Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një Gjykatës që vendos në bazë të drejtësisë

Një Gjykatës që vendos në bazë të drejtësisë

Afrojuni Perëndisë

Një Gjykatës që vendos në bazë të drejtësisë

Numrat 20:2-13

GJYKATËSIT njerëzorë mund të japin dënime të padrejta ose tepër të ashpra, por Perëndia Jehova nuk vepron kështu, pasi ai «e do drejtësinë». (Psalmi 37:28) Megjithëse i durueshëm, ai nuk është tepër i butë. Vendos në bazë të drejtësisë. Shikoni se si veproi në një rast grindjeje e rebelimi të dokumentuar te kapitulli 20 i Numrave.

Nga fundi i udhëtimit në shkretëtirë, izraelitët kishin nevojë për ujë. * Ata filluan të grindeshin me Moisiun dhe Aaronin, duke u thënë: «Pse e keni sjellë kongregacionin e Jehovait në këtë shkretëtirë? Që të vdesim ne dhe kafshët tona të barrës?» (Vargu 4) U ankuan se shkretëtira ishte një ‘vend i keq’ ku nuk kishte «fiq, hardhi dhe shegë», tamam ato fruta që kishin sjellë vite më parë vëzhguesit izraelitë nga Toka e Premtuar. Gjithashtu, u ankuan se nuk kishte «as ujë për të pirë». (Vargu 5; Numrat 13:23) Me fjalë të tjera, po ua vinin fajin Moisiut dhe Aaronit që shkretëtira nuk ishte si toka e begatë ku nuk kishte dashur të hynte brezi i mëparshëm i murmuritësve.

Jehovai nuk i braktisi këta murmuritës. Përkundrazi, e udhëzoi Moisiun të bënte tri gjëra: të merrte shkopin e tij, të mblidhte izraelitët dhe ‘para syve të tyre t’i fliste shkrepit që ai të nxirrte ujë’. (Vargu 8) Moisiu iu bind dy udhëzimeve të para, kurse të tretit jo. Në vend që t’i fliste shkëmbit duke pasur besim te Jehovai, ai i foli popullit me indinjatë: «Dëgjoni, tani, o rebelë! A të nxjerrim ujë nga ky shkrep për ju?» (Vargu 10; Psalmi 106:32, 33) Pastaj Moisiu e goditi dy herë shkëmbin dhe «nga ai filloi të dilte shumë ujë».​—Vargu 11.

Kështu, Moisiu dhe Aaroni kryen një mëkat të rëndë. «Ju ngritët krye kundër urdhrit tim»,​—u tha Perëndia. (Numrat 20:24) Duke shkuar kundër urdhrit të Perëndisë në këtë rast, Moisiu dhe Aaroni u bënë edhe vetë rebelë, siç e akuzuan popullin. Gjykimi i Perëndisë ishte i qartë: Moisiu dhe Aaroni nuk do t’u prinin izraelitëve për në Tokën e Premtuar. A ishte shumë i ashpër ky vendim? Jo, për një sërë arsyesh.

Së pari, Perëndia nuk e kishte udhëzuar Moisiun as t’i fliste popullit e as ta gjykonte si rebel. Së dyti, Moisiu dhe Aaroni nuk i dhanë lavdi Perëndisë. Perëndia tha se ‘nuk e shenjtëruan’. (Vargu 12) Kur tha «të nxjerrim ujë», Moisiu foli sikur atë mrekulli po e bënin ai dhe Aaroni, jo Perëndia. Së treti, vendimi ishte në përputhje me gjykimet që Perëndia kishte dhënë në të kaluarën. Kur brezi i mëparshëm ishte rebeluar, Ai ia kishte mohuar hyrjen në Kanaan, e po njësoj veproi edhe me Moisiun e Aaronin. (Numrat 14:22, 23) Së katërti, Moisiu dhe Aaroni ishin udhëheqës të Izraelit. Atyre që Perëndia u beson shumë përgjegjësi, u kërkon më shumë.​—Luka 12:48.

Jehovai gjithnjë vendos në bazë të drejtësisë. Ai e do drejtësinë, prandaj e ka krejt të pamundur të japë dënime të padrejta. Sigurisht, një Gjykatës i tillë meriton besimin dhe respektin tonë.

[Shënimi]

^ par. 2 Pas Daljes nga Egjipti, izraelitët ishin gati për të hyrë në Kanaan, në tokën që Perëndia i kishte premtuar Abrahamit. Por kur dhjetë vëzhguesit u thanë fjalë të këqija për atë vend, populli murmuriti kundër Moisiut. Prandaj, Jehovai dekretoi se ata duhej të kalonin 40 vjet në shkretëtirë​—aq kohë sa i gjithë ai brez rebelësh të vdiste.