A e dini?
A e dini?
Pse Jezui e shëroi gradualisht një të verbër?
Te Marku 8:22-26 tregohet se Jezui shëroi një të verbër kur ishte në Betsaidë. Tregimi thotë se Jezui në fillim vuri pështymë në sytë e të verbrit dhe e pyeti se çfarë shihte. Përgjigjja e tij tregoi se shihte disi turbullt: «Shoh njerëz, sepse vërej ca si pemë, por që ecin andej-këtej.» Atëherë, Jezui e preku përsëri dhe ja ç’ngjau: «Burri pa qartë. Ishte shëruar dhe dallonte mirë çdo gjë.» Me sa duket, Jezui e shëroi të verbrin gradualisht ose pak nga pak. Pse?
Bibla nuk jep shumë hollësi, por në këtë rast le të mendojmë për një shpjegim të mundshëm. Të shohësh për herë të parë pasi ke qenë i verbër për vite me radhë a për gjithë jetën, është një ndryshim goxha i madh. Ta ilustrojmë me një shembull. Dikur, kuajt e vegjël poni i mbanin nëpër miniera për punë. Ishin mësuar aq shumë me errësirën sa, kur i nxorën nga miniera, iu desh një ditë e tërë të ambientoheshin me dritën. Për një të verbër, ndryshimi do të ishte edhe më i madh. Sot, në disa raste, mjekët kanë arritur të ndreqin probleme të shikimit te të verbrit, duke u kthyer aftësinë e të parit. Megjithatë, shpesh pacientët mbyteshin nga një lumë informacioni që u kalonte në tru nëpërmjet syve. Të shokuar nga një mori ngjyrash, formash dhe pamjesh, ata kanë mbetur të befasuar dhe s’kanë mundur të identifikojnë as objektet e njohura. Trurit i duhet kohë të kuptojë atë që sheh syri.
Në këtë rast, shërimi gradual që bëri Jezui, mund të ketë pasqyruar interesin e dashur të tij për njerëzit. Më në fund, i verbri «dallonte mirë çdo gjë» dhe e kuptonte atë që shihte.
Pse në ditët e Jezuit nuk ishte aq e lehtë të lexoje nga rrotullat?
Përmasat e zakonshme të fletëve që përdoreshin për rrotullat ishin 23 deri në 28 cm të gjata dhe 15 deri në 23 cm të gjera. Disa nga këto fletë ngjiteshin me njëra-tjetrën me ngjitës ose qepeshin me fije liri. Në disa raste, përdoreshin fletë më të gjata. Rrotulla e Detit të Vdekur ku gjendeshin shkrimet e Isaisë, përbëhej nga 17 shirita pergamene, dhe pjesa që ka mbijetuar deri në ditët tona, arrin afërsisht 7 m gjatësi. Po kaq e gjatë mund të ketë qenë edhe rrotulla e Isaisë që përdori Jezui në sinagogën e Nazaretit.—Luka 4:16, 17.
Për këtë tregim, Alen Milardi thotë në një libër të tij: «Ai që lexonte, e mbante librin [rrotullën] në dorë; me të majtën e çmbështillte, ndërsa me të djathtën e mbështillte kolonë pas kolone. Për të arritur deri tek Isaia 61, kapitulli që lexoi në sinagogë, Jezui duhet të ketë çmbështjellë pjesën më të madhe të rrotullës dhe ta ketë mbështjellë atë përsëri.»—Discoveries From the Time of Jesus.
Asokohe, në librin e Isaisë nuk ekzistonin ndarjet sipas kapitujve dhe vargjeve siç i kemi sot. Kur i dhanë rrotullën e Isaisë në sinagogën e Nazaretit, Jezui duhej të gjente fragmentin që sot në Biblat tona është Isaia 61:1, 2. Jezui e «gjeti vendin» fare lehtë, duke treguar sa mirë e njihte Fjalën e Perëndisë.