Ajo veproi me maturi
Imitoni besimin e tyre
Ajo veproi me maturi
ABIGAILA e pa panikun në sytë e djaloshit. Ai ishte i tmerruar, e me të drejtë. U kanosej një rrezik i madh. Tamam në ato çaste, nja 400 luftëtarë ishin rrugës për atje, të vendosur që të vritnin çdo mashkull në shtëpinë e Nabalit, burrit të saj. Pse?
Gjithçka e kishte nisur Nabali. Si gjithnjë ishte treguar i pashpirt dhe arrogant. Por kësaj radhe kishte fyer njeriun e gabuar, komandantin e një grupi luftëtarësh mjaft të zotë që e donin dhe i qëndronin besnikë. Kështu, një nga shërbëtorët e Nabalit, mbase një bari, erdhi te Abigaila me shpresë që ajo të sajonte diçka që t’u shpëtonte kokën. Por, ç’mund të bënte një grua përballë një ushtrie?
Së pari, le të njihemi pak më mirë me këtë grua të rrallë. Kush ishte Abigaila? Si lindi kjo situatë kritike? Ç’na mëson shembulli i saj i besimit?
«Mjaft e matur dhe e hijshme»
Abigaila dhe Nabali nuk ishin për njëri-tjetrin. Nabali s’kish ku gjente grua më të mirë, kurse Abigaila s’kish ku gjente burrë më të keq. Ky njeri kishte para. Kështu, e mbante veten për shumë të rëndësishëm, por si e shihnin të tjerët? Zor se gjejmë ndonjë personazh biblik për të cilin flitet me fjalë kaq përçmuese. Vetë emri i tij do të thotë «i pamend» ose «budalla». A ishte ky emri që i vunë prindërit qysh kur lindi apo ishte një epitet që ia ngjitën më vonë? Sido që të jetë, ai emër i shkonte për shtat. Nabali kishte «sjellje të ashpër dhe të keqe». Prepotent dhe pijanec siç ishte, shumë veta ia kishin frikën dhe s’e duronin dot.—1 Samuelit 25:2, 3, 17, 21, 25.
Abigaila ndryshonte me të si nata me ditën. Emri i saj do të thoshte «Ati im është gëzuar». Shumë baballarë janë krenarë kur kanë një vajzë të bukur, por etërit e mençur janë shumë më të lumtur kur shohin që fëmija i tyre është i bukur nga brenda. Zakonisht, ai njeri që e ka dhuratë bukurinë, nuk arrin të kuptojë nevojën për të kultivuar cilësi të tilla si maturia, mençuria, guximi dhe besimi. Por s’ishte kështu me Abigailën. Bibla thotë se ajo «ishte mjaft e matur dhe e hijshme».—1 Samuelit 25:3.
Sot disa mund të pyesin përse një vajzë kaq e zgjuar ishte martuar me një burrë kaq të pavlerë? Mbani parasysh se në kohët biblike shumë martesa ujdiseshin nga prindërit. Edhe nëse ndodhte ndryshe, prapëseprapë pëlqimi i prindërve kishte mjaft peshë. Mos vallë prindërit e Abigailës e kishin dhënë pëlqimin, madje e kishin ujdisur vetë këtë martesë, ngaqë u kishte bërë përshtypje pasuria dhe rëndësia e Nabalit? Mos kishte ndikuar varfëria? Sido që të ketë qenë, paratë nuk e bënë Nabalin bashkëshort të mirë.
Prindërit e mençur u mësojnë me kujdes fëmijëve një pikëpamje dinjitoze për martesën. Ata as nuk i nxitin fëmijët të martohen për para dhe as nuk i shtyjnë të nisin një lidhje ndërsa janë tepër të rinj për të marrë mbi supe rolin dhe përgjegjësitë e një të rrituri. (1 Korintasve 7:36) Gjithsesi, ishte tepër vonë që Abigaila të mendonte për këto gjëra. Cilado qoftë arsyeja, ajo ishte martuar me Nabalin dhe ishte e vendosur të bënte më të mirën në një situatë të vështirë.
«Ai iu hakërrua atyre»
Nabali sapo e kishte futur Abigailën në një situatë aq të vështirë sa s’ka. Njeriu që ai ofendoi ishte vetë Davidi. Ky ishte shërbëtori besnik i Jehovait, të cilin profeti Samuel e kishte mirosur, duke treguar kështu se Perëndia kishte zgjedhur Davidin për ta pasuar Saulin si mbret. (1 Samuelit 16:1, 2, 11-13) Për shkak të Saulit, mbretit vrasës e xheloz, Davidi kishte marrë arratinë dhe jetonte në shkretëtirë bashkë me 600 luftëtarët e tij besnikë.
Nabali jetonte në Maon, por punonte aty afër në Karmel, e ka shumë të ngjarë të ishte pronar tokash atje. * Këto qytete kishin vende të larta me bar, të mira për dhentë, dhe Nabali kishte 3.000 kokë dhen. Ndërkohë, rreth e rrotull vendi ishte i shkretë. Në jug shtrihej shkretëtira e paanë e Paranit. Në lindje, rruga drejt Detit të Kripur kalonte përmes tokave djerrë plot lugina të thella e guva. Në këto vise Davidi dhe njerëzit e tij luftonin për mbijetesë, pa dyshim teksa merreshin me gjueti për të siguruar ushqim dhe kalonin lloj-lloj peripecish. Ata i takonin shpesh të rinjtë që punonin si barinj te pasaniku Nabal.
Si i trajtonin barinjtë këta ushtarë kaq punëtorë? Do ta kishin kollaj që hera-herës ta përlanin ndonjë dele, por as që bëhej fjalë. Përkundrazi, ata ishin si një mur mbrojtës rreth kopesë dhe shërbëtorëve të Nabalit. (1 Samuelit 25:15, 16) Bagëtia dhe barinjtë hasnin një mal rreziqesh. Asokohe grabitqarët ishin me shumicë. Veç kësaj, kufiri jugor i Izraelit ishte afër, kështu që bandat e kusarëve dhe të hajdutëve sulmonin një e dy. *
Duhet të ketë qenë goxha përgjegjësi të ushqeje gjithë ata burra në shkretëtirë. Prandaj një ditë Davidi dërgoi dhjetë korrierë për t’i kërkuar ndihmë Nabalit. Me mençuri Davidi zgjodhi momentin e duhur. Ishte koha festive e qethjes së deleve, kur bujaria dhe gostitë ishin zakon. Davidi zgjodhi me kujdes edhe fjalët, duke iu drejtuar me shprehje plot mirësjellje. Madje e quajti veten ‘biri yt, Davidi’, mbase si respekt për moshën e Nabalit. Si u përgjigj Nabali?—1 Samuelit 25:5-8.
Ai u xhindos. Djaloshi i përmendur në fillim ia përshkroi kështu skenën Abigailës: «Ai iu hakërrye atyre.» Nabali koprrac u qa me zë të lartë për bukën e tij të shtrenjtë, për ujin dhe mishin e therur. Ai u tall me Davidin duke e quajtur njeri dosido dhe e krahasoi me një shërbëtor që ia mbath nga zotëria i vet. Pikëpamja e Nabalit mund të ketë qenë si ajo e Saulit që e urrente Davidin. Asnjëri prej tyre nuk kishte pikëpamjen e Jehovait. Perëndia e donte Davidin dhe nuk e shihte si skllav rebel, por si mbretin e ardhshëm të Izraelit.—1 Samuelit 25:10, 11, 14.
Kur emisarët e Davidit i thanë përgjigjen, atij iu ndez gjaku. «Secili të ngjeshë shpatën e vet!»—urdhëroi ai. Pasi rroku edhe vetë armët, Davidi u priu 400 prej njerëzve të tij që 1 Samuelit 25:12, 13, 21, 22) Tërbimi i Davidit ishte i kuptueshëm, por mënyra si e shprehu ishte e gabuar. Bibla thotë: «Zemërimi i njeriut nuk sjell drejtësinë e Perëndisë.» (Jakovi 1:20) Por, si mund t’i shpëtonte Abigaila njerëzit e shtëpisë së vet?
të sulmonin. Ai u betua se do të shfaroste çdo mashkull të shtëpisë së Nabalit. («Bekuar qoftë gjykimi yt i shëndoshë!»
Në njëfarë kuptimi, tashmë e kemi parë Abigailën të bëjë hapin e parë për ta ndrequr këtë padrejtësi të tmerrshme. Ndryshe nga i shoqi, Nabali, ajo ishte e gatshme të dëgjonte. Shërbëtori i ri tha për Nabalin: «Është kaq i pavlerë, sa është e kotë t’i flasësh.» * (1 Samuelit 25:17) Mjerisht, rëndësia që i jepte vetes bëri që Nabali të mos denjonte të dëgjonte. Një arrogancë të tillë e kemi shpesh para syve edhe sot. Por i riu e dinte se Abigaila ishte ndryshe e, pa dyshim, prandaj ia parashtroi asaj problemin.
Abigaila mendoi dhe veproi pa humbur kohë. «Menjëherë Abigaila nxitoi»,—lexojmë. Në këtë tregim, Bibla përmend disa herë se Abigaila veproi pa humbur kohë ose ‘nxitoi’. Ajo përgatiti një dhuratë bujare për Davidin dhe njerëzit e tij. Vuri bukë, verë, dele, drithë të pjekur, kuleç prej rrushi të thatë dhe bukëfiqe. Është e qartë se Abigaila e dinte mirë çfarë kishte dhe i kryente më së miri detyrat e saj në shtëpi, si bashkëshortja e zonjë që u përshkrua më vonë në librin e Proverbave. (Proverbat 31:10-31) Ajo i dërgoi ushqimet përpara me disa nga shërbëtorët e saj, pastaj i ndoqi e vetme. «Por burrit të saj, Nabalit, nuk i tregoi gjë»,—lexojmë në Bibël.—1 Samuelit 25:18, 19.
A do të thotë kjo se Abigaila po rebelohej ndaj kryesisë që i takonte të shoqit? Aspak. Nabali ishte treguar i lig me shërbëtorin e mirosur të Jehovait, një veprim që kishte mjaft të ngjarë t’u sillte vdekjen shumë pjesëtarëve të pafajshëm të shtëpisë së Nabalit. Nëse Abigaila do të kishte ndenjur duarkryq, a mund të bëhej bashkëfajtore me të shoqin? Sido që të ishte, ajo duhej t’i nënshtrohej në radhë të parë Perëndisë, pastaj të shoqit.
S’kaloi shumë dhe Abigaila takoi Davidin me njerëzit e tij. Sërish nxitoi, por kësaj here të zbriste nga gomari dhe të përulej para Davidit. (1 Samuelit 25:20, 23) Pastaj ia zbrazi zemrën plotësisht Davidit dhe i bëri një përgjërim mjaft prekës që t’u tregohej mëshirë të shoqit dhe shtëpisë së saj. Pse fjalët e saj patën efekt?
Ajo mori përsipër përgjegjësinë për problemin që kishte lindur dhe i kërkoi Davidit ta falte atë vetë. Me realizëm pranoi se i shoqi ishte i pamend, siç kishte edhe emrin, e ndoshta po i linte të kuptonte Davidit se do të ulte veten po të ndëshkonte një njeri të tillë. Ajo shprehu besimin e saj te Davidi si përfaqësues i Jehovait, duke pranuar se ai po bënte «luftërat e Jehovait». Gjithashtu tregoi se e dinte premtimin e Jehovait për Davidin dhe çështjen e mbretërimit, pasi tha: «Jehovai . . . do të të ngarkojë detyrën si prijës i Izraelit.» Më tej, e nxiti Davidin të mos bënte diçka që 1 Samuelit 25:24-31) Sa fjalë mirëdashëse e prekëse!
do ta ngarkonte me faj gjaku ose që më vonë mund të bëhej ‘shkak për t’iu marrë këmbët’, siç duket, e kishte fjalën për një ndërgjegje të vrarë. (Si u përgjigj Davidi? Ai e pranoi dhuratën e Abigailës dhe tha: «Bekuar qoftë Jehovai, Perëndia i Izraelit, që të ka dërguar sot të më dalësh përpara! Bekuar qoftë gjykimi yt i shëndoshë dhe bekuar qofsh ti që nuk më le sot të bëhesha me faj gjaku!» Davidi e lavdëroi atë që ishte treguar trime dhe që kishte nxituar ta takonte. Gjithashtu pranoi se ajo nuk e kishte lënë të merrte mbi vete faj gjaku. «Ngjitu në paqe në shtëpinë tënde,—tha ai dhe shtoi me përulësi.—Unë e dëgjova zërin tënd.»—1 Samuelit 25:32-35.
«Ja tek e keni skllaven tuaj»
Pasi ata u nisën, Abigaila s’kish si të mos mendonte për atë takim dhe patjetër i kishte rënë në sy kontrasti mes Davidit plot besim e të sjellshëm dhe njeriut brutal me të cilin ishte martuar. Por nuk u end nëpër ato mendime. Më tej lexojmë: «Më vonë Abigaila vajti te Nabali.» Po, ajo u kthye tek i shoqi, më se e vendosur për të përmbushur rolin e saj si bashkëshorte, sa më mirë që të mundej. Duhej t’i tregonte për dhuratën që i kishte bërë Davidit dhe njerëzve të tij. Ai kishte të drejtë ta dinte. Duhej t’i tregonte edhe për rrezikun që kishte parandaluar, para se ai ta merrte vesh nga dikush tjetër e të turpërohej më shumë. Por s’mund t’ia thoshte tani. Ai po festonte si mbret dhe ishte bërë xurxull.—1 Samuelit 25:36.
Përsëri tregoi guxim e maturi dhe priti deri në mëngjes kur t’i dilte vera. Ai do të ishte mjaft i kthjellët sa ta kuptonte, por edhe më i rrezikshëm për shkak të natyrës së tij. Prapëseprapë ajo iu afrua dhe i tregoi fill e për pe. Natyrisht, priste që ai të shpërthente tërë furi, mbase me dhunë. Por, ai s’lëvizi vendit.—1 Samuelit 25:37.
Ç’i kishte ndodhur atij njeriu? «Atij sa s’i pushoi zemra dhe u bë si gur.» Mbase i ra ndonjë iktus. Gjithsesi, i erdhi fundi pas dhjetë ditësh, e jo për arsye krejtësisht mjekësore. «Jehovai e goditi Nabalin, kështu që ai vdiq.» (1 Samuelit 25:38) Me atë ekzekutim të drejtë mori fund makthi i gjatë i martesës së Abigailës. Ndonëse Jehovai nuk ndërhyn duke ekzekutuar dikë me anë të mrekullive, ky tregim na kujton mirë se atij nuk i shpëton pa vënë re asnjë rast i tiranisë ose i abuzimit në familje. Në kohën e duhur sipas tij, do të vendosë gjithnjë drejtësi.
Përveçse u çlirua nga një martesë e keqe, Abigailën e priste një bekim tjetër. Kur Davidi mori vesh vdekjen e Nabalit, dërgoi njerëz që t’i propozonte Abigailës për martesë. «Ja tek e keni skllaven tuaj,—u përgjigj ajo,—si shërbyese për t’u larë këmbët shërbëtorëve të zotërisë tim.» Duket qartë se perspektiva që do të bëhej gruaja e Davidit nuk ia rriti mendjen; madje ishte gati të bëhej shërbëtore e shërbëtorëve të tij! Prapë lexojmë se ajo nxitoi, por kësaj radhe të bëhej gati që të shkonte te Davidi.—1 Samuelit 25:39-42.
Kjo s’do të thotë se jeta e Abigailës me Davidin do të shkonte vaj. Davidi tashmë ishte martuar me Ahinoamin dhe sigurisht që poligamia paraqiste sfida të veçanta për gratë besimplote të asaj kohe. * Veç kësaj, Davidi nuk ishte bërë ende mbret; do të kalonte pengesa e vështirësi para se t’i shërbente Jehovait në atë pozitë. Por teksa e ndihmonte dhe e mbështeste Davidin gjatë jetës, e më vonë i lindi edhe një djalë, ajo kuptonte se kishte një bashkëshort që e çmonte dhe e mbronte. Madje një herë ai e shpëtoi nga rrëmbyesit. (1 Samuelit 30:1-19) Në këtë mënyrë Davidi imitoi Perëndinë Jehova që i do dhe i vlerëson gra të tilla të matura, të guximshme e besimplote.
[Shënimet]
^ par. 13 Ky nuk ishte i famshmi mali i Karmelit tutje në veri, por një qytet pranë shkretëtirës së Paranit.
^ par. 14 Davidi duhet të ketë menduar se mbrojtja e pronarëve vendës të tokave dhe e kopeve të tyre ishte një shërbim për Perëndinë Jehova. Asokohe ishte qëllimi i Jehovait që pasardhësit e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit të banonin në ato troje. Pra, mbrojtja e tyre nga pushtuesit e huaj dhe bandat e kusarëve ishte një formë e shërbimit të shenjtë.
^ par. 19 Shprehja që përdori djaloshi do të thotë fjalë për fjalë «bir i belialit (i pavlefshmërisë)». Përkthime të tjera të Biblës, në këtë fjali përfshijnë përshkrimin që i bëhet Nabalit si njeri që «nuk dëgjon askënd» dhe përfundimin se «nuk ia vlen të flasësh me të».
^ par. 30 Shih artikullin «A e miraton Perëndia poligaminë?» në faqen 30.
[Figura në faqen 19]
Ndryshe nga i shoqi, Abigaila ishte dëgjuese e mirë
[Figura në faqen 20]
Abigaila tregoi përulësi, guxim dhe gjykim të shëndoshë kur foli me Davidin