janë disa lloje lutjesh?
3 Në Letrën drejtuar Efesianëve, apostulli Pavël foli për «çdo lloj lutjeje». (Efes. 6:18) Kur lutemi, shpesh i kërkojmë Jehovait të na ndihmojë të plotësojmë nevojat dhe të kapërcejmë pengesat. Me dashuri, ‘Dëgjuesi i lutjes’ u vë veshin thirrjeve tona për ndihmë. (Psal. 65:2) Megjithatë, s’duhet të lëmë pas dore as lloje të tjera të lutjeve. Këtu përfshihen lutjet e lëvdimit, të falënderimit dhe të përgjërimit.
4. Pse duhet ta lëvdojmë shpesh Jehovain në lutjet tona?
4 Ka plot arsye pse duhen përfshirë fjalë lëvdimi në lutjet tona drejtuar Jehovait. Për shembull, na vjen ta lëvdojmë kur mendojmë për ‘veprat e tij të fuqishme’ dhe për ‘madhështinë e tij të pafund’. (Lexo Psalmin 150:1-6.) Ja pse të gjashtë vargjet e Psalmit 150 na nxitin 13 herë të lëvdojmë Jehovain. Me nderim të thellë për Perëndinë, kompozitori i një tjetër psalmi këndoi: «Shtatë herë në ditë të lëvdoj për vendimet e tua të drejta gjyqësore.» (Psal. 119:164) S’diskutohet, Jehovai meriton të lëvdohet. Prandaj, a nuk duhet ta lëvdojmë në lutjet tona «shtatë herë në ditë», domethënë shumë shpesh?
5. Si na mbron fryma e falënderimit kur lutemi?
5 Edhe lutjet e falënderimit janë të rëndësishme. Pavli i nxiti të krishterët në qytetin e Filipisë: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.» (Filip. 4:6) Kur i shprehim Jehovait mirënjohje nga zemra, mbrohemi nga ndikimi i njerëzve «mosmirënjohës» të ditëve të fundit. (2 Tim. 3:1, 2) Në botë mbizotëron një frymë mosmirënjohëse. Nëse nuk tregohemi të kujdesshëm, mund të infektohemi nga kjo frymë. Shprehjet e falënderimit drejtuar Perëndisë na ngjallin ndjenja kënaqësie dhe s’na lejojnë të bëhemi «njerëz që murmuritin, që ankohen për shortin e tyre në jetë». (Jud. 16) Po ashtu, kur kryefamiljarët përfshijnë falënderime në lutjet me të dashurit e tyre, nxitin një frymë mirënjohëse te gratë dhe te fëmijët.
6, 7. Çfarë do të thotë të përgjërohesh dhe për çfarë mund t’i përgjërohemi Jehovait?
6 Lutjet e përgjërimit janë lutje me gjithë shpirt ku përfshihen ndjenja të zjarrta. Për çfarë mund t’i përgjërohemi Jehovait? Për shembull, kur hasim përndjekje ose kur vuajmë nga ndonjë sëmundje e rëndë. Në raste të tilla është normale që lutjet tona për ndihmën e Perëndisë të jenë përgjëruese. Por, a duhet t’i përgjërohemi Jehovait vetëm në këto raste?
7 Të mendojmë për lutjen model të Jezuit dhe të vërejmë çfarë tha për emrin e Perëndisë, për Mbretërinë dhe për vullnetin e Tij. (Lexo Mateun 6:9, 10.) Kjo botë është kredhur në ligësi dhe qeveritë njerëzore nuk kujdesen dot as për nevojat bazë të nënshtetasve të tyre. Sigurisht, duhet të lutemi që të shenjtërohet emri i Atit tonë qiellor dhe që Mbretëria e tij të zhdukë nga faqja e dheut sundimin e Satanait. Tani është koha t’i përgjërohemi Jehovait që vullneti i tij të bëhet në tokë ashtu si po bëhet në qiell. Prandaj, le të qëndrojmë vigjilentë, duke bërë çdo lloj lutjeje pa u kursyer.
«LUTUNI VAZHDIMISHT»
8, 9. Pse bëjmë mirë të mos i gjykojmë Pjetrin dhe apostujt e tjerë ngaqë i zuri gjumi në kopshtin e Getsemanisë?
8 Edhe pse apostulli Pjetër i nxiti të krishterët të ishin «vigjilentë në lidhje me lutjet», vetë s’ia doli dot të paktën në një rast. Ai ishte ndër dishepujt që e zuri gjumi ndërsa Jezui po lutej në kopshtin e Getsemanisë. Edhe pasi Jezui u tha ‘të qëndronin vigjilentë dhe të luteshin vazhdimisht’, ata nuk vepruan kështu.
9 Megjithatë, para se t’i gjykojmë ashpër Pjetrin dhe apostujt e tjerë që nuk ia dolën të qëndronin zgjuar, bëjmë mirë të kujtojmë se ajo ditë ishte goxha e lodhshme për ta. Bënë përgatitjet për Pashkën dhe e kremtuan po atë mbrëmje. Pastaj, Jezui themeloi Darkën e Zotërisë duke lënë modelin si të kremtohej në të ardhmen Përkujtimi i vdekjes së tij. (1 Kor. 11:23-25) «Pasi kënduan lavde, dolën dhe shkuan në Malin e Ullinjve», duke ecur ca nëpër rrugët e ngushta të Jerusalemit. (Mat. 26:30, 36) Ka të ngjarë të kishte kaluar mesnata. Po të kishim qenë atë natë në kopshtin e Getsemanisë, edhe neve mbase do të na kishte zënë gjumi. Jezui nuk i kritikoi apostujt e sfilitur. Përkundrazi, me dashuri pranoi se «fryma është gati, por mishi është i dobët».
10, 11. (a) Çfarë mësimi nxori Pjetri nga përvoja në kopshtin e Getsemanisë? (b) Si ndikon te ti përvoja e Pjetrit?
10 Pjetrit i vlejti përvoja në kopshtin e Getsemanisë. Ai nxori një mësim të dhimbshëm ngaqë nuk u tregua vigjilent. Më parë, Jezui kishte thënë: «Këtë natë, të gjithë ju do të largoheni nga unë.» Atëherë, Pjetri deklaroi: «Edhe po të largohen nga ti gjithë të tjerët, unë nuk do të largohem kurrë!» Pastaj, Jezui tha se Pjetri do ta mohonte tri herë. Me këmbëngulje Pjetri ia ktheu: «Edhe sikur të më duhej të vdisja me ty, kurrsesi nuk do të të mohoja.» (Mat. 26:31-35) Prapëseprapë, Pjetri ‘u largua’ pikërisht siç kishte parathënë Jezui. I dërrmuar shpirtërisht pasi e mohoi Jezuin për herë të fundit, ai «qau me hidhërim».
11 Sigurisht, Pjetri nxori mësim nga kjo përvojë dhe mposhti prirjen për të pasur tepër siguri te vetja. Me sa duket, për këtë e ndihmuan lutjet. Në fakt, vlen të përmendet se këshilla ‘për të qenë vigjilentë në lidhje me lutjet’ vjen nga Pjetri. A po ia vëmë veshin kësaj këshille të frymëzuar? Veç kësaj, a ‘lutemi vazhdimisht’ duke treguar kështu se mbështetemi te Jehovai? (Psal. 85:8) Le të mbajmë në mend edhe paralajmërimin e apostullit Pavël: «Ai që mendon se po qëndron në këmbë, le të hapë sytë që të mos bjerë.»
LUTJET E NEHEMISË MORËN PËRGJIGJE
12. Pse Nehemia është një shembull i mirë për ne?
12 Të mendojmë për Neheminë, i cili shërbente si kupëmbajtës i mbretit të Persisë, Artakserksit, në shekullin e pestë p.e.s. Nehemia na la një shembull të shkëlqyer që të lutemi me zjarr. Për ditë të tëra ai ‘kishte agjëruar dhe i ishte lutur pareshtur Perëndisë’ për gjendjen e mjeruar të judenjve në Jerusalem. (Neh. 1:4) Kur Artakserksi e pyeti pse ishte i trishtuar në fytyrë, Nehemia ‘iu lut menjëherë Perëndisë së qiejve’. (Neh. 2:2-4) Cili ishte rezultati? Jehovai iu përgjigj atyre lutjeve dhe i drejtoi gjërat në një mënyrë që i solli dobi popullit të Tij. (Neh. 2:5, 6) Sa besimforcuese duhet të ketë qenë kjo për Neheminë!
13, 14. Ç’duhet të bëjmë që ta mbajmë të fortë besimin dhe t’u bëjmë ballë përpjekjeve të Satanait për të na shkurajuar?
13 Lutjet e vazhdueshme, siç bëri Nehemia, na ndihmojnë ta mbajmë besimin të fortë. Satanai është i pamëshirshëm dhe shpesh na godet kur jemi të dobët. Për shembull, nëse po përballojmë ndonjë sëmundje ose po luftojmë me depresionin, mund të fillojmë të mendojmë se koha që kalojmë në shërbim çdo muaj s’ka ndonjë vlerë për Perëndinë. Disa prej nesh mund të vuajnë nga mendime turbulluese për shkak të përvojave të së kaluarës. Satanai do që të besojmë se jemi të pavlerë. Shpesh, sulmet e tij synojnë të ndikojnë për keq në ndjenjat tona e kështu të na e dobësojnë besimin. Megjithatë, kur jemi «vigjilentë në lidhje me lutjet», mund ta mbajmë besimin të fortë. ‘Me mburojën e madhe të besimit, do të jemi në gjendje të shuajmë të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.’
14 Po të jemi «vigjilentë në lidhje me lutjet», nuk do të zihemi në befasi e nuk do të bëjmë kompromis nëse hasim papritmas një sprovë besimi. Kur përballemi me sprova, le të sjellim ndër mend shembullin e Nehemisë e t’i lutemi menjëherë Jehovait. Vetëm me ndihmën e Tij mund t’ia dalim t’u bëjmë ballë tundimeve dhe të qëndrojmë në sprovat e besimit.
TË LUTEMI PËR TË TJERËT
15. Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes në lidhje me lutjet për të tjerët?
15 Jezui bëri përgjërime që besimi i apostullit Pjetër të mos mpakej. (Luka 22:32) Epafrai, një i krishterë besnik në shekullin e parë, imitoi Jezuin në këtë aspekt dhe përpiqej në lutje për vëllezërit e tij në Kolose. Pavli u shkroi kolosianëve: «Ai lutet me zjarr për ju gjithë kohën që të qëndroni të vendosur, plotësisht të bindur e tërësisht të përkushtuar për të bërë vullnetin e Perëndisë.» (Kolos. 4:12, The New English Bible) Bëjmë mirë të pyesim veten: «A lutem me zjarr për vëllezërit përreth botës? Sa shpesh përfshij në lutje bashkëbesimtarë që vuajnë për shkak të ndonjë katastrofe natyrore? Kur ishte hera e fundit që ‘u përpoqa në lutje’ për ata që mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha në organizatën e Jehovait? A jam lutur kohët e fundit për pjesëtarë të kongregacionit që po kalojnë vështirësi?»
16. A kanë vërtet vlerë lutjet tona për të tjerët? Shpjegoni.
16 Lutjet tona për vëllezërit dhe motrat mund t’i ndihmojnë vërtet ata. (Lexo 2 Korintasve 1:11.) Jehovai nuk është i detyruar të veprojë thjesht ngaqë një numër i madh adhuruesish i luten pareshtur. Megjithatë, ai vëren interesimin e përbashkët dhe mban parasysh merakun e sinqertë e të thellë që shprehin kur u përgjigjet lutjeve të tyre. Prandaj duhet ta marrim seriozisht përgjegjësinë dhe privilegjin që të lutemi për të tjerët. Ashtu si Epafrai, duhet të shfaqim dashuri dhe merak nga zemra për vëllezërit dhe motrat e krishtere, duke u lutur me zjarr për ta. Kjo do të na bëjë më të lumtur, sepse «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh».
‘SHPËTIMI YNË ËSHTË AFËR’
17, 18. Ç’dobi do të kemi po të jemi «vigjilentë në lidhje me lutjet»?
17 Pak para se të thoshte se «nata është thyer dhe dita është afruar», Pavli shkroi: «E dini në ç’periudhë jemi: tashmë është ora që të zgjoheni nga gjumi, sepse tani shpëtimi ynë është edhe më afër se kur u bëmë besimtarë.» (Rom. 13:11, 12) Bota e re që ka premtuar Perëndia është afër dhe shpëtimi ynë është më afër nga ç’mund të mendojmë. Ndaj, të mos biem në gjumë frymësisht dhe kurrë të mos lejojmë që shpërqendrimet e botës të na grabitin kohën që duhet të kalojmë vetëm për vetëm me Jehovain duke iu lutur. Përkundrazi, le ‘të jemi vigjilentë në lidhje me lutjet’. Kjo do të na ndihmojë të bëjmë «vepra të shenjta sjelljeje dhe . . . veprime të përkushtimit hyjnor» ndërsa presim ditën e Jehovait. (2 Pjet. 3:11, 12) Kështu, mënyra si jetojmë do të tregojë se po rrimë zgjuar frymësisht dhe se besojmë vërtet që fundi i këtij sistemi të lig është në prag. Prandaj le ‘të lutemi pa pushim’. (1 Sel. 5:17) Gjithashtu të imitojmë Jezuin duke krijuar mundësi të jemi vetëm që të lutemi. Nëse nuk lutemi me nxitim, do t’i afrohemi gjithnjë e më shumë Jehovait. (Jak. 4:7, 8) Çfarë bekimi do të jetë ky!
18 Shkrimet thonë: «Në ditët e mishit të tij, me klithma të forta dhe lot, Krishti i bëri përgjërime dhe kërkesa Atij që ishte në gjendje ta shpëtonte nga vdekja, dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia.» (Hebr. 5:7) Jezui bëri përgjërime e kërkesa dhe i qëndroi besnik Perëndisë deri në fund të jetës së tij në tokë. Si rezultat, Jehovai e ngriti nga të vdekurit Birin e tij të dashur dhe e shpërbleu me jetën e pavdekshme në qiell. Edhe ne mund të jemi besnikë ndaj Atit tonë qiellor pavarësisht nga tundimet e sprovat që mund të hasim në të ardhmen. Vetëm po të mbetemi «vigjilentë në lidhje me lutjet» mund të fitojmë çmimin e jetës së përhershme.