Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGA ARKIVAT TANË

Agon dita në «Tokën e Lindjes së Diellit»

Agon dita në «Tokën e Lindjes së Diellit»

Ftesa që u përdorën për fjalimin publik në Tokio dhe që hodhën aeroplanët në Osakë

MË 6 shtator 1926, një pelegrin (mbikëqyrës udhëtues) me origjinë japoneze u kthye nga Shtetet e Bashkuara në Japoni si misionar. Doli ta mirëpriste i vetmi abonent i Kullës së Rojës, i cili kishte formuar një grup studimi të Biblës në Kobe. Në atë qytet, Studentët e Biblës mbajtën më 2 janar 1927 asamblenë e parë. Morën pjesë 36 veta dhe 8 u pagëzuan. Çfarë fillimi i mbarë! Por si do t’ia dilte ai grup i vogël t’u predikonte 60 milionë banorëve të Japonisë, që kishin nevojë të shihnin dritën e së vërtetës biblike?

Në maj 1927, Studentët e Biblës të shkathët e novatorë nisën një fushatë predikimi, që t’i njoftonin njerëzit për një varg fjalimesh biblike. Për fjalimin e parë, që do të mbahej në Osakë, vëllezërit vunë në trotuaret anembanë qytetit afishe e tabela të mëdha, si dhe u çuan 3.000 ftesa personaliteteve të shquara. Shpërndanë 150.000 ftesa dhe vunë njoftime për fjalimin në gazetat kryesore të Osakës dhe në 400.000 bileta treni. Ditën e fjalimit, mbi qytet fluturuan dy aeroplanë që hodhën 100.000 ftesa. Salla «Asahi» në Osakë u mbush dëng me afro 2.300 veta që dëgjuan fjalimin «Mbretëria e Perëndisë është shumë afër». Rreth 1.000 të tjerëve iu desh të largoheshin se s’kishte më vende. Pas fjalimit, mbi 600 të pranishëm qëndruan për të ndjekur një seancë me pyetje-përgjigje. Gjatë muajve vijues, u mbajtën fjalime publike në Kioto dhe në qytete të tjera të Japonisë Perëndimore.

Në tetor të po atij viti, Studentët e Biblës morën masa të mbaheshin fjalime në Tokio. Sërish u dërguan ftesa personaliteteve të njohura, përfshirë kryeministrin, anëtarët e parlamentit, krerët fetarë dhe udhëheqësit ushtarakë. U përdorën postera, njoftime në gazeta dhe 710.000 ftesa. Si rrjedhojë, 4.800 veta ndoqën tre fjalimet në kryeqytetin e Japonisë.

PËRHAPËS TË ZELLSHËM

Katsuo dhe Hagino Miura

Përhapësit (pionierët) luajtën rol kyç për ta çuar mesazhin e Mbretërisë në çdo shtëpi. Matsue Ishi, një nga përhapëset e para në Japoni, dhe i shoqi, Jizo, përshkuan tre të katërtat e vendit, nga Saporo thellë në veri deri në Sendai, Tokio, Jokohamë, Nagojë, Osakë, Kioto, Okajamë dhe Tokushimë. Motër Ishi dhe një motër më e madhe në moshë, Sakiko Tanaka, veshën kimono (që përdoren për raste zyrtare) për të takuar funksionarë të lartë. Njëri prej tyre kërkoi 300 komplete të librave Harpa e Perëndisë dhe Çlirim për bibliotekat e burgjeve.

Katsuo dhe Hagino Miura morën libra nga motër Ishi dhe e dalluan menjëherë tingullin e së vërtetës. U pagëzuan më 1931 dhe u bënë përhapës. Haruiçi dhe Tane Jamada, bashkë me shumë nga fisi i tyre, e pranuan mesazhin e Mbretërisë para vitit 1930. Çifti Jamada nisi veprën e përhapësit, kurse vajza e tyre, Jukiko, shkoi të shërbente në Bethelin e Tokios.

«JEHU» TË MËDHENJ E TË VECKËL

Një Jehu i Madh mbante gjashtë pionierë

Në ato kohëra, makinat kushtonin jashtëzakonisht dhe rrugët ishin për të qarë hallin. Prandaj, Kazumi Minoura dhe përhapës të tjerë të rinj përdorën makina-shtëpi pa motor. Këto i quajtën Jehu, sipas emrit të një izraeliti që e ngiste vrullshëm karrocën dhe që u bë mbret i Izraelit. (2 Mbret. 10:15, 16) Kishin tre Jehu të Mëdhenj me përmasa 2,2 metra të gjatë, 1,9 metra të gjerë dhe 1,9 metra të lartë, që nxinin deri në gjashtë pionierë secili. Veç kësaj, në degën e Japonisë u ndërtuan 11 Jehu të Veckël që viheshin në lëvizje me biçikletë dhe mbanin nga dy veta. Kiçi Ivasaki, i cili ndihmoi në ndërtimin e Jehut, kujtonte: «Çdo Jehu kishte një tendë, si edhe një bateri makine që siguronte elektricitet për dritat.» Përhapësit i shtynin dhe i tërhiqnin Jehut përpjetë e tatëpjetë maleve dhe përmes luginave, nga Hokaido në veri gjer në Kiushu në jug. Falë kësaj, drita e së vërtetës shndriti anekënd Japonisë.

Një Jehu i Vockël nxinte dy veta

Përhapësi Ikumatsu Ota u shpreh: «Kur mbërrinim në ndonjë qytet, e vinim Jehun buzë lumit ose në fushë të hapur. Në fillim takonim figurat e njohura të qytetit, si kryetarin e bashkisë, e pastaj shkonim nëpër shtëpi që të çonim literaturë. Pasi mbulonim atë territor, vazhdonim rrugën për në qytetin tjetër.»

Ishte ‘dita e gjërave të vogla’ kur ai grup me 36 Studentë të Biblës në Kobe mbajti asamblenë e parë. (Zak. 4:10) Vetëm 5 vjet më vonë, më 1932, në Japoni raportuan aktivitetin 103 përhapës dhe lajmëtarë, që shpërndanë më shumë se 14.000 libra. Sot, në zonat metropolitane të Japonisë jepet dëshmi e organizuar mirë në vende publike, dhe afro 220.000 lajmëtarë po e lënë dritën të shkëlqejë në mbarë «Tokën e Lindjes së Diellit».—Nga arkivat tanë në Japoni.

Skica nga Kiçi Ivasaki që ndërtoi Jehu në Bethelin e Japonisë