Rikthyesi i jetës
Afrojuni Perëndisë
Rikthyesi i jetës
A TË ka rrëmbyer vdekja ndonjë njeri të shtrenjtë? Nëse po, ke përjetuar një nga përvojat më të dhembshme të jetës. Krijuesi ynë e kupton pikëllimin tënd. Jo vetëm kaq, por mund të ndreqë edhe pasojat e vdekjes. Në Bibël, ai ka dokumentuar ringjallje që janë bërë në të kaluarën për të treguar se është jo vetëm Dhënësi i jetës, por edhe Rikthyesi i saj. Le të ndalemi në një nga këto ringjallje që u krye falë fuqisë që ai i dha të Birit, Jezu Krishtit. Kjo mrekulli është dokumentuar te Luka 7:11-15.
Ishte viti 31 i e.s. Jezui kishte udhëtuar për në qytetin e Nainit, në Galile. (Vargu 11) Ndoshta po binte mbrëmja kur mbërriti në periferi të qytetit. Bibla thotë: «Kur iu afrua portës së qytetit, pa që po nxirrnin një të vdekur, që ishte djalë i vetëm. Veç kësaj, nëna e tij ishte edhe vejushë. Bashkë me gruan ishte edhe një turmë mjaft e madhe nga ai qytet.» (Vargu 12) A e merr dot me mend sa e vrerosur ishte ajo nënë e ve? Tani që i vdiq djali i vetëm, po përjetonte për të dytën herë vdekjen e një njeriu që kujdesej për të dhe i dilte krah.
Jezui e përqendroi vëmendjen te nëna e pikëlluar që ndoshta çapitej pranë arkivolit ku prehej trupi i birit të vdekur. Tregimi thotë: «Sa e vuri re, Zotëria u shty nga keqardhja për të dhe i tha: ‘Mos qaj më!’» (Vargu 13) Jezuit i theri në zemër kur pa brengën e asaj gruaje. Mbase i shkoi mendja tek e ëma, që asokohe duhej të ishte e ve dhe së shpejti do të pikëllohej për vdekjen e tij.
Jezui u afrua, por jo që të bashkohej me kortezhin. Me një gjest që tregonte autoritet, «preku arkivolin» dhe turma u ndal. Pastaj me një zë që tregonte se i ishte dhënë pushtet mbi vdekjen, tha: «‘Djalosh, ty po të them: ngrihu!’ I vdekuri u çua ndenjur e nisi të fliste, dhe ai ia dha së ëmës.» (Vargjet 14, 15) Pasi e rrëmbeu vdekja, djaloshi nuk i përkiste më së ëmës. Pra, kur Jezui «ia dha së ëmës», u bënë sërish një familje. Pikëllimit të zemrës së vejushës ia zunë vendin lotët e gëzimit të papërshkrueshëm.
A nuk digjet zemra jote të provojë një gëzim të tillë, pra të bashkohesh sërish me një njeri të shtrenjtë që të ka vdekur? Ji i sigurt se Perëndia e ndien dhembjen tënde. Keqardhja e Jezuit për vejushën e hidhëruar pasqyronte dhembshurinë e Perëndisë, pasi Jezui e imitonte përsosmërisht personalitetin e Atit të tij. (Gjoni 14:9) Bibla na mëson se Perëndia ka mall për ata që i ruan në kujtesën e tij dhe mezi pret t’i kthejë në jetë. (Jobi 14:14, 15) Fjala e Tij, Bibla, na jep një shpresë të mrekullueshme, perspektivën për të jetuar në një parajsë në tokë dhe për të parë ringjalljen e njerëzve tanë të dashur. (Luka 23:43; Gjoni 5:28, 29) Përse të mos mësosh më tepër për Rikthyesin e jetës dhe si ta kesh edhe ti këtë shpresë?
[Figura në faqen 23]
«I vdekuri u çua ndenjur e nisi të fliste, dhe ai ia dha së ëmës»