Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një Atë që s’ka të krahasuar

Një Atë që s’ka të krahasuar

Afrojuni Perëndisë

Një Atë që s’ka të krahasuar

Mateu 3:16, 17

«ATË.» Janë të pakta fjalët që zgjojnë ndjenja kaq të thella te njerëzit. Një atë që i do vërtet fëmijët e tij i ndihmon të rriten të mbarë. Me të drejtë Bibla e quan Perëndinë Jehova, ‘Atë’ *. (Mateu 6:9) Çfarë lloj Ati është Jehovai? Për t’iu përgjigjur kësaj le të shqyrtojmë fjalët që Jehovai i tha Jezuit kur u pagëzua. Në fund të fundit mënyra se si një baba u flet fëmijëve të tij, zbulon shumë ç’lloj prindi është.

Aty nga tetori i vitit 29 të e.s., Jezu shkoi të pagëzohej në lumin Jordan. Bibla tregon se çfarë ndodhi: «Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji, dhe ja, qiejt u hapën dhe Gjoni pa frymën e Perëndisë të zbriste mbi Jezuin porsi një pëllumb. U dëgjua edhe një zë nga qiejt, që tha: ‘Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.’» * (Mateu 3:16, 17) Këto fjalë të ngrohta, të thëna nga vetë Jehovai, tregojnë shumë se ç’lloj Ati është. Vini re tri gjëra që i shprehu Jehovai Birit të tij.

Së pari, me fjalët «ky është Biri im», Jehovai në thelb po thoshte: ‘Ndihem krenar që jam Ati yt.’ Një baba mendjemprehtë plotëson nevojën që kanë fëmijët për vëmendje dhe për t’u pranuar nga të tjerët. Fëmijët kanë nevojë t’i sigurojnë se vlerësohen, sepse kanë një vend të veçantë në familje. Imagjinoni sa e rëndësishme duhet të ketë qenë për Jezuin, edhe pse ishte i rritur, që Ati i tij i shprehu këtë vlerësim.

Së dyti, duke e quajtur Birin e tij «i dashuri», Jehovai e shprehu hapur dashurinë e tij për Jezuin. Në njëfarë kuptimi, Ati po thoshte: ‘Unë të dua.’ Një baba i mirë ua thotë fëmijëve se i do shumë. Fjalë të tilla, të shoqëruara me shprehje të përshtatshme përzemërsie, i çelin fëmijët. Sa duhet t’i jetë ngrohur zemra Jezuit tek dëgjonte zërin e Atit që i shprehte dashurinë!

Së treti, me fjalët «e kam miratuar», Jehovai tregoi se e miratonte Birin e tij. Ishte njësoj si të thoshte: ‘Bir, jam i kënaqur me atë që ke bërë.’ Një baba i dashur kërkon raste për t’ua bërë të ditur fëmijëve se është i kënaqur për gjërat e mira që ata thonë ose bëjnë. Fëmijët marrin zemër e forcë nga miratimi i prindërve. Patjetër, edhe Jezui duhet të ketë marrë zemër kur dëgjoi se kishte miratimin e Atit.

Vërtet, Jehovai është një Atë që s’ka të krahasuar. A nuk je i dëshiruar të kesh një Atë të tillë? Nëse po, mund të marrësh zemër duke ditur se është e mundur të krijosh një lidhje me Jehovain. Nëse i nxitur nga besimi, mëson për të dhe përpiqesh sinqerisht të bësh vullnetin e tij, ai nga ana e vet do të të përgjigjet. Bibla thotë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jakovi 4:8) Ç’gjë mund të të japë më shumë siguri se të kesh një lidhje të ngushtë me Perëndinë Jehova, Atin më të mirë që mund të imagjinohet?

[Shënimet]

^ par. 1 Sipas tregimit paralel në ungjillin e Lukës, Jehovai përdori përemrin «ti» kur tha: «Ti je Biri im, i dashuri. Unë të kam miratuar.»​—Luka 3:22.

^ par. 2 Jehovai është quajtur Atë, sepse është Krijuesi. Meqë Jezui u krijua nga Perëndia, quhet Bir i Perëndisë.