Sfida e njohjes së emrit të Perëndisë
ËSHTË dikush që nuk dëshiron ta njohësh emrin e Jehovait dhe të gëzosh një marrëdhënie të ngushtë me Të. Kush është ky armik i lig? Bibla shpjegon: ‘Perëndia i kësaj bote ua ka verbuar mendjen jobesimtarëve.’ Perëndia i kësaj bote të paperëndishme është Satana Djalli. Ai dëshiron të të mbajë në errësirë, që zemra jote të mos ndriçohet «me njohurinë e lavdishme të Perëndisë». Satanai nuk dëshiron që ti të njohësh emrin e Jehovait. Por, si ua verbon mendjen Satanai njerëzve?—2 Korintasve 4:4-6.
Satanai ka përdorur fenë e rreme që t’i pengojë njerëzit të njohin emrin e Perëndisë. Për shembull, në kohët e lashta, disa judenj i shpërfillën Shkrimet e frymëzuara dhe ndoqën një traditë sipas së cilës emri i Perëndisë nuk duhej përdorur. Në shekullin e parë të erës sonë, judenjtë që lexonin para publikut Shkrimet e Shenjta, ishin udhëzuar të mos e lexonin emrin e Perëndisë ashtu siç shfaqej në to, por ta zëvendësonin me fjalën Adhonái, që do të thotë «Zotëri». Pa dyshim, kjo ndikoi shumë keq në marrëdhënien e njerëzve me Perëndinë. Shumë veta humbën dobitë që vijnë nga një marrëdhënie e ngushtë me Perëndinë. Por, ç’të themi për Jezuin? Ç’qëndrim kishte për emrin e Jehovait?
Jezui dhe dishepujt e tij e bënë të njohur emrin e Perëndisë
Jezui i tha në lutje Atit të tij: «Unë . . . kam bërë të njohur emrin tënd dhe do ta bëj të njohur.» (Gjoni 17:26) Pa dyshim, Jezui do ta ketë shqiptuar emrin e Perëndisë në shumë raste kur lexonte, citonte ose shpjegonte pjesë nga Shkrimet Hebraike që përmbanin atë emër të rëndësishëm. Kështu që do ta ketë përdorur lirshëm emrin e Perëndisë, siç bënë të gjithë profetët para tij. Nëse gjatë kohës së shërbimit të tij kishte judenj që tashmë nuk e përdornin emrin e Perëndisë, sigurisht Jezui nuk do ta ketë ndjekur traditën e tyre. Ai i kritikoi ashpër udhëheqësit fetarë kur u tha: «E keni bërë fjalën e Perëndisë të pavlefshme, për shkak të traditës suaj.»—Mateu 15:6.
Jezui la shembullin duke e bërë të njohur emrin e Perëndisë
Dishepujt besnikë vazhduan ta bënin të njohur emrin e Perëndisë pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit. (Shih kutinë «A e përdornin të krishterët e parë emrin e Perëndisë?») Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., pikërisht ditën kur u formua kongregacioni i krishterë, apostulli Pjetër duke cituar nga një profeci e Joelit, i tha një shumice judenjsh dhe prozelitësh: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.» (Veprat 2:21; Joeli 2:32) Të krishterët e hershëm ndihmuan njerëz nga shumë kombe që të njihnin emrin e Jehovait. Ja përse në një mbledhje të apostujve dhe të pleqve në Jerusalem, dishepulli Jakov tha: «Perëndia e drejtoi . . . vëmendjen nga kombet, për të nxjerrë prej tyre një popull për emrin e tij.»—Veprat 15:14.
Sidoqoftë, armiku i emrit të Perëndisë nuk u dorëzua. Kur vdiqën apostujt, Satanai nuk humbi kohë të mbillte apostazinë, domethënë të korruptonte mësimet e krishtere. (Mateu 13:38, 39; 2 Pjetrit 2:1) Për shembull, shkrimtari i ashtuquajtur i krishterë Justin Martiri lindi rreth kohës kur vdiq Gjoni, apostulli i fundit. Por, në shkrimet e tij, Justini ngulmoi në mënyrë të vazhdueshme se Siguruesi i të gjitha gjërave është një «Perëndi i cili nuk thirret me një emër të përveçëm».
Kur të krishterët apostatë bënë kopje të Shkrimeve të Krishtere Greke, nga sa duket e hoqën nga teksti emrin personal të Jehovait dhe e zëvendësuan
me Kírios fjalën greke për «Zotëri». Diçka e ngjashme ndodhi edhe me Shkrimet Hebraike. Skribët judenj apostatë, të cilët nuk e lexonin më me zë emrin e Perëndisë, e zëvendësuan atë në Shkrime me fjalën Adhonái në më shumë se 130 vende. Edhe përkthimi me influencë i Biblës në latinisht, që u përfundua nga Jeronimi në vitin 405 të e.s. dhe u quajt Vulgatë, nuk e vuri emrin personal të Perëndisë.Përpjekjet e sotme për të eliminuar emrin e Perëndisë
Sot, studiuesit e dinë se emri Jehova shfaqet rreth 7.000 herë në Bibël. Kështu, disa përkthime të përdorura gjerësisht të tilla si përkthimi katolik Bibla e Jerusalemit, përkthimi katolik Bibla latino-amerikane në spanjisht dhe versioni i përhapur Reina-Valera po në spanjisht, e përdorin gjerësisht emrin personal të Perëndisë. Disa përkthime e përkthejnë emrin e Perëndisë «Jahve».
Mjerisht shumë kisha që financojnë përkthime biblike u bëjnë presion studiuesve që të mos e futin emrin e Perëndisë në përkthimet e tyre të Biblës. Për shembull, në një letër të datës 29 qershor 2008 drejtuar presidentëve të konferencave të peshkopëve katolikë, Vatikani deklaroi: «Vitet e fundit është futur pa u ndier praktika e shqiptimit të emrit të përveçëm të Perëndisë së Izraelit.» Letra jep këtë udhëzim specifik: «Emri i Perëndisë . . . as duhet përdorur, as duhet shqiptuar.» Për më tepër, «në lidhje me përkthimin e tekstit biblik në gjuhët e sotme, . . . tetragrami hyjnor duhet të përkthehet me barasvlerësin e tij Adhonái/Kírios: ‘Zotëri’». Është e qartë se kjo direktivë e Vatikanit ka si synim të eliminojë përdorimin e emrit të Perëndisë.
Po ashtu, edhe protestantët nuk është se kanë treguar më shumë respekt për emrin e Jehovait. Një zëdhënës i përkthimit New International Version të financuar nga protestantët, botuar në anglisht në vitin 1978, shkroi: «Jehova është emri i përveçëm i Perëndisë dhe do të kishte qenë ideale ta kishim përdorur. Por ne po japim 2,25 milionë dollarë për këtë përkthim dhe një mënyrë e sigurt për t’i çuar dëm tërë këto para është të përkthesh, për shembull, Psalmin 23 si, ‘Jahveu është bariu im’.»
Për më tepër, kishat i kanë penguar latino-amerikanët që të njohin emrin e Perëndisë. Stiven Voti, një këshillues përkthimesh që punon për United Bible Societies (UBS), shkruan: «Një nga debatet e vazhdueshme në rrethet protestante latino-amerikane vërtitet rreth përdorimit të emrit Jehová . . . Është mjaft interesante se një kishë neopentekostale shumë e madhe e në rritje . . . tha se donte një botim të
Reina-Valera të vitit 1960, por pa emrin Jehová. Në vend të tij, donte fjalën Senjor [Zotëri].» Sipas Votit, në fillim UBS-ja e hodhi poshtë këtë kërkesë, por më vonë u dorëzua dhe nxori një botim të Biblës Reina-Valera «pa fjalën Jehová».Heqja e emrit të Perëndisë nga Fjala e tij e shkruar dhe zëvendësimi me termin «Zot» ose «Zotëri», i pengon lexuesit të dinë vërtet se kush është Perëndia. Një zëvendësim i tillë krijon pështjellim. Për shembull, një lexues mund të mos jetë në gjendje të kuptojë nëse termi «Zot» ose «Zotëri» i referohet Jehovait apo Birit të tij, Jezuit. Kështu, në shkrimin ku apostulli Pjetër citon Davidin që thotë: «Jehovai i tha Zotërisë tim [Jezuit të ringjallur]: ‘Ulu në të djathtën time’», në shumë përkthime të Biblës është bërë «Zoti i ka thënë Zotit tim». (Veprat 2:34, Diodati i Ri) Përveç kësaj, Dejvid Klajnsi, në esenë e tij «Jahveu dhe Perëndia i teologjisë së krishterë», thekson: «Një pasojë e mungesës së fjalës Jahve nga vetëdija e krishterë ka qenë prirja për t’u përqendruar te personi i Krishtit.» Kështu, shumë veta që shkojnë në kishë zor se e dinë që Perëndia i vërtetë të cilit Jezui i drejtonte lutjet është një Person që ka një emër—Jehova.
Satanai ka punuar shumë për t’u verbuar mendjet njerëzve në lidhje me Perëndinë. Gjithsesi, ti mund ta njohësh më nga afër Jehovain.
Ti mund ta njohësh emrin e Jehovait
Sigurisht, Satanai ka luftuar kundër emrit të Perëndisë dhe për këtë ka përdorur me mjeshtëri fenë e rreme. Mirëpo, e vërteta është se asnjë fuqi, qoftë në qiell ose në tokë, s’mund ta ndalë Zotërinë Sovran Jehova t’ua bëjë të njohur emrin atyre që duan të dinë të vërtetën për të dhe për qëllimin e lavdishëm që ka për njerëzit të cilët janë besnikë ndaj Tij.
Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të lumtur të të ndihmojnë me anë të një studimi të Biblës që të mësosh se si t’i afrohesh Perëndisë. Ata ndjekin shembullin e Jezuit, i cili i tha Perëndisë: «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd.» (Gjoni 17:26) Ndërsa shqyrton shkrimet që zbulojnë rolet e ndryshme që ka marrë përsipër Jehovai për t’i sjellë bekime njerëzimit, do të arrish të njohësh aspektet e shumta e të bukura të personalitetit të tij të madhërishëm.
Patriarku besnik Job gëzonte «miqësi të ngushtë me Perëndinë», e po kështu edhe ti mund të gëzosh një miqësi të tillë. (Jobi 29:4) Falë njohurisë nga Fjala e Perëndisë, ti mund ta njohësh vërtet emrin e Jehovait. Një njohuri e tillë do të të japë sigurinë se Jehovai do të veprojë në harmoni me domethënien e emrit të tij, që siç tha ai vetë është: «Unë do të bëhem çfarëdo që të më pëlqejë». (Dalja 3:14, përkthimi i Rotherhamit) Pra, Jehovai do t’i përmbushë me siguri të gjitha premtimet e mira që i ka bërë njerëzimit.