Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ati i jetimëve

Ati i jetimëve

Afrojuni Perëndisë

Ati i jetimëve

Dalja 22:22-24

«A TË i jetimëve . . . është Perëndia në banesën e tij të shenjtë.» (Psalmi 68:5) Këto fjalë të frymëzuara përcjellin një mësim që na afron më shumë me Perëndinë Jehova: ai është i ndjeshëm ndaj halleve të nevojtarëve. Interesimi i tij për fëmijët që u ka vdekur njëri nga prindërit, shihet qartë në Ligjin që i dha Izraelit. Le të shqyrtojmë referimin e parë në Bibël në lidhje me ‘jetimët’ *, që gjendet te Dalja 22:22-24.

Perëndia paralajmëroi: «Mos mundoni asnjë . . . jetim.» (Vargu 22) Kjo nuk ishte thjesht një thirrje për humanizëm, por një urdhër nga Perëndia. Një fëmijë që humbte një prind​—e si pasojë edhe atë që e mbronte dhe e ushqente—​ishte i pambrojtur. Askush nuk duhej ‘ta mundonte’ në asnjë mënyrë një fëmijë jetim. Në përkthime të tjera të Biblës, fjala ‘mundoj’ është përkthyer ‘abuzoj’, ‘keqtrajtoj’ dhe ‘përfitoj’. Të keqtrajtoje një fëmijë jetim, ishte diçka serioze në sytë e Perëndisë. Por, sa serioze?

Më tej, në Ligj thuhet: «Nëse i mundon në ndonjë mënyrë, dhe ata më thërrasin mua, unë do ta dëgjoj patjetër klithmën e tyre.» (Vargu 23) Në këtë pjesë, kalohet nga shumësi «mundoni» në vargun 22, në njëjësin «mundon» në vargun 23. Qoftë individualisht, qoftë si komb, ishin njëlloj përgjegjës për t’iu bindur këtij ligji hyjnor. Jehovai vëzhgonte; ai kthente veshin nga jetimët dhe ishte gjithnjë gati t’u përgjigjej thirrjeve të tyre për ndihmë.​—Psalmi 10:14; Proverbat 23:10, 11.

Por, çfarë do të ndodhte nëse dikush do të keqtrajtonte një jetim, duke i dhënë kështu arsye këtij fëmije t’i thërriste Perëndisë? «Do të më ndizet zemërimi,​—thotë Jehovai,—​e do t’ju vras me shpatë.» (Vargu 24) Një vepër biblike referimi thotë se kjo shprehje «është fjalë për fjalë ‘e hunda ime do të bëhet e nxehtë’, që është një idiomë për të shprehur zemërim të madh». Vër re se Jehovai nuk ua linte në dorë gjykatësve njerëzorë në Izrael që të zbatonin këtë ligj. Perëndia do ta ekzekutonte vetë gjykimin e tij ndaj kujtdo që keqtrajtonte një fëmijë të pambrojtur.​—Ligji i përtërirë 10:17, 18.

Jehovai nuk ka ndryshuar. (Malakia 3:6) Atij i bëhet zemra copë për ata fëmijë që u ka vdekur njëri ose të dy prindërit. (Jakovi 1:27) S’ka pikë dyshimi se Ati i jetimëve zemërohet me të drejtë nga keqtrajtimi dhe abuzimi i fëmijëve të pafajshëm. Ata që përpiqen të përfitojnë nga një fëmijë i pambrojtur, nuk do t’i shpëtojnë ‘zemërimit të zjarrtë të Jehovait’. (Sofonia 2:2) Këta të ligj kanë për ta marrë vesh se «është e frikshme të biesh në duart e Perëndisë së gjallë».​—Hebrenjve 10:31.

[Shënimi]

^ par. 1 Fjala «jetim» del rreth 40 herë në Bibël. Megjithëse fjala hebraike e përkthyer kështu është në gjininë mashkullore, parimet që përmbajnë këto shkrime përfshijnë edhe vajzat që kanë humbur një prind. Ligji i Moisiut mbronte edhe të drejtat e jetimeve.​—Numrat 27:1-8.