Bibla është vërtet Fjala e frymëzuar e Perëndisë
KU E kishte fjalën apostulli Pavël kur tha se Bibla është ‘e frymëzuar nga Perëndia’? (2 Timoteut 3:16) Duke shkruar në gjuhën greke, Pavli përdori një term që fjalë për fjalë do të thotë «që i ka fryrë Perëndia». Me këtë donte të thoshte se Perëndia i udhëhoqi shkrimtarët e Biblës me anë të frymës së tij të shenjtë që të shkruanin vetëm atë që Ai donte të shkruanin.
Sipas apostullit Pjetër, këta shkrimtarë të Biblës «kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të 2 Pjetrit 1:21) Prandaj, edhe apostulli Pavël mund t’i quante librat e Biblës ‘shkrime të shenjta, të cilat janë në gjendje të të bëjnë të mençur e të sjellin shpëtimin nëpërmjet besimit në Krishtin Jezu’.—2 Timoteut 3:15.
shtyrë nga fryma e shenjtë». (Shumë njerëz kundërshtojnë me forcë faktin që Perëndia është autori i Biblës. Kritikët—shpesh me «shpërfillje e përçmim ndaj tregimit të Biblës», siç shprehet arkeologu sër Çarlz Marstën,—kanë ndërmarrë sulme helmuese ndaj besueshmërisë së Biblës. Disa e nënvlerësojnë duke thënë se nuk është veçse «një përmbledhje e vjetër mitesh dhe përrallash».
Shqyrto faktet
Po atëherë, a mund të besosh te Bibla? Është e rëndësishme të marrësh një vendim të saktë për këtë çështje. Pse? Sepse, nëse është e vërtetë që Bibla përmban fjalët e vetë Perëndisë, do të ishte marrëzi, në mos vdekjeprurëse, ta shpërfillje. Po ta konsiderosh si fjalë njerëzish, ndikimi i saj në veprimet dhe bindjet e tua do të jetë shumë më i vogël, sesa po ta konsiderosh si Fjalën e Perëndisë.—1 Selanikasve 2:13.
Si të kuptosh nëse mund të kesh besim në Bibël apo jo? Po me njerëzit, si arrin të kuptosh nëse mund t’u besosh? Një gjë është e sigurt: është shumë e vështirë t’i besosh vërtet dikujt që nuk e njeh mirë. Vetëm në qoftë se gradualisht e njeh mirë, arrin të kuptosh nëse është vërtet i sinqertë dhe i besueshëm. Edhe Biblën mund ta njohësh në të njëjtën mënyrë. Mos i prano verbërisht teoritë e mbështetura në supozime, e madje në paragjykime, që minojnë besimin te Bibla. Pa u nxituar, shqyrto faktet që mbështetin pohimin e Biblës se është ‘e frymëzuar nga Perëndia’.
Sulme nga «miqtë»
Mos u spraps nga fakti që edhe disa nga ata që mbahen si «miq» të Biblës, sulmojnë
vërtetësinë dhe besueshmërinë e saj. Sot, shumica e komentuesve të Biblës, megjithëse thonë se janë të krishterë, «flasin për Shkrimet sikur të ishin vetëm një dokumentim njerëzor», siç thotë New Dictionary of Theology.Shumë teologë vënë në dyshim autorësinë e librave të Biblës. Për shembull, disa thonë se shkrimtari i librit të Isaisë nuk ishte profeti Isaia dhe se ky libër biblik u shkrua shumë kohë pasi jetoi ai. Në librin e tij Concise Bible Commentary, Laudhër Klarku tha se ky libër është «prodhim i shumë mendjeve dhe i shumë brezave». Por, këto pohime shpërfillin faktin që Jezu Krishti dhe dishepujt e tij vazhdimisht ia dhanë meritën Isaisë për shkrimin e këtij libri.—Mateu 3:3; 15:7; Luka 4:17; Gjoni 12:38-41; Romakëve 9:27, 29.
Më keq akoma, kritikë të tjerë të Biblës, si Xh. R. Dumelou, thonë se profecitë që gjenden në librin e Danielit «në të vërtetë janë ngjarje historike që tashmë kishin ndodhur, por që autori i ka maskuar si parashikime të lashta». Duke u shprehur kështu, ata përsëri shpërfillin dëshminë e vetë Jezu Krishtit. Ai paralajmëroi për atë që e quajti ‘gjëja e neveritshme që shkakton shkretim, si tha profeti Daniel, e cila qëndron në vend të shenjtë’. (Mateu 24:15) A është e arsyeshme që një i krishterë të besojë se vetë Jezu Krishti ka qenë bashkëpunëtor në një mashtrim, domethënë ka mbështetur një histori të fshehur nën petkun e një profecie? Patjetër që jo.
A ka ndonjë rëndësi të madhe?
Por ti mund të pyesësh: «A ka ndonjë rëndësi të madhe se kush i shkroi librat e Biblës?» Po, ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Sa do ta vlerësoje atë që mendohet se është vullneti ose testamenti i një miku, nëse do të merrje vesh se në fakt nuk e ka shkruar ai? Mendo sikur ekspertët të të thoshin se dokumenti është i falsifikuar, se miq që janë nisur për mirë kanë shkruar ato që mendonin ata se ishin dëshirat e tij. A nuk do t’ia ulte vlerën kjo dokumentit? A do të besoje vërtet se këto do të ishin pikërisht dëshirat e mikut tënd?
Është e njëjta gjë me Biblën. Ja pse shumë njerëz, edhe ata që thonë se janë të krishterë, mendojnë se kanë të drejtë të shpërfillin atë që thotë ajo për çështje si ndershmëria, morali e të tjera si këto. Shpesh mund të kesh dëgjuar shprehje përçmuese si: «Po kjo është te Dhiata e Vjetër!»—sikur kjo pjesë e Biblës të mos kishte shumë vlerë praktike. Dhe kjo ndodh megjithëse apostulli Pavël e përshkroi të ashtuquajturën «Dhiatë të Vjetër» si ‘shkrime të shenjta’ që ‘u frymëzuan nga Perëndia’.
«Po nuk mund t’i shpërfillim si pa të keq provat e gjithë ekspertëve dhe studiuesve»,—mund të kundërshtosh ti. Sigurisht që jo! I vlerësojmë me mirënjohje, për shembull, studimet e sinqerta që na kanë ndihmuar të identifikojmë tekstin origjinal të Biblës. Kuptohet, në tekstin e Biblës janë futur pa dashje gabime të vockla ndërsa kopjohej e rikopjohej gjatë shekujve. Por, mos harro: të dish se në Bibël janë futur pa dashje gabime të vockla, nuk është njësoj si ta shpërfillësh të gjithë Biblën me mendimin se është prodhim njerëzor.
Ruaj besimin në «shkrimet e shenjta»
Pikërisht para se të thoshte që Bibla ishte e frymëzuar nga Perëndia, Pavli i tha Timoteut përse ky dokumentim i frymëzuar ishte shumë i rëndësishëm. «Në ditët e fundit,—tha ai,—njerëzit e ligj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke mashtruar e duke u mashtruar edhe vetë.» (2 Timoteut 3:1, 13) Tashmë në ditët e Pavlit, ata që mbaheshin si ‘të mençur dhe të zgjuar’ po përdornin «argumente mbushamendëse» për të çoroditur njerëzit dhe për t’u dobësuar besimin te Jezu Krishti. (1 Korintasve 1:18, 19; Kolosianëve 2:4, 8) Si mbrojtje ndaj ndikimit të tyre, apostulli Pavël e nxiti Timoteun ‘të vazhdonte në gjërat që kishte mësuar që nga foshnjëria nëpërmjet shkrimeve të shenjta’ që kishte dhënë Perëndia.—2 Timoteut 3:14, 15.
Po kaq e rëndësishme është që edhe ti të veprosh njësoj në këto ‘ditë të fundit’. Mos e nënvlerëso rrezikun e mashtrimeve nga ato që shpesh janë «argumente [shumë] mbushamendëse» të paraqitura nga njerëz mjaft të zgjuar. Përkundrazi, ashtu si të krishterët e shekullit të parë, mbrohu duke u mbështetur plotësisht në atë që mëson nga faqet e Biblës, Fjalës vërtet të frymëzuar nga Perëndia.
Dëshmitarët e Jehovait mund të të ndihmojnë me kënaqësi që të kesh besim te Bibla. Për shembull, mund të të tregojnë se si parimet biblike kanë vërtetuar gjatë historisë se janë plotësisht të besueshme; se si Bibla përputhet me shkencën kur bëhet fjalë për çështje shkencore; se si është e harmonishme nga fillimi në fund; se si profecitë e saj janë përmbushur fill e për pe—e shumë e shumë të tjera. Nëse dëshiron, mos ngurro t’u shkruash botuesve të kësaj reviste. Kështu mund të marrësh informacione që kanë ndihmuar miliona njerëz me zemër të sinqertë të kuptojnë se Bibla është vërtet Fjala e Perëndisë.