A e prishin martesën Dëshmitarët e Jehovait?
A e prishin martesën Dëshmitarët e Jehovait?
«NËSE një nga bashkëshortët ndryshon fe, martesa do të prishet.» Kështu thonë shumë njerëz. Ndonjëherë kështu i thonë një bashkëshorti që vendos të bëhet Dëshmitar i Jehovait. Por, a është gjithmonë e vërtetë kjo?
Siç mund të kuptohet, kur një person i martuar nis të interesohet për fenë ose të ndryshojë bindje fetare që i kishte prej kohësh, kjo mund të jetë tronditëse për bashkëshortin. Mund të shkaktojë ndjenja ankthi e zhgënjimi dhe madje zemërim.
Shpesh është gruaja që ndien e para nevojën për të ndryshuar fe. Nëse gruaja jote po studion Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, si mund të ndikojë kjo në martesën tënde? Nëse je një grua që po studion me Dëshmitarët e Jehovait, ç’mund të bësh për të pakësuar ankthin që mund të ndiejë bashkëshorti?
Pikëpamja e një burri
Marku, i cili jeton në Australi, ishte i martuar prej 12 vjetësh kur e shoqja nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. «Kisha një martesë të lumtur dhe një karrierë të suksesshme,—thotë Marku.—Jeta shkonte mirë. Por gruaja vendosi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Papritur ndjeva se mënyra ime e jetesës do të ndryshonte. Në fillim u shqetësova pak që gruaja kishte filluar të interesohej për Biblën, por kur më tha se kishte vendosur të pagëzohej si Dëshmitare e Jehovait, u bëra vërtet merak.»
Marku filloi të shqetësohej se mos martesa e tij do të merrte fund për shkak të fesë së re të gruas. Ai mendoi që të mos e linte më të studionte Biblën dhe të mos kishte më asnjë lidhje me Dëshmitarët. Por, në vend që të reagonte rrëmbyeshëm, Marku priti ca kohë. Ç’ndodhi me martesën e tij?
Marku thotë: «Jam i lumtur që martesa jonë është edhe më e fortë se më parë. Ajo është përmirësuar gjithnjë e më shumë që kur gruaja u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait 15 vjet më parë.» Çfarë i ndihmoi që martesa e tyre të kishte sukses? Marku thotë:
«Kur mendoj për të kaluarën, them se ishte kryesisht fakti që gruaja zbatonte këshillat e mira që gjenden në Bibël. Ajo është përpjekur gjithnjë të më trajtojë me respekt.»Këshilla nga gra të suksesshme
Nëse je një grua dhe po shoqërohesh me Dëshmitarët e Jehovait, ç’mund të bësh e të thuash për të pakësuar ankthin që mund të ketë bashkëshorti yt? Shqyrto se ç’kanë thënë këto gra nga vende të ndryshme të botës.
Sakiko, Japoni: «Jam e martuar prej 31 vjetësh dhe kam tre fëmijë. Kam 22 vjet që jam Dëshmitare e Jehovait. Jeta me një burrë që nuk ka bindjet e mia, ndonjëherë është e vështirë. Por unë bëj çmos të zbatoj këshillën biblike për të qenë ‘e shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohem në të folur e të mos zemërohem shpejt’. (Jakovi 1:19) Përpiqem të sillem mirë me burrin dhe t’u hap rrugë dëshirave të tij kur nuk bien ndesh me parimet biblike. Kjo ka ndihmuar që të kemi një martesë të mirë.»
Nadjezhda, Rusi: «Kam 28 vjet e martuar dhe u pagëzova si Dëshmitare para 16 vjetësh. Para se të studioja Biblën, nuk mendoja se burri duhej të ishte kreu i familjes. Më pëlqente që shumë vendime t’i merrja vetë. Megjithatë, dalëngadalë kuptova se zbatimi i parimeve biblike i sillte më shumë paqe dhe lumturi familjes sonë. (1 Korintasve 11:3) Me kalimin e kohës e kisha më të lehtë t’i nënshtrohesha burrit dhe ai i ka vërejtur këto ndryshime tek unë.»
Marli, Brazil: «Kam dy fëmijë dhe jam e martuar prej 21 vjetësh. Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë u bëra Dëshmitare e Jehovait. Mësova se Perëndia Jehova dëshiron që çiftet e martuara të rrinë bashkë, e jo të ndahen. Prandaj, përpiqem të jem grua e mirë, të flas e të sillem në një mënyrë që bën të lumtur Jehovain dhe burrin.»
Larisa, Rusi: «Kur u bëra Dëshmitare e Jehovait rreth 19 vjet më parë, kuptova se gjëja më e rëndësishme për mua ishte të bëja ndryshime në jetë. Burri im sheh se Bibla ka ndikuar për mirë tek unë: më ka ndihmuar ta vlerësoj më shumë. Në fillim kishim mosmarrëveshje lidhur me edukimin e fëmijëve, por tani i kemi zgjidhur. Burri i lejon fëmijët të vijnë me mua në mbledhjet fetare që ndjek, sepse e kupton se atje mësojnë vetëm gjëra të mira.»
Valkiria, Brazil: «Kam një djalë dhe jam e martuar prej 19 vjetësh.» Trembëdhjetë vjet më parë, u bëra Dëshmitare e Jehovait. Në fillim, burri nuk donte që të dilja për të predikuar. Por mësova t’u përgjigjesha me butësi shqetësimeve të tij dhe ta ndihmoja të kuptonte se Bibla po ndikonte për mirë në personalitetin tim. Burri im kuptoi pak nga pak sa e rëndësishme është për mua të marr pjesë në veprën e predikimit. Sot, më mbështet plotësisht në aktivitetet që lidhen me besimin tim. Madje, kur drejtoj studime biblike në fshatra të largëta, ai më çon me makinën e vet dhe pret me durim jashtë derisa të kem mbaruar.»
Ndikon për mirë
Nëse bashkëshorti yt po studion me Dëshmitarët e Jehovait, mos ki frikë se kjo do të të prishë martesën. Siç e kanë vërejtur shumë burra dhe gra nga të gjitha anët e botës, Bibla ndikon për mirë në martesë.
Një burrë që nuk është Dëshmitar i Jehovait pranoi me ndershmëri: «Në fillim kisha njëfarë ankthi kur gruaja pranoi besimin e Dëshmitarëve të Jehovait, por tani mendoj se ia vlejti barra qiranë.» Një burrë tjetër tha kështu për gruan e vet: «Falë besnikërisë, vendosmërisë dhe integritetit të gruas, i admiroj shumë Dëshmitarët e Jehovait. Kemi nxjerrë shumë dobi në martesë nga bindjet e saj fetare. I kemi hapur rrugë njëri-tjetrit dhe e kemi parë martesën si një bashkim për gjithë jetën.»
[Kutia dhe figura në faqen 13]
Si e konsiderojnë martesën Dëshmitarët e Jehovait?
Dëshmitarët e Jehovait e konsiderojnë Biblën Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. Prandaj, e marrin seriozisht atë që thotë për martesën. Shiko se ç’thotë Bibla për pyetjet e mëposhtme:
▪ A i nxitin Dëshmitarët e Jehovait anëtarët e tyre të ndahen nga bashkëshorti që nuk është Dëshmitar? Jo. Apostulli Pavël shkroi: «Nëse ndonjë vëlla ka një grua jobesimtare, e cila megjithatë është dakord të jetojë me të, ai të mos e lërë. Edhe gruaja që e ka burrin jobesimtar, i cili megjithatë është dakord të jetojë me të, të mos e lërë burrin.» (1 Korintasve 7:12, 13) Dëshmitarët e Jehovait i binden këtij urdhri.
▪ A nxitet një grua Dëshmitare e Jehovait të shpërfillë dëshirat e burrit, nëse ai nuk ka bindjet e saj? Jo. Apostulli Pjetër shkroi: «Ju gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, që, nëse disa nuk i binden fjalës, t’i fitoni pa fjalë, nëpërmjet sjelljes suaj, pasi të kenë parë me sytë e tyre sjelljen tuaj të dëlirë bashkë me respekt të thellë.»—1 Pjetrit 3:1, 2.
▪ A predikojnë Dëshmitarët e Jehovait se autoriteti i burrit është absolut? Jo. Apostulli Pavël tha: «Dua të dini se kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri, dhe kreu i Krishtit është Perëndia.» (1 Korintasve 11:3) Një grua e krishterë e respekton burrin si kreun e familjes. Por, autoriteti i burrit nuk është absolut. Ai është përgjegjës para Perëndisë dhe Krishtit. Prandaj, nëse burri urdhëron që gruaja të sillet në një mënyrë që shkel ligjin e Perëndisë, gruaja e krishterë ‘do t’i bindet Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve’.—Veprat 5:29.
▪ A predikojnë Dëshmitarët e Jehovait se divorci është i ndaluar? Jo. Jezu Krishti tha: «Unë po ju them se kushdo që divorcohet nga gruaja, përveç rastit kur ajo kryen kurvëri [imoralitet seksual], dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.» (Mateu 19:9) Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait i përmbahen pikëpamjes së Jezuit se kurorëshkelja përbën një bazë për divorc. Por ata kanë gjithashtu besim të fortë se martesa nuk duhet të prishet për arsye të parëndësishme. Ata i nxitin anëtarët e tyre t’u binden fjalëve të Jezuit: «Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm. . . . Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—Mateu 19:5, 6.