Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një Gjykatës që bën gjithnjë atë që është e drejtë

Një Gjykatës që bën gjithnjë atë që është e drejtë

Afrojuni Perëndisë

Një Gjykatës që bën gjithnjë atë që është e drejtë

Zanafilla 18:22-32

DREJTËSIA. Korrektësia. Paanësia. A nuk ju bëjnë për vete këto cilësi fisnike? Ne njerëzit kemi një nevojë të lindur që të na trajtojnë me drejtësi. Mjerisht, shpesh në botën e sotme s’ka drejtësi. Por ekziston një Gjykatës që e meriton besimin tonë, Perëndia Jehova. Ai bën gjithnjë atë që është e drejtë. Këtë e nxjerr qartë në pah një bisedë mes Jehovait dhe Abrahamit, e dokumentuar te Zanafilla 18:22-32. *

Kur Jehovai i tregoi vendimin e Tij që të hetonte kushtet në Sodomë dhe Gomorrë, Abrahami kishte merak se mos e pësonte ndonjë i drejtë që jetonte atje, si për shembull, nipi i vet, Loti. Abrahami iu lut Jehovait: «Vërtet do të shkatërrosh të drejtin bashkë me të ligun? Ta zëmë se në qytet ka pesëdhjetë të drejtë. A . . . nuk do ta falje vendin për hir të pesëdhjetë të drejtëve që janë në të?» (Vargjet 23, 24) Perëndia tha se nuk do t’i shkatërronte qytetet nëse atje do të kishte 50 njerëz të drejtë. Abrahami iu lut Jehovait edhe pesë herë të tjera, duke e ulur pak nga pak numrin, derisa arriti në dhjetë. Çdo herë, Perëndia i tha se nuk do t’i shkatërronte qytetet po të gjente aq njerëz të drejtë.

A po debatonte Abrahami me Perëndinë? Aspak! Ky do të kishte qenë kulmi i arrogancës. Toni i Abrahamit pasqyronte nderimin dhe përulësinë e duhur. Ai iu referua vetes si «pluhur e hi». Katër herë tha me respekt «të lutem». (Vargjet 27, 30-32) Për më tepër, fjalët e Abrahamit zbuluan se kishte besim te drejtësia e Jehovait. Jo një, po dy herë ai tha se ‘as që mund të mendohej’ që Perëndia të shkatërronte të drejtët bashkë me të ligjtë. Patriarku besnik shprehu bindjen se «Gjykatësi i gjithë tokës» do të bënte «atë që është e drejtë».​—Vargu 25.

A kishte të drejtë Abrahami në atë që tha? Edhe po, edhe jo. E kishte gabim kur mendoi se do të gjendeshin të paktën dhjetë njerëz të drejtë në Sodomë e Gomorrë. Por pa dyshim kishte të drejtë kur tha se Perëndia kurrë ‘nuk do ta shkatërronte të drejtin bashkë me të ligun’. Kur Ai më vonë i shkatërroi ato qytete të liga, Loti i drejtë dhe dy bijat e tij shpëtuan me ndihmën e engjëjve.​—2 Pjetrit 2:7-9.

Çfarë na mëson për Jehovain ky tregim? Duke informuar Abrahamin për qëllimin e Tij që të hetonte qytetet, në të vërtetë Jehovai e hapi vetë dialogun. Pastaj e dëgjoi me durim mikun e tij Abraham tek shprehte merakun e zemrës. (Isaia 41:8) Sa bukur na tregon kjo se Jehovai është një Perëndi i përulur, i cili u jep dinjitet e nder shërbëtorëve të tij tokësorë! Patjetër, kemi çdo arsye të besojmë plotësisht te Jehovai, Gjykatësi që bën gjithnjë atë që është e drejtë.

[Shënimi]

^ par. 1 Në atë rast, Jehovain e përfaqësonte një engjëll që fliste për Të. Për një shembull tjetër, shih Zanafillën 16:7-11, 13.

[Figura në faqen 24]

Abrahami iu lut Jehovait për Sodomën dhe Gomorrën