Si ta imitojmë?
Çfarë mësojmë nga Jezui
Si ta imitojmë?
Kur njerëzit besonin te Jezui, shpesh ai u thoshte: «Bëhu ithtari im.» (Mateu 9:9; 19:21) Çfarë do të thotë të jesh ithtar i Jezuit, domethënë i krishterë? Shqyrto përgjigjet e tri pyetjeve themelore.
Si duhet t’i trajtosh të tjerët?
▪ Një dishepull i Jezuit duhet të ndjekë udhëzimet e tij për mënyrën si i trajton të tjerët. Për shembull, Jezui tha: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» Po sikur dikush të ketë diçka kundër teje? Jezui tha: «Rregulloji shpejt punët me atë që ka ngritur padi kundër teje.» Gjithashtu u tha dishepujve: «Po të mos ua falni njerëzve shkeljet, as Ati juaj qiellor nuk do t’i falë shkeljet tuaja.»—Mateu 5:25; 6:15 7:12.
Të martuarve Jezui u dha këtë këshillë: «Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Mos kryej kurorëshkelje.’ Por unë po ju them se kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.» Një i krishterë i vërtetë lejon që mësimet e Jezuit t’i ndikojnë si në mendje, ashtu edhe në zemër.—Mateu 5:27, 28.
Të krishterët e vërtetë sakrifikojnë rehatinë që të ndihmojnë të tjerët. Jezui ishte njeri vetëmohues. Për shembull, gjatë një dite udhëtimi dhe predikimi tejet të lodhshëm, ai dhe dishepujt nuk kishin kohë as për të ngrënë. Prandaj Jezui i mori në barkë dishepujt dhe i çoi në një vend për të pushuar. Por njerëzit e morën vesh ku po shkonte dhe arritën atje para tij. Tregimi biblik thotë: «Kur zbriti nga barka, Jezui pa një turmë të madhe dhe, i shtyrë nga keqardhja për ta, sepse ishin si dele pa bari, nisi t’u mësonte shumë gjëra.» (Marku 6:30-34) Mund ta imitosh Jezuin duke bërë atë që kërkon Perëndia, ndonëse mund të hasësh vështirësi.
Pse duhet t’u flasësh të tjerëve për lajmin e mirë?
▪ Jezui i mësoi dishepujt t’u flitnin të tjerëve për lajmin e mirë. Ai u tha apostujve: «Shkoni dhe predikoni: ‘Mbretëria e qiejve është afruar.’» (Mateu 10:7) Dishepujt e tij kishin një mesazh me vlerë të madhe. Jezui u lut: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë.»—Gjoni 17:3.
Jezui paratha një vepër ku do të merrnin pjesë miliona ithtarë të tij. Ai tha: «Dhe ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet.» (Mateu 24:14) Nëse ke mësuar për Mbretërinë e Perëndisë dhe e beson atë që thotë Bibla, me siguri do të kënaqesh po t’u flasësh të tjerëve për atë që di. Shumë dishepuj të Jezuit fillojnë duke u folur të afërmve për Mbretërinë e Perëndisë.—Gjoni 1:40, 41.
Pse duhet të pagëzohesh?
▪ Kur Jezui u pagëzua në lumin Jordan, me sa duket u lut: «Unë kam ardhur të bëj vullnetin tënd, o Perëndi.» (Hebrenjve 10:7) Nëse do që të bësh vullnetin e Perëndisë, edhe ti duhet të pagëzohesh. Jezui urdhëroi: «Bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar.»—Mateu 28:19.
Çfarë përgjegjësish dhe dobish vijnë me pagëzimin? Dishepujt e pagëzuar të Jezuit i shërbejnë Perëndisë me gjithë shpirt. Jezui citoi Ligjin e Perëndisë që thotë: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd.» (Mateu 22:37) Gjithashtu tha: «Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten.» (Mateu 16:24) Pagëzimi simbolizon vendimin e dikujt që ta mohojë veten dhe në vend të kësaj të drejtohet nga Perëndia. Ata që kanë këtë marrëdhënie të veçantë, mund t’i kërkojnë Perëndisë faljen e mëkateve që të kenë ndërgjegje të pastër.—1 Pjetrit 3:21.
Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitullin 18, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.