A është varfëria shenjë e mosmiratimit të Perëndisë?
A është varfëria shenjë e mosmiratimit të Perëndisë?
PERËNDIA u tha izraelitëve në lashtësi: «Askush nuk do të jetë i varfër mes jush.» Arsyeja ishte sepse në Ligjin që u dha atyre, kishte urdhërime për t’u kujdesur për të varfrit, e madje edhe për faljen e borxheve. (Ligji i përtërirë 15:1-4, 7-10) Prandaj, nuk duhet të ketë pasur të varfër mes izraelitëve, pasi Jehovai premtoi se do t’i bekonte. Megjithatë, ky bekim varej nga bindja ndaj Ligjit, të cilit izraelitët nuk iu bindën.
Por, kjo nuk do të thoshte se ata që kishin pak nga ana materiale, nuk kishin miratimin e Perëndisë, siç nuk do të thoshte se ata që kishin shumë, ishin medoemos të bekuar prej tij. Mjaft shërbëtorë besnikë të Perëndisë ishin të varfër. Profeti Amos ishte bari delesh dhe punëtor sezonal i varfër. (Amosi 1:1; 7:14) Kur Izraelin e goditi një zi buke në ditët e profetit Elija, këtij iu desh të mbështetej në mikpritjen e një vejushe të varfër. Falë një mrekullie, sasia e paktë e miellit dhe e vajit që ajo kishte, nuk u pakësua gjatë zisë. As Elija, as vejusha nuk u bënë të pasur; Jehovai u siguroi vetëm nevojat bazë.—1 Mbretërve 17:8-16.
Ngjarjet e paparashikuara mund t’i zhytin njerëzit në varfëri. Aksidentet dhe sëmundjet mund ta bëjnë dikë të paaftë për punë përkohësisht ose përgjithmonë. Dhe, vdekja mund të lërë pas jetimë dhe vejusha. As këto situata të vështira nuk janë shenjë e mosmiratimit të Perëndisë. Tregimi për Naomin dhe Ruthën është një shembull prekës i kujdesit të dashur të Jehovait për nevojtarët. Edhe pse Naomi dhe Rutha kishin ngelur të varfra nga vdekja e burrave të tyre, Perëndia Jehova i bekoi dhe mori masa për t’u plotësuar nevojat.—Rutha 1:1-6; 2:2-12; 4:13-17.
Qartë pra, varfëria nuk është shenjë e mosmiratimit të Perëndisë. Ata që janë besnikë ndaj Perëndisë Jehova mund të kenë besim te fjalët e mbretit David: «Isha i ri dhe u plaka, por s’kam parë asnjë të drejtë të braktisur, dhe as pasardhësit e tij të lypin bukë.»—Psalmi 37:25.
[Figura në faqen 8]
Megjithëse Naomi dhe Rutha ishin të varfra, Perëndia i bekoi dhe u kujdes me dashuri për to