Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Për shpresën e të vdekurve

Për shpresën e të vdekurve

Çfarë mësojmë nga Jezui

Për shpresën e të vdekurve

Jezui ringjalli të paktën tre veta, duke treguar kështu se ka shpresë për të vdekurit. (Luka 7:11-17; 8:49-56; Gjoni 11:1-45) Për të kuptuar shpresën e të vdekurve, duhet të kuptojmë së pari shkakun dhe origjinën e vdekjes.

Pse sëmuremi dhe vdesim?

Kur Jezui ua fali mëkatet njerëzve, ata u shëruan. Për shembull, kur i sollën një të paralizuar, Jezui tha: «‘Çfarë është më e lehtë të thuash: “Mëkatet e tua të janë falur”, apo: “Ngrihu dhe ec.” Tani, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet . . . ’, atëherë i tha paralitikut: ‘Ngrihu, merr shtratin dhe shko në shtëpi.’» (Mateu 9:2-6) Pra, mëkati është shkaku i sëmundjeve dhe i vdekjes. Gjendja jonë mëkatare e trashëguar e ka origjinën nga njeriu i parë, Adami.​—Luka 3:38; Romakëve 5:12.

Pse vdiq Jezui?

Jezui nuk mëkatoi kurrë. Prandaj nuk meritonte të vdiste. Duke vdekur në vendin tonë, Jezui pagoi çmimin për mëkatet tona. Ai tha se gjaku i tij ‘do të derdhej në dobi të shumë vetave, për faljen e mëkateve’.​—Mateu 26:28.

Gjithashtu, Jezui tha: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz.» (Mateu 20:28) Jezui e quajti çmimin që pagoi «shpërblesë», sepse ajo i çliroi njerëzit nga vdekja. Po ashtu, Jezui tha: «Unë erdha që ato të kenë jetë e ta kenë me bollëk.» (Gjoni 10:10) Për ta kuptuar shpresën e të vdekurve plotësisht, duhet të dimë gjithashtu se në ç’gjendje janë ata.

Ç’ndodh kur vdes njeriu?

Kur Lazari, miku i Jezuit, vdiq, Jezui tregoi se ç’ndodh kur vdes njeriu. Ai u tha dishepujve: «‘Lazari, miku ynë, ka shkuar të pushojë, prandaj unë po shkoj [në Betani] që ta zgjoj nga gjumi.’ . . . Ata kujtuan se tha që kishte rënë në gjumë për të pushuar. Atëherë Jezui ua tha troç: ‘Lazari ka vdekur.’» Pra, Jezui e tregoi qartë se të vdekurit janë në gjendje gjumi, të pavetëdijshëm.​—Gjoni 11:1-14.

Kur Jezui e ringjalli, Lazari, miku i tij, kishte katër ditë që kishte vdekur. Megjithatë, Bibla nuk dokumenton asnjë fjalë të Lazarit për çfarë kishte përjetuar ndërkohë që kishte qenë i vdekur. Kur ishte i vdekur, Lazari nuk ishte i vetëdijshëm për asgjë.​—Eklisiastiu 9:5, 10; Gjoni 11:17-44.

Çfarë shprese ka për të vdekurit?

Të vdekurit do të rikthehen në jetë me mundësinë për të jetuar përgjithmonë. Jezui tha: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij [të Jezuit] dhe do të dalin.»​—Gjoni 5:28, 29.

Kjo shpresë është një shprehje e dashurisë së Perëndisë. Jezui tha: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»​—Gjoni 3:16; Zbulesa 21:4, 5.

Për më shumë informacion, shih kapitullin 6 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? *

[Shënimi]

^ par. 15 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.