Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

ÇFARË e nxiti një anëtar të lëvizjes fetare rastafariane të priste gërshetat dhe t’i mposhtte paragjykimet kundër të bardhëve? Pse ndryshoi një i ri që mblidhte para për shpërndarësit e drogës? Ja çfarë thonë ata.

«Arrita deri aty sa të mposhtja paragjykimet.»​—HAFENI DAMA

MOSHA: 34 vjeç

VENDI I LINDJES: ZAMBIE

MË PARË: RASTAFARIAN

E KALUARA IME: Linda në një kamp refugjatësh në Zambie. Nëna ia kishte mbathur nga Namibia në kohë lufte dhe ishte futur në radhët e Organizatës Popullore të Afrikës Jugperëndimore (SVAPO). Kjo organizatë luftonte kundër regjimit të Afrikës së Jugut që sundonte atëherë në Namibi.

Jetova në disa kampe refugjatësh 15 vitet e para të jetës. Të rinjtë e kampeve të SVAPO-s edukoheshin që të çonin përpara lëvizjen për liri. Na brumosnin politikisht dhe na mësonin të urrenim të bardhët.

Kur isha 11 vjeç, doja të më deklaronin si të krishterë në një kishë të kampit që ishte një përzierje katolikësh, luteranësh, anglikanësh etj. Pastori me të cilin fola ma preu hovin. Që prej asaj dite u bëra ateist. Megjithatë, në moshën 15-vjeçare, dashuria për muzikën rege dhe dëshira për të çuar në vend disa padrejtësi që vuanin zezakët afrikanë, më shtynë të hyja në radhët e lëvizjes fetare rastafariane. I rrita flokët dhe i bëra me gërsheta, pija marihuanë, nuk haja më mish dhe përkrahja çështjen e lirisë së zezakëve. Gjithsesi, nuk hoqa dorë nga jeta imorale, nga filmat e dhunshëm dhe as nga i foluri banal.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Në vitin 1995, kur isha rreth 20 vjeç, fillova të mendoja seriozisht për rrjedhën që duhej të merrte jeta ime. Studioja të gjitha botimet rastafariane që arrija të gjeja. Disa përdornin vargje biblike, por shpjegimet më dukeshin pa kuptim. Prandaj vendosa ta lexoja vetë Biblën.

Më vonë, një shok rastafarian më dha një libër të vogël për të studiuar Biblën, të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. E studiova vetë librin, duke përdorur Biblën. Pas ca kohësh, takova Dëshmitarët e Jehovait dhe e vazhdova me ta studimin e Biblës.

Me shumë përpjekje lashë duhanin dhe pijen. (2 Korintasve 7:1) Fillova të kujdesesha për pastërtinë dhe paraqitjen e jashtme, preva gërshetat, hoqa dorë nga pornografia, filmat e dhunshëm dhe gjuha banale. (Efesianëve 5:3, 4) Si përfundim, arrita deri aty sa të mposhtja paragjykimet për të bardhët. (Veprat 10:34, 35) Ndryshimet kërkonin të hiqja dorë edhe nga muzika që nxiste racizmin dhe të pritja lidhjet me shokët që mundoheshin të më mbushnin mendjen t’i kthehesha rrugës së vjetër.

Pasi bëra këto ndryshime, kërkova Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait dhe u thashë se doja të bashkohesha me ta. Kur vendosa të pagëzohesha si Dëshmitar i Jehovait, familja nuk ishte dakord. Nëna më tha të zgjidhja çfarëdo feje «të krishterë», vetëm Dëshmitarët e Jehovait jo. Njëri nga fisi i nënës, që ishte me pozitë në qeveri, më kritikonte vazhdimisht ngaqë doja të bëhesha Dëshmitar.

Megjithatë, njohuria për mënyrën si i trajtonte Jezui njerëzit dhe zbatimi i këshillave të tij, më ndihmoi të duroja kundërshtimin dhe talljet. Kur e krahasoja çka më mësonin Dëshmitarët me atë që thoshte Bibla, bindesha se kisha gjetur fenë e vërtetë. Për shembull, ata ndjekin urdhrin biblik për t’u predikuar të tjerëve. (Mateu 28:19, 20; Veprat 15:14) Veç kësaj nuk përzihen me politikën.—Psalmi 146:3, 4; Gjoni 15:17, 18.

DOBITË: Përpjekjet për të jetuar sipas normave biblike më kanë sjellë dobi konkrete. Për shembull, ngaqë lashë marihuanën, kam kursyer qindra dollarë të hedhur poshtë çdo muaj. Nuk kam më halucinacione dhe jam më mirë mendërisht dhe fizikisht.

Sot jeta ime ka drejtimin dhe qëllimin që kam dëshiruar plot zjarr qysh kur isha fare i ri. Çka është më e rëndësishmja, tani ndiej se ia kam dalë t’i afrohem Perëndisë.—Jakovi 4:8.

«Kam mësuar të mbaj nën kontroll zemërimin.»​—MARTINO PEDRETI

MOSHA: 43 vjeç

VENDI I LINDJES: AUSTRALI

MË PARË: SHPËRNDARËS DROGE

E KALUARA IME: Kur isha i vogël, familja ime transferohej shpesh. Jetova në qytete të vogla, në një qytet të madh e për njëfarë kohe në një fshat aborigjenësh në brendësi të Australisë ku kishte misionarë protestantë. Kam kujtime të bukura nga koha që kalova me kushërinjtë dhe dajat: peshkonim, gjuanim, dhe gdhendnim objekte tradicionale vendëse.

Babai ishte boksier dhe më mësoi të ndeshesha kur isha njomëzak. Dhuna m’u bë mënyrë jetese. Në adoleshencë kaloja shumë kohë duke pirë klubeve. Bashkë me shokët kërkonim raste për përleshje. Përdornim thika dhe shkopa bejzbolli për të sulmuar grupe me 20 veta a më tepër.

Fitoja para duke shitur drogë dhe artikuj që i vidhnin punëtorët e skelës. Mblidhja edhe paratë që njerëzit ua kishin borxh shpërndarësve të drogës, duke i kërcënuar me pushkë dhe pistoleta. Synimi im ishte të bëhesha vrasës. Motoja ime ishte: «O vrit, o të vranë.»

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Kur isha adoleshent, kisha dëgjuar për Dëshmitarët e Jehovait. Në fillim të të 20-ave, mbaj mend që e pyeta mamanë mos njihte ndonjë. Pas dy ditësh, një Dëshmitar me emrin Dikson trokiti në derën time. Pasi folëm ca, më ftoi në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait. Shkova në mbledhje dhe kam më shumë se 20 vjet që i ndjek ato. Dëshmitarët më dhanë përgjigje nga Bibla për çdo pyetje që kisha.

U kënaqa kur mësova se Jehovai interesohet për secilin individualisht, edhe për të paperëndishmit. (2 Pjetrit 3:9) Mësova se ai është një Atë i dashur që do të kujdesej për mua, edhe atëherë kur s’do të kujdesej askush. Gjithashtu u lehtësova kur mësova se do të m’i falte mëkatet po të ndërroja rrugë. Vargjet biblike të Efesianëve 4:22-24 ndikuan mjaft tek unë. Ato më inkurajuan ‘të flakja tej personalitetin e vjetër’ dhe ‘të vishja personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë’.

M’u desh kohë të ndryshoja. Ia dilja të mos prekja drogën gjithë javën, por, në fundjavë, kur isha me shokët, dorëzohesha. Kuptova se duhej të largohesha nga shoqëria nëse doja të bëja jetë të pastër, prandaj e ndava mendjen të shkoja në shtet tjetër. Disa shokë donin të më shoqëronin në udhëtim dhe unë pranova. Gjatë udhëtimit filluan të pinin marihuanë dhe ma ofruan edhe mua. U thashë se po i lija ato zakone, e kështu, nga kufiri e tutje, e vazhdova vetëm udhëtimin. Më vonë mora vesh se pak kohë pas kësaj shokët e mi grabitën me armë një bankë.

DOBITË: Me t’i shkëputur lidhjet me ata farë shokësh, e pata shumë më kollaj të bëja ndryshimet e duhura. Në vitin 1989 u bëra Dëshmitar i pagëzuar. Pasi u pagëzova, motra, nëna dhe babai u bashkuan me mua në shërbim të Jehovait.

Kam 17 vjet i martuar dhe kam tre fëmijë të mrekullueshëm. Kam mësuar ta mbaj nën kontroll zemërimin, edhe kur më provokojnë. Gjithashtu, kam mësuar t’i dua njerëzit nga të gjitha ‘fiset, racat dhe gjuhët’. (Zbulesa 7:9) Fjalët e Jezuit kanë dalë të vërteta në rastin tim. Ai tha: «Nëse qëndroni në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi. Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.»—Gjoni 8:31, 32.

[Diçitura në faqen 19]

Ndryshimet kërkonin të hiqja dorë edhe nga muzika që nxiste racizmin

[Diçitura në faqen 20]

Bashkë me shokët kërkonim raste për përleshje. Përdornim thika dhe shkopa bejzbolli për të sulmuar grupe me 20 veta a më tepër