Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të folurit në gjuhë të huaja a vjen nga Perëndia?

Të folurit në gjuhë të huaja a vjen nga Perëndia?

Të folurit në gjuhë të huaja a vjen nga Perëndia?

«NUK e kuptoj fare,—thotë Devoni.—Çdo javë në kishën time shumë veta duket se marrin frymën e shenjtë dhe, si të ndodhte një mrekulli, fillojnë të flasin në gjuhë të huaja. Disa prej tyre bëjnë jetë imorale. Ndërkohë, unë përpiqem të bëj një jetë të moralshme. Por, sado që të lutem, kurrë nuk e marr këtë dhuratë të frymës. Si ka mundësi?»

Edhe Gabrieli shkon në një kishë ku njerëzit duket se marrin frymën e shenjtë dhe flasin në gjuhë të huaja. Ai shpjegon: «Ajo që më bezdis vërtet është kur të tjerët m’i ndërpresin lutjet me një të folur me zë të lartë që, as unë, as ata vetë, nuk e kuptojnë. Askush nuk nxjerr dobi nga ky i folur. A s’duhet të ketë një qëllim të dobishëm ndonjë dhuratë e frymës së Perëndisë?»

Përvojat e Devonit dhe Gabrielit ngrenë një pyetje interesante: a vjen vërtet nga Perëndia të folurit në gjuhë të huaja, sikurse ndodh sot në disa kisha? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, është e dobishme të shqyrtojmë dhuratën e të folurit në mënyrë të mrekullueshme mes të krishterëve të shekullit të parë.

«Nisën të flitnin në gjuhë të ndryshme»

Në Bibël lexojmë për disa burra dhe gra të cilëve u ishte dhënë aftësia për të folur gjuhë që s’i kishin mësuar kurrë. Fillimisht kjo ndodhi në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., pak javë pas vdekjes së Jezu Krishtit. Atë ditë, në Jerusalem, rreth 120 dishepuj të Jezuit «u mbushën me frymë të shenjtë dhe nisën të flitnin në gjuhë të ndryshme». Vizitorët nga vendet e huaja ‘u pështjelluan, sepse gjithsecili i dëgjonte të flitnin në gjuhën e vet’.​—Veprat 1:15; 2:1-6.

Bibla përmend dishepuj të tjerë të hershëm të Jezuit që kishin këtë aftësi të jashtëzakonshme. Për shembull, pasi u fuqizua nga fryma e shenjtë, apostulli Pavël mund të fliste në mënyrë të mrekullueshme në shumë gjuhë. (Veprat 19:6; 1 Korintasve 12:10, 28; 14:18) Por logjikisht, çdo dhuratë e frymës së shenjtë të Perëndisë duhet ta ketë një qëllim të dobishëm. Pra, për çfarë qëllimi shërbeu të folurit në gjuhë të huaja në kohët biblike?

Shenjë e mbështetjes së Perëndisë

Kur u shkroi të krishterëve në qytetin e Korintit, disa prej të cilëve me sa duket mund të flitnin në gjuhë të huaja, Pavli shpjegoi se «gjuhët janë si shenjë për jobesimtarët». (1 Korintasve 14:22) Prandaj, bashkë me aftësi të tjera të mrekullueshme, aftësia për të folur në gjuhë të huaja ishte një tregues për vëzhguesit se kongregacioni i krishterë i sapoformuar kishte miratimin dhe mbështetjen e Perëndisë. Dhuratat e mrekullueshme ishin si një tabelë rrugore që tregonte ku duhej të shkonin tani ata që kërkonin të vërtetën, që të gjenin popullin e zgjedhur të Perëndisë.

Është domethënëse se Bibla nuk përmend që Jezui ose ndonjë prej profetëve të parakrishterimit të ketë folur në mënyrë të mrekullueshme në gjuhë që nuk i kishte mësuar. Pra, dhurata e gjuhëve që u bë e dukshme te dishepujt e Jezuit, kishte një qëllim tjetër.

Një mjet për të përhapur lajmin e mirë

Në fillim të shërbimit të tij, Jezui i urdhëroi dishepujt t’ua predikonin vetëm judenjve lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 10:6; 15:24) Si pasojë, dishepujt rrallë predikuan në zonat që nuk banoheshin kryesisht nga judenjtë. Por kjo gjë do të ndryshonte së shpejti.

Pak pas vdekjes së tij, në vitin 33 të e.s., Jezui i ringjallur i urdhëroi ithtarët ‘të bënin dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’. Gjithashtu u tha se do të ishin dëshmitarët e tij «deri në skajin më të largët të tokës». (Mateu 28:19; Veprat 1:8) Që lajmi i mirë të përhapej deri në atë masë, do të duhej të përdoreshin shumë gjuhë të tjera përveç hebraishtes.

Gjithsesi, shumë prej atyre dishepujve të hershëm ishin «të pashkolluar e të thjeshtë». (Veprat 4:13) Pra, si do të arrinin të predikonin në vende të largëta ku fliteshin gjuhë të huaja, të cilat mund të mos i kishin dëgjuar kurrë e jo më t’i flitnin? Fryma e shenjtë i fuqizoi disa prej atyre predikuesve të zellshëm, duke u dhënë aftësinë e mrekullueshme për të predikuar rrjedhshëm në gjuhë që nuk i kishin mësuar kurrë më parë.

Kështu, dhurata e gjuhëve të huaja shërbeu për dy qëllime jetësore. Së pari, ishte shenjë e mbështetjes së Perëndisë. Së dyti, ishte një mjet i efektshëm për të ndihmuar të krishterët e shekullit të parë të përmbushnin detyrën që t’u predikonin njerëzve të gjuhëve të ndryshme. A i përmbush këto qëllime të folurit në gjuhë huaja që bëhet në shumë kisha sot?

Të folurit në gjuhë të huaja sot​—Shenjë e mbështetjes së Perëndisë?

Ku do ta vinit një tabelë që të nxirrnin dobi sa më shumë njerëz në zonën tuaj? Brenda një ndërtese të vogël? Sigurisht që jo! Tregimi për festën e Ditës së Pesëdhjetë na thotë se ‘një turmë’ kalimtarësh e pa shenjën që siguruan dishepujt kur folën në mënyrë të mrekullueshme në gjuhë të huaja. Si pasojë, atë ditë, «u shtuan rreth tre mijë shpirt» te kongregacioni i krishterë. (Veprat 2:5, 6, 41) Nëse sot njerëzit pretendojnë se flasin në gjuhë të huaja, por vetëm brenda ndërtesës së kishës, si mund të shërbejë kjo praktikë si shenjë publike për shumë e shumë jobesimtarë?

Fjala e Perëndisë e përmend kurvërinë bashkë me të tjera ‘vepra të mishit’ që i kundërvihen veprimit të frymës së shenjtë. Ajo shton se «ata që praktikojnë gjëra të tilla, nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë». (Galatasve 5:17-21) Nëse sheh njerëz me moral të diskutueshëm, që flasin në gjuhë të huaja, me të drejtë mund të pyesësh veten: «A nuk është kontradiktore—e madje mashtruese—që fryma e shenjtë e Perëndisë t’u jepet individëve që nuk heqin dorë nga një sjellje që Fjala e Perëndisë e dënon?» Kjo do të ishte si të vendosje një tabelë rrugore që e drejton trafikun në rrugën e gabuar.

Të folurit në gjuhë të huaja sot​—Një mjet për të përhapur lajmin e mirë?

Ç’të themi për qëllimin tjetër që kishte të folurit në gjuhë të huaja në shekullin e parë? A shërben të folurit në gjuhë të huaja që praktikohet në kisha, si mjet për t’ua predikuar lajmin e mirë njerëzve të gjuhëve të ndryshme? Sill ndër mend se vëzhguesit në Jerusalem, në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., vinin nga shumë vende dhe i kuptonin mirë gjuhët që flitnin dishepujt në mënyrë të mrekullueshme. Krejt ndryshe, ata që flasin në gjuhë të huaja sot, zakonisht thonë fjalë që asnjë s’i kupton.

Qartë, të folurit në gjuhë të huaja në kohën tonë ndryshon shumë nga dhurata e frymës së shenjtë që iu dha dishepujve të hershëm të Jezuit. Në fakt, nuk ka asnjë dokumentim të besueshëm që dikush të ketë marrë të njëjtën aftësi të mrekullueshme që nga vdekja e apostujve. Kjo nuk i habit lexuesit e Biblës. Në lidhje me dhuratat e mrekullueshme, ku përfshihet edhe të folurit në gjuhë të huaja, apostulli Pavël që ishte i frymëzuar nga Perëndia, profetizoi: «Do të pushojnë.» (1 Korintasve 13:8) Atëherë, si mund ta dallojmë se kush e ka frymën e shenjtë sot?

Cilët japin dëshmi se kanë frymën e shenjtë?

Jezui e dinte mirë se dhurata e gjuhëve të huaja do të pushonte afërsisht pak pasi të ishte formuar kongregacioni i krishterë. Pak para se të vdiste, Jezui përmendi një shenjë të përhershme që do t’i identifikonte dishepujt e tij të vërtetë. Ai tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Faktikisht, në të njëjtin varg ku Fjala e Perëndisë paratha se dhuratat e mrekullueshme do të hiqeshin një ditë, thuhet: «Dashuria nuk shuhet kurrë.»​—1 Korintasve 13:8.

Dashuria renditet e para ndër nëntë aspektet e ‘frytit’ ose produktit të frymës së shenjtë të Perëndisë. (Galatasve 5:22, 23) Prandaj, ata që vërtet e kanë frymën e Perëndisë—si pasojë edhe mbështetjen e Perëndisë—shfaqin dashuri të vërtetë për njëri-tjetrin. Përveç kësaj, aspekti i tretë i frytit të frymës është paqja. Kështu, ata që kanë sot frymën e shenjtë i përkushtohen paqes dhe punojnë me ngulm të kapërcejnë fanatizmin, racizmin dhe dhunën.

Gjithashtu, sill ndër mend profecinë e Jezuit të dokumentuar te Veprat 1:8. Ai paratha se dishepujt do të merrnin fuqi për të qenë dëshmitarët e tij «deri në skajin më të largët të tokës». Për më tepër, Jezui tregoi se kjo vepër do të vazhdonte «deri në mbarim të botës». (Mateu 28:20, Diodati i Ri) Pra, kjo vepër predikimi ndërkombëtare do të vazhdonte të ishte një shenjë për të dalluar ata që vërtet marrin fuqi nga fryma e shenjtë.

Si mendon? Te cili grup njerëzish sheh dëshmi se kanë frymën e shenjtë sot? Cilët po e shfaqin frytin e frymës, veçanërisht dashurinë dhe paqen, deri në atë masë sa të vuajnë nga qeveritë ngaqë nuk marrin armë për të luftuar, dhe kjo në mbarë botën? (Isaia 2:4) Cilët po përpiqen të shmangin veprat e mishit, siç është kurvëria, e madje duke i hequr nga mesi i tyre ata që i praktikojnë këto pa u penduar? (1 Korintasve 5:11-13) Cilët po e predikojnë në mbarë botën lajmin e mirë se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja shpresë për njerëzimin?​—Mateu 24:14.

Botuesit e kësaj reviste nuk ngurrojnë të thonë se Dëshmitarët e Jehovait i përshtaten përshkrimit të Biblës për njerëzit që kanë frymën e shenjtë. Pse të mos i njohësh më mirë ata dhe ta nxjerrësh vetë përfundimin nëse e kanë vërtet mbështetjen e Perëndisë?