Bibla është e gjallë edhe në një gjuhë të vdekur
Bibla është e gjallë edhe në një gjuhë të vdekur
GJATË shekujve të fundit janë zhdukur të paktën gjysma e gjuhëve të botës. Një gjuhë vdes kur asnjë komb nuk e flet më. Në këtë kuptim, latinishtja, zakonisht, konsiderohet si «gjuhë e vdekur», ndonëse studiohet gjerësisht dhe vazhdon të jetë gjuha zyrtare e Vatikanit.
Edhe disa nga përkthimet më të hershme e më të rëndësishme të Biblës janë bërë në latinisht. A mund të jenë «të gjalla» e të ndikojnë sot te lexuesit e Biblës përkthimet e saj në këtë gjuhë të vdekur? Historia tepër interesante e këtyre përkthimeve na ndihmon të gjejmë përgjigjen.
Përkthimi më i hershëm në latinisht
Latinishtja ishte gjuha më e hershme e Romës. Megjithatë, kur iu drejtua komunitetit të krishterë në atë qytet, apostulli Pavël shkroi në gjuhën greke. * Kjo nuk përbënte ndonjë problem, pasi njerëzit atje në përgjithësi i flitnin të dyja gjuhët. Ngaqë shumë banorë vinin nga Azia e Vogël që fliste greqisht, thuhej se Roma po bëhej helene. Gjuhët që fliteshin në Perandorinë Romake ndryshonin nga një zonë në tjetrën, por me rritjen e perandorisë u rrit edhe rëndësia e gjuhës latine. Si pasojë, Shkrimet e Shenjta u përkthyen nga greqishtja në latinisht. Me sa duket, ky proces filloi në shekullin e dytë të e.s. në Afrikën Veriore.
Tërësia e përkthimeve të atëhershme njihet si Vetus Latina ose ndryshe Versioni i vjetër latin. Sot nuk kemi asnjë dorëshkrim të lashtë me përkthimin e plotë të Shkrimeve në këtë gjuhë. Pjesët që kanë mbijetuar, si dhe pjesët e cituara nga shkrimtarët e lashtësisë, lënë të kuptohet se Vetus Latina nuk ishte një libër apo vëllim. Por, ajo u realizua nga disa përkthyes që punuan më vete në kohë e vende të ndryshme. Pra, më saktësisht, nuk është një tekst i vetëm, por një koleksion përkthimesh nga gjuha greke.
Përçapjet individuale për të përkthyer pjesë të Shkrimeve në latinisht, krijuan njëfarë rrëmuje. Në fund të shekullit të katërt të e.s. Agustini, një teolog katolik, besonte se «kushdo që gjente ndonjë dorëshkrim në greqisht dhe mendonte se kishte njëfarë njohurie—sado të vogël—në të dyja gjuhët, merrte përsipër ta përkthente» në gjuhën latine. Agustini dhe të tjerë mendonin se qarkullonin shumë përkthime dhe kishin rezerva për saktësinë e tyre.
Përkthimi i Jeronimit
Ai që u përpoq t’i jepte fund rrëmujës së përkthimeve, ishte Jeronimi, i cili më 382 të e.s. shërbente herë pas here si sekretar i Damasit, peshkopit të Romës. Peshkopi i kërkoi Jeronimit të rishikonte përkthimin në latinisht të Ungjijve, dhe ai e kreu detyrën brenda pak viteve. Pastaj filloi rishikimin e përkthimeve në latinisht të librave të tjerë të Biblës.
Përkthimi i Jeronimit, që më vonë u quajt Vulgatë, u bazua në burime të ndryshme. Jeronimi
e mbështeti përkthimin e Psalmeve te Septuaginta, një përkthim i Shkrimeve Hebraike në gjuhën greke që përfundoi në shekullin e dytë p.e.s. Ai rishikoi Ungjijtë, si dhe përktheu një pjesë të mirë të Shkrimeve Hebraike nga gjuha origjinale, hebraishtja. Pjesën tjetër të Shkrimeve do ta kenë rishikuar përkthyes të tjerë. Gjithashtu, në Vulgatën e Jeronimit u futën përsëri pjesë nga Vetus Latina.Vepra e Jeronimit në fillim nuk u prit mirë. Edhe vetë Agustini e kritikoi. Megjithatë, dalëngadalë u bë modeli i Biblave njëvëllimshe. Në shekullin e tetë e të nëntë, studiues si Alkuini dhe Teodolfi i hynë punës për të ndrequr gabimet në gjuhë e në tekst, që ishin futur në përkthimin e Jeronimit si pasojë e kopjimeve të shpeshta. Të tjerë e ndanë tekstin në kapituj, për të lehtësuar gjetjen e Shkrimeve. Kur u shpik shtypshkronja me germa të lëvizshme, përkthimi i Jeronimit ishte i pari që u botua.
Versioni i Jeronimit u quajt për herë të parë Vulgatë nga Kisha Katolike më 1546-n, në Këshillin e Trentos. Këshilli e shpalli këtë version «autentik» dhe e bëri vepër referimi për katolicizmin. Njëkohësisht ai kërkoi edhe rishikimin e saj. Puna duhej mbikëqyrur nga komisione të veçanta, por papa Siksti V, që mezi priste ta shihte të përfunduar dhe që do të ketë pasur besim paksa të tepruar tek aftësitë e veta, vendosi ta
mbaronte vetë këtë punë. Vëllimi i rishikuar sapo kish filluar të botohej kur papa vdiq më 1590-n. Menjëherë, kardinalët hodhën poshtë atë që e konsideronin një punë plot me gabime, dhe i mblodhën kopjet që qarkullonin.Më 1592-shin, në kohën e papa Klementit VIII, u botua një version i ri që më pas u bë i njohur si botimi sikstino-klementin. Ky ishte për një kohë të gjatë vëllimi zyrtar i Kishës Katolike. Gjithashtu, nga Vulgata sikstino-klementine u bënë edhe përkthime katolike në gjuhë të tjera. Një i tillë ishte përkthimi në gjuhën italiane nga Antonio Martini, që përfundoi më 1781-shin.
Një Bibël e ditëve tona në latinisht
Gjatë shekullit të 20-të, nga krahasimet mes dorëshkrimeve biblike u duk qartë se edhe Vulgata, ashtu si përkthime të tjera, kishte nevojë për t’u riparë. Për këtë, më 1965-n, Kisha Katolike ngriti një komision për Vulgatën e Re dhe i dha si detyrë rishikimin e përkthimit latin në bazë të njohurive të reja. Teksti i ri do të përdorej në shërbesat fetare katolike që mbaheshin në gjuhën latine.
Pjesa e parë e këtij përkthimi të ri doli më 1969-n, dhe, në vitin 1979, papa Gjon Pali II miratoi Nova Vulgatën. Në botimin e parë, emri hyjnor Iahveh u përmend në disa vargje, ndër të cilat edhe te Dalja 3:15 dhe 6:3. Pastaj, siç u shpreh një anëtar i komisionit, botimi i dytë zyrtar që doli më 1986-n «u pendua. . . . Dominus [‘Hyj’ ose ‘Zot’] u vendos përsëri në vend të Iahveh».
Siç u kritikua Vulgata shekuj më parë, po ashtu u kritikua edhe Nova Vulgata, madje edhe nga studiues katolikë. Ndonëse në fillim u paraqit si një përkthim që do t’i kontribuonte
unitetit mes feve që thonë se janë të krishtere, shumë e konsideruan si pengesë të dialogut ndërfetar. Kjo ndodhi sidomos ngaqë u propozua që të shërbente si pika e referimit për përkthimet në gjuhët e sotme. Në Gjermani, Nova Vulgata ishte në zemër të debatit mes protestantëve dhe katolikëve lidhur me rishikimin e një përkthimi ndërfetar. Protestantët i akuzonin katolikët se po ngulnin këmbë që përkthimi i ri të bëhej sipas modelit të Nova Vulgatës.Ndonëse latinishtja në përgjithësi nuk flitet më, Bibla në këtë gjuhë ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë te miliona lexues. Ajo ka ndikuar në terminologjinë fetare të shumë gjuhëve. Pavarësisht se në ç’gjuhë është, Fjala e Perëndisë vazhdon të ushtrojë fuqi dhe të ndryshojë jetën e miliona njerëzve që, duke iu bindur Perëndisë, përpiqen të veprojnë në harmoni me mësimet e saj të çmuara.—Hebrenjve 4:12.
[Shënimi]
^ par. 5 Për më shumë informacion se përse u shkruan në greqisht Shkrimet e Krishtere, shihni rubrikën «A e dini?» në faqen 13.
[Diçitura në faqen 23]
Papa Gjon Pali II miratoi Nova Vulgatën. Në botimin e parë del emri hyjnor Iahveh
[Kutia në faqen 21]
TERMA QË HYNË NË HISTORI
Vetus Latina, që u përkthye nga greqishtja, përmbante mjaft terma që do të hynin në histori. Një prej tyre ishte përkthimi i fjalës greke diathéke (besëlidhje) si testamentum (testament). (2 Korintasve 3:14) Si pasojë e këtij përkthimi, në shumë gjuhë, njerëzit ende u referohen Shkrimeve Hebraike dhe Greke përkatësisht me titujt: Testamenti i Vjetër dhe Testamenti i Ri.
[Kutia në faqen 23]
NJË UDHËZIM QË ËSHTË KRITIKUAR
Pas katër vjetësh punë, më 2001-shin, Kongregacioni i Vatikanit për Kultin Hyjnor dhe Rregullat e Sakramenteve botoi udhëzimin e tij Liturgiam authenticam (Liturgji Autentike). Ai është kritikuar ashpër nga shumë studiues katolikë.
Sipas këtij udhëzimi, ngaqë Nova Vulgata është përkthimi zyrtar i Kishës, atëherë duhet mbajtur si model për të gjitha përkthimet e tjera, edhe nëse është ndryshe nga ajo që thuhet në tekstet e lashta origjinale. Vetëm në rast se plotëson këtë kusht, Bibla do të njihet nga hierarkia katolike. Ky udhëzim thotë se në përkthimet katolike «emri i Perëndisë së Plotfuqishëm në formën e tetragramit hebraik (JHWH)» duhet përkthyer në «çdo gjuhë me fjalën që përkon» me Dominus, «Hyj» ose «Zot», siç bëhet edhe në botimin e dytë të Nova Vulgatës—megjithëse në botimin e parë u përdor «Iahveh.» *
[Shënimi]
^ par. 29 Shih artikullin «Vatikani përpiqet të eliminojë përdorimin e emrit të Perëndisë» në faqen 30.
[Figura në faqen 22]
Përkthimi i Biblës në latinisht nga Alkuini, 800 i e.s.
[Burimi]
Nga Paléographìe latine, nga F. Steffens (www.archivi.beniculturali.it)
[Figurat në faqen 22]
Vulgata sikstino-klementine, 1592
[Figurat në faqen 23]
Dalja 3:15, Nova Vulgata, 1979
[Burimi]
© 2008 Libreria Editrice Vaticana