Çfarë na mësoi Jezui për veten?
Çfarë na mësoi Jezui për veten?
«Jezui nuk kishte asnjë dyshim kush ishte, nga vinte, pse erdhi në tokë dhe çfarë e priste në të ardhmen.»—HERBERT LAKIERI.
PARA se t’i pranojmë dhe t’i besojmë mësimet e Jezuit, duhet të dimë diçka rreth tij. Kush ishte në të vërtetë? Nga vinte? Çfarë qëllimi kishte në jetë? Përgjigjet që mund të marrim tek Ungjijtë—Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni—janë sikur të dëgjonim vetë Jezuin.
Ai ka jetuar para se të lindte në tokë: Njëherë Jezui tha: «Para se Abrahami të vinte në jetë, unë kam qenë.» (Gjoni 8:58) Abrahami jetoi rreth 2.000 vjet para lindjes së Jezuit. Ndërsa Jezui ka jetuar edhe para këtij patriarku besnik. Po ku kishte jetuar Jezui? Ai tha se ‘zbriti nga qielli’.—Gjoni 6:38.
Njeriu më afër me Perëndinë: Jezui e quajti veten ‘Biri i vetëmlindur i Perëndisë’. (Gjoni 3:18) Pse? Në Bibël, edhe Adami quhet biri i Perëndisë sepse jeta e tij erdhi nga Perëndia, jo nga prindër njerëzorë. (Luka 3:38) Po kështu, Jezu Krishti quhet Biri i Perëndisë pasi është i vetmi që Perëndia e krijoi drejtpërdrejt. *
«Biri i njeriut»: Jezui e përdori këtë shprehje më shumë se kushdo tjetër kur i referohej vetes. (Mateu 8:20) Kështu tregoi se nuk ishte as engjëll i materializuar, as rimishërim i Perëndisë a i ndonjë krijese tjetër frymore. Përkundrazi, ai ishte njeri në kuptimin e plotë të fjalës. Me anë të frymës së shenjtë, Perëndia e transferoi jetën e Birit të tij nga qielli në tokë, duke bërë të mundur ngjizjen e tij në barkun e virgjëreshës Mari. Si rezultat, Jezui lindi si njeri i përsosur, pa mëkat.—Mateu 1: 18; Luka 1:35; Gjoni 8:46.
Mesia i premtuar: «Unë e di se po vjen Mesia»,—i tha një samaritane Jezuit. Ai iu përgjigj: «Unë që po të flas, jam ai.» (Gjoni 4:25, 26) Fjala «Mesi», ashtu si fjala «Krisht», do të thotë «i Mirosur». Jezui u miros, domethënë u caktua nga Perëndia për një rol të veçantë, që të përmbushte premtimet e Perëndisë.
Misioni i tij kryesor: Njëherë Jezui tha: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë . . . , sepse për këtë u dërgova.» (Luka 4:43) Megjithëse ai kreu shumë vepra të mira për nevojtarët, qëllimi i tij kryesor në jetë ishte predikimi për Mbretërinë e Perëndisë. Gjërat që u mësoi njerëzve për këtë Mbretëri do të shqyrtohen më vonë.
Kuptohet, Jezui nuk ishte njeri i zakonshëm. * Siç do ta shohim, jeta që bënte në qiell u dha më shumë kuptim fjalëve që tha kur ishte në tokë. A është çudi që predikoi një mesazh që do të ndikonte në jetën e miliona njerëzve anembanë botës?
[Shënimet]
^ par. 5 Për më shumë informacion, shih kutinë në faqen 20 të broshurës Udhëheqja e Perëndisë—Rruga jonë për në parajsë.
^ par. 9 Për më shumë informacion rreth Jezuit dhe rolit të tij në qëllimin e Perëndisë, shih kapitullin 4 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.