Mençuria e Perëndisë shihet te natyra
Mençuria e Perëndisë shihet te natyra
«Ai na mëson më tepër neve sesa kafshët e tokës, e na bën më të mençur se zogjtë e qiellit.»—JOBI 35:11.
ZOGJTË kanë aftësi mahnitëse. Ata kryejnë manovra ajrore që projektuesit e avionëve i kanë zili. Disa lloje zogjsh fluturojnë me mijëra kilometra mbi oqean, edhe pse nuk ka diçka që t’i orientojë, dhe mbërrijnë saktësisht në vendin e duhur.
Një aftësi e jashtëzakonshme e zogjve, e cila zbulon edhe më shumë mençurinë e Krijuesit të tyre, është aftësia për të komunikuar nëpërmjet tingujve dhe këngëve. Të shqyrtojmë disa shembuj.
Komunikimi i zogjve
Disa lloje zogjsh nisin të komunikojnë që para se të dalin nga veza. Për shembull, shkurta bën të paktën tetë vezë, një në ditë. Nëse të gjitha vezët do të zhvilloheshin me të njëjtin ritëm, do të çelnin të gjitha brenda një periudhe tetëditore. Atëherë, nëna do të kishte detyrën e vështirë që të kujdesej për zogjtë e lëvizshëm njëjavësh, ndërkohë që duhej të ngrohte një vezë që nuk kishte çelur ende. Por, të tetë zogjtë e shkurtës çelin brenda gjashtë orësh. Si është e mundur? Sipas studiuesve, një nga arsyet mund të jetë se zogjtë e shkurtave komunikojnë me njëri-tjetrin pa dalë nga veza, dhe në njëfarë mënyre organizojnë çeljen e njëkohësishme.
Kur zogjtë rriten, zakonisht është mashkulli që këndon. Vepron kështu sidomos gjatë periudhës së çiftimit që të «piketojë» territorin e tij ose që të tërheqë një partnere. Çdonjëri nga mijëra llojet e zogjve ka, si të thuash, gjuhën e vet, dhe kjo i ndihmon femrat të dallojnë partnerët e llojit të tyre.
Zogjtë këndojnë kryesisht në agim dhe në muzg, e kjo për arsye të vlefshme. Në këto periudha fryn më pak erë dhe ka më pak zhurmë. Studiuesit kanë zbuluar se këngët e zogjve dëgjohen deri 20 herë më mirë në agim dhe në muzg, sesa në mes të ditës.
Megjithëse shpesh këngëtarë janë meshkujt, edhe femrat, edhe meshkujt nxjerrin një sërë tingujsh ose klithmash të shkurtra që kanë domethënie të ndryshme. Për shembull, zborakësit përdorin nëntë lloje tingujsh. Ata nxjerrin një tingull të caktuar për të paralajmëruar për ndonjë rrezik që vjen nga ajri, si për shembull, një grabitqar në fluturim, por nxjerrin një tingull të ndryshëm për të paralajmëruar për një rrezik që vjen nga toka.
Një dhuratë edhe më e mrekullueshme
Pa dyshim, mençuria instinktive e zogjve është mbresëlënëse. Por, kur bëhet fjalë për njerëzit, aftësitë e tyre të komunikimit janë edhe më mbresëlënëse. Te Jobi 35:11 thuhet se Perëndia i ka bërë njerëzit «më të mençur se zogjtë e qiellit». Njerëzit kanë aftësinë e pashoqe që të përcjellin mendime dhe ide abstrakte e të ndërlikuara, nëpërmjet tingujve të prodhuar me anë të kordave të zërit ose nëpërmjet gjesteve.
Ndryshe nga çdo krijesë tjetër, fëmijët duket se janë programuar që të mësojnë gjuhë të ndërlikuara. Një gazetë në Internet, American Scientist, thotë: «Fëmijët që sapo kanë nisur të ecin, arrijnë të mësojnë një gjuhë, edhe nëse prindërit nuk u flasin drejtpërdrejt. Madje fëmijët e shurdhër shpikin gjuhën e tyre të shenjave, nëse nuk u mësohet në shtëpi.»
Aftësia për t’i komunikuar mendimet dhe ndjenjat tona nëpërmjet të folurit ose gjuhës së shenjave, është vërtet një dhuratë e mrekullueshme nga Perëndia. Megjithatë, një dhuratë edhe më e vyer është aftësia për të komunikuar me Perëndinë nëpërmjet lutjes. Në fakt, Perëndia Jehova na fton të flasim me të. Në Fjalën e Perëndisë, pra, në Bibël, thuhet: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.»—Filipianëve 4:6.
Kur duhet të marrim vendime të vështira, Jehovai do që të bazohemi në mençurinë e pafund që ka dokumentuar në Bibël. Gjithashtu, ai do të na ndihmojë që të dimë se si t’i zbatojmë këshillat që gjejmë aty. Shkrimtari biblik Jakovi thotë: «Nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri, le të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i qortuar, e do t’i jepet.»—Jakovi 1:5.
Si ndikoheni?
Si ndikoheni kur dëgjoni këngët e bukura të zogjve ose një fëmijë që mëson të thotë fjalët e tij të para? A shihni mençurinë e Perëndisë në gjërat që ka bërë?
Pasi kishte medituar për mënyrën se si ishte krijuar, psalmisti David u nxit t’i thoshte Perëndisë: «Do të të përlëvdoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë. Veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë.» (Psalmi 139:14) Teksa shqyrtoni me çmueshmëri mençurinë e Perëndisë që shihet qartë në veprat e tij të krijimit, me siguri do t’ju rritet besimi në aftësinë e Tij për t’ju dhënë drejtimin e duhur në jetë.
[Diçitura në faqen 5]
Aftësia për të komunikuar është një dhuratë nga Perëndia
[Burimi i figurës në faqen 4]
© Dayton Wild/Visuals Unlimited