Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Besoni te Jehovai ai do t’ju ndihmojë vërtet

Besoni te Jehovai ai do t’ju ndihmojë vërtet

Besoni te Jehovai ai do t’ju ndihmojë vërtet

Treguar nga Edmond Shmidi

Nxitja e mësipërme më erdhi në mendje pak para se të përballesha me një gjykatë në Nju-Jork, në tetor të vitit 1943. Në moshën 25-vjeçare, tashmë kisha bërë afro katër vjet burg për shkak të asnjanësisë së krishterë. Ashtu si dishepujt e hershëm të Jezuit, isha i vendosur ‘t’i bindesha Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve’. (Veprat 5:29) Por, para se t’ju tregoj për këtë, më lejoni t’ju shpjegoj si ndodhi që besimi im te Perëndia u bë kaq i patundur.

LINDA më 23 prill 1922 në Klivlend të Ohajos, SHBA, në apartamentin tonë të vogël, sipër furrës së bukës të babait. Katër muaj më vonë, babai, Edmondi, ndoqi një kongres të Studentëve të Biblës (siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait) në Sidër-Point, pranë Sanduskit, rreth 160 kilometra larg shtëpisë sonë.

Në atë kongres delegatët u nxitën: «Lajmëroni, lajmëroni, lajmëroni Mbretin [e Perëndisë] dhe Mbretërinë e tij.» Të dielën pasuese, babai filloi të merrte pjesë në atë vepër. Ai e bëri këtë për 66 vitet e ardhshme, deri kur vdiq më 4 korrik të vitit 1988. Nëna, Maria, vdiq besnike ndaj Perëndisë në vitin 1981.

Përqafoj besimin e prindërve

Familja jonë shkonte në kongregacionin e gjuhës polake në Klivlend. Të shtunave pasdite shumë nga ne fëmijët, të shoqëruar me të rritur, predikonim lajmin e mirë nga shtëpia në shtëpi. Të dielave prindërit dëgjonin me kënaqësi një fjalim biblik në sallën kryesore ku mblidheshim. Në të njëjtën kohë, një mësues i përgatitur i Biblës drejtonte një studim biblik me rreth 30 nga ne të rinjtë duke përdorur botimin ndihmës Harpa e Perëndisë. * Shpejt po drejtoja edhe vetë studime biblike që ecnin mirë.

Në korrik të vitit 1931, familja jonë që tani përfshinte edhe vëllanë, Frankun, ndoqi një tjetër kongres të Studentëve të Biblës, që këtë herë ishte në Kolumbus, rreth 160 kilometra në jug. Ky ishte rasti kur Studentët e Biblës, me gjithë zemër, pranuan emrin e bazuar në Bibël, Dëshmitarë të Jehovait. (Isaia 43:10-12) Në atë rast mora pjesë në predikim, ku i ftova njerëzit të dëgjonin fjalimin kryesor që do të mbante Radhërfordi, i cili atëherë merrte drejtimin në veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. Për më se 79 vitet në vazhdim, jeta ime është përqendruar te shërbimi që i bëj Perëndisë Jehova përkrah popullit të tij.

Shërbim shpërblyes edhe në kohë të vështira

Në vitin 1933 Kriza e Madhe po ndihej në të gjithë botën. Në Shtetet e Bashkuara mbi 15 milionë njerëz ose çereku i forcës punëtore ishin të papunë. Qytetet falimentuan dhe qeveria nuk siguronte dot ndihmë për të moshuarit dhe të varfrit. Megjithatë, vëllezërit dhe motrat e krishtere e ndihmuan njëri-tjetrin. Të dielave, familja ime merrte bukë dhe kuleç nga furra jonë dhe e çonte në sallën ku mblidheshim që ta ndanim me të tjerët. Gjithçka që i mbetej babait pasi paguante harxhet në fund të muajit, e dërgonte në selinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. E dinte se këto para do të përdoreshin për të ndihmuar shtypjen e literaturës biblike.

Gjatë atyre viteve, transmetimi në radio luajti një rol të rëndësishëm në shërbimin tonë. Mbi 400 stacione transmetonin fjalimet biblike që mbaheshin në kongreset tona. Gjithashtu, në vitet 30, Dëshmitarët prodhuan gramafonë dhe disqe te fabrika e tyre në Bruklin. I përdornim në predikim dhe raportonim sa herë i vinim fjalimet biblike për jo Dëshmitarët e sa njerëz i dëgjonin.

Më 1933, në Gjermani erdhi në pushtet Adolf Hitleri me partinë naziste. Dëshmitarët e Jehovait atje përjetuan përndjekje të egër për shkak të asnjanësisë së krishterë. (Gjoni 15:19; 17:14) Ngaqë refuzonin të merrnin pjesë në aktivitete politike ose të thoshin përshëndetjen «Hail Hitler», një pjesë të madhe të Dëshmitarëve në Gjermani i futën në burgje ose në kampe përqendrimi. Shumë prej tyre u ekzekutuan, kurse të tjerë vdiqën nga puna e rëndë. Për shkak të trajtimit mizor, mjaft veta vdiqën pak pasi u liruan. Por shumë njerëz nuk janë në dijeni të keqtrajtimit të Dëshmitarëve në vende të tjera, përfshirë atë në Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 1940 ndoqëm një kongres në Detroit, Miçigan. Atje, më 28 korrik, u pagëzova në simbol të kushtimit tim ndaj Perëndisë Jehova. Muajin para këtij kongresi, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara kishte nxjerrë një ligj sipas të cilit kushdo që nuk përshëndeste flamurin fyente ligjin federal dhe duhej ndëshkuar me përjashtim nga shkolla. Si reaguan Dëshmitarët ndaj këtij vendimi? Shumë prej tyre hapën vetë shkolla për të arsimuar fëmijët e tyre. Këto u quajtën Shkollat e Mbretërisë.

Në Evropë, Lufta II Botërore kishte filluar në shtator të vitit 1939 dhe histeria e luftës u përhap edhe në Shtetet e Bashkuara. Dëshmitarë në moshë të re hasën ngacmime dhe rrahje nga të rinj e të rritur që nuk e kuptonin qëndrimin tonë asnjanës. U raportua se nga viti 1940 deri në vitin 1944 Dëshmitarët e Jehovait në Shtetet e Bashkuara përjetuan më shumë se 2.500 sulme nga turmat e dhunshme. Përndjekja u rrit kur japonezët sulmuan Portin e Perlave më 7 dhjetor 1941. Disa javë para kësaj ngjarjeje, kisha filluar të shërbeja si pionier, siç quhen shërbëtorët e Jehovait në kohë të plotë. Me paratë që kurseva bleva një rulotë 7 metra të gjatë për të banuar dhe disa nga ne u transferuam në Luizianë që të predikonim atje.

Përndjekje në jug

Morëm leje nga banorët vendës ta parkonim rulotën në një kopsht me pemë afër qytetit të Jeneretit. Një të shtunë vendosëm të predikonim në rrugë, por shefi i policisë thirri njerëzit e tij dhe na çoi si të burgosur në bashki. Jashtë u mblodh një turmë prej afro 200 vetash dhe policia na la të lirë drejt tyre pa ndonjë mbrojtje. Por shyqyr që turma u shpërnda dhe na la të kalonim. Ditën tjetër shkuam në Baton-Ruzh, qytet i madh aty afër, që t’u tregonim Dëshmitarëve të tjerë se ç’kishte ndodhur.

Kur u kthyem në Jeneret, në derën e rulotës gjetëm mesazhin: «Ju lutem më takoni te kampi i naftës.» Ishte nënshkruar me emrin «E. M. Von». Gjetëm zotin Von, i cili na ftoi që të hanim me të dhe të shoqen. Na tha se ai me njerëzit e tij kishin qenë në turmën e së shtunës dhe se, po të kishte qenë e nevojshme, do të na kishin mbrojtur nga turma. E vlerësuam inkurajimin dhe mbështetjen e tij.

Ditën tjetër, policë të armatosur na arrestuan dhe na konfiskuan literaturën. Morën çelësat e rulotës sime dhe më burgosën me 17 ditë izolim, ku nuk më jepnin pothuajse asgjë për të ngrënë. Zoti Von u përpoq të na ndihmonte, por pa shumë rezultat. Kur ishim të izoluar, turma na vodhi e na dogji gjithçka, edhe rulotën. Në atë kohë nuk e kuptoja se Jehovai po më përgatiste për atë që do të hasja së afërmi.

Më burgosin në veri

Një muaj pasi u ktheva në veri, u caktova si pionier special bashkë me Dëshmitarë të tjerë në Olian, Nju-Jork. Atje qeveria më kërkoi të regjistrohesha për shërbimin ushtarak dhe më klasifikoi si kundërshtar për arsye të ndërgjegjes. Por, kur bëra testin fizik dhe mendor, dokumenti im u vulos: «Kandidat për Akademinë e Stërvitjes së Oficerëve.»

Arrita të shërbeja si pionier pak a shumë për një vit. Pastaj, në vitin 1943, ngaqë nuk pranova të ndërpritja shërbimin e të paraqitesha për stërvitje ushtarake, u arrestova nga FBI-ja të cilët më udhëzuan të paraqitesha në gjyq te gjykata federale e Sirakuzës në Nju-Jork javën pasuese. Më deklaruan të pandehur dhe gjyqi im do të bëhej pas dy ditësh.

Isha avokat i vetvetes. Në mbledhjet e krishtere, ne të rinjtë, kishim marrë udhëzime si t’i mbronim të drejtat tona kushtetuese në gjykatë dhe si të silleshim atje. E kujtoja mirë këshillën që përmendet në hyrje të këtij artikulli. Madje disa prokurorë ankoheshin sepse Dëshmitarët dinin më shumë se ata për ligjet. Megjithatë, trupi gjykues më shpalli fajtor. Kur gjykatësi më pyeti nëse kisha ende diçka për të thënë, u përgjigja: «Sot kombi është në gjyq para Perëndisë për mënyrën si i trajton ata që i shërbejnë atij.»

U dënova me katër vjet në burgun federal të Çilikothit, Ohajo. Atje më caktuan të punoja si sekretar i një oficeri të burgut. Pas disa javësh, një hetues i veçantë nga Uashingtoni erdhi në zyrën tonë dhe na tha se po hetonin Hejden Kavintënin. Ai ishte avokat mbrojtës i Dëshmitarëve të Jehovait dhe njihej gjerësisht si një nga avokatët më të mirë të të drejtave kushtetuese në Amerikë.

Hetuesi tha se donte të dhënat e plota të dy të burgosurve: Deni Hartedo dhe Edmond Shmidi. «Çfarë rastësie,—tha mbikëqyrësi im,—ja zoti Shmid.» Hetuesi kishte ardhur me mision sekret, por papritur kuptoi se të gjithë ne e morëm vesh planin e tij. Pas kësaj situate më caktuan të punoja në kuzhinë.

Shërbimi si pionier, Betheli dhe martesa

Më 26 shtator 1946, më liruan me kusht, dhe kështu rifillova shërbimin si pionier, por këtë herë në kongregacionin «Parku Hajland» në Kaliforni. Më vonë, në shtator 1948, arrita synimin që kisha pasur prej kohësh. Më ftuan të shërbeja si bukëpjekës në selinë qendrore (Bethel), në Bruklin, ku prodhohet literatura biblike që përdoret në veprën tonë të predikimit anembanë botës. Menjëherë e lashë punën si shef pastiçerie në një restorant në Glendal dhe shkova në Bethel.

Shtatë vjet më vonë, në vitin 1955, nëpër Evropë do të mbaheshin disa kongrese ndërkombëtare. Familja më siguroi të ardhurat që të merrja pjesë. U kënaqa gjatë kongreseve në Londër, Paris, Romë dhe veçanërisht në Nuremberg të Gjermanisë ku ishin të pranishëm mbi 107.000 veta në stadiumin e madh ku dikur Hitleri, gjithë krenari, kishte kaluar në revistë ushtrinë e tij. Midis pjesëmarrësve në kongres kishte Dëshmitarë të cilët Hitleri ishte betuar t’i shfaroste. Sa emocionuese të ndodheshe pranë tyre!

Në kongresin e Nurembergut takova dhe u dashurova me një Dëshmitare të re gjermane, Brigita Gervinin. U martuam brenda një viti dhe u kthyem në Glendal që të jetonim afër prindërve të mi. Në vitin 1957 na lindi djali i parë, Tomi; më 1958 djali i dytë Doni dhe më 1960 na lindi vajza, Sabina.

Një jetë e kënaqshme plot kuptim

Disa më kanë pyetur nëse më ka ardhur ndonjëherë keq për kërcënimet e turmave dhe burgimet që kam kaluar ngaqë i shërbeja Perëndisë. Përkundrazi, falënderoj Jehovain që kam pasur privilegjin t’i shërbej përkrah kaq shumë shërbëtorëve të tij besnikë. Shpresoj që përvojat e mia të inkurajojnë të tjerët që t’i afrohen më shumë Perëndisë dhe të mos e braktisin kurrë atë.

Shumë shërbëtorë të Perëndisë kanë vuajtur tmerrësisht ngaqë i kanë shërbyer atij. Por, a nuk duhej të pritnim pikërisht këtë? Bibla thotë: «Në të vërtetë, të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim hyjnor në unitet me Krishtin Jezu, do t’i përndjekin.» (2 Timoteut 3:12) Megjithatë, sa të vërteta kanë dalë fjalët e Psalmit 34:19: «I drejti heq shumë të këqija, por Jehovai e çliron nga të gjitha.»

[Shënimi]

^ par. 7 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.

[Figura në faqen 27]

Duke predikuar në Luizianë në fillim të viteve 40

[Figura në faqen 29]

Duke shërbyer si bukëpjekës për personelin e selisë

[Figura në faqen 29]

Me gruan time, Brigitën