Mësoji fëmijët
A je xheloz ndonjëherë? Vëllezërit e Jozefit ishin
LE TË shohim se ç’do të thotë të jesh xheloz. A e ke pasur ndonjëherë të vështirë të pëlqesh dikë, ngaqë të tjerët thonë se është i mirë, i bukur ose i zgjuar? * . . . E pra, kjo mund të ndodhë kur je xheloz ndaj dikujt.
Xhelozia mund të lindë në një familje nëse prindërit e trajtojnë njërin nga fëmijët më mirë se të tjerët. Bibla flet për një familje ku xhelozia krijoi një problem të madh. Le të shqyrtojmë se ç’telashe solli, si edhe mësimin që mund të nxjerrim nga ajo që ndodhi.
Jozefi ishte djali i 11-të i Jakobit dhe vëllezërit e Jozefit ishin xhelozë ndaj tij. A e di pse? . . . Ngaqë Jakobi, babai i tyre, e trajtonte Jozefin më mirë se ata. Për shembull, Jakobi i kishte bërë Jozefit një rrobë të bukur vija-vija. Jakobi e donte në mënyrë të veçantë Jozefin, «sepse ai ishte djali i pleqërisë» dhe fëmija i parë i gruas së tij të dashur, Rakelës.
Bibla thotë se ‘kur vëllezërit panë që ati i tyre e donte më shumë se gjithë të tjerët, nisën ta urrenin Jozefin’. Më pas, një ditë, Jozefi i tha familjes së tij se kishte parë një ëndërr ku të gjithë ata, madje edhe babai i tyre, ishin përkulur para tij. Bibla thotë se «vëllezërit e tij u bënë xhelozë për të», e madje edhe babai i Jozefit e qortoi që tregoi këtë ëndërr.—Zanafilla 37:1-11.
Pas ca kohësh, kur Jozefi ishte 17 vjeç, vëllezërit e tij kishin shkuar shumë kilometra larg për të kullotur delet dhe cjeptë e familjes. Prandaj Jakobi dërgoi Jozefin për të parë si ishin. A e di se çfarë donin të bënin shumë prej tyre kur e panë duke ardhur? . . . Donin ta vritnin! Por dy prej tyre, Rubeni dhe Juda, nuk donin.
Kur aty pranë kaluan disa tregtarë që po shkonin në Egjipt, Juda tha: «Le t’ua shesim.» Kështu që, e shitën. Pastaj, therën një cjap dhe e ngjyen në gjak rrobën e Jozefit. Më vonë, kur ia treguan babait të tyre, ai thirri: ‘Jozefin do ta ketë ngrënë ndonjë kafshë e egër!’—Zanafilla 37:12-36.
Me kalimin e kohës, Jozefin filloi ta trajtonte mirë faraoni, sundimtari i Egjiptit, ngaqë, falë ndihmës së Perëndisë, ai mundi të shpjegonte kuptimin e dy ëndrrave të faraonit. Në ëndrrën e parë kishte parë shtatë lopë të shëndetshme, e më pas shtatë të sëmura. Në ëndrrën e dytë kishte parë shtatë kallinj gruri të mirë, e më pas shtatë të fishkur. Jozefi tha se të dyja ëndrrat nënkuptonin se do të kishte shtatë vjet të korra të mbara, e më pas shtatë vjet zi buke. Me urdhër të faraonit, Jozefit iu dha përgjegjësia të grumbullonte ushqim gjatë viteve të bollëkut, që të përgatiteshin për zinë e bukës.
Kur erdhi zia e bukës, familja e Jozefit, e cila jetonte mijëra kilometra larg, kishte nevojë për ushqim. Jakobi i dërgoi dhjetë vëllezërit më të mëdhenj të Jozefit në Egjipt që të merrnin ushqim. Ata shkuan te Jozefi, por nuk e njohën. Pa u treguar se kush ishte, Jozefi i vuri në provë vëllezërit dhe kuptoi se sa keq u vinte që e kishin trajtuar në atë mënyrë. Pastaj, Jozefi u tregoi se kush ishte. Sa të lumtur ishin që po takoheshin përsëri!—Zanafilla, kapitujt 40 deri 45.
Çfarë mëson nga ky tregim biblik në lidhje me xhelozinë? . . . Xhelozia mund të krijojë telashe të mëdha, madje duke e shtyrë dikë që të dëshirojë t’i bëjë keq vëllait të vet! Le të lexojmë Veprat 5:17, 18 dhe Veprat 7:54-59 e të shohim se çfarë u bënë njerëzit dishepujve të Jezuit nga xhelozia. . . . Pas leximit të këtyre vargjeve, a e kupton pse duhet të kemi kujdes me xhelozinë? . . .
Jozefi jetoi 110 vjet. Ai pati fëmijë, nipër e stërnipër. Të jemi të sigurt se Jozefi shpesh i mësonte ata që ta donin njëri-tjetrin dhe të mos binin pre e xhelozisë.—Zanafilla 50:22, 23, 26.
^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.