Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë kërkon Jehovai nga ne?

Çfarë kërkon Jehovai nga ne?

Afrojuni Perëndisë

Çfarë kërkon Jehovai nga ne?

Ligji i përtërirë 10:12, 13

TË BINDESH a të mos bindesh! Vendimi nuk është gjithnjë i lehtë. Kur një njeri është i ashpër ose tepër kërkues ndaj atyre që ka në varësi, do t’i binden nga zori, pa dëshirë. Kurse Perëndisë Jehova, adhuruesit e tij i binden me dëshirë. Përse? Për t’u përgjigjur, të shqyrtojmë fjalët e Moisiut që i gjejmë te Ligji i përtërirë 10:12, 13. *

Ndërsa përmblidhte kërkesat e Perëndisë, Moisiu bëri një pyetje interesante: «Çfarë po kërkon nga ti Jehovai, Perëndia yt?» (Vargu 12) Perëndia ka të drejtë të kërkojë nga ne ç’të dojë. Në fund të fundit, ai është Zotëria Sovran, Burimi dhe Mbështetësi i jetës. (Psalmi 36:9; Isaia 33:22) Jehovai ka çdo të drejtë të kërkojë bindje nga ne. E megjithatë, ai nuk do bindje me detyrim. Çfarë kërkon nga ne? Të jemi «të bindur nga zemra».​—Romakëve 6:17.

Ç’mund të na nxitë t’i bindemi me dëshirë Perëndisë? Moisiu përmend një faktor: ‘Frikësoju Jehovait, Perëndisë tënd.’ * (Vargu 12) Kjo nuk është një frikë e sëmurë nga pasojat e këqija, por një nderim i shëndetshëm dhe i thellë për Perëndinë e për udhët e tij. Nëse jemi plot me nderim të thellë për Perëndinë, nuk do të duam ta zhgënjejmë.

Por, cila duhet të jetë arsyeja kryesore pse i bindemi Perëndisë? Moisiu thotë: ‘Duaje dhe shërbeji Jehovait, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt.’ (Vargu 12) Dashuria për Perëndinë nuk është vetëm një ndjenjë. Një vepër referimi shpjegon: «Fjalët hebraike për ndjenjat, nganjëherë u referohen edhe veprimeve që vijnë prej tyre.» E njëjta vepër thotë se, të duash Perëndinë do të thotë «të sillesh me dashuri» ndaj tij. Me fjalë të tjera, po ta duam vërtet Perëndinë, do të sillemi në mënyra që e dimë se i pëlqejnë.​—Proverbat 27:11.

Deri në ç’pikë duhet t’i bindemi Perëndisë? Moisiu thotë: ‘Ec në tërë udhët e [Perëndisë].’ (Vargu 12) Jehovai do që të bëjmë çdo gjë që na kërkon. Mos vallë kjo bindje e plotë është në dëm të interesave tona? Kjo do të ishte e pamundur.

Bindja jonë me dëshirë do të na sjellë bekime. Moisiu shkruan: ‘Mbaj për të mirën tënde urdhërimet që po të jap sot.’ (Vargu 13) Po, çdo urdhërim i Jehovait, çdo gjë që kërkon nga ne, është për të mirën tonë. E si mund të jetë ndryshe? «Perëndia është dashuri»,​—thotë Bibla. (1 Gjonit 4:8) Prandaj, ka dhënë vetëm urdhërime që do të shërbejnë për mirëqenien tonë të përhershme. (Isaia 48:17) Nëse bëjmë çdo gjë që na kërkon Jehovai, do t’i kursejmë vetes shumë zhgënjime tani dhe do të kemi bekime të pafundme në të ardhmen, nën sundimin e Mbretërisë së tij. *

Të bindesh a të mos bindesh! Kur bëhet fjalë për atë që kërkon Jehovai nga ne, ka vetëm një zgjedhje të mençur. Bindja e plotë e me dëshirë është gjithmonë gjëja më e mirë. Kjo rrugë besnike na afron përherë e më shumë me Jehovain, Perëndinë e dashur që ka gjithnjë për zemër të mirën tonë.

[Shënimet]

^ par. 1 Ndonëse këto fjalë Moisiu i tha për Izraelin e lashtë, në parim zbatohen për të gjithë ata që duan t’i pëlqejnë Perëndisë sot.​—Romakëve 15:4.

^ par. 3 Gjatë gjithë librit të Ligjit të përtërirë, Moisiu thekson se frika nga Perëndia duhet të jetë parim drejtues në jetën e shërbëtorëve të Tij.​—Ligji i përtërirë 4:10; 6:13, 24; 8:6; 13:4; 31:12, 13.

^ par. 6 Për më shumë informacione, shih kapitullin 3, «Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?», në librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.