Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ai na nderon duke na dhënë vullnet të lirë

Ai na nderon duke na dhënë vullnet të lirë

Afrojuni Perëndisë

Ai na nderon duke na dhënë vullnet të lirë

2 MBRETËRVE 18:1-7

PRINDËRIT duhet të lënë një shembull të mirë te fëmijët e tyre. Ndikimi pozitiv i prindit te fëmija mund ta ndihmojë të zhvillojë cilësi të çmueshme dhe të bëjë zgjedhje të mençura në jetë. Mjerisht shumë prindër lënë një shembull të keq te fëmijët. A do të thotë kjo se fëmijë të tillë nuk kanë asnjë mundësi t’ia dalin mbanë në jetë? Përgjigjen e gjejmë te një e vërtetë që na jep shumë siguri: Perëndia Jehova e ka nderuar secilin prej nesh me dhuratën e vullnetit të lirë. Të shqyrtojmë rastin e Hezekisë, siç tregohet te 2 Mbretërve 18:1-7.

Hezekia ishte «biri i Akazit, mbretit të Judës». (Vargu 1) Akazi i largoi nënshtetasit e tij nga adhurimi i pastër i Jehovait. Ky mbret i lig praktikoi adhurimin e Baalit bashkë me ritet e tij të flijimit të njerëzve. Ai vrau një ose më shumë vëllezër të Hezekisë. Akazi mbylli dyert e tempullit dhe «bëri altarë në çdo cep të Jerusalemit». Ai «e fyeu Jehovain». (2 Kronikave 28:3, 24, 25) Është e qartë, Hezekia zor se do të kishte një baba më të keq. Por, a ishte e thënë që Hezekia të përsëriste gabimet e babait?

Pasi Hezekia u bë mbret, shpejt tregoi se nuk do të lejonte që shembulli i keq i babait të përcaktonte ç’lloj njeriu do të ishte. Hezekia «bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait». (Vargu 3) Tregoi besim te Jehovai dhe «nuk pati asnjë si ai ndër gjithë mbretërit e Judës». (Vargu 5) Vitin e parë të mbretërimit të tij, mbreti i ri në moshë filloi një fushatë për adhurimin e vërtetë, që çoi në heqjen e vendeve të larta ku adhuroheshin idhuj paganë. Tempulli u hap përsëri dhe adhurimi i vërtetë u rivendos. (Vargu 4; 2 Kronikave 29:1-3, 27-31) Hezekia «qëndroi i lidhur ngushtë me Jehovain dhe . . . Jehovai ishte me të».​—Vargjet 6, 7.

Çfarë e ndihmoi Hezekinë që të mos ndiqte shembullin e keq të babait? Ka mundësi që e ëma, me emrin Abi​—për të cilën nuk kemi shumë informacion—​ushtroi ndikim pozitiv tek i biri. Po shembulli i mirë i Isaisë, që filloi shërbimin si profet para se të lindte Hezekia, a ndikoi te princi i ri? * Bibla nuk e thotë këtë. Sidoqoftë, diçka është e sigurt: Hezekia zgjodhi të ndiqte një drejtim në jetë që ndryshonte si nata me ditën nga drejtimi i babait.

Shembulli i Hezekisë është inkurajues për këdo që mund të ketë përjetuar një fëmijëri të vështirë nga shembulli i keq i prindërve. E kaluara nuk mund të ndryshohet. Nuk mund t’i fshijmë përvojat e dhimbshme të së kaluarës, por nuk jemi medoemos dështakë ngaqë kemi kaluar përvoja të tilla. Zgjedhjet që bëjmë tani e tutje mund të na çojnë drejt një të ardhmeje të lumtur. Ashtu si Hezekia, mund të zgjedhim të duam dhe të adhurojmë Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Një drejtim i tillë sjell një jetë të kënaqshme tani dhe çon në jetën e përhershme në botën e re të Perëndisë. (2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:3, 4) Sa mirënjohës që duhet t’i jemi Perëndisë së dashur, i cili ka nderuar secilin prej nesh me një dhuratë shumë të çmuar​—vullnetin e lirë!

[Shënimi]

^ par. 4 Isaia nisi të profetizonte rreth vitit 778 p.e.s. deri pak kohë pas vitit 732 p.e.s., Hezekia filloi të mbretëronte në vitin 745 p.e.s, në moshën 25-vjeçare.