Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vepër ndërtimi në lavdi të Jehovait

Vepër ndërtimi në lavdi të Jehovait

Vepër ndërtimi në lavdi të Jehovait

«S’u besoj dot syve. Kurrë s’e kisha imagjinuar se do të kishim një vend kaq të bukur ku të mblidheshim për të lëvduar Jehovain. Ky gëzim nuk blihet as me një mal me para.»—MARIA, MEKSIKË.

DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT u pëlqen shumë të mblidhen që të mësojnë për Fjalën e Perëndisë, Biblën. (Psalmi 27:4; Hebrenjve 10:23-25) Kjo u sjell edhe më shumë gëzim kur mund të mblidhen në vende dinjitoze adhurimi. Vitet e fundit, ata kanë ndërtuar në mjaft shtete, anekënd botës, mijëra vende të reja adhurimi, të njohura si Salla Mbretërie.

Çfarë i ka dhënë shtysë gjithë kësaj vepre ndërtimi? Kush e bën punën? Si ndikon ky aktivitet te njerëzit e përfshirë në të? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, le të shikojmë çfarë ndodh në Meksikë dhe në Belize.

Nevojiten mijëra Salla Mbretërie!

Në të kaluarën, Dëshmitarët e Jehovait në Meksikë, mblidheshin për të adhuruar në çfarëdo vendi të mundshëm, si: në oborre, në shtëpitë e Dëshmitarëve, në magazina, në garazhe ose në ambiente të marra me qira. Gjatë kësaj kohe, këta Dëshmitarë besnikë shpesh mendonin sa mirë do të ishte sikur të arrinin të ndërtonin Sallat e tyre të Mbretërisë.

Në vitin 1994 numri i Dëshmitarëve në Meksikë kishte arritur në 388.000. Nga një llogaritje e atij viti doli se duheshin ndërtuar 3.300 Salla Mbretërie të reja, që të gjithë ata Dëshmitarë të mblidheshin në vendet e tyre të adhurimit. Çfarë pune kolosale!

Kongregacionet vendëse kishin filluar të ndërtonin Salla Mbretërie sa herë iu krijohej mundësia. Por gjatë pesë viteve pasuese u bë e dukshme se për të ecur në një hap me nevojat në rritje, duheshin ndërtuar më shumë salla e madje duheshin ndërtuar më shpejt. Si po plotësohet kjo nevojë?

Mbërrijnë grupe vullnetarësh zanatçinj

Në vitin 1999 nisi një program i ri ndërtimi. Në mbarë Meksikën u formuan ato që quhen Grupe të Ndërtimit të Sallave të Mbretërisë. Dëshmitarë të Jehovait nga i gjithë vendi, shumë prej të cilëve e kanë zanat ndërtimin, dolën vullnetarë për këtë program entuziazmues. Sot në Meksikë ka 35 grupe të tilla; edhe në Belize është formuar një grup.

Këto Grupe të Ndërtimit të Sallave të Mbretërisë zakonisht kanë rreth tetë vullnetarë, burra e gra, të cilët punojnë me orar të plotë dhe pa pagesë. Këto grupe me vullnetarë të lumtur transferohen nga një vend në tjetrin brenda shtetit, për të marrë drejtimin në projektet e ndërtimit. Çdo vullnetar punon tetë orë në ditë nga e hëna deri të premten, si edhe dy të shtuna në muaj. Dita nis në orën 7.00 me trajtimin e një shkrimi nga Bibla, e më pas shërbehet mëngjesi. Të gjithë mezi presin të bëjnë çfarëdo që u kërkohet. Gratë, për shembull, punojnë përkrah burrave për të suvatuar, shtruar pllaka dhe për të lyer.

Kongregacioni vendës ndihmon duke siguruar strehim, duke larë rrobat dhe duke përgatitur ushqimin për vullnetarët që kanë shkuar atje. Përveçse punojnë bashkë për të ndërtuar sallën, vullnetarët dhe Dëshmitarët vendës gëzojnë tek shoqërohen me njëri-tjetrin në mbledhje dhe në veprën e predikimit shtëpi më shtëpi.

Shpërblimet e shërbimit vullnetar

Si ndihen këta vullnetarë për punën që bëjnë? Danieli që punon si vullnetar nga më shumë se tre vjet thotë: «Është e vërtetë që punojmë pa u lodhur në vapë e në të ftohtë, hamë ushqime me të cilat nuk jemi mësuar, transferohemi sa në një vend në tjetrin, jetojmë larg familjes dhe shpesh nuk i kemi të gjitha komoditetet. Por vështirësitë janë të papërfillshme në krahasim me bekimet që marrim.»

Cilat janë disa nga bekimet? Shumë nga vullnetarët bëhen më të aftë në ndërtim. Por Karlosi, një vullnetar që drejton një nga grupet më të mëdha, flet për një dobi që i duket edhe më e rëndësishme: «Jemi bërë si një familje me 20 veta. Hamë bashkë, punojmë bashkë, studiojmë dhe lutemi bashkë. Kemi lidhur miqësi të ngushta.»

Grupet e ndërtimit krijojnë lidhje të forta miqësie edhe me kongregacionet vendëse që ndihmojnë. Hozeja, që ka marrë pjesë në më se 100 projekte, thotë: «Është e mrekullueshme të vëresh lotët e gëzimit dhe buzëqeshjet plot mirënjohje të Dëshmitarëve vendës tek shohin që ëndrra e tyre për një Sallë Mbretërie të re, është bërë realitet.» Ai shton: «Na gufon zemra nga gëzimi kur mendojmë se besimi i të tjerëve forcohet edhe nga ajo pak që bëjmë duke ndërtuar një vend tjetër të adhurimit të pastër.»

Një arritje e mahnitshme

Këto vende adhurimi nuk janë plot stolira dhe salltanete. Përkundrazi, projektet e Sallave të Mbretërisë janë të thjeshta, dhe kjo bën të mundur që ato të ndërtohen shpejt dhe pa shpenzime të mëdha. Sa herë që është e mundur përdoren materiale dhe teknika ndërtimi vendëse. Në këtë mënyrë, një sallë e re mund të ndërtohet edhe brenda gjashtë javësh.

Në vitin 2007, të gjitha kongregacionet e Belizesë kishin Salla Mbretërie të reja—gjithsej 17. Që nga viti 1999, në Meksikë janë ndërtuar jo pak, por mbi 1.400 salla.

Ndonëse është bërë goxha punë, ka ende mjaft për të bërë. (Mateu 9:37) Numri i Dëshmitarëve në Meksikë është rritur vrullshëm në më se 600.000, dhe të gjithë këta mblidhen tri herë në javë për t’u mësuar nga Fjala e Perëndisë. Prandaj nevojiten ende afro 2.000 salla të reja. Kjo do të ishte e paarritshme sikur vepra vullnetare e ndërtimit të varej krejtësisht nga forcat e njerëzve. Por siç duket nga rezultatet, me mbështetjen e Jehovait «gjithçka është e mundur».—Mateu 19:26.

[Kutia dhe figura në faqen 22]

«Atë që thonë, e bëjnë»

Vepra e ndërtimit të Sallave të Mbretërisë nuk ndikon vetëm në jetën e Dëshmitarëve të Jehovait të kongregacioneve vendëse. Për shembull, gjatë ndërtimit të një Salle Mbretërie në Belize, një burrë i tha së shoqes që ndjek fenë pentekostale, se kur Dëshmitarët e Jehovait të përfundonin «kishën» e tyre, ai donte të shkonte bashkë me ta. Si i lindi kjo dëshirë? Ai tha: «E shoh qartë se Perëndia është me ta. Nuk grinden kur punojnë bashkë dhe atë që thonë, e bëjnë.»

[Figura]

Sallë Mbretërie në Orinxh Uok, Belize

[Kutia dhe figurat në faqen 23]

Një përpjekje mbarëbotërore

Grupet e Ndërtimit të Sallave të Mbretërisë janë ngritur në 120 vende. Më poshtë renditen vetëm disa nga vendet ku vullnetarët tërë gëzim punojnë pa u kursyer në këtë vepër:

Angolë, Bolivi, Etiopi, Fixhi, Ganë, Hong-Kong, Indi, Kazakistan, Kroaci, Liberi, Moldavi, Nigeri, Papua Guineja e Re, Republika Domenikane, Ruandë, Tuvalu, Ukrainë, Venezuelë, Xhamajkë, Zambie.

[Figurat]

Sallë Mbretërie në Akapulko, Meksikë

Pjesëtarë të një Grupi të Ndërtimit të Sallave të Mbretërisë në Meksikë

[Figura në faqen 23]

Sallë Mbretërie në Tlaskalë, Meksikë