A është Mbretëria e Perëndisë në zemrën e njeriut?
Lexuesit pyesin
A është Mbretëria e Perëndisë në zemrën e njeriut?
Sot shumë veta besojnë se përgjigjja e pyetjes së mësipërme është po. Për shembull, Enciklopedia katolike (anglisht) thotë: «Mbretëria e Perëndisë . . . nënkupton sundimin e Perëndisë në zemrën tonë.» Këtë ide u mësojnë zakonisht klerikët njerëzve. A mëson Bibla se Mbretëria e Perëndisë gjendet në zemrat e njerëzve?
Disa mendojnë se ishte vetë Jezui që hodhi idenë se Mbretëria e Perëndisë është brenda zemrës së njerëzve. Jezui tha: «Mbretëria e Perëndisë është mes jush.» (Luka 17:21) Në disa përkthime, ky varg është: «Mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush.» A është ky një përkthim i saktë i shprehjes së Jezuit? Vërtet donte të thoshte se Mbretëria e Perëndisë gjendet në zemrat e njerëzve?
Së pari le të shqyrtojmë çfarë është zemra e njeriut. Në Bibël zemra figurative është personi i brendshëm, burimi i mendimeve, qëndrimeve dhe ndjenjave të njeriut. Ideja se diçka kaq e madhërishme, si Mbretëria e Perëndisë, gjendet në zemrat e njerëzve—për shembull, në kuptimin që mund t’i ndryshojë dhe fisnikërojë ata—mbase duket interesante, por a ka baza?
Bibla thotë: «Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme.» (Jeremia 17:9) Jezui tha: «Nga brenda, nga zemra e njerëzve, dalin arsyetime të dëmshme: kurvëri, vjedhje, vrasje, kurorëshkelje, lakmi, vepra ligësie.» (Marku 7:20-22) Mendo: a nuk vijnë nga zemra mëkatare e njeriut një pjesë e madhe e vuajtjeve që shohim sot në botë? Atëherë, si mund të vijë nga një burim i tillë edhe Mbretëria e përsosur e Perëndisë? Në fakt, Mbretëria e Perëndisë mund të vijë nga zemra e njeriut aq sa mund të vijnë fiqtë nga gjembaçët.—Mateu 7:16.
Së dyti, mendoni kujt ia drejtoi Jezui fjalët që gjenden te Luka 17:21. Një varg më përpara lexojmë: «Kur farisenjtë e pyetën se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, ai iu përgjigj.» (Luka 17:20) Farisenjtë ishin armiqtë e Jezuit. Ai tha se ata hipokritë nuk do të hynin në Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 23:13) E pra, nëse farisenjtë nuk do të hynin në Mbretërinë e Perëndisë, a mund të ishte Mbretëria në zemrat e tyre? E pamundur! Atëherë, çfarë donte të thoshte Jezui?
Në një sërë përkthimesh të kujdesshme të Biblës, këto fjalë të Jezuit janë ngjashëm Përkthimit Bota e Re. Disa prej tyre thonë se Mbretëria është «ndër ju» ose «në mes tuaj». Në ç’kuptim Mbretëria e Perëndisë në atë kohë ishte mes atyre njerëzve, përfshirë edhe farisenjtë? Jezui ishte ai që Perëndia Jehova e kishte caktuar Mbret të Mbretërisë. Si Mbret i emëruar, Jezui ishte tamam mes atyre njerëzve. Ai i mësoi ata për Mbretërinë e Perëndisë e madje kreu mrekulli që treguan se çfarë do të bënte Mbretëria. Pra në kuptim të mirëfilltë Mbretëria ishte mes tyre.
Është e qartë se nuk ka asnjë bazë në Shkrime ideja se Mbretëria e Perëndisë është në zemrat e njerëzve. Përkundrazi, ajo është një qeveri e vërtetë që do të sjellë ndryshime rrënjësore në tokë, siç parathanë profetët.—Isaia 9:6, 7; Danieli 2:44.