Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

Më në fund, në paqe me Perëndinë dhe me mamanë

Më në fund, në paqe me Perëndinë dhe me mamanë

«PO PSE xhanëm nuk do që të adhurosh paraardhësit e tu?—më pyeti mamaja.—S’e kupton që falë tyre ke jetë? Nuk do t’u tregosh fare mirënjohje? Si mund t’i flakësh zakonet që janë trashëguar prej brezash? Të mos nderosh paraardhësit është sikur të thuash se adhurimi ynë është budallallëk.» Pastaj, shpërtheu në lot.

Mamaja s’e kishte zakon të fliste kështu. Përveç kësaj, e kishte rregulluar ajo që të studioja Biblën, ndonëse si me lezet që të mos studionte vetë. Ia kisha dëgjuar gjithnjë fjalën dhe tani e kisha të vështirë të mos i bindesha. Por kësaj here duhej t’i pëlqeja Jehovait. Pa forcën e tij, nuk do t’ia kisha dalë mbanë.

BËHEM E KRISHTERË

Ashtu si shumica e japonezëve, edhe ne ishim budistë. Por vetëm dy muaj studim me Dëshmitarët e Jehovait më bindën se Bibla përmban të vërtetën. Kur mësova se kisha një Atë qiellor, doja me zjarr ta njihja. Diskutoja gjithë qejf me mamanë për ato që po mësoja. Nisa të ndiqja mbledhjet të dielave në Sallën e Mbretërisë. Dora-dorës që mësoja më shumë për të vërtetën, i thashë mamasë se nuk do të merrja më pjesë në ritet budiste. Befas, qëndrimi i saj ndryshoi. Ajo tha: «Është turp të kesh në familje dikë që nuk i do paraardhësit e vet.» Më kërkoi ta ndërpritja studimin e Biblës dhe të mos veja më në mbledhje. Kurrë s’ma kish marrë mendja që mamaja ta thoshte këtë! Dukej tjetër njeri.

Nga kapitulli 6 i Efesianëve mësova se Jehovai donte që t’u bindesha prindërve. Babai mori anën e mamasë. Në fillim arsyetova se, po t’i dëgjoja, edhe ata do të më dëgjonin, dhe në familje do të rivendosej paqja. Përveç kësaj, po afroheshin provimet e shkollës së mesme dhe duhej të përgatitesha. Prandaj rashë dakord që për tre muaj të bëja siç më thanë, por i premtova Jehovait se pas atyre muajve do të shkoja prapë në mbledhje.

Vendimi im ishte i gabuar për dy arsye. Së pari, mendoja se ndjenjat e mia për Jehovain nuk do të ndryshonin për tre muaj. Por shpejt fillova të ndieja se po vdisja frymësisht dhe po largohesha gjithnjë e më shumë nga Jehovai. Së dyti, në vend që të gjenim një rrugë të mesme, prindërit më bënë edhe më tepër presion që të hiqja dorë nga gjithçka që lidhej me adhurimin e vërtetë.

NDIHMË DHE KUNDËRSHTIM

Në Sallën e Mbretërisë kisha takuar shumë veta që hasnin kundërshtime nga familja. Më kishin siguruar se Jehovai do të më forconte. (Mat. 10:34-37) Më kishin ngulitur në mendje se isha hallka kyçe që familja ime të shpëtonte. Doja të mësoja të mbështetesha te Jehovai, prandaj nisa të lutesha me zjarr.

Në familje kundërshtimi mori lloj-lloj formash. Mamaja edhe më përgjërohej, edhe përpiqej të arsyetonte me mua. Zakonisht heshtja. Kur hapja gojën, shpesh grindeshim pasi secila donte t’i dilte e saja. Po t’i kisha marrë parasysh më tepër ndjenjat dhe bindjet e mamasë, situata mund të ishte qetësuar. Prindërit m’i shtuan punët e shtëpisë që të më mbanin mbyllur. Ndonjëherë më linin jashtë ose nuk më jepnin për të ngrënë.

Mamaja kërkoi ndihmë nga të tjerë. I qau hallin mësuesit tim, por ai nuk u përzie fare. Ajo më çoi te drejtori i punës së vet që të më bindte se të gjitha fetë janë të kota. Kur ishte në shtëpi, mamaja u telefononte të afërmve dhe me lot u përgjërohej për ndihmë. Kjo më vriste, por në mbledhje pleqtë më nxitnin të mendoja se sa shumë njerëzve po u jepte dëshmi mamaja pa dashje.

Më pas u përballa me çështjen e universitetit. Prindërit kishin planifikuar për mua atë që e mendonin si fillimin më të mirë në jetë. Shpresonin se kështu mund të gjeja një punë të mirë. Nuk arrinim t’i diskutonim problemet me qetësi, prandaj u shkrova disa letra për t’u shpjeguar synimet e mia. Babai u tërbua dhe më kërcënoi: «Nëse mendon se mund të gjesh punë, o gjeje nesër, o ik nga shtëpia.» Iu luta Jehovait. Të nesërmen, kur isha në shërbim, dy motra të ndryshme më kërkuan të ndihmoja në mësime fëmijët e tyre. Babai as me këtë nuk u kënaq dhe nuk më fliste më; madje filloi të më shpërfillte. Mamaja tha se më mirë të isha kriminele, sesa Dëshmitare e Jehovait.

Falë Jehovait ndreqa mënyrën e të menduarit dhe kuptova ç’rrugë të ndiqja

Ndonjëherë pyetja veten nëse Jehovai donte t’u rezistoja deri në këtë pikë dëshirave të prindërve. Por u luta dhe reflektova më shumë rreth vargjeve biblike për dashurinë e Jehovait. Kështu arrita ta shihja me syrin e duhur kundërshtimin dhe të kuptoja se ai vinte pjesërisht nga meraku i prindërve. Falë Jehovait ndreqa mënyrën e të menduarit dhe kuptova ç’rrugë të ndiqja. Po ashtu, sa më shumë dilja në shërbim, aq më shumë e shijoja. Po, shërbimi si pioniere u bë synimi im.

SHËRBIMI SI PIONIERE

Disa motra që e morën vesh se doja të shërbeja si pioniere më këshilluan të prisja sa të qetësoheshin prindërit. U luta për mençuri, bëra kërkime, shqyrtova motivet e mia dhe fola me motra e vëllezër të pjekur. Arrita në përfundimin se doja të kënaqja Jehovain. Veç kësaj, po ta shtyja shërbimin si pioniere, nuk kishte garanci që prindërit do të ndryshonin qëndrim.

Nisa të shërbeja si pioniere vitin e fundit të shkollës së mesme. Pas ca kohësh, vura si synim të shërbeja atje ku kishte më tepër nevojë. Por, prindërit nuk donin të ikja nga shtëpia. Kështu prita derisa u bëra 20 vjeçe. Atëherë, i kërkova zyrës së degës një caktim në jug të Japonisë ku kishim të afërm që edhe mamaja të ishte më e qetë.

Në atë caktim pata gëzimin të shihja disa studentë të mi të Biblës të pagëzoheshin. Ndërkohë studioja anglisht sepse doja të zgjeroja shërbimin. Në kongregacionin ku shërbeja, kishte dy vëllezër pionierë specialë. Shihja zellin e tyre dhe si i ndihmonin të tjerët. Prandaj, shërbimi si pioniere speciale u bë synimi im. Gjatë asaj kohe mamaja u sëmur rëndë dy herë. Të dyja herët u ktheva në shtëpi që të kujdesesha për të. Kjo e befasoi, ndaj qëndrimi i saj u zbut paksa.

VËRSHOJNË BEKIMET

Pas shtatë vjetësh mora një letër nga Acushi, një nga pionierët specialë që përmenda. Thoshte se po mendonte të martohej e donte të dinte për rrethanat dhe ndjenjat e mia. Nuk kisha pasur ndjenja romantike për Acushin dhe as mendoja se ai ndiente për mua. Një muaj më vonë iu përgjigja se dëshiroja të njiheshim më mirë. Zbuluam se kishim shumë të përbashkëta, pasi që të dy donim të vazhdonim shërbimin në kohë të plotë dhe të shërbenim në çfarëdolloj caktimi. Me kohë u martuam. Sa e lumtur isha kur në dasmë erdhën mamaja, babai dhe disa të afërm!

Nepal

Pak kohë pasi po shërbenim si pionierë të rregullt, Acushi u emërua zëvendësmbikëqyrës qarkor. Shpejt erdhën bekime të tjera. U emëruam pionierë specialë dhe pastaj u caktuam në veprën qarkore. Pasi i kishim vizituar nga një herë të gjitha kongregacionet e qarkut, morëm një telefonatë nga zyra e degës. Na pyetën nëse ishim gati të pranonim një caktim në veprën qarkore në Nepal.

Duke shërbyer në disa vende, mësova shumë për Jehovain

Vritja mendjen si do të ndiheshin prindërit që do të shkoja aq larg. Kur i mora në telefonon, babai më tha: «Do të shkosh në një vend të bukur.» Vetëm një javë më parë, një mik i kishte dhënë një libër për Nepalin, dhe babai po mendonte sa bukur do të ishte ta vizitonte atë vend.

Ndërsa shërbenim të lumtur mes nepalezëve miqësorë, patëm një bekim tjetër. Qarku ynë do të përfshinte Bangladeshin, një vend sa afër aq edhe i ndryshëm në shumë drejtime. Shërbimi ishte mjaft i larmishëm. Pas pesë vjetësh, u caktuam përsëri në Japoni ku po kënaqemi në veprën qarkore.

Shërbimi në Japoni, Nepal e Bangladesh më ka mësuar shumë për Jehovain. Secili ka historinë e kulturën e vet unike dhe çdo banor i tyre është unik. Kam parë se si kujdeset Jehovai për njerëzit si individë, si i pranon, i ndihmon dhe i bekon.

Mua vetë, Jehovai më ka derdhur plot bekime. Më ka dhënë mundësinë ta njoh, të marr pjesë në veprën e tij dhe të kem një burrë të krishterë të shkëlqyer. Perëndia më ka udhëhequr të marr vendime të mençura, dhe tani kam një marrëdhënie të mirë me të e me familjen. Falë Jehovait, unë dhe mamaja jemi sërish mike të mira. Jam thellësisht mirënjohëse që më në fund gëzoj paqe me Perëndinë dhe me mamanë.

Kënaqemi tej mase në veprën qarkore