Ku e gjeti gruan Kaini?
Lexuesit pyesin . . .
Ku e gjeti gruan Kaini?
▪ «Nëse Adami dhe Eva kishin dy bij, Kainin dhe Abelin, nga erdhi gruaja e Kainit?» Megjithëse kjo pyetje tinëzare bëhet shpesh nga skeptikët biblikë, Bibla jep hollësi të mjaftueshme për një përgjigje të plotë.
Në kapitujt 3 dhe 4 të Zanafillës na jepet informacioni vijues: (1) Eva ishte «nëna e gjithë të gjallëve». (2) Koha që kaloi nga lindja e Kainit deri në kohën kur ofroi një blatim që Perëndia e refuzoi. (3) Pasi u dëbua e u bë «endacak dhe i arratisur», Kaini u shqetësua se mos ‘kushdo që e gjente’ e vriste. (4) Perëndia i vuri një shenjë Kainit për ta mbrojtur, dhe kjo tregonte se mund ta vritnin si motrat e vëllezërit, ashtu edhe të afërm të tjerë. (5) «Pastaj» Kaini pati marrëdhënie me gruan e tij në «tokën e Arratisë».—Zanafilla 3:20; 4:3, 12, 14-17.
Nga informacionet e mësipërme, mund të arrijmë në përfundimin se gruaja e Kainit ishte pasardhëse e Evës dhe e lindur në një datë të panjohur. Zanafilla 5:4 thotë se, gjatë 930 viteve të jetës, Adamit «i lindën bij e bija». Natyrisht, Bibla nuk e specifikon që gruaja e Kainit ishte bijë e Evës. Në fakt ajo përmendet shumë kohë pas dëbimit të Kainit, dhe kjo tregon se mund të ketë qenë madje një nga mbesat e Adamit dhe të Evës. Prandaj, një përkthim i dhiatës së vjetër (The Amplified Old Testament) e përshkruan gruan e Kainit thjesht si «një nga pasardhëset e Adamit».
Komentuesi biblik i shekullit të nëntëmbëdhjetë, Adam Klarku, ka spekuluar se shenja që Perëndia i vuri Kainit të frikësuar, u bë e nevojshme pasi në atë kohë ekzistonin disa breza të pasardhësve të Adamit, aq sa «të themelonin disa fshatra».
Disa shoqëri sot as e çojnë nëpër mend që Kaini të jetë martuar me motrën e vet apo me ndonjë pasardhëse të bijve ose bijave të Adamit. Në përgjithësi, ky mendim i ka rrënjët te tabutë e disa shoqërive ose te frika për defektet gjenetike. Megjithatë, LaGard-Smithi komenton në botimin Bibla e treguar sipas rendit kronologjik (anglisht): «Ka shumë mundësi që këta vëllezër e motra të parë të jenë martuar me njëri-tjetrin, edhe pse, po të ndodhte në brezat e mëvonshëm, do të ishte diçka e papërshtatshme.» Gjithashtu, vlen të përmendet se ligji që ndalonte marrëdhëniet seksuale midis të afërmve të ngushtë, nuk iu dha popullit të izraelit deri në vitin 1513 p.e.s. kur Moisiu mori ligjet e Perëndisë.—Levitiku 18:9, 17, 24.
Kanë kaluar mijëvjeçarë nga koha e përsosmërisë që kishin prindërit tanë të parë. Pasojat që faktorët gjenetikë dhe trashëgimia lënë te ne, mund të mos kenë qenë problem për ta. Për më tepër, studime të fundit, si ai në revistën Journal of Genetic Counseling, tregojnë se, ndryshe nga ç’mendohet gjerësisht, është më pak e rrezikshme të lindin fëmijë me defekte nga lidhjet midis kushërinjve të parë. Është e arsyeshme të themi se çështje të tilla nuk ishin problem serioz gjatë jetës së Adamit ose edhe para kohës së Noesë. Kështu mund të nxjerrim përfundimin se gruaja e Kainit ishte një e afërmja e tij.