A e dini?
A e dini?
A u rrethua ndonjëherë Jerusalemi me hunj të mprehtë, siç kishte parathënë Jezui?
Në profecinë e tij për shkatërrimin e Jerusalemit, Jezui tha për atë qytet: «Për ty do të vijnë ditët kur armiqtë do të ngrenë përreth teje një fortifikatë me hunj të mprehtë, do të të rrethojnë dhe do të të shkaktojnë vuajtje nga çdo anë.» (Luka 19:43) Fjalët e Jezuit dolën të vërteta në vitin 70 të e.s., kur romakët, nën komandën e Titit, ngritën përreth qytetit një fortifikatë ose gardh me hunj. Synimi i Titit ishte i trefishtë: të mos i linte judenjtë të iknin, t’i shtynte të dorëzoheshin dhe t’i bënte të vuanin urie që të nënshtroheshin.
Sipas Jozef Flavit, historian i shekullit të parë, pasi u mor vendimi për të ndërtuar këtë gardh me hunj, shumë legjione dhe njësi më të vogla të ushtrisë romake bënë garë me njëri-tjetrin se kush do ta mbaronte i pari pjesën e gardhit që i ishte caktuar. Gjithë zonën përreth qytetit, deri rreth 16 kilometra larg, e zhveshën nga pemët, dhe për ndërtimin e gardhit me hunj, i cili ishte rreth 7 kilometra i gjatë, u deshën vetëm tri ditë. Pas kësaj, thotë Jozefi, «të gjitha shpresat për t’u arratisur nga qyteti u prenë për judenjtë». Si pasojë e urisë dhe e vrasjeve midis grupeve të ndryshme të armatosura brenda qytetit, Jerusalemi ra në duart e romakëve rreth pesë muaj më vonë.
A ndërtoi vërtet mbreti Hezekia një tunel në Jerusalem?
Hezekia ishte mbret i Judës në fund të shekullit të tetë p.e.s. Kjo ishte një periudhë konfliktesh me fuqinë e madhe asiriane. Bibla thotë se ai bëri shumë për të mbrojtur Jerusalemin dhe për t’i siguruar rezerva uji. Midis veprave që ndërmori, ishte ndërtimi i një tuneli ose kanali 533 metra të gjatë, për të sjellë ujë burimi në qytet.—2 Mbretërve 20:20; 2 Kronikave 32:1-7, 30.
Në shekullin e 19-të, u zbulua pikërisht një tunel i tillë. Ai u bë i njohur si tuneli i Hezekisë ose tuneli i Siloamit. Brenda tunelit u gjet një mbishkrim që përshkruante fazat e fundit të gërmimit të tunelit. Forma e shkronjave të këtij mbishkrimi bën që shumica e studiuesve ta datojnë atë që nga koha e Hezekisë. Por, para dhjetë vjetësh, disa sugjeruan se tuneli u ndërtua rreth 500 vjet më vonë. Në vitin 2003, një ekip shkencëtarësh izraelitë botuan rezultatet e kërkimit të tyre që kishte si qëllim të përcaktonte një datë të besueshme për tunelin. Në cilin përfundim arritën?
Dr. Amos Framkini, nga Universiteti Hebraik i Jerusalemit, thotë: «Testet me karbonin-14 që kryem mbi materialin organik brenda suvasë së tunelit të Siloamit dhe metoda e datimit uranium-torium e stalaktiteve të gjendura në tunel, tregojnë përfundimisht se ai i përket kohës së Hezekisë.» Një artikull në revistën shkencore Nature shton: «Tri linjat e pavarura të dëshmive—datimi radiometrik, paleografia dhe dokumentimet historike—përputhen të gjitha dhe na çojnë aty rreth vitit 700 p.e.s. Si rrjedhim, tuneli i Siloamit përbën strukturën me datimin më të saktë deri tani nga gjithë strukturat e Epokës së Hekurit të përmendura në Bibël.»