A e lejon Perëndinë të të flasë çdo ditë?
SA SHPESH shihesh në pasqyrë? Shumica prej nesh shihen çdo ditë—ndoshta disa herë në ditë. Pse? Sepse na intereson paraqitja jonë.
Leximi i Biblës mund të krahasohet me shikimin e vetes në pasqyrë. (Jakovi 1:23-25) Mesazhi i Fjalës së Perëndisë ka fuqinë të na ndihmojë të shohim veten siç jemi në të vërtetë. Ai «depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën». (Hebrenjve 4:12) Me fjalë të tjera, ndan atë që duket nga jashtë, nga ajo që jemi vërtet përbrenda. Ashtu si pasqyra, na tregon ku kemi nevojë për t’u rregulluar.
Bibla jo vetëm zbulon se ku duhen bërë rregullime, por edhe na ndihmon t’i bëjmë ato. Apostulli Pavël shkroi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi.» (2 Timoteut 3:16, 17) Vër re se nga katër dobitë që theksohen, tri prej tyre—qortimi, ndreqja dhe disiplinimi—përfshijnë rregullime në qëndrimin dhe në veprimet tona. Nëse kemi nevojë të shihemi rregullisht në pasqyrë për t’u siguruar që paraqitja jonë është e pranueshme, sa më shumë duhet të lexojmë rregullisht Fjalën e Perëndisë, Biblën.
Kur e caktoi Josiun udhëheqës të kombit të Izraelit, Perëndia Jehova i tha: «Ky libër i ligjit të mos ndahet nga goja jote. Lexoje nën zë ditë e natë, që të veprosh me kujdes në përputhje me atë që është shkruar aty, sepse atëherë do të kesh sukses në udhën tënde, atëherë do të veprosh me mençuri.» (Josiu 1:8) Po, që të kishte sukses, Josiu duhej të lexonte Fjalën e Perëndisë «ditë e natë», pra rregullisht.
Po kështu, psalmi i parë thekson dobitë e leximit të rregullt të Biblës kur thotë: «Lum njeriu që nuk ndjek këshillat e të ligjve, që nuk ndalet në udhën e mëkatarëve dhe nuk ulet në vendin ku ulen tallësit, por që gjen kënaqësi në ligjin e Jehovait, dhe e lexon nën zë ditë e natë. Ai do të bëhet si një pemë e mbjellë pranë vijave të ujit, që jep fryt në stinën e vet, që nuk i thahen gjethet dhe i shkon mbarë çdo gjë që bën.» (Psalmi 1:1-3) Sigurisht, ne duam të jemi si ky njeri.
Shumë njerëz e kanë zakon të përditshëm leximin e Biblës. Kur e pyetën një të krishterë pse lexon Biblën çdo ditë, ai u përgjigj: «Nëse i lutem vazhdimisht Perëndisë gjatë
ditës dhe pres që të më dëgjojë, pse nuk duhet ta dëgjoj edhe unë Perëndinë duke lexuar Fjalën e tij çdo ditë? Në qoftë se duam të jemi miq të mirë, pse duhet të flasim vetëm ne?» Ai ka të drejtë. Të lexojmë Biblën është si të dëgjojmë Perëndinë, sepse kështu mësojmë pikëpamjen e tij për çështje të ndryshme.Si të përballosh sfidën
Ndoshta je përpjekur tashmë të fillosh një program për leximin e Biblës. A e ke lexuar Biblën nga fillimi në fund? Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për ta njohur më mirë përmbajtjen e saj. Megjithatë, disa kanë nisur shumë herë të lexojnë të gjithë Biblën, por më pas e kanë ndërprerë programin e tyre. A të ka ndodhur edhe ty? Ç’mund të bësh për të arritur synimin që ta lexosh të gjithë Biblën? A mund të provosh dy sugjerimet vijuese?
Programo leximin e Biblës në rutinën tënde të përditshme. Zgjidh një moment çdo ditë kur ke më shumë mundësi të lexosh Biblën. Gjithashtu, ki një plan rezervë. Nëse për ndonjë arsye nuk mund ta lexosh Biblën në momentin tënd të preferuar, zgjidh një kohë tjetër në mënyrë që të mos lësh asnjë ditë pa lexuar Fjalën e Perëndisë. Kështu do të imitosh shembullin e bereasve të lashtë. Për ta thuhet: «E pranuan fjalën me etje të madhe, dhe çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet, për të parë nëse ato gjëra ishin ashtu.»—Veprat 17:11.
Ki në mendje një qëllim specifik. Për shembull, nëse lexon nga tre deri në pesë kapituj çdo ditë, mund ta lexosh të gjithë Biblën vetëm në një vit. Tabelat në faqet vijuese tregojnë se si mund të bëhet kjo. Pse të mos vendosësh ta provosh këtë program? Poshtë kolonës me titull «Data», shkruaj datën se kur do të lexosh çdo grup kapitujsh. Pastaj, vër një shenjë në kutinë përkatëse të grupeve të kapitujve që ke lexuar. Kështu do të mund të dish si po ecën me leximin.
Pasi e ke lexuar të gjithë Biblën, mos u ndal. Mund të përdorësh të njëjtin program për të lexuar të gjithë Biblën çdo vit, ndoshta duke filluar çdo herë nga një kategori e ndryshme. Ose, nëse të pëlqen ta lexosh Biblën me një ritëm më të ngadaltë, mund ta lexosh për dy ose tri ditë çdonjërin nga grupet e kapitujve.
Çdo herë që lexon Biblën, do të gjesh gjëra të reja që zbatohen për jetën tënde—gjëra që nuk i kishe vërejtur më parë. Pse? «Skena e kësaj bote po ndryshon» e po ashtu edhe jeta e rrethanat tona ndryshojnë vazhdimisht. (1 Korintasve 7:31) Prandaj, ji i vendosur të shihesh çdo ditë në pasqyrën e Fjalës së Perëndisë, në Bibël. Në këtë mënyrë do të jesh i sigurt se po e lejon Perëndinë të të flasë çdo ditë.—Psalmi 16:8.