Vejusha nga Zarefati u shpërblye për besimin e saj
NJË vejushë e varfër përqafon të birin, fëmijën e vetëm. Nuk u beson dot syve. Pak çaste më parë e mbante në gji plot mallëngjim trupin e tij të pajetë. Tani s’ia ndan sytë birit të ringjallur dhe i dridhet zemra nga buzëqeshja e tij. «Shiko, biri yt është gjallë»,—i thotë mysafiri që rri në shtëpinë e saj.
Kjo ringjallje mbresëlënëse ndodhi gati 3.000 vjet më parë. Mund të lexosh për të në kapitullin 17 të Librit të Parë të Mbretërve. Mysafiri është Elija, profeti i Perëndisë. Po mamaja? Nuk i përmendet emri, por ishte një vejushë që jetonte në qytezën e Zarefatit. Ringjallja e të birit ishte ndër ngjarjet më besimforcuese në jetën e saj. Ndërsa mendojmë për këtë grua do të nxjerrim disa mësime shumë të rëndësishme.
ELIJA GJEN NJË VEJUSHË ME BESIM
Jehovai kishte vendosur që mbretërinë e Akabit, mbretit të lig të Izraelit, ta godiste një thatësirë e gjatë. Pasi Elija shpalli se do të binte thatësira, Perëndia e fshehu nga Akabi dhe me anë të një mrekullie e ushqeu profetin me bukë e mish që ia çonin korbat. Pastaj, Jehovai i tha Elijas: «Çohu, shko në Zarefatin e Sidonit dhe bano atje. Në atë vend kam për të urdhëruar një grua, një vejushë, që të të mbajë me ushqim.»—1 Mbret. 17:1-9.
Kur mbërriti në Zarefat, Elija pa një vejushë të varfër duke mbledhur dru. Mos vallë ishte ajo që do t’i siguronte ushqim profetit? Si do t’ia bënte përderisa ishte e vobektë për vete? Çfarëdo dyshimi të ketë pasur, Elija hapi bisedë me gruan. Ai tha: «Të lutem, më sill pak ujë në një enë që të pi.» Kur ajo u nis ta merrte, Elija shtoi: «Të lutem, më sill edhe një kafshatë bukë.» (1 Mbret. 17:10, 11) S’ishte ndonjë gjë e madhe t’i sillte ujë të panjohurit, por ama, buka ishte tjetër punë.
Ajo ia ktheu: «Ashtu siç është e vërtetë që rron Jehovai, Perëndia yt, kulaç nuk kam, por kam vetëm një grusht miell në qypin e madh dhe pak vaj në qypin e vogël. Ja, po mbledh ca dru dhe do të futem e të bëj diçka për vete dhe për tim bir, pastaj do ta hamë e do të vdesim.» (1 Mbret. 17:12) Le të ndalemi e të mendojmë për atë që zbulon kjo bisedë.
Vejusha e dalloi se Elija ishte një izraelit me frikë Perëndie. Kjo shihet qartë nga fjalët e saj «ashtu siç është e vërtetë që rron Jehovai, Perëndia yt». Siç duket, kishte njëfarë njohurie për Perëndinë e Izraelit, por jo aq sa të përdorte fjalët «Perëndia im» kur fliste për Jehovain. Ajo jetonte në Zarefat, një qytezë që i përkiste ose varej nga qyteti fenikas i Sidonit. Ka shumë të ngjarë që banorët e Zarefatit të kenë qenë adhurues të Baalit. Prapëseprapë, Jehovai pa diçka të rrallë te kjo vejushë.
Edhe pse vejusha e varfër nga Zarefati jetonte mes idhujtarëve, tregoi besim. Jehovai e dërgoi Elijan tek ajo grua jo vetëm për hir të profetit, por edhe për hir të saj. Mund të nxjerrim një mësim jetësor nga kjo.
Jo të gjithë banorët e Zarefatit ku adhurohej Baali ishin krejtësisht të zvetënuar. Duke dërguar Elijan te vejusha, Jehovai tregoi se syrit të Tij nuk i shpëtojnë individët me qëllime të mira në zemër, ndonëse nuk i shërbejnë ende. Vërtet, «në çdo komb njeriu që i frikësohet [Perëndisë] dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai».—Vep. 10:35.
Sa njerëz në territorin tënd ngjajnë me vejushën nga Zarefati? Mbase atyre u digjet zemra për diçka më të mirë, edhe pse janë mes besimtarëve të feve të rreme. Ndoshta kanë pak ose aspak njohuri për Jehovain, prandaj u duhet ndihmë që të përqafojnë adhurimin e pastër. A po i kërkon dhe a po i ndihmon këta njerëz?
«MË BËJ NË FILLIM MUA NJË KULAÇ»
Të mendojmë mirë për atë që i kërkoi Elija vejushës. Ajo sapo i kishte thënë se, pasi të bënte vaktin e fundit, që do ta hante me të birin, do të vdisnin të dy. Prapëseprapë, çfarë i tha Elija? «Mos ki frikë. Hyr dhe bëj si the. Vetëm më bëj në fillim mua një kulaç e ma sill, dhe pastaj mund të bësh diçka për vete dhe për djalin tënd. Sepse kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: ‘Mielli në qypin e madh nuk do të mbarojë dhe vaji në qypin e vogël nuk do të shterojë deri ditën kur Jehovai të dërgojë shi mbi faqen e dheut.’»—1 Mbret. 17:11-14.
Mbase dikush mund të thotë: «Të të japim vaktin e fundit ty?! A je në terezi?!» Por, vejusha nuk reagoi kështu. Pavarësisht nga njohuria e kufizuar për Jehovain, ajo i besoi Elijas dhe bëri atë që i kërkoi. Çfarë sprove e jashtëzakonshme besimi, dhe ç’vendim të mençur që mori!
Perëndia nuk e braktisi vejushën e skamur. Pikërisht siç kishte premtuar Elija, Jehovai ia shtoi atë pak ushqim, aq sa me të jetuan Elija, vejusha dhe i biri deri në fund të thatësirës. Vërtet, «mielli në qypin e madh nuk mbaroi dhe as vaji në qypin e vogël nuk shteroi, ashtu si kishte thënë Jehovai me anë të Elijas». (1 Mbret. 17:16; 18:1) Nëse ajo grua do të kishte vepruar ndryshe, kulaçi që bëri me atë grusht miell e vaj ka gjasa të ishte vërtet vakti i saj i fundit. Mirëpo, ajo veproi me besim, u mbështet te Jehovai dhe së pari i dha Elijas për të ngrënë.
Një mësim që nxjerrim është se Perëndia i bekon ata që tregojnë besim. Kur has një sprovë integriteti dhe shfaq besim, Jehovai të ndihmon. Ai bëhet Sigurues i nevojave të tua, Mbrojtës dhe Mik me qëllim që të të ndihmojë të përballosh sprovat.—Dal. 3:13-15.
Më 1898 Kulla e Rojës e Sionit nxori këtë mësim për historinë e vejushës: «Po të kishte aq besim sa të bindej, gruaja do të quhej e denjë që Zoti ta ndihmonte me anë të Profetit; po të mos tregonte besim, mbase do të gjendej një tjetër vejushë. Kështu është edhe me ne—në etapa të ndryshme në udhën e jetës Zoti na çon atje ku na vë në provë besimin. Nëse tregojmë besim, do ta marrim bekimin; nëse jo, do ta humbim.»
Kur hasim sprova specifike, duhet të kërkojmë drejtimin hyjnor nga Shkrimet dhe nga botimet tona biblike. Pastaj duhet të veprojmë në përputhje me drejtimin e Jehovait, pavarësisht sesa e vështirë mund të na duket ta pranojmë. Do të bekohemi vërtet nëse veprojmë në përputhje me këtë proverb të mençur: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.»—Prov. 3:5, 6.
‘KE ARDHUR PËR T’I SJELLË VDEKJEN TIM BIRI?’
Besimi i vejushës do të vihej në provë sërish. Bibla tregon: «Pas këtyre gjërave, djali i asaj gruaje, i së zonjës së shtëpisë, u sëmur. Sëmundja ishte aq e rëndë, saqë s’i mbeti më frymë.» Mamaja e pikëlluar që po kërkonte ndonjë arsye për këtë tragjedi, iu drejtua Elijas: «Ç’punë ke me mua, o njeri i Perëndisë së vërtetë? Ti ke ardhur tek unë për të më kujtuar fajet e mia dhe për t’i sjellë vdekjen tim biri.» (1 Mbret. 17:17, 18) Ç’kuptim kishin këto fjalë tërë vrer?
Mos ndoshta gruaja po kujtonte ndonjë mëkat që i trazonte ndërgjegjen? A mendonte se vdekja e të birit ishte hakmarrje nga lart dhe se Elija ishte lajmëtar i vdekjes, i dërguar nga Zoti? Bibla nuk thotë asgjë për këto, ama një gjë është e qartë: vejusha nuk e fajësoi Perëndinë për ndonjë padrejtësi.
Patjetër që profeti Elija u trondit shumë kur mori vesh se vejushës i kishte vdekur i biri dhe se ajo mendonte se shkaktari i kësaj humbjeje zemërtherëse ishte prania e tij. Pasi e çoi trupin e pajetë të djalit te dhoma në tarracë, Elija thirri: «O Jehova, Perëndia im, vallë edhe vejushës tek e cila po banoj do t’i bësh keq duke i sjellë vdekjen të birit?» Profeti nuk e duronte dot idenë që emri i Perëndisë të njollosej nëse Ai lejonte që kjo grua e gjindshme e mikpritëse të vuante më tepër. Kështu, Elija u përgjërua: «O Jehova, Perëndia im, të lutem, bëj që ky fëmijë të kthehet në jetë!»—1 Mbret. 17:20, 21.
«SHIKO, BIRI YT ËSHTË GJALLË»
Jehovai po dëgjonte. Vejusha ishte kujdesur për profetin e tij dhe kishte treguar besim. Me sa duket, Perëndia lejoi që sëmundja e djalit të bënte të vetën, duke e ditur se do të ndodhte një ringjallje—e para e dokumentuar në Shkrime—e kjo do t’u jepte shpresë brezave të ardhshëm. Me t’iu përgjëruar Elija, Jehovai e ktheu në jetë fëmijën. Merre me mend gëzimin e papërshkrueshëm të vejushës kur Elija tha: «Shiko, biri yt është gjallë.» Atëherë ajo iu drejtua Elijas: «Tani vërtet e di se je njeri i Perëndisë dhe se fjala e Jehovait në gojën tënde është e vërtetë.»—1 Mbret. 17:22-24.
Tregimi në kapitullin 17 të Librit të Parë të Mbretërve nuk flet më për këtë grua. Megjithatë, përderisa Jezui foli mirë për të, ajo mund ta ketë përfunduar jetën si shërbëtore besnike e Jehovait. (Luka 4:25, 26) Historia e saj na mëson se Perëndia i bekon ata që u bëjnë të mira shërbëtorëve të tij. (Mat. 25:34-40) Jep prova se Perëndia siguron nevojat e besnikëve të tij, edhe kur janë në pikë të hallit. (Mat. 6:25-34) Gjithashtu, ky tregim dëshmon se Jehovai dëshiron dhe është i zoti t’i ringjallë të vdekurit. (Vep. 24:15) S’ka dyshim se këto janë arsye të forta për të mos e harruar vejushën nga Zarefati.