Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Perëndia është treguar i mëshirshëm me mua

Perëndia është treguar i mëshirshëm me mua

Perëndia është treguar i mëshirshëm me mua

Treguar nga Bolfenk Moçniku

«Tani bëhu i fortë.» Këto fjalë m’i tha ngutshëm e me ton të vendosur ime më teksa më përqafonte. Pastaj na ndanë milicët dhe filloi gjyqi. Më dënuan me pesë vjet burg. Ndoshta shumë të tjerë do t’i kishte lëshuar zemra, por, për hir të së vërtetës, duhet ta them se më në fund ndjeva një paqe të thellë. Më lejoni t’ju shpjegoj përse.

NGJARJA e mësipërme ndodhi më 1952 në Slloveni. * Por historia ime në të vërtetë nis mbi 20 vjet më herët, në vitin 1930. Atë vit Studentët e Biblës, siç quheshin asokohe Dëshmitarët e Jehovait, organizuan për herë të parë në vendin tim pagëzimin e një grupi. Midis të pagëzuarve ishin edhe prindërit e mi, Berta e Franc Moçniku. Në atë kohë unë isha gjashtë vjeç, kurse motra ime Majda, katër. Shtëpia jonë, që ndodhej në qytetin e Mariborit, ishte qendër e aktivitetit të krishterë.

Më 1933 Adolf Hitleri mori pushtetin në Gjermani dhe nisi të përndiqte Dëshmitarët. Shumë Dëshmitarë gjermanë u transferuan në Jugosllavi që të ndihmonin në veprën e predikimit. Prindërve u pëlqente jashtë mase t’i prisnin në shtëpi këta të krishterë besnikë. Një mysafir që më kujtohet mirë ishte Martin Poetzingeri, i cili më pas kaloi nëntë vjet në kampet naziste të përqendrimit. Kohë më vonë, nga viti 1977 e derisa vdiq në vitin 1988, ai shërbeu si anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait.

Kurdoherë që na vizitonte, Martini flinte në shtratin tim, kurse unë dhe ime motër flinim në dhomën e gjumit, bashkë me prindërit. Ai kishte një enciklopedi të vogël të ilustruar, me format xhepi, që më zgjonte imagjinatën fëminore. Vdisja ta shfletoja atë libër.

Kohë sprovash të rënda

Në vitin 1936, teksa pushteti i Hitlerit forcohej, prindërit e mi ndoqën kongresin ndërkombëtar historik në Luzern të Zvicrës. Im atë kishte zë të këndshëm baritoni, prandaj për atë rast e zgjodhën të incizonte disa fjalime biblike që më vonë u dëgjuan në sa e sa shtëpi në mbarë Slloveninë. Pak pas atij kongresi historik, Dëshmitarët në Evropë nisën t’i përndiqnin tmerrësisht. Shumë prej tyre vuajtën e vdiqën në kampet naziste të përqendrimit.

Në shtator të vitit 1939 nisi Lufta II Botërore dhe aty nga prilli i 1941-shit, trupat gjermane kishin pushtuar disa pjesë të Jugosllavisë. Shkollat sllovene u mbyllën dhe na ndaluan të flitnim gjuhën tonë në publik. Për shkak të asnjanësisë në konfliktet politike, Dëshmitarët e Jehovait nuk pranuan të merrnin pjesë në luftë. * Si pasojë, shumë u arrestuan dhe disa u ekzekutuan. Ndër ta ishte edhe një burrë që quhej Franc Drozg, të cilin e njihja mirë. Skuadrat naziste të pushkatimit i kryenin ekzekutimet në një vend që ndodhej rreth njëqind metra larg shtëpisë sonë. E kam ende para syve mamanë që zinte veshët me rroba, që të mos dëgjonte të shtënat. Fjalët e fundit që Franci i shkruante një miku të ngushtë në letrën e lamtumirës, ishin: «Do të shihemi në Mbretërinë e Perëndisë.»

Vendime për të cilat jam penduar thellësisht

Atëherë isha 19 vjeç. Edhe pse e admiroja Francin për qëndrimin e palëkundur, vetë kisha frikë. A do të përfundoja edhe unë si ai? Nuk kisha besim të fortë dhe marrëdhënia ime me Perëndinë Jehova ishte sipërfaqësore. Pastaj më erdhi thirrja për ushtar. Frika qe më e fortë se besimi, kështu që shkova në ushtri.

Më dërguan në frontin rus. Shpejt nisa të shihja shokët e luftës tek binin të vrarë nga çdo anë. Lufta ishte një llahtari e mizori e vërtetë. Ndërgjegjja më vriste gjithnjë e më tepër, prandaj iu luta Jehovait të më falte e të më jepte forcë që të ecja në rrugën e drejtë. Pas një sulmi të rëndë që shkaktoi katrahurë në kompaninë time, pata rastin të arratisesha.

E dija se po të më kapnin, do të më ekzekutonin. Prandaj, për shtatë muaj u fsheha në vende të ndryshme. Arrita t’i dërgoja Majdës një kartolinë ku i shkruaja: «E lashë pronarin tim dhe tani punoj për një tjetër.» Me këtë doja të thosha se, që nga ai çast e më tej, kisha ndër mend t’i shërbeja Perëndisë, por m’u desh ca kohë para se ta bëja vërtet këtë.

U ktheva në Maribor në gusht të vitit 1945, tre muaj pasi Gjermania iu dorëzua forcave aleate. Për çudi, e gjithë familja kishte mbijetuar nga ajo luftë e tmerrshme. Mirëpo tani vendin e kishin nën kontroll komunistët, të cilët po i përndiqnin Dëshmitarët e Jehovait. Vepra e predikimit u ndalua zyrtarisht, por Dëshmitarët vazhduan të predikonin fshehurazi.

Në shkurt të vitit 1947, tre Dëshmitarë besnikë—Rudolf Kaleja, Dushan Mikiçi dhe Edmund Stropniku—u dënuan me vdekje. Më vonë, dënimi u ul në 20 vjet burg për secilin. Gazetat e trajtuan gjerë e gjatë këtë histori, kështu që shumë njerëz mësuan për trajtimin e padrejtë që u bëhej Dëshmitarëve. Më sëmboi në zemër kur i lexova këta artikuj. E dija ç’duhej të bëja.

Marr forcë nga Perëndia

E kisha fare të qartë se duhej të merrja qëndrim pro të vërtetës biblike, prandaj bëra më tepër përpjekje që të më përdornin në veprën e predikimit asokohe të fshehtë. Falë leximit të zellshëm e serioz të Biblës, mora forcë nga Perëndia që të lija disa vese të papastra, si duhani.

U pagëzova në vitin 1951, në simbol të kushtimit që i kisha bërë Perëndisë, dhe u ktheva në rrugën që kisha braktisur pothuajse dhjetë vjet më parë. Më në fund, Jehovai u bë për mua një Atë i vërtetë, me një dashuri besnike që s’venitet. Pavarësisht se në rini nuk kisha marrë vendime të mençura, më preku siguria që jep Bibla se Perëndia fal. Si një Atë i dashur, Perëndia vazhdoi të më tërhiqte «me kordonët e dashurisë».—Hozea 11:4.

Gjatë asaj kohe të vështirë, mbledhjet e krishtere i mbanim fshehurazi nëpër shtëpitë e Dëshmitarëve dhe predikonim në mënyrë joformale. As një vit pas pagëzimit, më arrestuan. Mamaja më takoi pak para se të niste gjyqi. Siç e thashë në fillim, ajo më përqafoi dhe më nxiti: «Tani bëhu i fortë.» Kur m’u dha dënimi me pesë vjet burg, ruajta qetësinë dhe vendosmërinë.

Më vunë në një qeli të vogël bashkë me tre të tjerë, kështu arrita t’u flitja për të vërtetën biblike atyre burrave që përndryshe nuk do të kishin dëgjuar kurrë për të. S’kisha as Bibël, as literaturë biblike, por u habita edhe vetë që arrija të kujtoja shkrime dhe shpjegimet e tyre, nga ato orë që kisha kaluar duke studiuar Biblën. U thosha përherë të burgosurve se, nëse do të më duhej të bëja pesë vjet burg, Jehovai do të më jepte forcën për t’i përballuar. Por ai mund të hapte një derë edhe më herët për mua. Nëse e bënte këtë, kush mund ta mbyllte atë derë?—arsyetoja.

Shërbim me më tepër liri

Në nëntor të vitit 1953, qeveria shpalli një amnisti dhe të gjithë Dëshmitarët e Jehovait që ishin të burgosur, u liruan. Aty mësova se ndalimi i veprës sonë ishte hequr dy muaj më parë. Menjëherë nisëm të riorganizonim kongregacionet dhe veprën e predikimit. Gjetëm një vend ku të mbanim mbledhjet, në bodrumin e një ndërtese në qendër të Mariborit. Në mur vumë një tabelë: «Dëshmitarët e Jehovait: Kongregacioni i Mariborit.» Gëzimi që po i shërbenim të lirë Jehovait, na i mbushi zemrat me çmueshmëri të thellë.

Aty nga fillimi i vitit 1961 nisa shërbimin e plotkohor si pionier. Rreth gjashtë muaj më vonë, më ftuan të shërbeja në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Jugosllavi. Ndodhej në Zagreb të Kroacisë. Atëherë zyra e degës ishte një dhomë e vogël dhe si personel kishte vetëm tre burra. Disa të krishterë që jetonin aty pranë, vinin gjatë ditës e na ndihmonin me prodhimin e revistës Kulla e Rojës në gjuhët vendëse.

Edhe disa motra të krishtere që jetonin aty afër, na ndihmonin. Ndër të tjera, qepnin edhe fletët e revistave. Unë bëja punë të ndryshme: redaktoja, përktheja, shërbeja si korrier dhe plotësoja regjistrimet.

Ndryshim caktimi

Më 1964, më caktuan të shërbeja si mbikëqyrës udhëtues, që do të thotë se bëja vizita të rregullta në disa kongregacione Dëshmitarësh për t’i forcuar në besim. Kjo vepër më pëlqente jashtëzakonisht. Në përgjithësi, nga njëri kongregacion në tjetrin udhëtoja me autobus ose tren. Pastaj, për të shkuar te Dëshmitarët që jetonin nëpër fshatra të vogla, shpesh përdorja biçikletën ose ecja më këmbë, nganjëherë në baltën që më arrinte deri te kyçet e këmbëve.

Por kishte edhe çaste gazmore në këtë lloj shërbimi. Një herë, një vëlla i krishterë më mori me vete në një karrocë me kalë për te kongregacioni tjetër. Teksa lëkundeshim sa andej-këtej në rrugën tërë pluhur, një rrotë e karrocës u lirua dhe doli nga vendi. Përfunduam të dy përtokë. Të ulur aty mes pluhurit, hodhëm sytë nga kali, kurse ai po na vështronte si me habi, me sy të zgurdulluar. Edhe tani që kanë kaluar sa e sa vjet, ende qeshim me këtë ndodhi. Dashuria e sinqertë e atyre vëllezërve të shtrenjtë në fshatra më sillte një gëzim që do ta ruaj përgjithmonë në zemër.

Në qytetin e Novi-Sadit, u njoha me Marikën, e cila shërbente si pioniere. Kaq shumë më tërhoqi dashuria e saj për të vërtetën e Biblës dhe zelli në shërbim, sa doja ta kisha për grua. Ca kohë pas martesës, nisëm t’u shërbenim kongregacioneve së bashku në veprën udhëtuese.

Edhe familja ime pati vështirësitë e veta gjatë ndalimit. Tim atë e akuzuan pa të drejtë se kishte bashkëpunuar me armikun gjatë luftës, kështu që humbi punën. Pas një beteje të gjatë e të kotë për të rifituar përsëri vendin e punës, u shkurajua fare. Për pak kohë iu dobësua besimi, por e mori përsëri veten para se të vdiste. Ishte aktiv në kongregacionin e tij derisa vdiq në vitin 1984. Mamaja ime besnike dhe e përulur na kishte lënë vite më parë, më 1965. Majda shërben ende në kongregacionin e Mariborit.

Shërbimi në Austri

Në vitin 1972, unë dhe Marika morëm një ftesë që të shkonim në Austri e t’u predikonim emigrantëve të shumtë jugosllavë që punonin atje. Kur mbërritëm në Vjenë, në kryeqytet, as që na e merrte mendja se ky do të bëhej caktimi ynë i përhershëm. Pak nga pak në gjithë Austrinë u formuan kongregacione dhe grupe në gjuhët që fliten në Jugosllavi.

Pas njëfarë kohe, nisa të shërbeja si mbikëqyrës udhëtues, duke vizituar këto grupe e kongregacione gjithnjë në rritje, në mbarë vendin. Më vonë, na ftuan të kalonim edhe në Gjermani e në Zvicër, pasi edhe atje ishin formuar kongregacione të tilla. Pata mundësi të ndihmoja për organizimin e shumë asambleve dhe kongreseve në këto vende.

Nganjëherë në këto kongrese të mëdha vinin për vizitë anëtarë të Trupit Udhëheqës, kështu që m’u dha rasti ta takoja përsëri Martin Poetzingerin. Kujtuam ngjarjet e pothuaj 40 viteve më parë, kur na vinte shpesh si mysafir në shtëpi. E pyeta: «Të kujtohet sa më pëlqente të shfletoja enciklopedinë tënde të vogël?»

«Prit një minutë»,—ma ktheu dhe doli nga dhoma. U kthye me një libër në dorë dhe ma zgjati. «Merre si dhuratë nga një mik»,—më tha. Këtë libër e mbaj ende si gjë të çmuar në bibliotekën time.

Probleme me shëndetin, por përsëri aktiv

Në vitin 1983 më thanë se isha me kancer. Jo shumë kohë më pas, më thanë se s’kisha shpresë. Kaluam një periudhë stresuese, sidomos Marika, po falë kujdesit të saj të dashur dhe ndihmës praktike të vëllezërve të krishterë, ende bëj një jetë plot aktivitet.

Unë dhe Marika vazhdojmë të shërbejmë në kohë të plotë në Vjenë. Në përgjithësi, paradite unë shkoj në zyrën e degës dhe merrem me përkthime, kurse ajo del në shërbim në qytet. Më gufon zemra nga gëzimi kur shoh se si ai grup i vogël me emigrantë jugosllavë që u bënë Dëshmitarë në Austri, është rritur në mbi 1.300 veta. Së bashku me Marikën kemi pasur privilegjin të ndihmonim shumë prej tyre të mësonin të vërtetën e Biblës.

Vitet e fundit, kam pasur privilegjin të marr pjesë në programet e kushtimit të zyrave të reja të degës në ish-republikat e Jugosllavisë: në Kroaci më 1999 dhe në Slloveni më 2006. Mua dhe disa të tjerëve që kishim shumë vjet në të vërtetën, na kërkuan të tregonim kujtime nga fillimet e veprës së predikimit në këto vende rreth 70 vjet më parë.

Jehovai është vërtet një Atë i dashur, gati të na i falë në masë të madhe gabimet dhe të metat. Jam mirënjohës që nuk i mban sytë te fajet. (Psalmi 130:3) Pa dyshim, ai është treguar vërtet i dashur dhe i mëshirshëm me mua. *

[Shënimet]

^ par. 4 Në atë kohë, Sllovenia bashkë me pesë republika të tjera, formonin Jugosllavinë.

^ par. 9 Për arsyet biblike pse Dëshmitarët e Jehovait nuk pranojnë të shkojnë në luftë, shih artikullin «Lexuesit pyesin» në faqen 22 të kësaj reviste.

^ par. 39 Bolfenk Moçniku vdiq më 11 prill 2008, teksa ky artikull po përgatitej për botim.

[Figura në faqen 27]

Nga e majta në të djathtë: Prindërit, Berta e Franc Moçniku, Majda dhe unë, në Maribor, Slloveni, vitet 40

[Figura në faqen 29]

Me gruan, Marikën