Fuqia e Perëndisë shihet tek yjet
Fuqia e Perëndisë shihet tek yjet
«Ngrini sytë lart dhe shikoni. Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e yjeve të llogaritur me numër dhe e thërret secilin me emër. Falë energjisë së tij dinamike dhe fuqisë së tij të madhe, nuk mungon asnjë prej tyre.»—ISAIA 40:26.
DIELLI ynë është vetëm një yll me përmasa mesatare. Megjithatë, masa e tij është 330.000 herë më e madhe se masa e Tokës. Shumica e yjeve pranë Tokës janë më të vegjël se Dielli. Por, yje të tjera, si ai që quhet V382 Cygni, kanë një masë të paktën 27 herë më të madhe se Dielli ynë.
Sa energji çliron Dielli? Imagjinoni sa i nxehtë do të ishte një zjarr sikur të ishit 15 kilometra larg e megjithatë të ndienit nxehtësinë e tij. Dielli është rreth 150 milionë kilometra larg Tokës. Prapëseprapë, në një ditë me diell, nxehtësia e tij mund të na djegë lëkurën. Është e jashtëzakonshme kur mendon se vetëm rreth një e miliardta e energjisë së Diellit arrin në tokë. Por kjo pjesë e vockël mjafton për të mbështetur jetën në planetin tonë.
Në fakt, shkencëtarët kanë llogaritur se sasia e përgjithshme e energjisë që lëshon Dielli mjafton për 31 trilionë planetë si Toka. Për ta matur në një mënyrë tjetër këtë energji të stërmadhe mund të bëjmë këtë shembull: nëse e gjithë energjia që lëshon Dielli vetëm në një sekondë do të mund të mblidhej, ajo do të mjaftonte për t’u siguruar Shteteve të Bashkuara «për 9.000.000 vjet, atë sasi energjie që po përdorin sot», siç thuhet në faqen e Internetit Space Weather Prediction Center (SWPC).
Dielli e çliron energjinë nga bërthama—një reaktor bërthamor që shkakton përplasjen e atomeve dhe krijon energji. Dielli është kaq i madh dhe bërthama e tij kaq e ngjeshur, saqë duhen miliona vjet që energjia e prodhuar në bërthamë të dalë në sipërfaqe. Sipas faqes së Internetit SWPC, «nëse që tani Dielli nuk do të prodhonte më energji, do të duhej të kalonin 50.000.000 vjet që të ndiheshin pasoja domethënëse në Tokë».
Tani, mendoni këtë: kur ngrini sytë lart në një natë të kthjellët, shihni mijëra yje, dhe secili prej tyre çliron sasi të stërmëdha energjie si Dielli. E megjithatë, shkencëtarët llogaritin se në univers ka miliarda e miliarda yje.
Nga erdhën gjithë këto yje? Shumica e studiuesve besojnë se për arsye që ata ende nuk i kuptojnë, universi erdhi në ekzistencë krejt papritur rreth 14 miliardë vjet më parë. Bibla thjesht thotë: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» (Zanafilla 1:1) Pa dyshim, Ai që krijoi yjet, këto burime energjie kolosale, mund të përshkruhet si Dikush me ‘fuqi të madhe’.—Isaia 40:26.
Si e përdor Perëndia fuqinë?
Perëndia Jehova e përdor fuqinë për të forcuar ata që bëjnë vullnetin e tij. Për shembull, apostulli Pavël i përdori energjitë për t’u mësuar të tjerëve për Perëndinë. Pavli nuk kishte aftësi mbinjerëzore, por ai mundi të kryente shumë vepra të mira, pavarësisht nga kundërshtimi. Si? Pavli e pranoi se mori nga Perëndia ‘fuqi përtej asaj që është normale’.—2 Korintasve 4:7-9.
Mateu 24:3, 37-39; Luka 17:26-30.
Gjithashtu, Perëndia Jehova e ka përdorur fuqinë e tij për të shkatërruar ata që i shkelnin haptazi normat e tij morale. Jezu Krishti përmendi shkatërrimin e Sodomës e të Gomorrës dhe Përmbytjen e kohës së Noesë, si shembuj që Jehovai e përdor fuqinë e tij shkatërruese vetëm ndaj të ligjve. Jezui profetizoi se së shpejti Jehovai do ta përdorë përsëri fuqinë e tij për të shkatërruar ata që shpërfillin normat e Tij.—Si ndikoheni?
Pasi meditoni rreth fuqisë së Perëndisë që shihet tek yjet, mund të ndiheni si mbreti David, i cili tha: «Kur shoh qiejt, veprën e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ke bërë, mendoj: ç’është vdekatari që ta mbash në mendje dhe biri i njeriut që të kujdesesh për të?!»—Psalmi 8:3, 4.
Po, përulemi kur kuptojmë se sa të papërfillshëm dukemi nëse krahasohemi me universin e paanë. Megjithatë, nuk duhet të ndihemi të paaftë për shkak të fuqisë së Perëndisë. Jehovai e frymëzoi profetin Isaia të shkruante këto fjalë ngushëlluese: «Ai i jep fuqi të lodhurit, ndërsa atij që s’ka forcë për të bërë asgjë, i jep fuqi me bollëk. Djemtë do të lodhen e do të rraskapiten, dhe të rinjtë nuk do t’i mbajnë më këmbët, por ata që shpresojnë te Jehovai, do të rimarrin fuqi. Ata do të ngrihen me krahë si shqiponjat, do të vrapojnë e s’do të rraskapiten, do të ecin e s’do të lodhen.»—Isaia 40:29-31.
Nëse dëshironi të bëni vullnetin e Perëndisë, mund të jeni të sigurt se ai do t’ju japë frymën e tij të shenjtë që t’ju mbështetë. Veçse duhet ta kërkoni atë. (Luka 11:13) Me mbështetjen e Perëndisë mund të përballoni çdo sprovë dhe mund të merrni forcën që ju duhet për të bërë atë që është e drejtë.—Filipianëve 4:13.
[Diçitura në faqen 7]
Me mbështetjen e Perëndisë mund të merrni forcën që ju duhet për të bërë atë që është e drejtë
[Figurat në faqen 7]
Në drejtim të akrepave të orës, nga cepi sipër majtas: galaktika Vorbulla, grumbulli yjor i Plejadave, Mjegullnaja e Orionit, galaktika Andromeda
[Figurat në faqen 7]
Masa e Diellit është 330.000 herë më e madhe se masa e Tokës
[Burimet e figurave në faqen 7]
Plejadat: NASA, ESA dhe AURA/Caltech; të gjitha të tjerat sipër: National Optical Astronomy Observatories