Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndërtoni një martesë të fortë e të lumtur

Ndërtoni një martesë të fortë e të lumtur

«Po s’e ndërtoi Jehovai shtëpinë, më kot lodhen ndërtuesit.»PSAL. 127:1a.

1-3. Çfarë vështirësish hasin çiftet e martuara? (Shih figurën hapëse.)

JA SI shprehet një burrë që gëzon martesë të lumtur prej 38 vjetësh: «Nëse përpiqesh me mish e me shpirt dhe tregon se do që martesa të vejë mbarë, do të shijosh bekimet e Jehovait.» Vërtet, është e mundur që bashkëshortët të kalojnë kohë të bukura, si edhe të mbështetin njëri-tjetrin në kohë të vështira.Prov. 18:22.

2 Megjithatë, është normale që të martuarit të përjetojnë njëfarë ‘shtrëngimi në mish’. (1 Kor. 7:28) Pse kështu? Lidhja martesore mund të tendoset edhe thjesht nga telashet e përditshme. Komunikimi i dobët, ndjenjat e lënduara dhe keqkuptimet që shkakton gjuha e papërsosur mund të krijojnë vështirësi edhe në martesat më të hairit. (Jak. 3:2, 5, 8) Shumë çifte mezi e përballojnë punën sfilitëse ndërsa kujdesen edhe për fëmijët. Stresi dhe rraskapitja i pengojnë disa bashkëshortë të gjejnë kohën që u duhet për të forcuar martesën. Vështirësitë ekonomike, problemet shëndetësore ose halle të tjera mund t’ua gërryejnë dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin. Veç kësaj, themeli i një martese në dukje të fortë mund të minohet nga «veprat e mishit», si: imoraliteti seksual, sjellja e pacipë, armiqësitë, konflikti, xhelozia, shpërthimet e zemërimit dhe përçarjet.Gal. 5:19-21.

3 Sikur të mos mjaftonin këto, «ditët e fundit» karakterizohen nga egoizmi dhe nga mungesa e respektit për Perëndinë, të cilat janë helm për martesën. (2 Tim. 3:1-4) E ç’është më e keqja, martesa sulmohet pareshtur nga një armik shpirtlig. Apostulli Pjetër na paralajmëron: «Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë.»1 Pjet. 5:8; Zbul. 12:12.

4. Si mund të arrihet një martesë e fortë dhe e lumtur?

4 Një bashkëshort në Japoni rrëfen: «Po kaloja stres të paparë nga problemet ekonomike. Ngaqë nuk hapesha me time shoqe, edhe ajo ishte shumë e tensionuar. Veç kësaj, kishte njëfarë kohe që vuante nga probleme serioze shëndetësore. Hera-herës, si pasojë e këtij stresi, mes nesh plasnin sherre.» Disa vështirësi në martesë janë të pashmangshme, ama jo të pakapërcyeshme. Falë ndihmës së Jehovait, bashkëshortët mund të gëzojnë një lidhje të fortë e të lumtur. (Lexo Psalmin 127:1.) Le të shohim pesë blloqe ndërtimi simbolike që nxjerr në pah Bibla, të cilat çojnë në një martesë të fortë e të qëndrueshme. Pastaj, do të shqyrtojmë si mund të çimentohen këto me anë të dashurisë.

PËRFSHIJENI JEHOVAIN NË MARTESË

5, 6. Ç’mund të bëjnë bashkëshortët që ta përfshijnë Jehovain në martesë?

5 Në një martesë të palëkundshme, guri i qoshes është besnikëria dhe nënshtrimi ndaj Themeluesit të martesës. (Lexo Eklisiastiun 4:12.) Bashkëshortët e përfshijnë Jehovain në martesë kur ndjekin drejtimin e tij të dashur. Perëndia u tha shërbëtorëve të tij në lashtësi: «Ngado që të shkoni, djathtas ose majtas, veshët tuaj do të dëgjojnë nga prapa fjalët: ‘Kjo është udha. Ecni në të!’» (Isa. 30:20, 21) Sot, çiftet e martuara ‘i dëgjojnë’ fjalët e Jehovait kur lexojnë bashkë Biblën. (Psal. 1:1-3) Pastaj, mund ta forcojnë më tej martesën nëpërmjet Adhurimit Familjar që zhvillohet në mënyrë të këndshme dhe të freskon frymësisht. Edhe lutjet e përditshme së bashku kanë vlerë të pashoqe për të ndërtuar një martesë që mund t’u bëjë ballë sulmeve të botës së Satanait.

Duke marrë pjesë tok në aktivitete frymore, bashkëshortët krijojnë një lidhje të fortë e të lumtur me Perëndinë e me njëri-tjetrin (Shih paragrafët 5, 6.)

6 Gerhardi nga Gjermania shprehet: «Sa herë që problemet ose keqkuptimet na e venitin gëzimin, këshillat e Fjalës së Perëndisë na ndihmojnë të kultivojmë durim e të falim vazhdimisht. Pa këto cilësi, martesa s’mund të vejë mbarë.» Kur çiftet bëjnë çmos ta përfshijnë vazhdimisht Perëndinë në martesë duke marrë pjesë tok në aktivitete frymore, krijojnë një lidhje të fortë e të lumtur me Të e me njëri-tjetrin.

BURRAT: E USHTROJNË KRYESINË ME DASHURI

7. Si duhet ta ushtrojë kryesinë bashkëshorti?

7 Mënyra si e ushtron kryesinë burri ndikon jashtë mase në ndërtimin e një martese të fortë e të lumtur. Bibla thotë: «Kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri.» (1 Kor. 11:3) Konteksti i këtij vargu tregon si duhet ta ushtrojë kryesinë bashkëshorti: njësoj siç e ushtron autoritetin Krishti mbi ‘burrin’. Jezui nuk sillej kurrë si tiran ose me vrazhdësi, por ishte gjithnjë i dashur, i dhembshur, i arsyeshëm, me natyrë të butë e i përulur në zemër.Mat. 11:28-30.

8. Si mund ta fitojë burri dashurinë dhe respektin e gruas?

8 Burrat e krishterë s’ka pse të kërkojnë orë e minutë që gratë t’u tregojnë respekt. Përkundrazi, ‘vazhdojnë të banojnë me to sipas njohurisë’, domethënë duke u treguar konsideratë e duke i kuptuar. ‘I nderojnë gratë si një enë më të dobët.’ (1 Pjet. 3:7) Qoftë në sy të të tjerëve, qoftë kur janë vetëm, burri tregon se gruaja është e shtrenjtë për të kur flet me respekt e sillet me dhembshuri. (Prov. 31:28) Kështu duke e drejtuar me dashuri familjen, fiton dashurinë dhe respektin e së shoqes dhe u hap rrugën bekimeve të Perëndisë në martesë.

GRATË: NËNSHTROHEN ME PËRULËSI

9. Si mund të nënshtrohet me përulësi gruaja?

9 Dashuria për Jehovain, një dashuri altruiste dhe e bazuar në parime, na ndihmon të gjithëve të përulemi nën dorën e tij të fuqishme. (1 Pjet. 5:6) Një mënyrë e rëndësishme si tregon respekt për autoritetin e Jehovait një grua e nënshtruar, është kur bashkëpunon me të shoqin dhe e mbështet. Bibla thotë: «Ju gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, ashtu si ka hije në Zotërinë.» (Kolos. 3:18) S’mund të pretendohet që gruas t’i pëlqejnë të gjitha vendimet e burrit. Prapëseprapë, nëse vendimet e tij nuk bien ndesh me ligjet e Perëndisë, gruaja e nënshtruar është gati të hapë rrugë.1 Pjet. 3:1.

10. Pse është i rëndësishëm nënshtrimi që buron nga dashuria?

10 Gruaja luan një rol të nderuar si «shoqja» e burrit. (Mal. 2:14) Këndvështrimi i saj është i vlefshëm në vendimet familjare nëse i shpreh mendimet dhe ndjenjat me respekt e njëherazi duke treguar nënshtrim. Një burrë i mençur e dëgjon me vëmendje të shoqen. (Prov. 31:10-31) Kështu, nënshtrimi që buron nga dashuria shton gëzimin, paqen dhe harmoninë në familje e u dhuron bashkëshortëve kënaqësinë që vjen kur e di se i pëlqen Perëndisë.Efes. 5:22.

VAZHDONI TË FALNI BUJARISHT NJËRI-TJETRIN

11. Pse falja është jetësore?

11 Një bllok ndërtimi thelbësor në një martesë të qëndrueshme është falja. Lidhja martesore forcohet kur bashkëshortët ‘vazhdojnë të durojnë dhe të falin bujarisht njëri-tjetrin’. (Kolos. 3:13) Anasjelltas, kjo lidhje minohet kur çifti nuk i shlyen nga mendja mëritë e vjetra dhe i përdor shpesh si shigjeta sulmi. Ashtu si plasaritjet mund ta dobësojnë një godinë, pakënaqësia dhe mllefi që mund të mbajmë në zemër na e bëjnë gjithnjë e më të vështirë të falim. Krejt ndryshe, lidhja martesore çelikoset kur burri dhe gruaja e falin njëri-tjetrin, ashtu si i fal Jehovai.Mik. 7:18, 19.

12. Si «mbulon një shumicë mëkatesh» dashuria?

12 Dashuria e vërtetë «nuk e mban llogari të keqen». Në fakt, «dashuria mbulon një shumicë mëkatesh». (1 Kor. 13:4, 5; lexo 1 Pjetrit 4:8.) Me fjalë të tjera, dashuria nuk vë një cak se sa mëkate mund të falim. Kur apostulli Pjetër pyeti sa herë duhej ta falte dikë, Jezui ia ktheu: «Shtatëdhjetë e shtatë herë.» (Mat. 18:21, 22) Me këtë donte të thoshte se nuk ka thuajse asnjë cak se sa herë duhet t’i falim të tjerët.Prov. 10:12. *

13. Si mund ta luftojmë prirjen për të mos falur?

13 Një motër që quhet Aneta thotë: «Nëse bashkëshortët nuk duan ta falin njëri-tjetrin, mllefi dhe mosbesimi mund të hedhin rrënjë, e kjo është helm për martesën. Kur falin, lidhja martesore forcohet dhe afrohen më shumë me njëri-tjetrin.» Që të luftosh prirjen për të mos falur, përpiqu të zhvillosh një qëndrim pozitiv dhe mirënjohës. Bëje zakon ta lavdërosh nga zemra bashkëshortin. (Kolos. 3:15) Atëherë do të gëzosh paqen mendore, unitetin dhe bekimet hyjnore që provon kush ka prirjen të falë.Rom. 14:19.

ZBATONI RREGULLËN E ARTË

14, 15. Cila është Rregulla e Artë, dhe si hyn në punë në martesë?

14 S’do mend që kënaqesh kur të tjerët të trajtojnë me dinjitet dhe respekt. E vlerëson kur i marrin parasysh mendimet dhe ndjenjat e tua. Por mbase ke dëgjuar dikë të thotë: «Ta shohë po s’ia ktheva me të njëjtën monedhë!» Edhe pse hera-herës ky reagim është i kuptueshëm, Bibla na urdhëron: «Mos thuaj: ‘Si ma bëri, ashtu do t’ia bëj.’» (Prov. 24:29) Në fakt, Jezui sugjeroi një mënyrë më të mirë për të trajtuar problemet. Rregulla që dha ai është kaq e njohur sa shpesh quhet Rregulla e Artë. Ajo thotë: «Ashtu si dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, njësoj bëni edhe ju për ta.» (Luka 6:31) Jezui e kishte fjalën se duhet t’i trajtojmë të tjerët siç duam të na trajtojnë, e jo ta kthejmë të keqen me të keqe. Në martesë kjo nënkupton se duhet të investojmë në këtë lidhje atë që shpresojmë të marrim prej saj.

15 Të martuarit e forcojnë lidhjen mes tyre kur janë të ndjeshëm ndaj njëri-tjetrit. Një bashkëshort në Afrikën e Jugut thotë: «Jemi përpjekur të zbatojmë Rregullën e Artë. S’diskutohet, acarohemi ndonjëherë, por kemi bërë të pamundurën ta trajtojmë njëri-tjetrin siç duam të na trajtojnë ne vetë, pra me respekt e dinjitet.»

16. Si nuk duhet të sillen bashkëshortët me njëri-tjetrin?

16 Mos i nxirr në shesh dobësitë e bashkëshortit e mos e bëj avaz të qahesh për huqet e tij, madje as për shaka. Mos harro se martesa nuk është një garë për të nxjerrë kush është më i forti, kush bërtet më shumë ose kush gjen kunjat më therëse. Kuptohet, të gjithë kemi cene a të meta, e ndonjëherë i acarojmë të tjerët. Por, kurrë nuk justifikohet që qoftë burri, qoftë gruaja, të përdorin sarkazëm dhe fjalë poshtëruese ose, më keq akoma, të shtyra a të goditura.Lexo Proverbat 17:27; 31:26.

17. Si mund ta ndjekin burrat Rregullën e Artë?

17 Në disa kultura, shihet si shenjë burrërie kur burri vë dorë mbi gruan ose sillet si tiran. Por Bibla thotë: «Kush nuk zemërohet shpejt, është më mirë se një burrë i fuqishëm, dhe kush e kontrollon frymën e tij, është më mirë se ai që merr një qytet.» (Prov. 16:32) Kërkohet goxha forcë morale që të mbajmë nën fre veten, duke imituar kështu Jezu Krishtin, njeriun më të madh të të gjitha kohërave. Burri që shan ose rreh gruan, s’është aspak burrë, dhe do ta humbë marrëdhënien me Jehovain. Psalmisti David, që ishte burrë i fortë e trim, tha: «Kur të jeni të trazuar, mos mëkatoni. Flitini zemrës në shtratin tuaj dhe heshtni.»Psal. 4:4.

«VISHUNI ME DASHURI»

18. Pse është e rëndësishme të vazhdojmë të kultivojmë cilësinë e dashurisë?

18 Lexo 1 Korintasve 13:4-7. Dashuria është cilësia më e rëndësishme që duhet shfaqur në martesë. «Vishuni me dhembshuri të butë, mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi. Por, përveç të gjitha këtyre gjërave, vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.» (Kolos. 3:12, 14) Blloqet e ndërtimit të një martese të patundshme çimentohen nga dashuria vetëmohuese si ajo që shfaqi Krishti. Kjo e bën martesën të pathyeshme para të metave që të acarojnë nervat, problemeve të rënda shëndetësore, krizave financiare dhe vështirësive me familjarët e bashkëshortit.

19, 20. (a) Si mund t’ia dalin çiftet të ndërtojnë një martesë të fortë e të lumtur? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

19 Natyrisht, që një martesë të vejë mbarë duhet përkushtim i thellë, besnikëri e pathyeshme dhe punë e palodhur. Në vend që t’i japin fund martesës kur lindin probleme, bashkëshortët duhet të ngulmojnë që marrëdhënia e tyre të lulëzojë, jo thjesht të mbijetojë. Dashuria për Jehovain dhe për njëri-tjetrin i nxit çiftet e përkushtuara ndaj Tij dhe ndaj njëri-tjetrit t’i zgjidhin problemet, sepse «dashuria nuk shuhet kurrë».1 Kor. 13:8; Mat. 19:5, 6; Hebr. 13:4.

20 Sot në këto «kohë kritike» është akoma më e vështirë të ndërtojmë një martesë të fortë e të lumtur. (2 Tim. 3:1) Sidoqoftë, me ndihmën e Jehovait mund t’ia dalim. Mirëpo, çiftet duhet t’i bëjnë ballë edhe degjenerimit moral që ka marrë dhenë sot në botë. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë ç’mund të bëjnë bashkëshortët që të forcojnë mbrojtjen frymore të lidhjes së tyre.

^ par. 12 Ndonëse çiftet përpiqen të falin dhe t’i zgjidhin problemet, në rastin e tradhtisë bashkëshortore Bibla tregon se bashkëshorti i pafajshëm ka të drejtën të vendosë nëse do ta falë fajtorin apo do të divorcohet nga ai ose ajo. (Mat. 19:9) Shih shtojcën «Pikëpamja e Biblës për divorcin dhe ndarjen» në librin Dashuria e Perëndisë, faqet 219-221.