Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të kemi një familje të lumtur?

Marrëdhëniet me prindërit e bashkëshortit

Marrëdhëniet me prindërit e bashkëshortit

Xheni: * «Mamaja e Rikut s’e kishte për turp ta shprehte hapur se nuk më kishte qejf. Por edhe Riku s’e kishte më të lehtë me prindërit e mi. Ç’është e vërteta kurrë s’i kisha parë të silleshin aq vrazhdë me ndonjë. Të dyve na zinte ankthi kur shkonim te prindërit.»

Riku: «Sipas mamasë sime, askush nuk ishte i denjë për fëmijët e saj dhe që në fillim e tregoi se Xheni nuk ia mbushte syrin. Edhe prindërit e Xhenit ishin po njësoj: ku e ku të gjenin ndonjë cen tek unë. E keqja ishte se, kur na prishej qejfi në këto raste, unë dhe Xheni mbronim prindërit tanë dhe kapeshim me njëri-tjetrin.»

GRINDJET me vjehrrit mund të jenë material për komedianët, por në jetën reale nuk janë për të qeshur. «Për vite me radhë, vjehrra ndërhynte në martesën tonë,—thotë Rina nga India.—Shpesh gjithë dufin ia shfryja burrit, se nuk ia zbrazja dot së ëmës. Dukej sikur gjithnjë duhej të zgjidhte: të ishte bashkëshort i mirë apo djalë i mirë.»

Pse disa njerëz ndërhyjnë në jetën e fëmijëve të martuar? Xheni, e përmendur në hyrje, përmend një mundësi. «Mbase e kanë të vështirë të shohin dikë në moshë të re dhe pa përvojë që merr përgjegjësinë të kujdeset për djalin a vajzën e tyre.» Dilipi, i shoqi i Rinës, shkon më thellë. «Prindërit që e kanë rritur fëmijën dhe kanë sakrifikuar për të mund të ndihen sikur po mbeten në hije,—thotë ai.—Ndoshta edhe merakosen sinqerisht se mos djali a vajza nuk dinë se si ta bëjnë të lumtur martesën.»

Të jemi të sinqertë, nganjëherë bashkëshortët e ftojnë vetë vjehrrin ose vjehrrën të ndërhyjë. Për shembull, të marrim rastin e Majkëllit dhe të Lianës, një çift nga Australia. «Liana vinte nga një familje mjaft e lidhur ku çdokush fliste hapur,—thotë Majkëlli.—Prandaj, pas martese ajo këshillohej me të atin për vendime që duhet t’i merrnim ne. I ati ishte goxha i mençur, por lëndohesha që shkonte tek ai dhe jo tek unë.»

Është e qartë se problemet me vjehrrin a vjehrrën mund të sjellin stres në martesë. A të ka ndodhur edhe ty kështu? Si shkon me prindërit e bashkëshortit? Po bashkëshorti me të tutë? Të trajtojmë dy vështirësi që mund të lindin dhe ç’mund të bësh.

VËSHTIRËSIA 1:

Bashkëshorti duket tepër i lidhur me prindërit. Luisi nga Spanja thotë: «Gruas i dukej si tradhti, po të mos jetonim afër prindërve të saj. Nga ana tjetër,​—shton ai,—​kur na lindi djali, prindërit e mi vinin për vizitë thuajse çdo ditë, dhe ime shoqe stresohej. Kjo ndizte shumë grindje mes nesh.»

Çështjet që përfshihen:

Duke folur për martesën, Bibla thotë se, kur martohet, «burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm». (Zanafilla 2:24) Të jenë «një mish i vetëm» nuk do të thotë thjesht të jetojnë së bashku. Por do të thotë që burri dhe gruaja formojnë një familje të re, e cila vjen para familjeve të origjinës. (1 Korintasve 11:3) Sigurisht, edhe burri, edhe gruaja duhet t’i nderojnë prindërit, dhe shpesh kjo kërkon që t’u kushtojnë vëmendje. (Efesianëve 6:2) Po nëse vëmendja që u tregon bashkëshorti prindërve të bën të ndihesh sikur të shpërfill ose të lë pas dore?

Ç’të bësh?

Shihe situatën me sy realist. A është vërtet bashkëshorti tepër i lidhur me prindërit e vet apo ndoshta ti nuk ke të njëjtën lidhje me prindërit e tu? Po të jetë kështu, si mund të ndikojë familja ku je rritur te pikëpamja jote? Mos ndoshta ka pak xhelozi nga ana jote?​—Proverbat 14:30; 1 Korintasve 13:4; Galatasve 5:26.

Duhet një vetëshqyrtim i ndershëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të tilla. Por është e rëndësishme. Në fund të fundit, nëse problemet me vjehrrit janë vazhdimisht mollë sherri mes jush si çift, atëherë, në të vërtetë, keni një problem në martesë dhe jo një problem me vjehrrit.

Shumë probleme martesore lindin ngaqë s’ka dy bashkëshortë që t’i shohin çështjet fiks njësoj. A mund të përpiqesh t’i shohësh gjërat nga këndvështrimi i bashkëshortit? (Filipianëve 2:4; 4:5) Pikërisht kështu veproi Adriani nga Meksika. «Ambienti familjar ku ishte rritur ime shoqe kishte ndikuar për keq emocionalisht, kështu që mundohesha të mos përzihesha shumë me prindërit e saj. Si përfundim i preva fare lidhjet me ta për vite me radhë. Kjo solli konflikte në martesën tonë, sepse gruaja ende donte të ishte e lidhur me familjen, sidomos me të ëmën.»

Me kalimin e kohës, Adriani fitoi një pikëpamje të ekuilibruar për çështjen. «Ndonëse e di se tek ime shoqe ndikojnë keq emocionalisht kontaktet e shpeshta me prindërit, edhe shkëputja e lidhjeve sjell probleme. Me aq sa është e mundur, jam përpjekur të krijoj sërish dhe të mbaj marrëdhënie të mira me vjehrrit.» *

SUGJERIM: Ti dhe bashkëshorti shkruani çfarë ju shqetëson më tepër në marrëdhëniet me vjehrrit. Nëse është e mundur fillo me fjalët: «Mendoj se . . .» Pastaj, me një frymë bashkëpunimi, vritni mendjen si çift ç’të bëni për ta lehtësuar njëri-tjetrin.

VËSHTIRËSIA 2:

Prindërit e bashkëshortit ndërhyjnë vazhdimisht në martesën tënde me këshilla që nuk ua keni kërkuar. Nelia nga Kazakistani thotë: «Shtatë vitet e para të martesës i kaluam me familjen e tim shoqi. Vazhdimisht bënim fjalë për rritjen e fëmijëve dhe për gjëra të tilla si, mënyra ime e gatimit dhe e pastrimit. I flitja tim shoqi dhe vjehrrës për këto, por kjo vetëm sa e acaronte më keq gjendjen.»

Çështjet që përfshihen:

Kur martohesh, nuk je më nën autoritetin e prindërve. Bibla thotë se «kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri». (1 Korintasve 11:3) Megjithatë, siç u tha më sipër, si burri, edhe gruaja duhet t’i nderojnë prindërit. Te Proverbat 23:22 thuhet: «Dëgjoje atin tënd që të solli në jetë, dhe mos e përbuz nënën tënde vetëm se është plakur.» Po sikur prindërit e tu ose të bashkëshortit ta kalojnë kufirin dhe të mundohen ta imponojnë mendimin e tyre?

Ç’të bësh?

Me dëshirën për t’i kuptuar, përpiqu të dallosh arsyet e këtij qëndrimi që në pamje të parë duket si ndërhyrje. «Në disa raste prindërit kanë nevojë të dinë se janë ende të rëndësishëm në jetën e fëmijëve»,—thotë Riku i përmendur në fillim. Kjo ndërhyrje mund të mos jetë me dashje e, në këtë situatë, ka të ngjarë t’ia dilni mbanë duke zbatuar këshillën e Biblës: «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri.» (Kolosianëve 3:13) Po sikur ndërhyrja nga ana e vjehrrit ose vjehrrës të jetë bërë kaq e tepruar saqë të ndezë konflikte mes jush si çift?

Disa çifte kanë mësuar të vënë kufijtë e duhur me prindërit. Kjo nuk nënkupton t’u dekretoni ligjin atyre. * Shpesh, mjafton t’ua bësh të qartë me veprime se bashkëshorti është i pari në jetën tënde. Për shembull, Masajuki nga Japonia thotë: «Edhe kur prindërit shprehin opinionin e tyre, mos ji menjëherë dakord. Mbaj parasysh se po ndërton një familje të re. Pra, në fillim shih çfarë mendon bashkëshortja për këshillën.»

SUGJERIM: Fol me bashkëshortin se si ju sjell konkretisht konflikte në martesë ndërhyrja e prindërve. Së bashku shkruani çfarë kufijsh të vini dhe si do t’i respektoni këta kufij ndërkohë që nderoni edhe prindërit.

Shumë konflikte me vjehrrit mund të zbuten duke dalluar arsyet e duke mos lejuar që këto konflikte të sjellin tension mes jush si bashkëshortë. Xheni pohon për këtë: «Nganjëherë diskutimet mes meje dhe burrit për prindërit tanë, bazoheshin më shumë te ndjenjat sesa te logjika dhe dukej qartë që do të lëndoheshim shumë po të flitnim për të metat e prindërve. Megjithatë, në fund mësuam të mos i përdornim të metat e vjehrrit a vjehrrës si dajak për të sulmuar njëri-tjetrin, por të merreshim me problemin konkret. Si pasojë jemi lidhur më shumë si burrë e grua.»

^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 14 Kuptohet, nëse prindërit përfshihen në keqbërje të rënda, sidomos nëse kjo është e vazhdueshme dhe nuk pendohen, marrëdhëniet familjare tensionohen tepër dhe është e kuptueshme që do të kufizohen.​—1 Korintasve 5:11.

^ par. 19 Në disa raste mund të nevojitet një bisedë me zemër të hapur me prindërit ose vjehrrit. Bëje këtë me respekt dhe butësi.​—Proverbat 15:1; Efesianëve 4:2; Kolosianëve 3:12.

PYET VETEN . . .

  • Çfarë cilësish të mira kanë vjehrrit e mi?

  • Si t’i nderoj prindërit pa lënë pas dore bashkëshortin?