Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ndikojnë te ne engjëjt?

Si ndikojnë te ne engjëjt?

Çfarë mësojmë nga Jezui

Si ndikojnë te ne engjëjt?

Jezui ka jetuar në sferën qiellore bashkë me Atin e tij «para se të ishte bota». (Gjoni 17:5) Prandaj, ai është më se i kualifikuar t’u përgjigjet pyetjeve vijuese:

A interesohen engjëjt për ne?

▪ Nga Jezui mësojmë se engjëjt interesohen thellësisht për njerëzit. Ai tha: «Engjëjt e Perëndisë [gëzohen] për një mëkatar që pendohet.»​—Luka 15:10.

Jezui tregoi se engjëjt kanë përgjegjësi t’i ndihmojnë shërbëtorët e Perëndisë ta ruajnë të fortë marrëdhënien me Të. Kështu, Jezui i paralajmëroi dishepujt që të mos pengonin të tjerët: «Kini kujdes se mos përbuzni një nga këta të vegjlit, sepse po ju them se engjëjt e tyre në qiell shohin gjithnjë fytyrën e Atit tim që është në qiell.» (Mateu 18:10) Me këto fjalë, Jezui nuk donte të thoshte medoemos se çdo dishepulli të tij i është caktuar një engjëll mbrojtës. Por, tregoi se engjëjt që punojnë ngushtësisht me Perëndinë, interesohen konkretisht për të krishterët e vërtetë.

Si mund të na dëmtojë Djalli?

▪ Jezui i paralajmëroi dishepujt se Satanai përpiqet t’i pengojë njerëzit të mësojnë të vërtetën për Perëndinë. Jezui tha: «Kur dikush e dëgjon fjalën e mbretërisë, por nuk e kap kuptimin e saj, vjen i ligu dhe e rrëmben atë që u mboll në zemër.»​—Mateu 13:19.

Me ilustrimin për një njeri që mbolli farë gruri në arën e tij, Jezui nxori në pah një mënyrë se si i mashtron Satanai njerëzit. Njeriu përfaqëson Jezuin dhe gruri përfaqëson të krishterët e vërtetë të cilët do të sundojnë me Jezuin në qiell. Gjithsesi, Jezui tha se erdhi një armik dhe «mbolli egjër nëpër grurë». Egjrat përfaqësojnë të krishterët e rremë. «Armiku që i mbolli, është Djalli.» (Mateu 13:25, 39) Ashtu si egjrat duken si filiza gruri, ata që pohojnë se janë të krishterë mund të duken si adhurues të vërtetë. Fetë që mësojnë doktrina të rreme i mashtrojnë njerëzit, duke bërë që të mos i binden Perëndisë. Satanai përdor fenë e rreme që njerëzit të mos bëhen miq të Jehovait.

Çfarë mund të bëjmë që të mos na dëmtojë Satanai?

▪ Jezui e quajti Satanain ‘sundimtar të kësaj bote’. (Gjoni 14:30) Në një lutje drejtuar Perëndisë, ai tregoi si të mbrohemi nga Satanai. Jezui iu lut Atit qiellor për dishepujt e tij: ‘Ruaji nga i ligu. Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës. Shenjtëroji me anë të së vërtetës. Fjala jote është e vërteta.’ (Gjoni 17:15-17) Njohuria për Fjalën e Perëndisë na mbron që të mos ndikohemi nga bota mbi të cilën sundon Satanai.

Si ndikojnë sot engjëjt te ne?

▪ Jezui tha: «Në përfundim të sistemit . . . engjëjt do të dalin e do të ndajnë të ligjtë nga të drejtët.» (Mateu 13:49) Sot po jetojmë në ‘përfundim të sistemit’, dhe miliona njerëz po i përgjigjen lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë.​—Mateu 24:3, 14.

Por, jo të gjithë ata që fillojnë të studiojnë Fjalën e Perëndisë marrin miratimin e tij. Engjëjt drejtojnë veprën e shërbëtorëve të Jehovait dhe njerëzit që e duan vërtet Perëndinë, ndahen nga ata të cilët nuk duan të zbatojnë gjërat që mësojnë. Duke përshkruar ata që fitojnë miratimin e Perëndisë, Jezui tha: «Ata . . . pasi e dëgjojnë fjalën me një zemër të shkëlqyer e të mirë, e mbajnë dhe japin fryt me qëndrueshmëri.»​—Luka 8:15.

Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitullin 10, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 16]

Engjëjt i ndihmojnë njerëzit e sinqertë që kërkojnë të vërtetën