Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai na prin në veprën e mësimdhënies globale

Jehovai na prin në veprën e mësimdhënies globale

«Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete, Ai që të vë të ecësh nëpër udhën nga duhet të shkosh.»ISA. 48:17.

1. Çfarë pengesash kanë hasur të krishterët e sotëm në veprën e predikimit?

NGA fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të, Studentët e Biblës * hasën shumë pengesa. Tamam si të krishterët e shekullit të parë, shpallnin një mesazh që përgjithësisht nuk pëlqehej. Ishin një grusht njerëzish dhe bota në tërësi i shihte si jo dhe aq të arsimuar. Veç kësaj, me kohë do të përjetonin ‘zemërimin e madh’ të Satana Djallit. (Zbul. 12:12) E vepra e tyre e predikimit do të zhvillohej gjatë ‘ditëve të fundit’, një periudhë e karakterizuar nga «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar».2 Tim. 3:1.

2. Çfarë ka bërë Jehovai për të çuar para veprën e predikimit në kohën tonë?

2 Sidoqoftë, qëllimi i Jehovait ishte që në kohët tona, populli i tij ta shpallte lajmin e mirë në shkallë të paparë, e asgjë nuk e ndal dot që ta realizojë këtë qëllim. Ashtu si atëherë kur e çliroi Izraelin e lashtë nga Babilonia, Jehovai i ka shpëtuar shërbëtorët e tij sot nga «Babilonia e Madhe», perandoria botërore e fesë së rreme. (Zbul. 18:1-4) Na ka mësuar për të mirën tonë, na ka bekuar me paqe dhe na ka ndihmuar t’ua përcjellim edhe të tjerëve mësimet e tij. (Lexo Isainë 48:16-18.) Kjo s’do të thotë se për të çuar para veprën e predikimit për Mbretërinë, Jehovai përdor aftësinë për të parashikuar, në mënyrë që të dijë e të ndikojë te çdo ngjarje në tokë. Vërtet, disa rrethana e kanë favorizuar veprën e predikimit. Ama, vetëm falë ndihmës së Jehovait ia kemi dalë t’i bëjmë ballë përndjekjes dhe problemeve të tjera, të cilat na e bëjnë të vështirë ta kryejmë caktimin në këtë botë që dergjet nën pushtetin e Satanait.Isa. 41:13; 1 Gjon. 5:19.

3. Si është bërë e bollshme «njohuria e vërtetë»?

3 Jehovai e frymëzoi profetin Daniel të parathoshte se në kohën e fundit «njohuria e vërtetë» do të ishte e bollshme. (Lexo Danielin 12:4.) Ai i ndihmoi Studentët e Biblës të kuptonin të vërtetat thelbësore të Shkrimeve, të mjegulluara prej kohësh nga doktrinat e krishterimit të rremë. Tani po e përdor popullin e tij që ta përhapë njohurinë e vërtetë anekënd globit. Sot shohim me sytë tanë përmbushjen e profecisë së Danielit. Rreth 8.000.000 veta kanë përqafuar të vërtetën biblike dhe po e shpallin në mbarë botën. Cilët janë disa faktorë që kanë bërë të mundur këtë shpallje globale?

SI NA KA NDIHMUAR PËRKTHIMI I BIBLËS

4. Ç’përmasa mori përkthimi i Biblës në shekullin e 19-të?

4 Një gjë që ka ndihmuar në predikimin e lajmit të mirë është fakti se Bibla gjendet kudo. Për shekuj të tërë, kleri i krishterimit e shihte me sy të shtrembër leximin e saj dhe e ndalonte, e madje ishte fajtor për vdekjen e disave që e përkthyen. Megjithatë, gjatë shekullit të 19-të, shoqëritë biblike e vunë në dispozicion Biblën, të plotë ose pjesërisht, në rreth 400 gjuhë. Në fund të atij shekulli, shumë veta kishin në dorë një Bibël, por u mungonte njohuria e saktë për mësimet e saj.

5. Çfarë kanë bërë Dëshmitarët e Jehovait në fushën e përkthimit të Biblës?

5 Studentët e Biblës e dinin se duhej të predikonin, dhe ua shpjegonin pa u lodhur të tjerëve atë që thoshte Bibla. Veç kësaj, populli i Jehovait ka përdorur dhe ka shpërndarë disa versione të Biblës. Që nga viti 1950, kanë botuar në mbi 120 gjuhë Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, të plota ose pjesërisht. Falë botimit në anglisht të Përkthimit Bota e Re që doli më 2013, do të jetë më e lehtë të përkthehet Bibla në gjuhë të tjera. E një Bibël e qartë, që lexohet kollaj, na ndihmon të kryejmë veprën e predikimit.

SI NA KA NDIHMUAR PAQJA

6, 7. (a) Sa të përhapura kanë qenë luftërat në kohën tonë? (b) Si ka ndihmuar në veprën e predikimit paqja relative në disa vende?

6 Mbase vret mendjen: «Po sa paqe ka parë kjo botë?» Për shembull, në shekullin e 20-të, miliona ranë viktima të luftërave, sidomos në dy luftërat botërore. Por më 1942, në valën e Luftës II Botërore, Nejthën Nori, që asokohe drejtonte veprën e Dëshmitarëve të Jehovait, mbajti në një kongres fjalimin «Paqja: A mund të zgjatë?» Në fjalim paraqiteshin dëshmi nga kapitulli 17 i Zbulesës se lufta që po bënte kërdinë nuk do të pasohej nga Harmagedoni, por nga një kohë paqeje.Zbul. 17:3, 11.

7 Përfundimi i Luftës II Botërore nuk solli paqe të plotë. Sipas një llogaritjeje, nga 1946-a deri në 2013-n u zhvilluan 331 konflikte të armatosura. Miliona humbën jetën. Gjithsesi, në ato vite shumë shtete gëzonin paqe relative, dhe populli i Jehovait i shfrytëzoi këto rrethana që të shpallte lajmin e mirë. Me ç’rezultat? Më 1944 në mbarë botën ishin më pak se 110.000 lajmëtarë të Mbretërisë. Sot janë afro 8.000.000! (Lexo Isainë 60:22.) A nuk jemi të kënaqur që mund ta predikojmë lajmin e mirë në kushte paqësore?

SI NA KA NDIHMUAR UDHËTIMI I VOLITSHËM

8, 9. Çfarë zhvillimesh kanë ndodhur në fushën e transportit, dhe si na kanë ndihmuar në veprën tonë?

8 Përparimet në fushën e transportit i kanë shtruar rrugën veprës së predikimit. Më 190021 vjet pasi doli numri i parë i Kullës së Rojëssipas regjistrimeve, në mbarë Shtetet e Bashkuara kishte vetëm 8.000 vetura dhe vetëm disa qindra kilometra rrugë të përshtatshme për to. Sot, në gjithë botën ka më shumë se një miliard e gjysmë automjete dhe miliona kilometra rrugë të mira. Falë makinave dhe rrugëve, shumë prej nesh mund t’ua çojnë lajmin e mirë njerëzve që jetojnë në zona të parrahura. Mirëpo, edhe nëse nuk kemi mjete transporti të përshtatshme e na duhet të udhëtojmë goxha më këmbë, përpiqemi fort që të bëjmë dishepuj.Mat. 28:19, 20.

9 Në veprën tonë kanë qenë të dobishme edhe forma të tjera transporti. Literatura biblike mund të çohet brenda pak javësh në zona të thella me kamionë, anije dhe trena. Mbikëqyrësit qarkorë, anëtarët e Komiteteve të Degëve, misionarët dhe të tjerë mund të udhëtojnë shpejt me avionë për në kongrese ose për të kryer caktime teokratike. Veç kësaj, anëtarët e Trupit Udhëheqës dhe vëllezër të tjerë nga selia botërore bëjnë fluturime për në shumë vende që të inkurajojnë e të mësojnë bashkëbesimtarët. Kështu, përparimet në transport kanë ndihmuar të forcohet uniteti brenda popullit të Jehovait.—Psal. 133:1-3.

SI NA KA NDIHMUAR GJUHA

10. Pse mund të themi se anglishtja është gjuhë ndërkombëtare?

10 Gjatë shekullit të parë, greqishtja e zakonshme, ose koine, flitej gjerësisht në Perandorinë Romake. A ka ndonjë gjuhë që flitet po kaq gjerësisht sot? Shumë pohojnë se anglishtja është gjuhë ndërkombëtare. Një libër (English as a Global Language) thotë: «Tanimë afro çereku i popullsisë së botës e flet rrjedhshëm ose e zotëron anglishten.» Gjuha e huaj që mësohet më dendur është anglishtja, e cila përdoret për të komunikuar në nivel ndërkombëtar për çështje tregtare, politike, shkencore dhe teknologjike.

11. Si ka ndikuar anglishtja për të çuar para adhurimin e pastër?

11 Përdorimi kaq i përhapur i anglishtes ka ndihmuar të çohet para adhurimi i pastër. Për vite me radhë, Kulla e Rojës dhe botime të tjera biblike shtypeshin fillimisht në anglisht. Kjo është gjuha zyrtare në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait. E në përgjithësi përdoret anglishtja kur u jepet mësim studentëve në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork, SHBA.

12. Në sa gjuhë e kanë përkthyer shërbëtorët e Jehovait literaturën biblike, dhe si e ka sheshuar rrugën për këtë teknologjia?

12 Meqë kemi privilegjin t’u predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë njerëzve të të gjitha kombeve, literatura jonë përkthehet në rreth 700 gjuhë. Përparimet në teknologjinë e kompjuterëve, përfshirë krijimin e MEPS-it (Sistemi Elektronik Shumëgjuhësh për Botim), na kanë dhënë një dorë në këtë punë kolosale. Këto përpjekje na kanë ndihmuar të përhapim mesazhin për Mbretërinë dhe kanë forcuar unitetin mes nesh anembanë botës. Por mbi të gjitha, jemi të bashkuar ngaqë flasim një gjuhë më të rëndësishme, ‘gjuhën e kulluar’ të së vërtetës biblike.Lexo Sofoninë 3:9.

SI NA KANË NDIHMUAR LIGJET

13, 14. Si kanë nxjerrë dobi të krishterët e sotëm nga ligjet dhe vendimet gjyqësore?

13 Siç e pamë në artikullin e kaluar, të krishterët e hershëm nxorën dobi nga ligji romak, i cili ishte në fuqi në mbarë perandorinë. Në mënyrë të ngjashme, të krishterët e sotëm përfitojnë nga sistemet ligjore. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, ku ndodhet selia jonë botërore, kushtetuta garanton lirinë e fesë, lirinë e fjalës dhe lirinë e të mbledhurit. Falë kësaj, vëllezërit atje janë të lirë të mblidhen e të diskutojnë haptas Biblën dhe t’ua tregojnë të tjerëve ato që mësojnë. Gjithsesi, është dashur që liria për të ushtruar disa të drejta të themelohet ligjërisht në gjykata. (Filip. 1:7) Kur ngriheshin padi kundër popullit të Jehovait në Shtetet e Bashkuara, u bëhej apel gjykatave më të larta dhe ato mbronin vazhdimisht të drejtën e tyre për të qenë lajmëtarë të Mbretërisë.

14 Edhe në vende të tjera gjykatat kanë mbrojtur lirinë tonë për të adhuruar dhe të drejtën për të predikuar publikisht. Ka vende ku kemi humbur beteja ligjore, por u jemi apeluar gjykatave ndërkombëtare. Për shembull, deri në qershor të vitit 2014, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dha 57 vendime në favorin tonë, të cilat janë të detyrueshme në të gjitha kombet e Këshillit të Evropës. Edhe pse ‘na urrejnë të gjitha kombet’, gjykatat e shumë shteteve kanë dhënë vendimin se kemi të drejtën të praktikojmë adhurimin e vërtetë.Mat. 24:9.

SI KANË NDIKUAR FAKTORË TË TJERË TE VEPRA E MËSIMDHËNIES

Ua kemi vënë në dispozicion literaturën biblike njerëzve në çdo cep të botës

15. Ç’përparime janë bërë në industrinë tipografike, dhe si na kanë hyrë në punë?

15 Përparimet në industrinë tipografike kanë ndihmuar të predikohet lajmi i mirë në mbarë globin. Për shekuj të tërë, shtypshkronja e sheshtë me shkronja të lëvizshme që shpiku rreth vitit 1450 Johan Gutenbergu nuk pësoi shumë ndryshime. Por gjatë dy shekujve të fundit, kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme në industrinë tipografike. Makinat e shtypit janë bërë më të mëdha, më të shpejta e më të sofistikuara. Kostoja e prodhimit të letrës dhe e libralidhjes ka rënë. Në vend të shtypjes tipografike përdoret shtypi ofset, e kjo e ka përshpejtuar procesin e prodhimit dhe ka rritur cilësinë e figurave në botime. Si ka ndikuar e gjithë kjo te vepra jonë? Mendo pak: numri i parë i Kullës së Rojës (korrik 1879) kishte një tirazh prej 6.000 kopjesh, nuk përmbante figura dhe dilte vetëm në një gjuhë, në anglisht. Sot pas 136 vjetësh, shtypen dhe shpërndahen mbi 50.000.000 kopje të çdo numri të Kullës së Rojës. Revista ka figura të bukura me ngjyra të gjalla dhe del në më shumë se 200 gjuhë.

16. Cilat shpikje na kanë ndihmuar ta predikojmë lajmin e mirë në çdo cep të botës? (Shih figurën hapëse.)

16 Të mendojmë për disa shpikje të 200 viteve të fundit që ka shfrytëzuar populli i Perëndisë për të predikuar lajmin e mirë. Kemi përmendur trenat, makinat dhe aeroplanët. Por janë edhe biçikletat, makinat e shkrimit, pajisjet për gjuhën braile, telegrafi, telefonat, aparatet fotografike, magnetofonët, kamerat, radioja, televizori, filmat, kompjuterët dhe Interneti. Këto na kanë ndihmuar në lloj-lloj mënyrash që të kryejmë caktimin për të bërë dishepuj. Ishte profetizuar se populli i Jehovait ‘do të thithte qumështin e kombeve’. Në përmbushje të kësaj profecie, i kemi përdorur me mençuri të mirat e kombeve, siç është teknologjia e fjalës së fundit, që të prodhojmë Bibla dhe literaturë biblike në shumë gjuhë.Lexo Isainë 60:16.

17. (a) Në cilin përfundim na çojnë dëshmitë? (b) Pse na lejon Jehovai të jemi «bashkëpunëtorë» të tij?

17 Është e qartë se kemi dëshmi të forta që Perëndia po na bekon. Sigurisht, Jehovai nuk varet nga ndihma jonë për të arritur qëllimet e tij. Megjithatë, Ati ynë i dashur qiellor na lejon të jemi «bashkëpunëtorë» të tij, duke na dhënë mundësinë të tregojmë se e duam atë dhe njerëzit. (1 Kor. 3:9; Mar. 12:28-31) Le të shfrytëzojmë çdo mundësi që të shpallim mesazhin për Mbretërinë—vepra më e rëndësishme që po bëhet në tokë. Tregofshim mirënjohje të madhe që Jehovai na prin dhe na bekon në veprën globale të mësimdhënies!

^ par. 1 Më 1931 Studentët e Biblës morën emrin Dëshmitarë të Jehovait.Isa. 43:10.