Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bëj çmos që të stolisësh parajsën frymore

Bëj çmos që të stolisësh parajsën frymore

«Unë do t’i jap lavdi vendit të këmbëve të mia.»ISA. 60:13.

KËNGËT: 102, 75

1, 2. Cilave gjëra mund t’u referohet shprehja ‘stol i këmbëve’ në Shkrimet Hebraike?

PERËNDIA JEHOVA ka shpallur me të drejtë: «Qiejt janë froni im dhe toka është stoli im i këmbëve.» (Isa. 66:1) Sa për ‘stolin e tij të këmbëve’, ai tha edhe: «Unë do t’i jap lavdi vendit të këmbëve të mia.» (Isa. 60:13) Si e bën këtë? Dhe ç’domethënie ka kjo për ne meqë jetojmë në ‘stolin e këmbëve’ të Perëndisë?

2 Në Shkrimet Hebraike shprehja ‘stol i këmbëve’ nuk i referohet vetëm tokës, por përdoret në mënyrë të figurshme edhe për të përshkruar tempullin e lashtë, vendin e adhurimit të izraelitëve. (1 Kron. 28:2; Psal. 132:7) Tempulli, i cili ndodhej në tokë, shërbente si qendra e adhurimit të vërtetë. Ja pse në sytë e Jehovait ishte tejet i bukur dhe i sillte lavdi stolit të këmbëve të tij.

3. Çfarë është tempulli i madh frymor i Perëndisë, dhe kur u krijua?

3 Sot qendra e adhurimit të vërtetë nuk është më një tempull i mirëfilltë në tokë. Përkundrazi, është një tempull frymor që i jep lavdi Jehovait shumë më tepër se ndonjë ndërtesë. Kjo është një masë falë së cilës mund të pajtohemi me Perëndinë nëpërmjet priftërisë dhe flijimit të Jezu Krishtit. Ky tempull u krijua në vitin 29 të e.s. me pagëzimin e Jezuit kur u miros si Kryeprifti i tempullit të madh frymor të Jehovait.Hebr. 9:11, 12.

4, 5. (a) Si e përshkruan Psalmi 99 dëshirën e zjarrtë të adhuruesve të vërtetë të Jehovait? (b) Cilën pyetje duhet t’i bëjmë vetes?

4 Ngaqë e vlerësojmë masën e tempullit frymor, e përlëvdojmë Jehovain duke shpallur emrin e tij dhe e lartësojmë që na ka siguruar shpërblesën, këtë masë të dhembshur. Sa emocionuese është të dimë se mbi tetë milionë adhurues të vërtetë po e lartësojnë me zell Jehovain sot! Disa besimtarë gabimisht mendojnë se do ta lëvdojnë Zotin me të lënë tokën e me të shkuar në qiell. Kurse të gjithë Dëshmitarët e Jehovait e kuptojnë sa e nevojshme është ta lëvdojnë atë që tani këtu në tokë.

5 Në këtë mënyrë ndjekim shembullin e shërbëtorëve besnikë të Jehovait që përshkruhen te Psalmi 99:1-3, 5-7. (Lexoje.) Siç tregohet te ky psalm, Moisiu, Aaroni dhe Samueli e mbështetën plotësisht masën për adhurimin e vërtetë. Sot, para se të shkojnë në qiell që të shërbejnë si priftërinj me Jezuin, mbetja e vëllezërve të tij të mirosur po shërben me besnikëri në oborrin tokësor të tempullit frymor. Miliona «dele të tjera» i përkrahin me besnikëri. (Gjoni 10:16) Të dyja grupet, ndonëse kanë shpresa të ndryshme, e adhurojnë në unitet Jehovain këtu në stolin e këmbëve të tij. Ama si individë bëjmë mirë të pyesim veten: «A po e përkrah plotësisht masën e Jehovait për adhurimin e pastër?»

TË IDENTIFIKOJMË ATA QË SHËRBEJNË NË TEMPULLIN FRYMOR TË PERËNDISË

6, 7. Cili problem lindi në kongregacionin e hershëm, dhe çfarë ndodhi nga viti 1914 deri më 1919?

6 Më pak se një shekull pasi u formua kongregacioni i krishterë, nisi të zhvillohej apostazia e parathënë në Shkrime. (Vep. 20:28-30; 2 Sel. 2:3, 4) Që nga ajo kohë u bë gjithnjë e më e vështirë të identifikoje kush po i shërbente vërtet Perëndisë në tempullin e tij frymor. Vetëm shekuj më pas erdhi koha e duhur që Jehovai t’i qartësonte gjërat me anë të Mbretit të tij të sapokurorëzuar, Jezu Krishtit.

7 Në vitin 1919 tashmë ishin identifikuar qartë ata që shërbenin në tempullin frymor dhe që Jehovai i miratonte. Ishin rafinuar frymësisht që t’i bënin Perëndisë një shërbim edhe më të pranueshëm. (Isa. 4:2, 3; Mal. 3:1-4) Kështu nisi të përmbushej deri diku ajo që kishte parashikuar në një vegim apostulli Pavël shekuj më parë.

8, 9. Shpjego tri aspektet e ‘parajsës’ që pa Pavli në një vegim.

8 Vegimin e Pavlit e gjejmë te 2 Korintasve 12:1-4. (Lexoje.) Ajo që pa Pavli në atë vegim të mbinatyrshëm u quajt zbulesë dhe lidhej me një ngjarje të ardhshme, jo me diçka që ekzistonte në ditët e tij. Cilën «parajsë» pa Pavli kur ‘u rrëmbye deri në qiellin e tretë’? Parajsa për të cilën foli Pavli do të kishte një përmbushje fizike, frymore dhe qiellore, të cilat do të ekzistojnë njëkohësisht në të ardhmen. Pra, ajo përfshin parajsën fizike këtu në tokë që nuk ka ardhur ende. (Luka 23:43) Përfshin parajsën frymore që plotësisht do ta përjetojmë në botën e re. Ka të bëjë edhe me «parajsën e Perëndisë», pra privilegjin e mrekullueshëm për të qenë në praninë e Jehovait në qiell.Zbul. 2:7.

9 Por pse tha Pavli se kishte dëgjuar «fjalë që nuk thuhen, të cilat për njeriun nuk është e ligjshme të thuhen»? Sepse nuk ishte ende koha që ai të shpjegonte me hollësi gjërat e mrekullueshme që kishte parë në atë vegim. Kurse sot është e ligjshme të flasim për bekimet që ka populli i Perëndisë.

10. Pse nuk janë e njëjta gjë shprehjet «parajsë frymore» dhe «tempull frymor»?

10 Shprehja «parajsë frymore» është bërë pjesë e fjalorit tonë teokratik. Ajo përshkruan mjedisin ose gjendjen tonë frymore, diçka unike falë së cilës gëzojmë paqe me Perëndinë e me vëllezërit tanë. Natyrisht, nuk duhet të nxjerrim përfundimin se shprehjet «parajsë frymore» dhe «tempull frymor» janë e njëjta gjë. Tempulli frymor është masa e Perëndisë për adhurimin e vërtetë. Parajsa frymore shërben për të identifikuar qartë ata që kanë miratimin e Perëndisë dhe që sot i shërbejnë në tempullin frymor.Mal. 3:18.

11. Çfarë privilegji kemi sot për sa i përket parajsës frymore?

11 Sa bukur është të dimë se, që nga viti 1919, Jehovai ka lejuar njerëz të papërsosur të punojnë përkrah tij për të pasuruar, për të forcuar dhe për të zgjeruar parajsën frymore në tokë! Po ti, a e kupton rolin tënd në këtë vepër të mrekullueshme? A nuk nxitesh që të vazhdosh të punosh me Jehovain për të lëvduar ‘vendin e këmbëve të tij’?

ORGANIZATA E JEHOVAIT PO BËHET GJITHNJË E MË E BUKUR

12. Pse jemi të sigurt se Isaia 60:17 është përmbushur? (Shih figurën hapëse.)

12 Tek Isaia 60:17 (lexoje) ishte parathënë një vepër e mrekullueshme transformimi që lidhet me pjesën tokësore të organizatës së Jehovait. Të rinjtë dhe ata që kanë pak kohë në të vërtetën kanë lexuar për dëshmitë e këtij transformimi ose kanë dëgjuar nga të tjerë. Por sa të privilegjuar janë vëllezërit e motrat, të cilët e kanë përjetuar këtë transformim! Ja pse janë të bindur se Jehovai po e drejton organizatën e vet me anë të Mbretit të tij të kurorëzuar. Këtë siguri e kanë falë provave të shumta, e po aq të sigurt jemi edhe ne. Teksa dëgjon shprehjet e tyre të çmueshmërisë, besimi te Jehovai do të të forcohet.

13. Sipas Psalmit 48:12-14 çfarë detyrimi kemi?

13 Pavarësisht sa kohë kemi në të vërtetën, duhet t’u flasim të tjerëve për organizatën e Jehovait. Ekzistenca e një parajse frymore në mes të një bote të ligë, të korruptuar e të ftohtë është mrekulli e kohëve moderne. Mrekullitë për organizatën e Jehovait, ose ‘Sionin’, dhe për të vërtetën rreth parajsës frymore duhet t’i tregohen plot gëzim «brezit që do të vijë».Lexo Psalmin 48:12-14.

14, 15. Cilat rregullime organizative u bënë në vitet 70, dhe si kanë sjellë dobi ato?

14 Gjatë viteve, të moshuarit në mesin tonë i kanë përjetuar disa nga rregullimet organizative që e kanë bërë më të bukur pjesën tokësore të organizatës së Jehovait. Ata sjellin ndër mend kur kongregacionet kishin një shërbëtor kongregacioni dhe jo një trup pleqsh, kur vendet kishin një shërbëtor dege dhe jo një Komitet Dege, dhe kur drejtimin e jepte presidenti i Shoqatës Watch Tower dhe jo një Trup Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait i identifikuar qartë. Ndonëse të gjithë këta vëllezër të kushtuar i mbështetnin bashkëpunëtorë besnikë, kryesisht përgjegjës për marrjen e vendimeve në kongregacione, në zyrën e degës dhe në selinë botërore ishte vetëm një individ. Gjatë viteve 70 u bënë rregullime për t’ia caktuar përgjegjësinë e mbikëqyrjes grupeve të pleqve dhe jo individëve.

15 A kanë sjellë dobi këto rregullime? Patjetër që po. Pse? Sepse u bazuan në kuptueshmërinë gjithnjë e më të qartë për modelin që gjendet në Bibël. Në vend që vendimet t’i marrë vetëm një vëlla, organizata nxjerr dobi nga cilësitë e mira të të gjithë ‘dhuratave në njerëz’ që Jehovai ka siguruar.Efes. 4:8; Prov. 24:6.

Jehovai po u jep njerëzve kudo qofshin drejtimin e domosdoshëm (Shih paragrafët 16, 17.)

16, 17. Cilat nga rregullimet e fundit të kanë bërë veçanërisht përshtypje, dhe pse?

16 Të mendojmë edhe për rregullimet më të fundit, si ndryshimet në pamje e në përmbajtje të botimeve tona, si edhe në metodat e shpërndarjes së tyre. Ç’kënaqësi të ofrojmë në shërbim literaturë praktike, tërheqëse e të bukur! Dhe, kur përdorim teknologjinë e fundit që të përhapim të vërtetën, siç është siti jw.org, pasqyrojmë interesimin e Jehovait për t’u dhënë njerëzve kudo qofshin drejtimin e domosdoshëm që shumicës i mungon.

17 Dhe sa i mençur është rregullimi që të kemi një mbrëmje për Adhurimin Familjar ose për studimin personal! I çmojmë edhe përmirësimet që janë bërë në programet e asambleve dhe të kongreseve. Shpesh themi se çdo vit bëhen gjithnjë e më të bukura. Dhe patjetër që kënaqemi për stërvitjen që sa vjen e shtohet, e cila jepet në shkollat tona të shumta teokratike. Dora e Jehovait shihet qartë në të gjitha këto rregullime. Ai e stolis gjithnjë e më tepër organizatën e tij dhe parajsën frymore që shijojmë që tani.

BËJ PJESËN TËNDE QË TË STOLISËSH PARAJSËN FRYMORE

18, 19. Si mund të bëjmë pjesën tonë që të stolisim parajsën frymore?

18 Çfarë nderi është që Jehovai na lejon të bëjmë pjesën tonë që të stolisim parajsën frymore! Këtë e bëjmë duke predikuar gjithë zell lajmin e mirë për Mbretërinë dhe duke bërë më shumë dishepuj. Sa herë që ndihmojmë dikë të përparojë e t’i kushtohet Jehovait, kemi dhënë një dorë për të zgjeruar kufijtë e parajsës frymore.Isa. 26:15; 54:2.

19 Mund ta stolisim parajsën tonë frymore edhe kur përmirësojmë vazhdimisht personalitetin e krishterë. Kjo e bën këtë parajsë më tërheqëse për të tjerët. Shpesh, më shumë se njohuria biblike, ajo që fillimisht i tërheq njerëzit tek organizata, te Jehovai e te Krishti është pastërtia jonë morale dhe sjellja paqësore.

Edhe ti mund të japësh një dorë për të zgjeruar kufijtë e parajsës frymore (Shih paragrafët 18, 19.)

20. Cila duhet të jetë dëshira jonë në përputhje me Proverbat 14:35?

20 Sa të kënaqur duhet të jenë Jehovai e Jezui kur vërejnë sa e bukur është parajsa jonë frymore sot! Gëzimi që ndiejmë tani ndërsa punojmë për ta stolisur është veçse një grimcë e gëzimit që do të provojmë më vonë teksa do të punojmë për ta bërë tokën një parajsë fizike. Të mos harrojmë Proverbat 14:35: «Mbreti kënaqet me atë shërbëtor që vepron me gjykim të thellë.» Le të tregojmë gjithnjë gjykim të thellë ndërkohë që bëjmë çmos për të stolisur parajsën frymore.