Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A i ndihmojnë dot të vdekurit të gjallët?

A i ndihmojnë dot të vdekurit të gjallët?

A i ndihmojnë dot të vdekurit të gjallët?

TAMBA, * një i ri në Afrikën Perëndimore, ishte në prag të një provimi në shkollë. E ëma ngulte këmbë se, që të kishte sukses, duhej t’u kërkonte ndihmë të afërmve të vdekur. Në Palermo të Sicilisë, turistët vizitojnë katakombet ku ekspozohen qindra kufoma të ruajtura me kujdes. Disa besojnë se këto mumie u sigurojnë mbrojtje hyjnore të gjallëve. Në Shqipëri, shumë veta shkojnë në «vende të mira», ku janë varrosur njerëz të cilët i mbajnë për të shenjtë, që të kërkojnë ndihmën e tyre. Me shpresën që të shërohen nga sëmundjet, të bëhen me fëmijë a për diçka tjetër, ata flenë në këto vende, bëjnë kurbane ose hedhin para.

Anembanë globit, ende besojnë se të vdekurit mund t’i ndihmojnë të gjallët. Po ju si mendoni? Mbase ju kanë mësuar një bindje të tillë ose keni lidhje të ngushta me persona që e kanë për zemër këtë bindje. Është krejt e natyrshme të na marrë malli për njerëzit e dashur që na i ka rrëmbyer vdekja. Mediumet premtojnë se e plotësojnë këtë nevojë. Një mediume e cituar në revistën Time, tha se bota e shpirtrave «është gjithnjë gati po t’i kërkosh ndihmë». A është e vërtetë? A i ndihmojnë dot të vdekurit të gjallët? Përgjigjja e qartë e Biblës mund t’ju habitë.

A jetojnë diku të vdekurit?

Bibla shpjegon me fjalë të thjeshta gjendjen e të vdekurve. Vëreni ç’thuhet tek Eklisiastiu 9:5: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» A është e mundur që të vdekurit të kenë ndjenja? Vargu 6 përgjigjet: «Dashuria, urrejtja dhe xhelozia e tyre tashmë kanë marrë fund dhe nuk kanë më asnjë pjesë në asgjë që ka për t’u bërë nën diell.» Gjithashtu vëreni se në vargun 10 të të njëjtit kapitull thuhet se «nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Sheol, në vendin ku po shkon». Fjala hebreje Sheol, e përdorur këtu, do të thotë «varri i përbashkët i njerëzimit». Është interesante se Hades, fjala korresponduese greke, përdoret në Shkrime për të treguar ku shkoi Jezu Krishti për njëfarë kohe pas vdekjes.—Veprat 2:31.

Jezui ndihmoi shumë njerëz kur ishte gjallë, por e dinte se do të vdiste. A mendonte që t’i ndihmonte njerëzit edhe kur të ishte në varr? Jo. Ai e krahasoi vdekjen që kishte në prag, me natën, kur puna do të ishte e pamundur. (Gjoni 9:4) Jezui e dinte mirë se, kur njerëzve u shuhet jeta, ‘vdekja i bën të pafuqishëm’.—Isaia 26:14.

Jezui përdori edhe një krahasim që nxirrte në pah një ide të ngjashme për vdekjen. Kur vdiq miku i tij Lazari, Jezui e krahasoi vdekjen me gjumin. (Gjoni 11:11-13) Ne nuk presim që një njeri në gjumë të na ndihmojë, apo jo? Kur njeriu fle, është i pavetëdijshëm dhe s’mund t’i bëjë mirë askujt.

A jeton shpirti pas vdekjes?

Shumë njerëz kanë mësuar se shpirti është diçka e padukshme që jeton pas vdekjes. Bibla flet ndryshe. Libri i parë i Biblës, Zanafilla, na tregon se çfarë është shpirti. Te Zanafilla 2:7 thuhet se, kur u krijua, njeriu i parë «u bë një shpirt i gjallë». Njeriu, si një i tërë, është shpirt; edhe kafshët janë shpirtra. (Zanafilla 1:20-25) Pra, logjikisht, kur njeriu ose kafsha vdes, shpirti vdes. Bibla e vërteton këtë.—Ezekieli 18:4.

Megjithatë, disa mund të pyesin: «Po si shpjegohen gjithë ato histori për njerëz që kanë kontaktuar me të vdekurit, u kanë dëgjuar zërin, madje i kanë parë?» Këto histori janë të përhapura në shumë pjesë të botës. Ato i mbushin me shpresë të afërmit a miqtë e ngushtë të të ndjerit dhe nxitin shumë veta të kërkojnë një medium që pretendon se mund t’i lidhë me të vdekurit.

A janë të vërteta këto histori? Nëse po, a nuk do të binin ndesh me pohimet e mësipërme të bazuara në Bibël? Krishti Jezu tha se Fjala e Perëndisë është e vërteta. (Gjoni 17:17) E vërteta nuk bie në kundërshtim me veten. Faktikisht, në Bibël tregohet qartë si duhet t’i shohim pohimet se të vdekurit mund t’i ndihmojnë të gjallët. Bibla na tregon për dikë që u orvat të merrte ndihmë nga të vdekurit. Një lexim i kujdesshëm i këtij tregimi na zbulon të vërtetën.

Një mbret u kërkon ndihmë të vdekurve

Në një fushëbetejë të Izraelit Verior, mbreti Saul dhe forcat e tij u përballën me një ushtri të frikshme filistine. Kur Sauli pa kampin e filistinëve, «filloi t’i dridhej zemra shumë». Në këtë kohë të mbretërimit të tij, Sauli e kishte braktisur adhurimin e vërtetë. Si pasojë Jehovai nuk ia dëgjonte më lutjet për ndihmë. Kujt do t’i kërkonte ndihmë Sauli? Samueli, profeti i Perëndisë, kishte vdekur.—1 Samuelit 28:3, 5, 6.

Sauli kërkoi drejtim nga një mediume në En-Dor. Ai iu lut mediumes ‘ta ngrinte Samuelin’ nga të vdekurit. Ajo bëri që të shfaqej figura e Samuelit. Ky «Samuel» i tha Saulit se filistinët do t’i mundnin dhe ai bashkë me bijtë e tij do të vdisnin në betejë. (1 Samuelit 28:7-19) A ishte vërtet Samueli i ngritur nga të vdekurit?

Mendoni për këtë. Bibla thotë se, kur vdes, njeriu «kthehet prapë në dhé» e ‘mendimet e tij marrin fund’. (Psalmi 146:4) Sauli dhe Samueli e dinin se Perëndia e dënonte komunikimin me mediumet. Vetë Sauli, më parë kishte marrë drejtimin për spastrimin e vendit nga praktikat spiritiste.—Levitiku 19:31.

Arsyetoni për këtë çështje. Nëse Samueli besnik do të ishte ende gjallë si shpirt, a do ta shkelte ligjin e Perëndisë duke bashkëpunuar me një mediume që të takonte Saulin? Jehovai nuk kishte pranuar të fliste me Saulin. Pra, a mundej një mediume të detyronte Perëndinë e Plotfuqishëm të komunikonte me Saulin nëpërmjet Samuelit të vdekur? Jo. Është e qartë se ky «Samuel» nuk ishte ndonjë formë e profetit besnik të Perëndisë. Ai ishte një frymë, një demon i lig, që bënte gjoja si Samueli.

Demonët janë engjëj që u rebeluan kundër autoritetit të Perëndisë në fillimet e historisë së njerëzimit. (Zanafilla 6:1-4; Juda 6) Ata i vëzhgojnë njerëzit kur janë gjallë; dinë si fliste çdokush, si vepronte dhe ç’pamje kishte. Ata duan të përhapin me çdo kusht mendimin se fjalët e Biblës nuk janë të vërteta. S’është habi që Bibla na paralajmëron të mos kemi asnjë lidhje me këto forca frymore. (Ligji i përtërirë 18:10-12) Këto frymëra të liga janë në veprim edhe sot e kësaj dite.

Tani e kuptojmë pse shumë veta thonë se «dëgjojnë» ose «shohin» njerëzit e dashur që u kanë vdekur. Ndonëse këto shfaqje të njerëzve të vdekur nganjëherë mund të duken si gjëra të mira, frymërat e liga janë të vendosura të mashtrojnë njerëzit. (Efesianëve 6:12) Mendoni edhe për këtë: Jehovai është një Perëndi i dashur që interesohet për ne. Nëse të vdekurit do të ishin gjallë diku dhe mund t’u vinin në ndihmë miqve dhe familjarëve, a do ta ndalonte Krijuesi ynë i dashur komunikimin me ta dhe ta quante «të pështirë»? Sigurisht që jo. (Ligji i përtërirë 18:12; 1 Pjetrit 5:7) Epo atëherë, a ka ndonjë burim të besueshëm ku të drejtohemi për ndihmë?

Ndihmë e vërtetë për të gjallët dhe për të vdekurit

Nga sa thamë më sipër, kuptojmë se të vdekurit nuk kanë fuqi të ndihmojnë të gjallët. Për më tepër, orvatjet për t’u kërkuar ndihmë të vdekurve jo vetëm që nuk sjellin dobi, por janë tejet të rrezikshme, pasi shkelin ligjin e Perëndisë dhe na vënë në rrezikun e ndikimit demonik.

Bibla na tregon se ku ta gjejmë ndihmën më të mirë. Ajo na drejton te Krijuesi ynë, Jehovai. Ai mund të na çlirojë nga vetë vdekja. (Psalmi 33:19, 20) Ai na ndihmon që sot. Na jep shpresë të vërtetë, jo si shpresat e rreme që vijnë nga mediumet.

Tamba, i përmendur në hyrje të artikullit, e provoi vetë ndryshimin mes shpresave të rreme që japin mediumet dhe së vërtetës që na vë përpara Jehovai. Mediumet i thanë se, po të mos u bënte kurban paraardhësve të vdekur, do të ngelte në provim. Tamba kishte filluar të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ai kishte mësuar në ç’gjendje janë vërtet të vdekurit dhe nga cili burim i lig vijnë ata që shtiren sikur janë paraardhësit e vdekur. Me gjithë presionin e madh të nënës që t’i kërkonte ndihmë një mediumi, Tamba nuk pranoi dhe i tha: «Po s’e mora provimin, do të përgatitem më mirë vitin tjetër.»

Ç’ndodhi? Doli i pari në provim. E ëma u mrekullua, e humbi besimin te mediumet dhe as nuk i zuri më në gojë kurbanet për të vdekurit. Tamba mësoi se Jehovai na paralajmëron të mos u «drejtohemi të vdekurve për të gjallët». (Isaia 8:19) Studimi i Biblës i dha Tambës sigurinë se, po të gjente kënaqësi në ligjin e Jehovait, do t’i shkonte mbarë.—Psalmi 1:1-3.

Po për njerëzit e dashur që na kanë vdekur? A ka ndonjë shpresë për ta? Jehovai na ndihmon jo vetëm ne që jetojmë, por ka premtuar t’i ndihmojë edhe ata që janë në varr. Pasi përshkroi sa të pafuqishëm janë të vdekurit, vini re çfarë shpalli profeti Isaia në kapitullin 26, vargu 19: «Të vdekurit e tu do të jetojnë. . . . Zgjohuni dhe lëshoni britma të gëzuara, ju që banoni në pluhur!» Më tej profecia thotë se «ata që vdekja i ka bërë të pafuqishëm» do të jetojnë sërish.

Imagjinoni! Ata miliarda njerëz që flenë në varre do të kthehen në jetë! Bibla na zbulon se Jehovai ka mall dhe dëshiron t’u japë jetë të vdekurve. (Jobi 14:14, 15) A tingëllojnë të pabesueshme këto premtime? Jezu Krishti ishte kaq i sigurt se kjo shpresë do të bëhet realitet, saqë tha se të vdekurit tashmë janë të gjallë në sytë e Jehovait.—Luka 20:37, 38.

A dëshironi ta keni këtë shpresë? * Vazhdoni të merrni njohuri të saktë nga Bibla. Teksa studioni, do të bindeni se Jehovai mund t’i ndihmojë të gjallët dhe të vdekurit dhe se premtimet e tij janë «të besueshme dhe të vërteta».—Zbulesa 21:4, 5.

[Shënimet]

^ par. 2 Emri është ndryshuar.

^ par. 26 Për më shumë informacione rreth premtimit të Biblës për ringjalljen, shih kapitullin 7 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 19]

Është krejt e natyrshme të na marrë malli për njerëzit e dashur që na i ka rrëmbyer vdekja

[Figura në faqen 20]

A u ngrit nga të vdekurit dhe a komunikoi me mbretin Saul profeti Samuel?