«Arsyetonte në zemër për kuptimin»
Imitoni besimin e tyre
«Arsyetonte në zemër për kuptimin»
MARIA me zor lëvizi trupin e saj të rënduar mbi kafshën e vogël të barrës. Kishte orë të tëra që udhëtonte. Para ecte pa u ndalur Jozefi që hiqte udhën drejt Betlehemit të largët. Maria e ndjeu edhe një herë jetën që lëvizte brenda saj.
Maria ishte nga fundi i shtatzënisë. Bibla e përshkruan gjendjen e saj në atë periudhë, me shprehjen domethënëse ‘e rënduar nga barra’. (Luka 2:5) Teksa çifti kaptonte arat, mbase disa bujq që po lëronin a mbillnin, ngrinin kokat dhe çuditeshin përse një grua në atë gjendje kishte marrë udhën. Ç’e kishte çuar Marinë aq larg nga shtëpia e saj në Nazaret?
Gjithçka kishte filluar muaj më parë kur kësaj vashe judeje iu caktua një detyrë e pashoqe në historinë njerëzore. Duhej të sillte në jetë fëmijën që do të bëhej Mesia, Birin e Perëndisë. (Luka 1:35) Ndërsa afrohej koha e lindjes, u desh të bënin atë udhëtim. Rrugës, besimi i Marisë u sprovua disa herë. Le të shohim ç’e ndihmoi ta mbante besimin të fortë.
Rruga për në Betlehem
Jozefi dhe Maria nuk ishin të vetmit që udhëtonin. Para pak kohësh Cezar Augusti kishte nxjerrë një dekret që të regjistrohej gjithë popullsia. Ndaj njerëzit duhej të udhëtonin për në qytetin e lindjes që të regjistroheshin. Çfarë bëri Jozefi? Tregimi thotë: «Edhe Jozefi u ngjit nga qyteti galileas i Nazaretit, në Jude, në qytetin e Davidit, i cili quhet Betlehem, meqë ishte nga shtëpia dhe nga familja e Davidit.»—Luka 2:1-4.
Nuk ishte rastësi që Cezari e nxori dekretin në atë kohë. Rreth shtatë shekuj më parë ishte shkruar një profeci që parathoshte se Mesia do të lindte në Betlehem. Vetëm 11 km larg Nazaretit ishte një qytet që quhej Betlehem. Mirëpo profecia e specifikonte se Mesia do të vinte nga ‘Betlehem-Efratahu’. (Mikea 5:2) Sot rreth 150 km rrugë nëpër terren kodrinor ndajnë Nazaretin nga ai fshat i vogël në jug. Ky ishte Betlehemi ku duhej të shkonte Jozefi, sepse ishte shtëpia e të parëve të familjes së mbretit David, familje së cilës i përkitnin si Jozefi, edhe nusja e tij.
A do ta mbështeste Maria Jozefin në vendimin për t’u regjistruar? Fundja për të ishte e vështirë të udhëtonte. Ka shumë të ngjarë që vjeshta sapo kishte hyrë, ndaj mund të kishte shira të lehta, ndërsa mbaronte stina e thatë. Për më tepër, shprehja «u ngjit nga qyteti galileas» është me vend, pasi Betlehemi ndodhej në një vend të lartë, më se 760 metra mbi nivelin e detit. Ishte goxha ngjitje e mundimshme për të përfunduar udhëtimin disaditor. Mbase rruga do të zgjaste më shumë se zakonisht, pasi mund t’u duhej të ndalonin herë pas here për shkak të gjendjes së Marisë. Tani, më shumë se kurrë, ajo mund të dëshironte të ishte afër shtëpisë, ku kishte familjarët dhe miqtë që ishin gati ta ndihmonin kur t’i fillonin dhembjet e lindjes.
Pa dyshim do t’i duhej guxim për të nisur atë udhëtim.Sidoqoftë, Luka shkruan se Jozefi shkoi «të regjistrohej bashkë me Marinë». Gjithashtu tregon se Maria «ishte tashmë gruaja [e Jozefit]». (Luka 2:4, 5) Fakti që ishte gruaja e Jozefit ndikonte shumë në vendimet e Marisë. Ajo e shihte të shoqin si kreun e saj në çështjet e adhurimit të Perëndisë, e kështu kishte pranuar rolin e caktuar nga Perëndia si ndihmëse, duke e mbështetur burrin në vendimet e tij. * Ndaj e përballoi atë sprovë besimi thjesht duke u bindur.
Ç’gjë tjetër mund ta ketë shtyrë Marinë të bindej? A e dinte ajo profecinë se Betlehemi do të ishte vendlindja e Mesisë? Bibla nuk thotë gjë. Por nuk përjashtohet mundësia, pasi këtë gjë e dinin krerët fetarë, madje edhe njerëzit në përgjithësi. (Mateu 2:1-7; Gjoni 7:40-42) Maria kishte njohuri për Shkrimet. (Luka 1:46-55) Gjithsesi, pavarësisht nga arsyeja pse vendosi të udhëtonte—t’i bindej të shoqit, dekretit të qeverisë, profecisë së Jehovait, ose të triave bashkë—Maria la një shembull të shkëlqyer. Jehovai vlerëson shumë qëndrimin e përulur e të bindur, si te burrat, edhe te gratë. Sot, kur nënshtrimi është virtyt që shpesh nuk vlerësohet fare, shembulli i Marisë ndriçon si fanar për njerëzit besnikë kudo që janë.
Lindja e Krishtit
Maria duhet të ketë psherëtirë e lehtësuar kur i zunë sytë Betlehemin. Teksa ngjitnin shpatet e kodrës duke kaluar pranë ullishteve—ndër prodhimet e fundit që duheshin mbledhur—Maria e Jozefi mund të kenë menduar për historinë e këtij fshati të vogël. Ai ishte tepër i vogël për t’u numëruar midis qyteteve të Judës, siç kishte thënë profeti Mikea. Gjithsesi, ai kishte qenë vendlindja e Boazit, Naomit dhe më vonë e Davidit, më shumë se 1.000 vjet më parë.
Fshati ishte dëng me njerëz. Të tjerë kishin mbërritur më parë për t’u regjistruar, kështu për ta nuk kishte më vend në bujtinë. * S’kishin ç’të bënin, veçse ta kalonin natën në një stallë. Mund ta përfytyrojmë sa i shqetësuar ishte Jozefi tek shihte të shoqen që kishte dhembje të forta që s’i kish provuar kurrë, të cilat po shtoheshin. E pra, tamam në atë vend aq të papërshtatshëm i filluan dhembjet e lindjes.
Çdo grua mund ta kuptojë Marinë. Rreth 4.000 vjet më parë, Jehovai kishte parathënë se të gjitha gratë do të vuanin gjatë lindjes për shkak të mëkatit të trashëguar. (Zanafilla 3:16) Nuk ka ndonjë provë që tregon se Maria bënte përjashtim. Luka nuk i përshkruan dhembjet e Marisë, por thotë thjesht: «Lindi një djalë, të parëlindurin.» (Luka 2:7) Po, i parëlinduri i saj kishte ardhur në jetë. Ishte i pari i shumë fëmijëve që pati Maria, të paktën shtatë. (Marku 6:3) Por do të dallonte përherë nga gjithë të tjerët. Ai jo vetëm ishte i parëlinduri i saj, por edhe për Perëndinë Jehova ishte «i parëlinduri i gjithë krijimit», i vetëmlinduri Bir i Perëndisë.—Kolosianëve 1:15.
Pikërisht në këtë moment tregimi shton një detaj të famshëm: «E mbështolli me pelena dhe e vuri në një grazhd.» (Luka 2:7) Shfaqjet, pikturat dhe skenat që përshkruajnë lindjen e Krishtit përreth botës, i japin këtij rasti ngjyra sentimentalizmi dhe jorealiste. Megjithatë, ja ç’ndodhi vërtet. Një grazhd është një lug, është si një govatë ku hanë kafshët bujqësore. Pra, familja ishte strehuar në një stallë, që patjetër nuk është një vend që dallohet për ajrin e mirë ose për higjienën, si atëherë, ashtu edhe sot. E cilët prindër do të zgjidhnin një vend të tillë për të lindur fëmijën po të kishin mundësi tjetër?! Shumica e prindërve duan më të mirën për fëmijët e tyre, aq më shumë Maria dhe Jozefi dëshironin t’i krijonin kushtet më të mira Birit të Perëndisë.
Sidoqoftë ata nuk i lejuan kufizimet që t’i hidhëronin. Bënë gjithçka kishin në dorë brenda mundësive të tyre. Për shembull, vëreni se Maria vetë u kujdes për foshnjën, duke e mbështjellë ngrohtë me pelena, pastaj e vuri me kujdes të flinte në grazhd dhe u sigurua që ai të ishte ngrohtë dhe i sigurt. Maria nuk lejoi kurrsesi që ankthi për kushtet përreth ta shpërqendronte e të mos bënte më të mirën që mundej. Ajo dhe Jozefi e dinin edhe se gjëja më e rëndësishme që mund të bënin për fëmijën ishte ta mbështetnin në adhurimin e Perëndisë. (Ligji i përtërirë 6:6-8) Sot prindërit e mençur vënë këtë gjë në vend të parë, teksa i rritin fëmijët në një botë që nuk e vlerëson shërbimin ndaj Perëndisë.
Mori zemër nga një vizitë
Një zhurmë e papritur prishi atmosferën e paqtë. Barinjtë ia behën gjithë vrull në stallë dhe mezi pritnin të shihnin çiftin, e sidomos fëmijën. Ata burra nuk mbaheshin nga entuziazmi dhe fytyrat e tyre ishin shend e verë. Kishin ardhur vrap që nga shpatet e kodrës ku jetonin me bagëtinë. * Ata u treguan prindërve të habitur përvojën e mrekullueshme që sapo kishin pasur. Në mes të natës, në shpatin e kodrës, befas u ishte shfaqur një engjëll. Lavdia e Jehovait kishte shndritur përreth tyre. Engjëlli u kishte thënë se Krishti ose Mesia sapo kishte lindur në Betlehem dhe se fëmijën do ta gjenin shtrirë në një grazhd, mbështjellë me pelena. Pastaj kishte ndodhur diçka edhe më e mrekullueshme: një kor i fuqishëm engjëjsh ishte shfaqur duke i kënduar lavdi Jehovait.
S’është çudi që këta njerëz të thjeshtë erdhën vrik në Betlehem. Ata duhet të jenë drithëruar kur panë të sapolindurin tamam siç kishte thënë engjëlli. Ata s’e mbajtën për vete atë lajm të mirë. «Nisën të tregonin fjalët që u kishin thënë. . . . Të gjithë ata që dëgjuan, u mrekulluan nga gjërat që u treguan barinjtë.» (Luka 2:17, 18) Me sa duket, krerët fetarë të asaj kohe i përçmonin barinjtë. Por është e qartë se Jehovai i çmonte këta njerëz të thjeshtë e besnikë. Si ndikoi vizita e tyre te Maria?
Sigurisht Maria ishte e sfilitur nga mundimet e lindjes. Megjithatë dëgjoi me vëmendje çdo fjalë. Ajo bëri edhe më tepër: «Maria nisi t’i ruante të gjitha këto fjalë e të arsyetonte në zemër për kuptimin e tyre.» (Luka 2:19) Ajo grua e re ishte njeri që mendonte thellë. E dinte se mesazhi engjëllor ishte jetik. Perëndia i saj, Jehovai, donte që ajo ta dinte e ta kuptonte identitetin dhe rëndësinë e të birit. Pra, Maria nuk u mjaftua vetëm duke dëgjuar. I ruajti në zemër ato fjalë, që t’i bluante herë pas here në muajt e vitet që do të vinin. Kjo është edhe një nga gjërat kyçe që e ndihmoi të ruante besimin që e tregoi gjatë gjithë jetës.
2 Timoteut 3:16) Pastaj, ashtu si Maria, duhet t’i ruajmë fjalët e frymëzuara në zemrën tonë e të arsyetojmë rreth tyre. Po të meditojmë për atë që lexojmë në Bibël, duke menduar me kujdes si t’i zbatojmë më mirë këshillat e Jehovait, i japim besimit tonë ushqimin që i duhet për t’u rritur.
A do të ndiqni shembullin e Marisë? Jehovai i ka mbushur faqet e Fjalës së tij me të vërteta jetësore. Gjithsesi këto të vërteta nuk na sjellin dobi nëse, në radhë të parë, nuk u kushtojmë vëmendje. Këtë e bëjmë duke lexuar Biblën rregullisht, jo thjesht si vepër letrare, por si Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. (Fjalë të tjera që ruajti në zemër
Kur foshnja u bë tetëditëshe, Maria dhe Jozefi e rrethprenë, siç e kërkonte Ligji i Moisiut, dhe i vunë emrin Jezu, siç ishin udhëzuar. (Luka 1:31) Pastaj, ditën e 40-të, e çuan nga Betlehemi në tempullin e Jerusalemit, pak kilometra larg dhe paraqitën flijimet e pastrimit që lejonte Ligji për të varfrit: dy turtuj ose dy pëllumba. Edhe nëse u ka ardhur zor që nuk po flijonin dot një dash dhe një turtull, siç kishin mundësi prindër të tjerë, ata i lanë mënjanë këto ndjenja. Sidoqoftë, kur ishin atje, morën një inkurajim që ua çoi zemrat peshë.—Luka 2:21-24.
Një burrë i moshuar i quajtur Simeon iu afrua dhe i tha Marisë fjalë të tjera që ajo i ruajti në zemër si thesar. Atij i ishte premtuar se do ta shihte Mesinë para se të vdiste, dhe fryma e shenjtë e Jehovait i tregoi se Jezui i vogël ishte Shpëtimtari i parathënë. Veç kësaj, Simeoni e paralajmëroi Marinë për dhembjen që do të duronte një ditë. Ai i tha se do të ndihej sikur ta tejshponte një shpatë e gjatë. (Luka 2:25-35) Edhe ky paralajmërim mund ta ketë ndihmuar Marinë të qëndronte në atë moment të vështirë që erdhi pas më se tri dekadash. Pas Simeonit, Jezuin e vogël e pa profeteshë Ana. Ajo nisi t’u fliste për të çdokujt që shpresonte me zjarr çlirimin e Jerusalemit.—Luka 2:36-38.
Ç’vendim të mençur morën Jozefi dhe Maria që e çuan foshnjën e tyre në tempullin e Jehovait në Jerusalem! Për djalin e tyre, ky ishte fillimi i një jete gjatë së cilës ai do të merrte pjesë rregullisht me besnikëri në tempullin e Jehovait. Kur ishin atje, bënë gjithçka mundën në shërbimin e Perëndisë dhe morën udhëzime e inkurajim. Me siguri, atë ditë Maria u largua nga tempulli më e fortë në besim, me zemrën të mbushur plot me fjalët e Perëndisë, për të cilat do të meditonte e do të fliste me të tjerët.
Është bukur kur sheh sot prindër që ndjekin këtë shembull. Prindërit Dëshmitarë të Jehovait i çojnë rregullisht me besnikëri fëmijët e tyre në mbledhjet e krishtere. Këta prindër bëjnë gjithçka munden në shërbim të Perëndisë, duke u thënë fjalë inkurajimi bashkëbesimtarëve. Largohen nga këto mbledhje më të fortë, më të lumtur dhe plot me gjëra të mira për të folur me të tjerët. Ju ftojmë përzemërsisht të shkoni edhe ju me ta në mbledhje. Po të veproni kështu, do të shihni se besimi juaj, ashtu si ai i Marisë, do të bëhet edhe më i fortë.
[Shënimet]
^ par. 10 Vëreni kontrastin mes këtij fragmenti dhe përshkrimit të një udhëtimi të mëparshëm: «Maria u ngrit dhe shkoi» të takonte Elizabetën. (Luka 1:39) Në atë kohë Maria ishte e fejuar, jo e martuar, dhe mund të jetë nisur pa u këshilluar me Jozefin. Pas martesës, thuhet se udhëtimin që bënë si çift e ndërmori Jozefi, jo Maria.
^ par. 14 Në atë kohë, qytezat e kishin zakon të mbanin një bujtinë për të strehuar udhëtarët dhe karvanët e rastit.
^ par. 19 Fakti që barinjtë në atë kohë jetonin jashtë me bagëtitë vërteton çka thotë kronologjia biblike: Krishti nuk lindi në dhjetor, kohë kur bagëtitë do të ishin strehuar afër shtëpisë, por lindi diku nga fillimi i tetorit.
[Figura në faqen 25]
Simeoni pati bekimin të shihte Shpëtimtarin e parathënë