Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Pse njerëzit thonë «amin» në fund të lutjes?

Fjala «amin» ose «amen», qoftë në shqip, qoftë në greqisht, është një transliterim i fjalës hebraike ʼamén. Kjo fjalë, që zakonisht thuhet njëzëri kur bëhet një lutje, betim, bekim ose mallkim, në thelb do të thotë «ashtu qoftë» ose «sigurisht». Ajo thuhet për të treguar se dëgjuesit janë dakord me ndjenjat dhe mendimet që janë shprehur. Sipas një vepre referimi, «fjala nënkupton siguri, vërtetësi, besueshmëri dhe mungesë dyshimi». Gjithashtu, në kohët biblike, kur dikush e thoshte këtë fjalë në lidhje me një betim ose besëlidhje, e pranonte atë ligjërisht bashkë me pasojat që do të vinin po të mos e përmbushte.—Ligji i përtërirë 27:15-26.

Në predikimin dhe mësimdhënien e tij, Jezui u parapriu disa prej deklaratave të tij me fjalën «amin». Duke bërë kështu, theksoi besueshmërinë absolute të asaj që do të thoshte. Në këto raste, fjala greke amén përkthehet «vërtet». (Mateu 5:18; 6:2, 5) Në të gjitha rastet kur del në Ungjillin e Gjonit fjala «amin», Jezui e përsëriti nga dy herë, duke theksuar kështu edhe më shumë vërtetësinë dhe besueshmërinë e asaj që tha. Përdorimi në këtë mënyrë i fjalës amin nga Jezui, nuk gjendet askund tjetër në Bibël ose në çdo literaturë tjetër fetare.

Në Shkrimet e Krishtere Greke, titulli «Amini» përdoret për Jezuin për të treguar se dëshmia e tij është ‘e besueshme dhe e vërtetë’.—Zbulesa 3:14.

Çfarë ishin Urimi dhe Thumimi?

Me sa duket, Urimi dhe Thumimi përdoreshin në Izraelin e lashtë për të dalluar vullnetin e Jehovait në çështjet që përfshinin kombin ose prijësit e tij. Këto objekte i besoheshin kryepriftit dhe mbaheshin brenda «copës së gjykimit që vendosej para kraharorit». (Dalja 28:15, 16, 30) Ndonëse Shkrimet në asnjë rast nuk i kanë përshkruar këto objekte ose mënyrën e saktë të përdorimit, nga disa vargje duket se ato përdoreshin si short. Nga hedhja e këtij shorti përgjigjja mund të ishte po, jo ose mund të mos merrej asnjë përgjigje nga Perëndia.

Një shembull i kësaj ishte kur Davidi i kërkoi Abiatarit t’i sillte efodin e kryepriftit ku ishin Urimi dhe Thumimi. Davidi i bëri Jehovait dy pyetje: ‘A do të më ndjekë Sauli? A do të më dorëzojnë në duart e tij pronarët e tokës së Kejlahut?’ Për të dyja pyetjet përgjigjja ishte po, dhe kjo i dha mundësi Davidit të merrte vendimet e duhura.—1 Samuelit 23:6-12.

Më përpara mbreti Saul e kishte përdorur Urimin dhe Thumimin për të përcaktuar, së pari, nëse fajin e kishte populli apo ai e Jonatani dhe, së dyti, nëse fajtor ishte ai apo i biri. (1 Samuelit 14:40-42) Më vonë, kur Sauli e humbi miratimin e Perëndisë, Perëndia nuk i dha më drejtim «as me anë të ëndrrave, as me anë të Urimit dhe as me anë të profetëve».—1 Samuelit 28:6.

Sipas judenjve, Urimi dhe Thumimi nuk u përdorën më që kur u shkatërrua tempulli i Jehovait në vitin 607 p.e.s

[Figura në faqen 27]

«Amini», Zbulesa 3:14. Kodiku Aleksandrin, shekulli i 5-të i e.s.