Gjithçka që Jehovai parathotë del e vërtetë
Gjithçka që Jehovai parathotë del e vërtetë
‘UNË jam Hyjnori dhe s’ka Perëndi tjetër, as ndonjë të ngjashëm me mua; Ai që thotë përfundimin qysh në fillim dhe që prej shumë kohësh gjërat që ende nuk kanë ndodhur.’ (Isaia 46:9, 10) Kështu thotë Jehovai, ai që ka aftësinë të parathotë të ardhmen pa gabuar.
Tashmë dihet mirë se njeriu nuk është i aftë të parathotë të ardhmen me saktësi. Përderisa Bibla është një libër me profeci, kjo duhet t’i nxitë të gjithë ata që kërkojnë të vërtetën ta shqyrtojnë mirë pohimin e saj se ka autor Perëndinë. Le të ndalemi te disa profeci biblike që tashmë janë plotësuar.
Qytetërime të lashta
Perëndia paratha se Babilonia do të shkatërrohej një herë e mirë dhe se edhe Edomi, Moabi, Amoni e Tiri do të shkretoheshin përgjithmonë. (Jeremia 48:42; 49:17, 18; 51:24-26; Abdia 8, 18; Sofonia 2:8, 9) Zhdukja e këtyre popujve ose kombeve dëshmon sa e saktë është Fjala profetike e Perëndisë.
Sigurisht ndonjë mbase thotë se çdokush mund të parathotë se një komb, sado i fuqishëm, do të zhduket me kalimin e kohës. Por në këtë mënyrë nuk mban parasysh faktin thelbësor se Bibla nuk u mjaftua me kaq. Për shembull, në të gjenden hollësi si do të mposhtej Babilonia. Bibla paratha se qytetin do ta zaptonin medët, se komandant i ushtrisë pushtuese do të ishte Kiri dhe se lumenjtë mbrojtës të qytetit do të thaheshin.—Isaia 13:17-19; 44:27–45:1.
Nuk ndodhte në çdo rast që Bibla të parathoshte se një komb ose popull i pushtuar do të shfarosej nga faqja e dheut. Për shembull, në rastin e shkatërrimit të Jerusalemit nga babilonasit, Perëndia tha të kundërtën: qyteti do të rindërtohej, pavarësisht se babilonasit kurrë nuk i lironin robërit. (Jeremia 24:4-7; 29:10; 30:18, 19) Kjo profeci u plotësua dhe pasardhësit e judenjve janë edhe sot e kësaj dite një komb.
Gjithashtu, Jehovai paratha se Egjipti do të rrëzohej si fuqi botërore, por ‘më pas do të banohej si në ditët e lashta’. Me kalimin e kohës, kjo fuqi e lashtësisë ‘do të bëhej një Jeremia 46:25, 26; Ezekieli 29:14, 15) Edhe kjo u plotësua. Veç këtyre, Jehovai paratha se Greqia do të rrëzohej si fuqi botërore, por kurrë nuk tha se ky komb do të zhdukej. Çfarë mësojmë nga fakti që qytetërimet për të cilat Jehovai paratha shfarosjen nuk ekzistojnë më, ndërsa ato për të cilat nuk paratha shfarosjen ekzistojnë ende? Përfundimi është që Fjala e Perëndisë përmban profeci të sakta dhe të besueshme.
mbretëri e papërfillshme’. (Hollësi mbresëlënëse
Siç u përmend më sipër, Jehovai dha shumë hollësi për mënyrën si do të shkatërrohej Babilonia. Po kështu, kur paratha rënien e Tirit, libri i Ezekielit tha se gurët, punimet prej druri dhe rrënojat e tij do t’i hidhnin «në mes të ujit». (Ezekieli 26:4, 5, 12) Kjo profeci u përmbush në vitin 332 p.e.s., kur Aleksandri i Madh urdhëroi ushtrinë që me rrënojat e pjesës kontinentale të qytetit të pushtuar, të ndërtonin një rrugë për në pjesën ishullore të Tirit. Kështu edhe atë pjesë e pushtuan.
Edhe profecia te Danieli 8:5-8, 21, 22 dhe 11:3, 4 jepte hollësi mbresëlënëse për «mbretin e Greqisë», një mbret jashtëzakonisht të fuqishëm. Ky sundimtar do të merrte fund në kulmin e fuqisë dhe mbretëria e tij do të ndahej mes katër vetave, por që nuk do të ishin pasardhës të tij. Më shumë se 200 vjet pas kësaj profecie u pa se mbreti i fuqishëm ishte Aleksandri i Madh. Historia botërore tregon se ai vdiq nga një vdekje e parakohshme dhe se perandoria e tij u nda, së fundi, midis katër gjeneralëve të Aleksandrit të Madh që s’ishin pasardhës të tij.
Kritikët pretendojnë se kjo profeci duhet të jetë shkruar pasi ka ndodhur ngjarja. Megjithatë, mendoni sërish për tregimin e cituar më sipër nga libri i Danielit. Nëse
shihet si profeci, hollësitë e përmendura janë të jashtëzakonshme. Por, kur shihet si histori nën maskën e një profecie, a nuk bie në sy mungesa e hollësive? Nëse ndonjë mashtrues që jetoi pas Aleksandrit po përpiqej t’u bënte përshtypje lexuesve me një gjoja profeci, përse nuk përmendi që, menjëherë pas vdekjes së Aleksandrit, dy nga djemtë e tij u munduan të hipnin në fron, por u vranë? Përse nuk përmendi që do të kalonin dekada para se të katër gjeneralët të sundonin në pjesët e ndryshme të perandorisë së Aleksandrit? Pastaj, përse nuk i shkroi emrat e atij mbreti të madh dhe katër gjeneralëve të tij?Ndonëse prej shumë kohësh pretendohet se profecitë e Biblës janë shkruar pas ngjarjes, kjo gjë nuk është vërtetuar. Këtë pretendim e ngrenë ata që, para se të shqyrtojnë provat, tashmë e kanë ndarë mendjen se është e pamundur të parathuhen ngjarjet e së ardhmes. Meqë nuk duan ta pranojnë se Bibla është Fjala e Perëndisë, janë të detyruar të shpjegojnë çdo gjë thjesht nga një këndvështrim njerëzor. Gjithsesi, Perëndia me mençuri frymëzoi aq hollësi profetike sa të mjaftonin për t’i vënë vulën se ai është Autori i tyre. *
Nëse uleni dhe meditoni për profecitë e Biblës dhe për plotësimin e tyre, ato mund t’jua forcojnë besimin. Pse të mos i studioni ato? Tabelat në faqet 343 deri në 346 të librit «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm» mund t’ju ndihmojnë. * Nëse ndiqni këtë sugjerim shikojeni si një projekt për të forcuar besimin. Mos u ngutni ta kaloni përciptas materialin. Përkundrazi, mendoni thellë për faktin se gjithçka që Jehovai parathotë, plotësohet pikë për pikë.
[Shënimet]
^ par. 13 Për më shumë informacione që hedhin poshtë pretendimin se profecitë e Biblës u shkruan pasi ndodhën ngjarjet, shih faqet 106-111 të librit A ka një Krijues që interesohet për ju?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 14 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia dhe figura në faqen 24]
PARIME PËR JETËN
Ja diçka tjetër që meriton t’i kushtojmë vëmendje. Perëndia, që me aq saktësi paratha ngritjen dhe rënien e fuqive botërore, është edhe Burimi i parimeve biblike që vlejnë për jetën. Këtu jepen disa prej tyre:
Ç’të mbjellësh, do të korrësh.—Galatasve 6:7.
Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.—Veprat 20:35.
Lumturia vjen kur plotësojmë nevojën për të mësuar për Perëndinë.—Mateu 5:3.
Nëse i vini në jetë këto parime, të jeni të sigurt se do t’ju sjellin dobi.
[Figurat në faqet 22, 23]
Fjala e Perëndisë paratha se do të shfaroseshin këto qytetërime . . .
EDOMI
BABILONIA
. . . por jo këto
GREQIA
EGJIPTI
[Burimet]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
OBSH fotografi nga Edouard Boubat
[Figura në faqen 23]
Aleksandri i Madh