Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbaje ndezur zellin për shërbimin

Mbaje ndezur zellin për shërbimin

PREDIKIMI i lajmit të mirë është vepra më e rëndësishme që po bëhet sot në tokë. Si Dëshmitar i Jehovait, pa dyshim e quan nder të marrësh pjesë në veprën e bërjes së dishepujve. Ama, patjetër e pranon se hera-herës, pionierët dhe lajmëtarët e kanë të vështirë ta mbajnë ndezur zellin për shërbimin.

Ç’mund të të ndihmojë ta mbash ndezur zellin për shërbimin?

Gjatë shërbimit shtëpi më shtëpi, disa lajmëtarë mezi gjejnë dikë për të biseduar. Në fakt, shumica e banorëve mund të mos jenë fare në shtëpi. Po edhe nëse janë aty, ka gjasa të mos duan t’ia dinë për mesazhin e Mbretërisë ose të jenë armiqësorë. Nga ana tjetër, disa lajmëtarë ndihen të mbingarkuar ngaqë kanë një territor shumë të madh e të frytshëm dhe kanë merak se nuk do t’ia dalin kurrë ta predikojnë mirë të gjithin. Pastaj ka edhe pjesëtarë të kongregacionit që predikojnë prej sa e sa vitesh—më gjatë nga ç’e pritnin—dhe i ka lëshuar zemra.

A duhet të çuditemi që të gjithë shërbëtorët e Jehovait hasin vështirësi që mund t’ua ftohin zellin për veprën e predikimit? Jo. Tekefundit, kush nga ne pret të na vejë vaj ndërsa shpallim mesazhin jetëshpëtues të së vërtetës në një botë ku sundon ‘i ligu’, Satana Djalli?!1 Gjon. 5:19.

Çfarëdo vështirësish që po kalon ndërsa predikon lajmin e mirë, mos ki fije dyshimi se Jehovai mund të të ndihmojë t’i mposhtësh. Po ç’mund të bësh që ta shtosh zellin për shërbimin? Le të shohim disa sugjerime.

NDIHMO DIKË ME MË PAK PËRVOJË

Çdo vit pagëzohen mijëra veta si Dëshmitarë të Jehovait. Nëse nuk ke shumë që je pagëzuar në simbol të kushtimit ndaj Perëndisë, doemos dëshiron të përfitosh nga përvoja e atyre që predikojnë nga më tepër kohë. E nëse je lajmëtar i Mbretërisë prej shumë vjetësh, a nuk është e përshtatshme dhe shpërblyese të bësh pjesën tënde për të stërvitur më të rinjtë në të vërtetën?

Jezui e dinte se dishepujt kishin nevojë për drejtim që të bëheshin ungjillëzues të zotë, dhe ua tregoi vetë si ta bënin këtë vepër. (Luka 8:1) Edhe sot ka nevojë të stërvitim të tjerë që të bëhen lajmëtarë të zotë.

Të mos shkojmë me mendjen se lajmëtari i ri do të bëhet i aftë në mësimdhënie thjesht duke dalë në shërbim. Ai ose ajo ka nevojë që dikush t’i kushtojë vëmendje dhe ta stërvitë me merak e dashuri. Kjo stërvitje përfshin t’i tregosh lajmëtarit me më pak përvojë si (1) të përgatitë e të praktikojë një prezantim, (2) të përfshijë në bisedë të zotin e shtëpisë a një kalimtar, (3) të ofrojë literaturë, (4) të kultivojë interesin dhe (5) të nisë një studim biblik. Nëse ai që stërvitet, vëzhgon me kujdes dhe imiton metodat e predikimit të lajmëtarit që po e ndihmon, ka shumë mundësi të korrë rezultate të mira. (Luka 6:40) Pa dyshim, e vlerëson që ka pranë dikë që e dëgjon me vëmendje dhe është gati ta ndihmojë po të lindë nevoja. Veç kësaj, lajmëtarit me më pak përvojë i vlejnë edhe lavdërimet e sugjerimet praktike.Ekl. 4:9, 10.

BISEDO ME SHOKUN E SHËRBIMIT

Sado të përpiqesh të bashkëbisedosh me njerëzit në territor, ka ditë kur biseda më e mirë që bën në predikim është ajo me shokun e shërbimit. Mos harro se Jezui i dërgoi dishepujt të predikonin «dy e nga dy». (Luka 10:1) Teksa punonin krah për krah, mund t’i përtërinin forcat shoku-shokut e ta motivonin. Pra, koha që kalon në shërbim me një bashkëbesimtar është një rast i shkëlqyer ‘që të inkurajoni njëri-tjetrin’.Rom. 1:12.

Për çfarë mund të bisedoni ndër të tjera? A ka pasur njëri nga ju ndonjë përvojë inkurajuese kohët e fundit? A ke zbuluar ndonjë pikë interesante gjatë studimit personal ose familjar? A more zemër nga diçka që dëgjove në mbledhje? Po mbase lajmëtarin përkrah nuk e ke pasur shpesh shok shërbimi. A e di si e përqafoi të vërtetën? Çfarë e bindi se kjo është organizata e Jehovait? Çfarë privilegjesh ose përvojash ka pasur? Mos ndoshta mund t’i tregosh diçka nga përvoja jote? Sido që të reagojnë njerëzit në territor, bashkëpunimi me dikë në shërbim është një mundësi e bukur që të «vazhdoni . . . të ndërtoni njëri-tjetrin».1 Sel. 5:11.

NGULMO NË ZAKONET E MIRA TË STUDIMIT

Që të ruash zellin për shërbimin, është e domosdoshme të zhvillosh zakone të mira studimi e të ngulmosh në to. «Skllavi i besueshëm dhe i matur» boton informacione për një larmi temash. (Mat. 24:45) Pra, mund të zgjedhësh mes kësaj shumëllojshmërie të madhe për t’u ushqyer frymësisht. Ja një temë e mirë për studim personal: pse vepra e predikimit për Mbretërinë është tepër e rëndësishme? Në kutinë pranë tregohen disa arsye.

Shqyrtimi i pikave të renditura në kuti mund të të motivojë të vazhdosh shërbimin me zell. Pse të mos bësh një projekt studimi për këtë e të shohësh sa arsye të tjera mund të renditësh? Pastaj bluaji në mend këto arsye dhe shkrimet që i mbështetin. Kjo patjetër do të ta përtërijë akoma më shumë zellin për shërbimin.

JI MENDJEHAPUR NDAJ SUGJERIMEVE

Organizata e Jehovait na jep pareshtur sugjerime, posaçërisht për të na ndihmuar të përmirësojmë shërbimin. Për shembull, përveç predikimit shtëpi më shtëpi, mund të dëshmojmë duke shkruar letra ose me anë të telefonit, mund të predikojmë në rrugë a në vende të tjera publike dhe t’u flasim njerëzve për lajmin e mirë në mënyrë joformale e në territor tregtar. Madje ndoshta mund të planifikojmë e t’i rregullojmë punët që të dëshmojmë në territore ku predikohet rrallë.

A je mendjehapur ndaj këtyre sugjerimeve? A ke provuar disa? Shumë prej atyre që i kanë zbatuar, kanë korrur rezultate që ta mbushin zemrën plot. Të shohim tre shembuj.

Shembulli i parë lidhet me një pikë nga një artikull te Shërbimi ynë i Mbretërisë, që tregonte si të fillonim studime biblike. Kjo e nxiti një motër që quhet Ejprila t’u ofronte studim tri shoqeve të punës. Mbeti e habitur dhe fluturonte nga gëzimi kur që të tria pranuan të studionin, e madje nisën të ndiqnin mbledhjet e kongregacionit.

Shembulli i dytë ka të bëjë me shpërndarjen e revistave. Jemi nxitur të kërkojmë ata që mund të mirëpresin disa artikuj të veçantë nga revistat tona. Një mbikëqyrës qarkor në Shtetet e Bashkuara tregon se kur doli një artikull për gomat e makinave te revista Zgjohuni!, ua ofroi përgjegjësve të të gjitha dyqaneve që shitnin goma në një zonë. Gjithashtu, ai dhe e shoqja lanë në mbi 100 klinika të qarkut serinë «T’i kuptojmë mjekët». Mbikëqyrësi thotë: «Vizita të tilla kanë ndihmuar goxha që të tjerët të njihen me ne dhe me literaturën tonë. Pasi miqësohemi ca me njerëzit në këto vende, arrijmë të mbajmë lidhje më të shpeshta me ta.»

Shembulli i tretë përfshin dëshminë me telefon. Një motër që quhet Xhudi dërgoi një letër në selinë qendrore, ku shprehte mirënjohjen për nxitjen që të provojmë dëshminë me telefon. Ajo tregonte se e ëma 86-vjeçare, që kishte mjaft probleme shëndetësore, merrte pjesë rregullisht në këtë formë shërbimi të shenjtë. E po kënaqej sa s’thuhet, pasi studionte Biblën nëpërmjet telefonit me një grua 92 vjeçe.

Sugjerimet për predikimin që na jepen në botimet tona bëjnë punë vërtet. Përdori! Mund të të ndihmojnë të mos e humbësh gëzimin dhe zellin për shërbimin.

VËR SYNIME TË ARSYESHME

Suksesi në veprën e predikimit nuk matet nga numri i botimeve që shpërndajmë, nga numri i studimeve biblike që drejtojmë ose nga numri i njerëzve që ndihmojmë të bëhen shërbëtorë të Jehovait. Fundja, përveç familjes së tij, sa veta ndihmoi Noeja të bëheshin adhurues të Jehovait? Prapëseprapë, as që diskutohet se ai ishte predikues i suksesshëm. Ajo që vlen vërtet është t’i shërbejmë Jehovait besnikërisht.1 Kor. 4:2.

Shumë lajmëtarë të Mbretërisë kanë parë se, që ta përtërijnë entuziazmin për veprën e predikimit, duhet të vënë synime të arsyeshme. Cilat mund të jenë disa? Në kutinë ngjitur jepen ca ide.

Kërko mënyra si ta bësh shërbimin shpërblyes e të frytshëm me ndihmën e Jehovait. Kur t’i arrish synimet, do të gëzosh se ia dole mbanë dhe do të jesh i kënaqur se e di që nuk po kursehesh në predikimin e lajmit të mirë.

Vërtet, mund të hasësh vështirësi teksa predikon lajmin e mirë. Por, ke në dorë të bësh diçka që të jesh lajmëtar i zellshëm. Bëj biseda inkurajuese me shokun e shërbimit, zhvillo zakone të mira studimi e ngulmo në to, zbato sugjerimet e skllavit të besueshëm dhe vër synime të arsyeshme. Mbi të gjitha, mos harro se Perëndia të ka dhënë privilegjin e papërshkrueshëm të shpallësh lajmin e mirë si Dëshmitar i tij. (Isa. 43:10) Çfarë gëzimi do të provosh ndërsa vazhdon ta mbash ndezur zellin për shërbimin!