«Kurrë mos e harro shërbimin shtëpi më shtëpi»
«Kurrë mos e harro shërbimin shtëpi më shtëpi»
Treguar nga Jakob Nojfeldi
«Çfarëdo që të ndodhë, kurrë mos e harro shërbimin shtëpi më shtëpi.» Me këto fjalë që më kumbonin në vesh, bëra rreth 5 kilometra për në fshatin më të afërt. Kur mbërrita, nuk gjeja guximin të shkoja në shtëpinë e parë. Pasi luftova ca me veten, u futa në pyll dhe iu luta me gjithë shpirt Perëndisë të më jepte guxim që të predikoja. Më në fund ia dola të kthehesha në derën e parë dhe të flitja.
Ç’MË kishte çuar në atë fshat në shkretëtirën e Paraguait, ku po mundohesha të predikoja fare i vetëm? Po ia nis nga fillimi. Linda në nëntor të vitit 1923 në fshatin ukrainas të Kronstalit, në një koloni gjermane menonite. Nga fundi i shekullit të 18-të, menonitët kishin emigruar nga Gjermania në Ukrainë dhe gëzonin shumë të drejta, përfshirë lirinë e fesë (por jo të bënin prozelitë), të vetëqeveriseshin dhe të përjashtoheshin nga shërbimi ushtarak.
Kur erdhi në pushtet partia komuniste, të gjitha këto të drejta u hoqën. Nga fundi i viteve 1920, fermat e mëdha menonite u kthyen në kooperativa. Njerëzit duhej të nënshtroheshin, ndryshe liheshin të vdisnin urie, dhe çdo rezistencë shtypej mizorisht. Gjatë viteve 1930, KGB-ja (Komiteti i Sigurimit të Shtetit Sovjetik) mori shumë burra, zakonisht natën, derisa në shumë fshatra mbetën fare pak burra. Kështu humba babanë në vitin 1938, kur isha 14 vjeç. Nuk e pashë më kurrë dhe as mora ndonjë lajm prej tij. Pas dy vjetësh morën edhe vëllanë tim të madh.
Në vitin 1941 trupat e Hitlerit pushtuan Ukrainën. Për ne ky ishte një çlirim nga regjimi komunist. Megjithatë, tetë familje hebreje që jetonin në fshatin tonë u zhdukën papritur. Nga të gjitha këto më lindën shumë pyetje. Pse ndodhnin gjëra të tilla?
Ndershmëria më shpëton jetën
Në 1943-shin trupat gjermane u tërhoqën. Ata morën me vete për të mbështetur luftën shumicën e familjeve gjermane, ndër të cilat edhe ata që kishin mbetur nga familja ime. Mua më kishin thirrur në ushtri dhe isha caktuar në forcat gjermane SS (Schutzstaffel, garda e zgjedhur e Hitlerit) në Rumani. Një ndodhi e parëndësishme në atë kohë, pati ndikim të rëndësishëm në jetën time.
Kapiteni i njësisë sime ushtarake donte të më vinte në provë ndershmërinë. Ai më tha t’ia çoja uniformën për pastrim. Në një nga xhepat kishte futur ca para. Kur ia ktheva paratë, më tha se s’kishte lënë asgjë në uniformë. Ngula këmbë dhe i thashë se i kisha gjetur në xhepin e tij. S’kaloi shumë dhe u bëra ndihmësi i tij, merresha me dokumente, caktoja rojet dhe mbaja paratë e njësisë sonë.
Një natë ushtria ruse zuri rob të gjithë njësinë tonë, përveç meje, pasi më kishin lënë të mbaroja ca punë të kapitenit. Me sa di, vetëm mua nuk më zunë rob, dhe kjo ngaqë isha treguar i ndershëm dhe ngaqë më kishin dhënë atë detyrë të veçantë. Përndryshe do të më kishin kapur edhe mua.
Kështu në vitin 1944, befas më liruan nga ushtria deri në një njoftim tjetër. U ktheva në shtëpi të takoja nënën. Ndërsa prisja të më thërritnin prapë, mësova zanatin e muratorit, dhe kjo më vlejti shumë më vonë. Në prill të vitit 1945 trupat amerikane zaptuan qytetin tonë afër Magdeburgut. Pas një muaji lufta mbaroi zyrtarisht. Ishim gjallë. E ardhmja dukej e shkëlqyer.
Një ditë qershori dëgjuam një njoftim nga tellalli i qytetit: «Trupat amerikane u larguan mbrëmë dhe trupat ruse do të mbërrijnë sot paradite në orën 11.» Na u ligështua zemra kur kuptuam se do të ishim sërish në një territor komunist. Menjëherë, unë dhe kushëriri filluam të bënim plane për t’u arratisur. Nga mesi i verës kishim kaluar në zonën amerikane. Në nëntor, me shumë vështirësi dhe me kokë në torbë, hymë sërish në zonën ruse dhe fshehurazi i morëm me vete përtej kufirit familjet tona.
«Dëgjo me shumë kujdes dhe krahaso»
U vendosëm në vendin që në atë kohë ishte Gjermania Perëndimore. Me kalimin e kohës, e doja gjithnjë e më shumë Biblën. Të dielave shkoja në pyll për të lexuar Biblën, por ajo që lexoja dukej kaq e huaj, kaq e vjetër. Ndiqja edhe mësime katekizmi, pasi po përgatitesha të pagëzohesha si menonit. U befasova kur në librin e katekizmit pashë këtë fjali: «Ati është Perëndi, Biri është Perëndi dhe Fryma e shenjtë është Perëndi.» Më tej bëhej pyetja: «A ka tre Perëndi?» Përgjigjja ishte më poshtë: «Jo, këta tre janë një.» E pyeta pastorin si ishte e mundur kjo. Ai m’u përgjigj: «Djalosh, mos iu fut shumë thellë këtyre gjërave; disa kanë luajtur mendsh se kanë rrëmuar tepër thellë.» Tamam në atë çast vendosa të mos pagëzohesha.
Pas disa ditësh dëgjova një të panjohur që po fliste me kushërirën. Kureshtja më shtyu të futesha në bisedë dhe të bëja disa pyetje. Në atë kohë nuk e dija që ky i panjohur ishte Erik Nikolaicig, një i mbijetuar nga kampi i përqendrimit të Vevelsburgut. Ai më pyeti nëse dëshiroja të kuptoja Biblën. Kur pohova, më siguroi se çdo gjë që do të më mësonte do të ma provonte me Biblën time.
Vetëm pas pak vizitash Eriku më ftoi në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait, që, ma merr mendja, ishte ndër të parët që u organizuan pas luftës. Më la shumë mbresa dhe shkrova çdo shkrim që lexuan dhe përmendën oratorët. Shpejt kuptova se njohuria rreth mësimeve të Biblës sjell disa përgjegjësi, dhe kështu vendosa ta ndërpres studimin. Gjithashtu e kisha të vështirë të kuptoja se mund të kishte vetëm një fe të vërtetë. Kur Eriku e pa se e kisha ndarë mendjen të kthehesha në kishën time, më dha këtë këshillë: «Dëgjo me shumë kujdes dhe krahaso.»
Më mjaftuan dy vizita te pastorët e mi që të kuptoja se ata nuk dinin për çfarë flitnin dhe
as që bëhej fjalë të kishin të vërtetën. U shkrova disa klerikëve dhe u bëra pyetje nga Bibla. Njëri m’u përgjigj: «S’ke fare të drejtë të shqyrtosh Shkrimet, sepse nuk je i lindur përsëri.»Një vajzë me të cilën isha lidhur, më detyroi të bëja një zgjedhje të vështirë. Ajo ishte anëtare e një sekti menonit të të lindurve përsëri. Ajo u dorëzua para presionit të familjes që i urrenin Dëshmitarët e Jehovait dhe më tha se, po të mos hiqja dorë nga feja ime e re, nuk mund të takoheshim më. Tashmë të vërtetën e kisha kaq të qartë sa të kuptoja se kishte vetëm një zgjedhje të drejtë. Nuk u takova më me të.
S’kaloi shumë dhe Eriku u kthye të më takonte. Më tha se ishte planifikuar një pagëzim javën vijuese dhe më pyeti nëse doja të pagëzohesha. Kisha arritur në përfundimin se Dëshmitarët e Jehovait mësonin të vërtetën dhe dëshiroja t’i shërbeja Perëndisë Jehova. Kështu e pranova ftesën e tij dhe u pagëzova në një vaskë në maj të vitit 1948.
Pak kohë pas pagëzimit, familja ime vendosi të emigronte në Paraguai, Amerikën e Jugut, dhe nëna m’u lut të shkoja me ta. Ngurroja ngaqë kisha nevojë ta studioja më tej Biblën dhe më duhej më shumë stërvitje. Gjatë një vizite në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Visbaden, takova August Petersin. Ai më kujtoi përgjegjësinë që kisha për t’u kujdesur për familjen. Po ashtu më dha këtë këshillë: «Çfarëdo që të ndodhë, kurrë mos e harro shërbimin shtëpi më shtëpi. Përndryshe do të jesh njësoj si anëtarët e feve të tjera që thonë se janë të krishtere.» Edhe sot e kësaj Veprat 20:20, 21.
dite, e kam të qartë rëndësinë e asaj këshille dhe nevojën për të predikuar «shtëpi më shtëpi».—Një «profet i rremë» në Paraguai
Jo shumë pas takimit me August Petersin, bashkë me familjen mora anijen për në Amerikën e Jugut. Përfunduam në rajonin e Gran-Çakos në Paraguai, përsëri në një koloni menonite. Pas dy javësh bëra atë udhëtim të vështirë për në fshatin fqinj që të predikoja fillikat. Fjala mori dhenë se midis të porsaardhurve kishte edhe një «profet të rremë».
Pikërisht atëherë më hyri në punë zanati i muratorit. Çdo familje emigrantësh kishte nevojë për shtëpi që bëheshin me qerpiç dhe çati kashte. Për gjashtë muaj isha shumë i kërkuar dhe kisha mjaft raste për të predikuar. Njerëzit ishin të sjellshëm, por, me t’u ngritur muret, ishin të kënaqur që s’do të kishin të bënin më me mua.
Ndërkaq anijet sillnin refugjatë të tjerë menonitë nga Gjermania. Mes tyre ishte një vajzë, Katerina Shelenbergu, që kishte pasur për pak kohë lidhje me Dëshmitarët dhe e kishte kuptuar thuajse menjëherë se feja e tyre është e vërteta. Edhe pse nuk ishte pagëzuar, në anije kishte thënë se ishte Dëshmitare e Jehovait. Kështu nuk e lejuan të qëndronte në koloninë gjermane. Mbeti krejt e vetme në Asuncion, kryeqyteti i Paraguait. Atje zuri punë si shërbyese, mësoi spanjishten, gjeti Dëshmitarët dhe u pagëzua. Në tetor të 1950-s, ajo vajzë e guximshme u bë gruaja ime. Katerina ka qenë mbështetje dhe ndihmë e jashtëzakonshme për mua në gjithçka që kemi përjetuar në rrjedhën e viteve.
Brenda pak kohësh kisha kursyer mjaft para sa për të blerë një karrocë dhe dy kuaj, që i përdorja në veprën e predikimit, duke mbajtur gjithnjë parasysh këshillën e vëllait Peters. Në atë kohë motra ime, që ishte bërë Dëshmitare, u bashkua me ne. Bashkë ngriheshim shpesh në orën 4 të mëngjesit, udhëtonim katër orë, predikonim dy a tri orë, pastaj ktheheshim në shtëpi.
Kisha lexuar në botimet tona se mbaheshin fjalime publike. Prandaj organizova edhe unë një. Nuk kisha qenë kurrë në ndonjë mbledhje kongregacioni në Gjermani, kështu vetëm sa e mora me mend si duhej bërë dhe fola për Mbretërinë e Perëndisë. Tetë veta ndoqën mbledhjen, dhe kjo i acaroi tepër pastorët e kishës menonite. Ata organizuan një fushatë për të mbledhur çdo botim biblik që u kishim lënë njerëzve dhe i mësuan që as të mos na përshëndetnin.
Më vonë më thirrën në qendrën administrative të kolonisë, ku administratori dhe dy pastorë që kishin ardhur nga Kanadaja më pyetën për disa orë. Në fund njëri prej tyre tha: «Djalosh, beso ç’të duash, por duhet të na premtosh se nuk do t’i flasësh askujt për bindjet e tua.» Nuk e bëja dot një premtim të tillë. Më thanë të largohesha nga kolonia, pasi nuk donin një «profet të rremë» mes «vëllezërve besnikë». Kur nuk pranova, u ofruan të më paguanin shpenzimet e udhëtimit për gjithë familjen. Nuk u dorëzova e nuk pranova të ikja.
Atë verë të vitit 1953, shkova në një kongres në Asuncion. Atje fola me Nejthën Norin nga selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. Ai më sugjeroi të transferohesha në kryeqytet dhe të punoja me grupin e vogël të misionarëve të caktuar atje, sidomos, meqë predikimi në koloninë menonite kishte dhënë shumë pak fryt.
Vëmë në vend të parë Mbretërinë
Në atë kohë, në gjithë Paraguain kishte nja 35 Dëshmitarë. Bisedova me time shoqe e, ndonëse nuk u hodh përpjetë nga gëzimi që do të transferoheshim në një qytet të madh, ishte gati t’ia nisnim gjithçka nga e para. Në vitin 1954, bashkë me Katerinën ndërtuam një shtëpi me tulla. E bëmë vetëm ne të dy, në kohën e lirë. Nuk munguam kurrë në asnjë mbledhje dhe në fundjavë flisnim gjithnjë me njerëzit për Biblën.
Një nga privilegjet e mia ishte të shoqëroja mbikëqyrësin qarkor, një Dëshmitar që udhëton për t’u shërbyer grupeve të bashkëbesimtarëve. Isha përkthyesi i tij kur vizitonte disa nga kolonitë gjermanishtfolëse në Paraguai. Ngaqë dija pak spanjisht, ndoshta caktimi më i vështirë që kam pasur ndonjëherë ishte hera e parë kur përktheva një fjalim nga spanjishtja në gjermanisht.
Për shkak të shëndetit të gruas, emigruam në Kanada në vitin 1957. Pastaj në 1963-shin, u transferuam në Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht se ku kemi qenë, gjithnjë jemi përpjekur të vëmë në vend të parë në jetë interesat e Mbretërisë. (Mateu 6:33) I jam kaq mirënjohës Perëndisë Jehova që më la të mësoja të vërtetën nga Fjala e tij, Bibla, kur isha ende i ri. Sa më kanë ndihmuar gjatë gjithë jetës mësimet e Biblës!
Ka qenë një privilegj i madh për mua t’i ndihmoj të tjerët të mësojnë nga Bibla të vërtetat e mrekullueshme që mua më kanë dhënë zemër. Gëzimi im më i madh është që të gjithë fëmijët, mbesat dhe nipërit e mi kanë nxjerrë dobi që në foshnjëri nga mësimet e Biblës. Të gjithë po ndjekin këshillën e vëlla Petersit, që shumë kohë më parë më tha: «Çfarëdo që të ndodhë, kurrë mos e harro shërbimin shtëpi më shtëpi.»
[Diçitura në faqen 22]
Gëzimi im më i madh është që të gjithë fëmijët, mbesat dhe nipërit e mi kanë nxjerrë dobi që në foshnjëri nga mësimet e Biblës
[Figurat në faqet 20, 21]
Me Katerinën pak para dasmës në vitin 1950
[Figura në faqen 21]
Me fëmijën e parë në shtëpinë tonë në Paraguai, 1952
[Figura në faqen 23]
Sot me gjithë familjen
[Burimi]
Fotografi nga Keith Trammel © 2000
[Burimi i figurës në faqen 19]
Fotografi nga Keith Trammel © 2000